Edhe gjatë javës që sa kaloi vazhduan përpjekjet për të futur në
thesin e politikës xhaminë e re të Tiranës, paçka se i urti pat thënë
se s’fshihet minarja në thes. Kryeministria njoftonte një takim të z.
Sali Berisha me z. Selim Muça dhe shtonte se në bisedë “Komuniteti
Mysliman konstatoi mashtrimin e z. Rama për ndërtimin e këtij
objekti”. Një ditë më pas, Komuniteti Mysliman përgënjeshtronte me
terbie kur thoshte se z. Muça i kërkoi Kryeministrit “mbështetje për
ngritjen e xhamisë, ndërkohë që është bërë publike mbështetja e
Bashkisë së Tiranës”.

Ndërtimi i xhamisë së re zuri goxha vend në ligjërimin politik të javës së Kurban Bajramit, jo aq për nga sasia e fjalëve që u thurën, sa për nga pesha që ato morën. Dhe morën peshë kryesisht falë çastit të artikulimit. Një krismë tërheq shumë më tepër vëmendje në qetësinë e mesnatës, sesa në zallamahinë e ditës. Ligjërimi për xhaminë, ligjërim që mori trajtat e një dueli mediatik, u zhvillua në një ditë pushimi dhe synonte sidomos veshët e besimtarëve myslimanë, që atëkohë ishin të predispozuar për kremtim, solidaritet e mirësi. Një kronikë e përmbledhur do të ishte: ditën që paraprinte festën, z. Rama njoftoi se Bashkia e Tiranës kishte gati planin për ndërtimin e një xhamie të re në kryeqytet. Të nesërmen, bash në ditën e kremte, z. Olldashi doli e tha se z. Rama gënjente, pasi projekti francez nuk e parashikon xhaminë. Me këtë rast shqiptoi edhe një grishje, duke përdorur librin e shenjtë të myslimanëve: “Kurani thotë qofshin mallkuar gënjeshtarët. Besimtarët myslimanë nuk duhet ta harrojnë këtë gjë”. Po në ditën e kremte, nga ledhi i Bashkisë, zëdhënësi i saj iu përgjigj zjarrit me zjarr. Edhe ky s’bëri dot pa thirrur në ndihmë shkrimin e shenjtë, jo si citim, por si frymë: “Zoti e faltë delen e Perëndisë që ka humbur në kostumin e ministrit të partisë".

Shihet qartë se ky duel mediatik, që mund të bëhej edhe të nesërmen a të pasnesërmen, por u zhvillua bash në zemrën e një të kremteje fetare, u drejtohej sidomos myslimanëve. Jo për çështje besimi a feje, por për interesa të politikës, konkretisht të zgjedhjeve që po trokasin. Palët në duel bënin një sakrilegj moral: për hir interesash thjesht partiake cenonin privacinë e mijëra besimtarëve, të drejtën e tyre ta përjetojnë festën si një akt shpirtëror dhe jo si beleg politik. Është paradoksale deri në oksiomoron, por gjatë Kurban Bajramit besimtarët ishin në pozita shekullare, kurse politika shkelte në troje religjioze. Besimtarët myslimanë festonin në rrafsh familjar e intim, kurse politika përpiqej që t’i grishte apo t’i ndërsente në grup për një kauzë të mirëfilltë politike. Gjetkë është feja që rëndom hyn në sinoret e politikës dhe cenon parimet shekullare; në ditën e Bajramit politika bëri kurban shekullarizmin për hir të votave.

Ka qenë fat i madh për Shqipërinë që, asnjëherë gjatë historisë, grupimet fetare nuk kanë përkuar me grupime ekonomike, politike e shoqërore; këto të fundit kanë qenë kurdoherë heterogjene për nga përkatësia fetare. Në këtë fakt do kërkuar edhe një nga burimet më ujëplota të tolerancës sonë fetare. Në ligjërimin politik të Kurban Bajramit besimtarët myslimanë, të perceptuar si bashkësi fetare, u grishën për veprime hegjemone politike. De facto, ligjërimi politik i saj dite synoi mbivënien e kufijve fetarë me ato politikë. Përvoja të shumta në gjithë botën, duke nisur nga Bali, duke ardhur në Irak e Iran e duke mbaruar në Ground Zero, dëshmojnë se ç’fantazma zgjon kur e fut politikën në xhami. Mund të duket se s’ia vlen barra qiranë që, për një grindje të rëndomtë mes politikanësh, një nga ato dhjetëra grindje që mbushin çdo muaj news room-et,  të ngresh zërin e t’u biesh borive të alarmit.

Hamendësimi: ia vlen a s’ia vlen barra qiranë, më kujton një bisedë me ambasadorin turk në Tiranë, shtatë-tetë vjet të shkuar. Me një ndjenjë të dukshme pendimi e vetëqortimi, tregonte se si dy dekada më parë intelektualët turq i shihnin me qesëndi prirjet fondamentaliste dhe s’ua merrte mendja që aq shpejt do të ktheheshin në një kërcënim real për parimet shekullare. Vënë në kontekst të ngjashëm, ligjërimi për xhaminë e re mund të merret si shenjë e keqe. Shekullarizmi a, thënë më thjesht, ndarja e fesë nga politika dhe nga shteti, kalimi i saj në periferi të jetës sociale, kthimi i fesë në zgjedhje personale dhe në dukuri thjesht spirituale; e pra shekullarizimi i perceptuar në këta tregues përbën një strategji efikase për të krijuar ekuilibra e për të forcuar kohezionin social në një vend me larushi besimesh fetare e në një kohë kur, në rang global, po gjallërohen gjithfarë fantazmash fondamentaliste. Respektimi dhe perfeksionimi i parimeve shekullare do të ishte produktiv si për shoqërinë ashtu edhe për fetë që praktikohen ndër ne. Kriza morale me të cilën po përballemi favorizohet nga prirje të skajshme materialiste dhe nga zvetënim i prirjeve shpirtërore. Në
kushte shekullarizmi, fetë mund të kontribuojnë dukshëm për të
kapërcyer këtë krizë, sepse u shtohen mundësitë që të ngushtohen e
thellohen në punët e shpirtit dhe kështu  të promovojnë më shumë
dashuri, solidaritet, bamirësi, perfeksionim moral etj., etj., Më anë
tjetër, thellimi në sferën shpirtërore do t’i ndihmonte fetë të
ktheheshin në rolin e tyre genuin e të vitalizoheshin. Duhen një varg
gjërash që të arrihen objektiva të tillë, por, ndër më kryesoret është
të bëhet esëll politika dhe të heqë dorë nga çdo përpjekje për
instrumentalizimin politik të besimit dhe besimtarëve.

1 Komente

pash Zotin ku i gjeni keto tituj. a?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).