Ju kanë bërë ndonjëherë nëpër botë pyetjen: “si janë shqiptarët?” Ose: “si mendojnë shqiptarët për Obamën?” A keni shfryrë ndonjëherë për ngjarje që s’ju pëlqejnë: “çfarë me nder populli jemi!”; ose jeni krenuar me shprehje si: “shqiptarët janë popull liridashës” ose “ne jemi popull i zgjuar, jo si italianët…”. Përdoruesit e tyre janë njerëz normalë, që, në fund të fundit, thjeshtë përdorën një figurë ligjërimore, por racionaliteti në përdorimin e fjalëve të tilla është i dyshueshëm e me pasoja. Këto përdorime abuzojnë logjikën. Si janë shqiptarët? Me sy dhe veshë, e normalisht me dy këmbë e pa brirë. Qenkan liridashës ndryshe nga ‘popujt’ e tjerë që janë skllavëri-dashës? Si mendojnë për Obamën? Ashtu si kudo tjetër, secili e mendon në mënyrën e vet, dhe po ashtu, secili mund të ndryshojë mendje çdo ditë. Ka njerëz që i kanë për zemër përgjithësimet në këtë fushë, e flasin p.sh. për shpirtin tolerant fetar të shqiptarëve, apo për zakonin e mikpritjes, ose për të qenët trim e krenar, madje edhe tiparet negative, si psh të qenët frikacak, indiferent, nursëz, pa dinjitet, inferior etj. Edhe shprehjet “ne shqiptarët nuk jemi patriotë!”; ose “atdheu lyp sakrifica”, ose “për atdheun, japin edhe jetën”, janë mjaft të dëgjuara e ndjekin të njëjtën logjikë. Në të gjitha këto raste, në vlerësime pozitive e negative, folësi është në nivele të ndryshme në terrenin e së pavërtetës: ose gënjen veten dhe të tjerët (këtu hyjnë ata që nuk e dinë se janë të manipuluar), ose gënjen vetëm të tjerët (këtu hyjnë politikanët). Në mënyrë të rreme, presupozohet ekzistenca e një qenieje racionale, ose së paku një organizmi me organizim të brendshëm të njësuar, që vepron ndërgjegjshëm sikur të kish një lloj truri dhe aftësie shprehëse që i bindej atij truri. Po ashtu presupozohet pandryshueshmëria e prodhimit të kësaj qenieje në kohë, që e bën atë idhull absolut e të pakritikueshëm nga individi i përkohshëm.

Me kohë kemi krijuar dy qenie imagjinare të cilave u kemi vënë sy e veshë e i kemi bërë të jetojnë si organizma tridimensionalë, u bëjmë temena pa e ditur, e u nënshtrohemi pa kuptuar: popullin dhe atdheun, si dhe tufën e nocioneve të së njëjtës çerdhe kuptimore. Dhe, guxo t’i vësh në dyshim nocionet patriotike e populiste! E gjen veten të përçmuar si nga ata që vetëquhen komunistë, ashtu edhe anti-komunistët. Pse? Sepse ke prekur, së paku, tri probleme-tabu të logjikës së turmës që lidhen me argumentime që ndërtohen pikërisht mbi këta terma , probleme që në fakt ushqehen nga sistemi: falasinë reifikuese (trajtimin si send të një ideje), ‘përgjithësimin e nxituar’ vërtetësia e të cilit as është matur e as është vërtetuar, dhe atë të ‘argumentum ad populum’ (nëse shumica e sheh si të vërtetë, atëherë nuk mund të jetë a të shihet ndryshe), madje edhe ‘thirrjen e traditës’ që s’mund të jetë veçse e panjollë. Njerëzit mësohen me fjalë e shprehje boshe që u hidhen nag lart, teksa ato normalizohen në përdorim e kulturë; pastaj u bashkëngjisin atyre vlera morale të së drejtës e së mires që e barazon kundërshtimin e tyre me antivlera morale; pastaj janë krenarë për to, se i kanë shpirtëzuar, e identifikuar me veten dhe i përdorin në argumentime justifikuese dilemash sociale sikur të ishin zgjidhje të gatshme formulaike; e, së fundi, nuk ua prek dot më, se për to jetojnë e varen prej tyre. Në këtë pikë, publiku racional dhe i pavarur merr fund, dhe demokracia bëhet shprehje boshe, si ato më lart. Këtu politikani tërheq për hunde kë do e si do me lehtësi, mjafton të shqiptojë fjalët magjike.

Problemi me këto terma nuk është ai i përdorimit të tyre praktik që ndihmon ngërthimin e përgjithësuar e të relativizuar të njësive gjeografike apo politike komplekse me qëllim referues e orientues të tipit “shqiptarët flasin shqip”. Përgjithësimi këtu bëhet mbi bazën e një shumice reale shqipfolëse dhe lidhet me faktin vetë. Problem janë përdorimet e këtyre termave kur përgjithësimi që ato bartin është i paprovuar ose me natyrë komplekse, kur përmbajtja ose është joekzistuese ose konsiston vetëm në ngarkesën figurative e emocionale, patosin. Problem është përdorimi i këtyre termave me karrem manipulues në kokë, dhe me funksionin e grepave: si në “kështu u realizua ëndrra mijëvjeçare e popullit”; “populli foli qartë” (në zgjedhje apo në demonstrata), “kjo ngjarje nderon popullin shqiptar”, “popuj vëllezër”, “atdheu kërkon sakrifica”, “tradhti ndaj atdheut” etj. Por, vetë ekzistenca e këtyre termave që joshin patriotizëm e populizëm, aq të papërcaktuar kuptimisht sa edhe të pranishëm në ligjërim, është në vetvete një derë e hapur drejt përdorimit manipulues nga sipër e brenda vetes, derë që u shërben shumë më tepër politikanëve për të manipuluar votuesit, sesa individëve për të zgjidhur problemet e tyre praktike të komunikimit. Madje, këtyre të fundit, këto terma militues, u sjellin vetëm halle të reja. Mendoni, nga ana tjetër, t’u hiqni politikanëve nga diskursi i tyre politik, mundësinë e përdorimit të këtyre termave. Do jetë një belbëzim me fare pak fjalë, një përpëlitje e pasukses. Vëreni tamam këto dutë, më 28 dhe 29 nëntor, ditët kur politikanët i hanë, i veshin e i vjellin këta terma me shumicë, se sa herë e si do përdoren termat ‘popull’ e ‘atdhe’, nëpër fjalime, nëpër media, sidomos nga televizioni shtetëror, dhe analizoni çfarë do të thotë e kujt i shërben praktikisht përdorimi i termit sa herë që shfaqet. Pa dyshim, jo ty.

Këto terma përdoren kryesisht për të ndezur ndjesi emocionale që përgjithësisht u rrisin adrenalinën dhe përdëllejnë njerëz që janë ndërkaq të manipuluar prej termave, e më tej kornizojnë varësitë joracionale të tyre në interes të grupeve të caktuara. Funksionojnë në turmë, shumë më mirë se individualisht. Përdorimi i tyre ose ka synimin politik të identifikimit të një udhëheqësi apo partie politike me pozicionin e virtyshëm, pra, si “për popullin e për atdheun”, ose akuzimin e kundërshtarit politik si i pamoral dhe i pavirtyt, pra, si “kundër popullit e atdheut”. Pasojat e përdorimit të dytë si dhe të të parit, janë vetëm manipuluese. Politika dhe edukimi i përditshëm në shkollë e shoqëri janë sferat publike ku termat gjallojnë pa ndërprerje e më me intenistet, duke krijuar kulturën dominuese, apo ato lloj ideologjish që na drejtojnë gjithë ditën pa e ditur se i kemi. Çudia është se na bëhen pjesë e jona dhe nuk pyesim më se nga na vijnë e për ç’qëllime përdoren. Këto nocione i bëri telef era e socializmit, dhe mund të mendohej se në Shqipëri do kish një velje apo rezistencë masive ndaj tyre. Por në fakt janë po aq aktive sot.

Të vepruarit si qenie të hipnotizuara, veçse, nuk është aspak kështu vetëm për rastin e Shqipërisë. Mbaj mend ditën kur mora pjesë në ceremoninë e marrjes së qytetarisë amerikane. Një gazetare e televizionit lokal, kërkoi një intervistë pas ceremonisë. Para se të lejonte filmimin, më pyeti nëse isha e gëzuar. I thashë pa mëdyshje “po”. Pyetja e parë që më bëri para kameras ishte: “A ndihesh ndryshe tani që je qytetare amerikane?” Ndenja pak se nuk doja që gazetarja të dukej keq, por përndryshe do duhej të gënjeja. I thashë se nuk ndihesha ndryshe, e që isha ndierë gjithnjë qytetare amerikane (sa edhe shqiptare apo italiane). Ajo që më gëzon është se tani kam edhe dokumentacion amerikan, gjë që më lehtëson praktikisht një mijë gjëra. Dhe se për këtë isha shumë e gëzuar. Vajza e re ngeli keq, dhe kështu ngela edhe unë. Arsyeja ishte se ajo që shitet në TV është sentimentalizmi dramatik i lotëve prej patrioti të ri e mirënjohës, që në ato çaste ndihej një tjetër qenie, më e bukur dhe e virtytshme sesa më parë. Dhe sjellja ime në këtë logjikë, kish qenë zhgënjyese.

Para dy ditësh dëgjoja bisedën e D. Letterman, gazetar e prodhues televiziv dhe komediant amerikan, me rreshterin amerikan Salvatore Giunta që sapo u nderua nga presidenti amerikan me Medaljen e Nderit, nderimi më i lartë ushtarak në ShBA. Gjatë gjithë bisedës, tek Giunta sheh një të ri optimist, modest dhe të vërtetë, një qenie që rrezikoi pa mëdyshje jetën për të shpëtuar dy shokët e vet kapur rob (njërin prej të cilëve vërtetë arriti ta shpëtonte), pa asnjë ndjesi heroike, por si kryerje të një detyre njerëzore. Aspak tipi me të cilin do doja të fjalosesha për qejf, por një njeri që më ngjalli shumë respekt për të qenët safi e i drejtpërdrejtë. M’u duk një qenie me integritet absolut (do thoja), që sot nuk para i gjen kollaj. Por kur erdhi fjala tek nocionet-zilka ‘popull’ e ‘atdhe’, një njeri tjetër u shfaq që përgjigjej si në ekstazë. Ai tha se pa mëdyshje do ta niste të birin në luftë për Amerikën kurdo, sepse kjo është detyra e çdo amerikani ndaj atdheut të vet. Dhe se Amerika nuk do ishte e lirë dhe demokratike, pa sakrificën dhe gjakun e ushtarëve amerikanë në Irak e Afganistan. Nuk kam dyshim që rreshteri i mirë i thoshte sinqerisht këto fjalë, dhe nuk po përpiqej aspak të tregohej patrioti që s’ish. Dhe tamam për këtë, u ndjeva e dërrmuar të realizoja se çfarë lavazhi truri u bëhet njerëzve e si u vdes mendja kritike, apo ajo që analizon e pastaj vepron. Dhe se çfarë potenciali manipulues kanë fjalë si fjalët atdhe e popull.

Ndoshta shqiptarët thonë se janë aq të zgjuar sa të mos manipulohen e çohen për dhjamë qeni në luftëra që s’janë të tyret, si puna e “leshkove amerikanë” ( a nuk po flasim pikërisht për këtë lloj ndjesie?), por në fakt janë pre e të njëjtave praktika në nivele të ndryshme. Dhe fakti që besojnë se janë të pamanipulueshëm, është shenjë e fitores së manipuluesve. Kujtoni vetëm mënyrën se si u shit retorikisht rruga Durrës-Kukës apo “rruga kombëtare”, ose pavarësia e Kosovës dhe gjithë lëvizjet institucionale e financiare lidhur me to nga politika dhe mediat. Në Shqipëri me këta terma luhet më fort se me gjithçka tjetër: a nuk është E. Rama kundër popullit dhe antiatdhetar se pengoi pranimin e Shqipërisë si vend kandidat në BE (kur në raport bëhen fajtore të gjitha forcat politike vepruese)? A nuk është i shitur tek greku dhe antiatdhetar Sali Berisha që deshi t’u shesë ujërat tona detare grekëve? A nuk janë antiatdhetarë dhe antipopullorë ata intelektualë që guxojnë të hulumtojnë shkencërisht në drejtime që nuk na insteresojnë neve “si komb e si popull”? A nuk është antiatdhetar ai që shkel me këmbë 50 vjet socializëm, po ashtu si ai që lëvdon arritjet e atyre 50 vjetëve? Ai që e shan Saliun, ashtu si edhe ai që e mbron? Në këtë pikë, termat në fakt nuk kanë më përmbajtje konkrete. Ata mund të përdoren lirshëm nga të gjitha palët, për të manipuluar dhe jo informuar apo argumentuar diçka.

Vështroni boshllëkun kuptimor në përdorimet e fjalëve që u referohen atdheut (nën petkun e fjalës ‘komb’) dhe popullit më poshtë. Nuk ia vlen as të jepet emri i folësit politik, sepse kjo praktikë, në gjithë krahët e politikës, është e shpeshtë e bajate:

“Liria kombëtare është një dhe e pandarë. Në rast se një pjesë e kombit nuk është e lirë, kombi kurrë s’mund të jetë i lirë. Në këtë Universitet u farkëtuan luftëtarët e mëdhenj të lirisë së kombit shqiptar, burrat dhe gratë, që do të udhëhiqnin shqiptarët në betejën më legjendare në historinë e tyre, betejën për pavarësinë e Kosovës.”

Ky paragraf më duket si një govatë mbushur me lëvere me zhul që më pas do t’i nderin siç janë, thajnë e do ua veshin njerëzve si të pastra. Politikanët, të cilitdo krah, nuk mund të ekzistojnë pa këtë kategori termash që i bëjnë thirrje iracionales. Një matës praktik i politikanit serioz dhe të ndershëm? Sa rrallë i përdor këta terma. Nga ana tjetër, të një politikani demagog? Sa shpesh i përdor ata.

Sidoqoftë, duhet thënë se ‘e djathta’ (terma relativë e të pasaktë edhe këta) ia del ta shesë veten gjithnjë më sukseshëm e më shtrenjtë nën teshat e patriotizmit (tesha nga govata e mësipërme). Dhe këtu s’e kam fjalën veç për të djathtët e kohës së Mussolinit. Retorika e fjalimeve të Topallit dhe Berishës e dëshmon lehtë këtë. Në rastin e Shqipërisë, besoj se e majta e ka të vështirë të mbipërdorë terminologjinë në fjalë, sepse ajo do ta identifikonte lehtë me të majtën e Enverit, nga e cila do që të distancohet. Po ashtu ka edhe ndonjë politikan kulturalisht sqimtar, tek-tuk në të majtë, që e sheh si vulgar mbi-përdorimin e këtyre termave. Ndërsa e djathta, nuk e ka problem imazhi komunizmin, sado afër që është në thelb me mendësitë e Enverit. Italia dhe ShBA-të gjithashtu dëshmojnë përfitimin (që shitet si visceral) e së djathtës nga termat patriotikë e populistë. Tamam në një përkthim botuar në gazetën Respublica para pak kohe, Gianfranco Fini nis të përkufizojë të djathtën italiane kështu: “Për të djathtët, mbi të gjitha, është bukur të jesh italian. Është një privilegj të jesh italian.” (Po çfarë do të thotë italian konkretisht e pa manipulime? Mes të tjerash, të dish t’i gatuash si duhet ‘bucatini all’ammatriciana’, e të njohësh italishten dhe Boccaccion. Atëherë, shumë shqiptarë, duhet të jenë italianë të mirë, dhe Fini duhet të shohë shumë bukuri dhe djathtësi në qenien e tyre. Pse jo t’u bëjë gati qytetarësinë italiane tani që ajo europiania nuk dihet kur u vjen!)Po kështu në ShBA, nuk kanë të krahasuar të majtët (sado të djathtë qofshin ata) me të djathtët (në të gjitha pikat e spektrit patriotik, nga centristët, tek Tea Party), përsa u përket arritjeve në manipulimin e njerëzve me terma e dogma patriotike e populiste. Të majtët edhe tek ne (sado pak mëngjërashë qofshin), kanë ende shumë për të mësuar. Ndoshta do përparojnë në këtë pikë në zgjedhjet e ardhshme. Në çdo rast, mjerë “populli shqiptar”, që proteston kur guxojnë ta çmanipulojnë sepse zhguna e pjesëtarit të një grupi krenar, qoftë edhe veç shoqërisht të sajuar, është e ngrohtë. Së paku të duket se nuk je krejt i braktisur.

Ka një mal me fjalë të këtij tipi që u mbushin njerëzve kokat me boshllëk kuptimor dhe me zjarr për të idolizuar një krah apo urryer krahun tjetër. Ajo që na duhet më fort në ditë të tilla (si 28 e 29 nëntori) kur politika dhe mediat shpesh takohen e kryejnë të njëjtën punë, duke ndërtuar një botë diskursesh bosh e kuptimesh të rreme bazuar mbi terma si këta më sipër, është të ndjekim një këshillë të mençur të Vaclav Havel-it dhënë më 1999:

“Mund të rekomandoj vetëm perspektivë dhe distancim. Ndërgjegjësim për të gjitha llojet e kotësive, tek vetja dhe të tjerët. Një mendje kritike. Siguri modeste për kuptimin e gjërave… vigjilencë të shpirtit.”

18 Komente

kot kshu per muhabet se pune opinionesh eshte kjo; desha met'pyt, si i plotesove "yes" or "no kto pytjet ke formulari i marrjes se qytetarise amerikane:

Do you support the constitution and form of government of the US?

Do you understand the full oath of allegiance to the US

Are you willing to take the full oath of the US?

If the law requires it, are you willing to bear arms on behalf of the US?

 

Po masnej, a e ngrejte doren e djathte dhe u betove?

thank you.

e ke edhe me tulle, flor: nqse vendi yt do sulmoje USA, a do e luftosh ushtrine e venit tat ti?

neper men te vjen fusha e gjadrit, nendetsja 105, reparti i tankeve ne zallherr, komandanti i toges ne zbor fakultet vitpar qe ishte nje student i vitit katert qe kishte qejf ti thoje "o petagok"... edhe dilema e keshillit te fshatit qe po i pushtuam, si do i mbajme me buk gjith amerikanet ne.

Ajo që na duhet më fort në ditë të tilla (si 28 e 29 nëntori) kur politika dhe mediat shpesh takohen e kryejnë të njëjtën punë, duke ndërtuar një botë diskursesh bosh e kuptimesh të rreme bazuar mbi terma si këta më sipër, është të ndjekim një këshillë të mençur të Vaclav Havel-it dhënë më 1999

Keto dite te tilla 28 e 29 nentori ca jane?

Shkrim i lodhshem dhe plot me zig-zage...

Shkurt muhabetit, shqiptaret nuk vuajne nga 'semundja' e patriotizmit. Shqiptaret vuajne nga injoranca, mungesa e edukates, pislliku, hajdutlliku, meskiniteti etj etj.

po   mire   ,ja po ti plotesojme te gjitha deshirat ,po e heqim qafe popullin ,kombin dhe c'do lloj forme organizimi shoqeror, u zgjidh problemi d.m.th. se po te jete keshtu shqiperia eshte vendi ideal per pikpamjet e tua ,ku as njeri nuk i referohet as kombit as popullit por perseri  situata eshte bloze.Meqe na rekomandon te jemi kritike [ketu jemi ne nje mendje]le ta fillojme me ty qe perrallen e re me 'popullin e integrimin europian 'nuk e perfshin  ne kritiken tende ndaj cdo lloj forme bashkesie .Individualizmi ekstrem  mund ta ktheje njerezimin ne epoken e shpellave,pastaj nese s'ka popull shqiptar ,s'ka as gjerman as anglez e as cifut?pse kam pershtypjen se keta klonet e lubonjes ne te vertete gjithe problemin e kane me kombin shqiptar , megjithese shqiperia e sotme mund te konsiderohet 'parajse' per pikpamje te tilla apopuliste dhe akombetare.Asnje politikan ne shqiperi nuk ka pikpamjet e finit  e megjithate  shiu globalist nuk pushon se reni ,jam globalist bertet sala ,jam europian bertet rama ,jo thone sorrosistet jeni atdhetare , ore aman se nuk jam , jo je dhe pike.Nejse kur perpiqesh te besh interesantin dhe antiturmen  mund te behesh dhe karagjoz[e]

Këtu ku jam unë, shumë kërkues bëjnë eksperimente shkencore mbi veten e tyre - skanohen, shpohen, ekzaminohen, marrin ndonjëherë ndonjë përbërje të çuditshme. Vokacioni që kanë për shkencën, ideali që ata mbajnë ua qeveris gjithë qënien e tyre. Kjo e bën mjaft të kuptueshme për ta,  që ta sakrifikojnë veten për shkencën (lexo, për përfitimin e dijes që u shërben të gjithëve)

Nga ana tjetër, kur i hyj hollë asaj punë (flas naj analize statistikore si puna e factorial analysis) më rezulto se mirëqenia vetjake e çdo shqiptari përbëhet (edhe) nga përpjekjet e atyre që u mblodhën në Lidhjen e Prizrenit, që shkruan e ndërtuan, larg e afër, atyre që luftuan për shpalljen e Pavarësisë, atyre që u futën burgjeve gjatë komunizmit (trashëgimia sipas Jungut) ... jo për përfitimin e tyre, merrvesht, por në emër të Atdheut. 

Nashi, ndërsa artikullshkruesja identifikon një fakt të shumënjohur: "nën emrin tënd o popull fshihen shumë abuzime", dështon të transmetojë është se në fakt abuzime fshihen nën emrin e çdo ideali. Kësisoj,çdo ideal mund të abuzohet: feja, kombi&atdheu, etja për dije e më the të thashë. Por ne nuk fajësojmë shkencën për faktin se nazistët kanë bërë eksperimente në njerëz, dhe as fenë mirëfilli për kamikazët e as atdheun&atdhedashuria nuk ka faj për abuzimet me të.

Unë mendoj që atdheu është ajo gjëja që mbahet me vete ngado nga vete, me dëshirë e rrëshirë - dhe më vjen e natyrshme të them se çdokush duhet të ketë dashuri për vendin e tij, respekt për sakrificat e të tjerëve para tij, dhe energji për të punuar për të, ashtuqë t'i japë edhe jetës së vet, ndër të tjera, kuptim.

Thone qe ka dale nje shkence e re quhet "Gjenetika", po autorja s'besoj ta njohe.

Kjo shkence pak kohe qe ka dale, vetem 1 shekull. Sipas saj te gjithe kemi nje hunde, dy sy, tre k***(?) dakort, por nje shqiptar i mesem eshte i ndryshem nga nje grek turk cifut anglez kinez etj i mesem. Ndonjehere ka edhe njerez shume te afte qe vetem me ane te shikimit e dallojne ndryshimin midis nje kinezi dhe nje shqiptari pa pasur nevoje per mjete laboratorike, por ama keta duhet te jene te veçante.

Me seriozisht tani,  ç'fare me cudit mua me keta kozmopolitanet  shqiptare  mendjendritur (nuk e kam me autoren, por ne pergjithesi) eshte se e kane kapur qe ne  ajer kete filozofine kozmopolitane sapo dolen nga 2000 vjet despotizem, por nga shpejtesia kane kapur vetem pjesen e pare ate te qytetarit te botes, me pjesen e dyte ate te veçorive tona qe s'duhen mohuar e te te tjereve qe s'duhen perçmuar, kane harruar te merren e ti kuptojne. Edhe para 25 shekujsh shpiksit e ketyre nocioneve kozmopilitanizmit etj, greket, Diogjeni ishin me te qarte, duhet te gjithe te pranojme disa principe universale etj por nuk duhet nga ana tjeter te mohojme veçorite tona

Thone qe ka dale nje shkence e re quhet "Gjenetika", po autorja s'besoj ta njohe.

Kjo shkence pak kohe qe ka dale, vetem 1 shekull. Sipas saj te gjithe kemi nje hunde, dy sy, tre k***(?) dakort, por nje shqiptar i mesem eshte i ndryshem nga nje grek turk cifut anglez kinez etj i mesem. Ndonjehere ka edhe njerez shume te afte qe vetem me ane te shikimit e dallojne ndryshimin midis nje kinezi dhe nje shqiptari pa pasur nevoje per mjete laboratorike, por ama keta duhet te jene te veçante.

megjithate, mos e ngaterro gjenetiken me kulturen. Gjenetika nuk perdor terma si shqiptari mesatar, apo cifuti mesatar. Dhe, nese do vertet te dish se cfare thote gjenetika atehere do te duhet te mesosh, psh, "kuriozitetin gjenetik" se dallimet gjenetike brenda nje komuniteti/grupi (pra, midis individeve te te njejtit grup) mund te jene me te medha se dallimet gjenetike nga individet e nje grupi tjeter. Pra shmangiet "in" mund te jene me te medha sesa shmangiet "inter". smiley

Self une te kuptoj ty, por a me kupton ti mua Smile  shqiptari i mesem ne gjenetike, nenkupto nje perfaqsues qe mbart gjene te cilat gjenden ne pergjithesi ose me shumice te tek ne, gjeni i kokes me cepa, apo i kokemushkerise etj.

Gjenetika nuk perdor terma si shqiptari mesatar pasi jane te rrezikshme, jo se nuk qendrojne. Megjithese mund te kete shqiptare qe kane ngjashmeri te medha me joshqiptare, mesatarisht shqiptaret jane te ndryshem. 

nuk te kisha kuptuar. Flasim per alele, apo snp por jo gjene per se (kjo eshte shume populiste dhe pervecse con ne keqkuptime dhe abuzime, nuk ka shume kuptim sepse te gjithe kemi te njejtat gjene, por keto gjene shfaqen ne popullate me alele (fytyra te ndryshme te te njejtit gjen) qe kane frekuenca te ndryshme. Se cila eshte domethenia apo relevanca e pranise (apo jo) se nje aleli te caktuar per individin apo grupin eshte komplet nje ceshtje tjeter dhe zakonisht shume komplekse sepse gjenet/alelet nuk jetojne te vecuar dhe as nuk funksionojne te vecuar. smiley

Nji aspekt qe duhet shtuar eshte se e djathta ne menyre gati qesharake ndonjehere kapet pas Patriotizmave, krenarive e rendit, se ne thelb sot Nuk ka dallime nga e Majta apo "te majtet" ndaj dhe keto perdorje populiste duhen per vazhdimesine e sistemit..E kote ne kete rast eshte e gjithe e majta dhe e djathta

Ky shrim nuk shkon me larg se ai shkrimi i atij Duim Babes Olsi Jazexhiut. Ne krah tjeter, gjoja modern, por ne fund takohet tamam me Olsin ne te njejten pike. Antikomebtar, anti atdhe, anti patriotizem.

Shqiptaret po ecin ne nje linje shume te ngushte. Nga nje ane jane keta "modernet" e tipit Lubonja & Co qe mohojne cdo gje kombetare gjoja ne emer te te "vertetes" "realtitetit" dhe "internacionalizmit" nga ana tjeter anadollaket e tipit Jazexhiu & Co qe po keshtu mohojne cdo gje kombetare gjoja ne emer te dickaje me te madhe sic eshte feja, anadolaku otomanist dhe vyrtyteve te shenjta te islamit

Ne fund megjithese se ne rruge krejt te kunderta bashkohen tek mohimi i kombit

Dhe mos thoni pastaj se bota nuk eshte e rrumbullaket .

mua me duket se qellimi i autores eshte te flase per abuzimin me emrin e atdheut dhe popullit, te atdhedashurise dhe te vecoje aspektin demagogjik e manipulues te mbajtjes gjalle e ndezur te kesaj lloj retorike e patetike ne media apo ne jeten politike. Jam shume dakort me kete linje te diskursit te autores.

Por, une kam nje problem me autoren. Ne fillim te artikullit ajo shkruan:

Ka njerëz që i kanë për zemër përgjithësimet në këtë fushë, e flasin p.sh. për shpirtin tolerant fetar të shqiptarëve, apo për zakonin e mikpritjes, ose për të qenët trim e krenar, madje edhe tiparet negative, si psh të qenët frikacak, indiferent, nursëz, pa dinjitet, inferior etj.

Do te desha ta pyes Eden, ku e fut veten kur analizon (nje artikull i saj i para ca kohesh) emrat qe shqiptaret i vene femijeve te tyre dhe kur konkludon se larmia e emrave te huaja (qe nuk respektojne as lakimin e shqipes, pale te tjerat) tregon krizen e identitetit te shqiptareve? Kur thote qe shoqja e saj ben nje akt shqiptarie kur i ve emrin Sara se bijes dhe na le te besojme se kur i ve nje nga emrat qe nuk i pelqejne autores sepse i vrasin estetiken akustike apo sepse nuk i respektojne lakimin, je antishqiptar? Ku e fut veten, kur iu diskuton identitetin gjuhesor kosovareve (nje artikull para atij te emrave) dhe iu kerkon ta mesojne e flasin me mire gjuhen standarte (e theksoj flasin jo shkruajne, si e flasin ne tavoline, ne rruge, mes tyre) edhe pse gjuha e nenes se tyre eshte tjeter nga standarti (e per kete pune jo vetem e tyrja - ne te gjithe, pak a shume - duke perdorur nje klishe pergjithesuese - nenat na i ushqejne dashurine, dijen me gjuhen e dialektit)? A nuk eshte e njejta govate qe po perdor, si ajo qe permend ne kete artikull?

Jam shume dakort qe nje shoqeri e shendetshme krijon nje raport te shendetshem midis individit dhe grupit; grupi nuk ia merr frymen individid, e le ate te ekzistoje; lejon shumellojshmerine individuale pa imponuar homogjenizmin totalitar, nje identitet unik te grupit ne kurriz te identitetit individual (qe me duket se eshte edhe thelbi i diskursit te asaj qe ketu stigmatizohet si kozmopolitizem, dhe thelbi i diskursit te artikullit te Edes), dhe nga ana e tij, kjo energji individuale vjen si vlere e shtuar jo vetem per individin por edhe per grupin dhe suksesin e tij si grup. Por, mendoj se kjo nuk vlen vetem per gjuhen e politikes dhe populizmin qe e karakterizin ate (majtas dhe djathtas), kjo vlen kudo! edhe per populizmin ne diskutimin (e identitetit) gjuhesor. 

miqesisht

autorja @: Me kohë kemi krijuar dy qenie imagjinare të cilave u kemi vënë sy e veshë e i kemi bërë të jetojnë si organizma tridimensionalë, u bëjmë temena pa e ditur, e u nënshtrohemi pa kuptuar: popullin dhe atdheun, si dhe tufën e nocioneve të së njëjtës çerdhe kuptimore. Dhe, guxo t’i vësh në dyshim nocionet patriotike e populiste!

Autorja ka marre persiper te ftilloje nje teme shume interesante dhe komplekse por nuk eshte fort e qarte: here cfryn (dhe me te drejte) kunder manipulimit nga politika me  konceptet popull e atdhe dhe here te duket se kerkon cmistifikimin dhe  heqjen dore prej ketyre "koncepteve dhe fjaleve boshe".

Kjo te kujton diskutimin ne mesjete ndermjet nominalisteve dhe realisteve.Per nominalistet  frut  eshte emer , nocion kurse ato qe ekzistojne realisht jane dardha, pjeshka, kumbulla dhe kajsia. Nocionet e ketij rangu jane shoqerisht te parrezikshme sepse deri me sot askush nuk eshte manipuluar te ushqehet me fruta pa patur ne dore ndonje dardhe ose pjeshke.Problemi fillon me nocione te tilla unifikuese dhe pergjithsuese sikurse jane termat popull dhe atdhe dhe perdorimin e tyre ne nje shoqeri tashme jo ne gjendje  natyrore por  te organizuar brenda  nje sistemi politik.

Populli dhe atdheu nuk jane nocione apo emra bosh sikurse thote autorja edhe pse si entitete tashme te pergjithsuara ato kane edhe gracken e manipulimit dhe perdezjes irracionale te turmave . Atdheu eshte i te gjitheve. Nocioni popull gjithashtu eshte gjithperfshires (A eshte prifti popull? ). Politika flet me kategori homogjenizuese si populli, atdheu, liria, demokracia, kombi etj. por  realiteti jane individet me partikularitetin e interesave dhe nevojave (jo gjithmone te permbushura).Zakonisht retorikat me popull e atdhe jane nje rrobe e pelqyer per politikanet demagoge kur ata gjenden te zhveshur perballe votuesit te zhgenjyer nga pritshmerite.

Nga ana tjeter  Hitleri, Curcilli , Enveri, Musolini, Obama, Berluskoni -te gjithe , pasi kane fituar legjitimitetin prej popullit flasin ne mer te popullit. Ne emer te interesave te Atdheut te mbyllin ne  bunker, te nisin ushtar per te vrare  te ngjashem te Tjere , te kujtojne se te kane siguruar Eldoradon kur ti ndjehesh i futur ne ferr e kshu me radhe.

Ne raportin e cdo individi me Atdheun ka nje varesi prej nje berthame emocionale te pashmangshme, si pjese e identitetit kombetar por kjo nuk nenkupton nje qasje te verber ndaj atdheut. Nuk besoj se sot shqiptaret ose, te pakten, nje pjese e mire e tyre,  te nanurisen dhe lumturohen me vargjet naimiane: "Ti Shqiperi me jep nder..." kur ky atdhe eshte cope cope, i varfer dhe me nje shtet pa piken e dinjitetit perballe vetes dhe te tjereve. 

Pa nje kriticizem te shendetshem, pa i pare gjerat ne filtrin e asaj se cfare prodhon si te mire publike politika dhe sa shperndahet kjo e mire te secili, shtegu per tu bere pre e "idhujve pa krena" mbetet perhere i hapur.

 

+ 10

=31 !   smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).