Të martën nisi zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Krahas fushatës dhe programit të tyre, gati secila parti politike ka përgatitur edhe nga një këngë shoqëruese për fushatën.

Mediat kosovare bejne te ditur se ndërsa nisi fushatën e saj në qytetin e Suharekës, Partia Demokratike e Kosovës, përveç elektoratit, kishte edhe këngëtarë si “Elita 5”, Leonora Jakupi, Blero, Soni Malaj, Kaltrina Selimi, Genc Prelvukaj të cilët kënduan këngën e PDK-së të titulluar “Së pari Kosova”.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës në fund të tubimit të saj në Prishtinë, ku edhe hapi fushatën elektorale, paraqiti këngën e saj të titulluar “Besoji LDK-së”. Këngëtarët që interpretuan këtë këngë ishin Vesa Luma, Jehona Sopi, e vokalisti i grupit, “Kthjellu”, Mentor Haziri.

Këngëtari nga Shqipëria, Gëzim Nika ishte ai që solli këngën e kompozuar enkas për Lëvizjen Vetëvendosje. Ka qenë qyteti i Mitrovicës vendi ku kjo lëvizje ka nisur fushatën zgjedhore, ndërsa këngëtari që tashmë jeton në Amerikë, Gëzim Nika, ka ardhur për të mbështetur me këngë Lëvizjen Vetëvendosje.

Gjithashtu është bërë publike edhe kënga e kompozuar për fushatën e partisë demokratike “FER”. Këta të fundit kanë zgjedhur një këngë të interpretuar nga këngëtari Shpat Deda. (Balkanweb)

1 Komente

Grupi Na po kendon per Vetevendosjen gjithashtu, me sa thote fb-ja.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).