Letër e nënshkruar nga Donika Omari

 

Në shkrimin e tij "Një banesë për më shumë vota", autori kritikon veprimin e Albin Kurtit, sepse për të ndihmuar materialisht fushatën e tij elektorale, ka shitur banesën e vet dhe ka shkuar të jetojë te prindërit. Kritika është se pse e shpalli publikisht këtë veprim në prag fushate, çka të lë të kuptosh se e bëri për fushatë.

Pa e zgjatur me habinë që më ngjalli ky interpretim, nuk është e mundur të mos të të lindë të paktën një pyetje: Që kur kandidatët i fshehkan përpara zgjedhësve veprimet e tyre?

Gjeste të tilla të admirueshme si ky i z. Albin Kurti është mirë t'i marrë vesh edhe shqiptari më i thjeshtë. Ai është në vazhdën e atyre patriotëve shqiptarë që vunë në shërbim të idealit patriotik gjithçka, jetën e pasurinë. Me sa thuhet në artikull, "karriera e Albin Kurtit ka kaluar nëpërmjet shumë sakrificave, madje tepër të rënda e që kanë vënë në rrezik edhe vetë jetën e tij.

Falë tyre, ai është shndërruar në një simbol të një qëndrese të dinjitetshme...

Në një kohë kur një kastë politikanësh po pasurohen nga politika, lideri i Vetëvendosjes po varfërohet për t'i shërbyer ndershmërisht asaj".

Por, sipas artikullshkruesit, gjithçka është kthyer në të kundërtën, sepse ky gjest, ky varfërim është bërë publik në kulm të fushatës zgjedhore... Do të kishte qenë ndryshe, "sikur të kishte ndodhur në heshtje dhe pa reklamim në publik", është sugjerimi që bëhet. Të kujton mësimin fetar: "Të mos dijë e majta ç'bën e djathta."

Ose: "Bëje të mirën e hidhe në det / Në mos e dittë peshku e di Zoti vetë." Por, këtu jemi në fushën e politikës, që ka rregulla loje të vetat, dhe zoti Kurti, me sa di, shquhet se u përmbahet me ndershmëri këtyre rregullave.

Veprimi i tij, unikal në politikën shqiptare, a nuk është një shembull i lavdërueshëm që duhet t'i hapë rrugë një morali të ri në shoqërinë shqiptare në përgjithësi dhe në politikën shqiptare në veçanti?

Megjithatë, nuk duhet të habitemi shumë për qëndrime të tilla kur kemi parasysh se edhe për Nënë Terezën ka pasur shqiptarë që kanë gjetur ç'të kritikojnë: "I ka bërë për famë ato që ka bërë." Në këto raste jam përgjigjur: "Bëje edhe ti për famë atë që bën ajo."

Le të ndjekim, për interesin tonë vetjak, qoftë edhe larg e larg shembullin e A.Kurtit. Por ky nuk është rasti i vetëm që tregon se kemi humbur pusullën, ose busullën, ose orientimin lidhur me vlerat morale, lidhur me dallimin e asaj se ç'është mirë e ç'është keq. Në një emision në TV u shpreh mendimi se autori i librit Gomorra, R. Saviano, qenka mitoman e sharlatan.

Për çudi, përveç botueses, askush, as, sidomos, kryesuesi i emisionit, nuk reagoi për ta ndrequr këtë vlerësim kaq të kundërt me të vërtetën. Saviano po mbron me ndershmëri, me përkushtim, me guxim të pashoq demokracinë në Itali, duke denoncuar mafien me rrezik të jetës së vet.

Edhe këtu, kur kemi parasysh se shteti italian po e mbron atë me badigardë e duke ia mbajtur fshehur vendqëndrimin, të lind pyetja: Kë po mbrojtka, pra, shteti italian me masa sigurie të lartë? Një person që, sipas akuzës, praktikisht i shërbeka mafies?

Nuk më shkon mendja të them, siç kam dëgjuar të komentojnë, se interpretime të tilla vijnë ngaqë për ne janë halë në sy idealistët. Por nuk mund të mos përsëris se, sido që të jetë, ato shprehin një çorientim, ndaj të cilit duhet reaguar.

Po, prapë, për këto raste mund të ngurrosh përpara mëdyshjes: mos duke e rimarrë problemin, në njëfarë mënyre u bën edhe publicitet këtyre qëndrimeve kaq të gabuara? Mos duhen lënë në "shejtaninë e vet?" Në harresë?

 

Marre nga Shekulli On Line

1 Komente

Nuk më shkon mendja të them, siç kam dëgjuar të komentojnë, se interpretime të tilla vijnë ngaqë për ne janë halë në sy idealistët. Por nuk mund të mos përsëris se, sido që të jetë, ato shprehin një çorientim, ndaj të cilit duhet reaguar.

Vertet qe shkrime si te A. Sh. shprehin me shume se nje corientim. Shprehin nje cinizem, mendjelehtesi dhe dashakeqesi bashke. Dhe vertet duhet reaguar. po kush te reagoje? te mbysin maskarenjte pasi eshte koha e tyre. por derisa ka akoma njerez si Kurti dhe Omari qe ngre zerin e saj qytetar per te verteten, them se ka shprese.....

 

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).