LSI, PR dhe PDU bëjnë gati kërkesat e reja për vende në administratë

Partisë Demokratike do t’i duhet të vijojë të ndajë edhe më shumë “tortën” e pushtetit me aleatët në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme lokale. Ky test i rëndësishëm politik për pushtetin e Kryeministrit Berisha në qeveri, do t’i kushtojë PD-së dhe lëshime të mëtejshme për aleatët, të cilët për këto zgjedhje do të kenë kërkesa edhe më të mëdha se ato të mëparshmet. Shkak për një ndarje më të madhe të pushtetit, përveç rritjes së kërkesave të aleatëve të saj të vjetër dhe të rinj, pritet të bëhet edhe përfshirja në koalicionin qeverisës e Partisë për Drejtësi dhe Unitet, e drejtuar nga deputeti Shpëtim Idrizi. Aleati më me “peshë” i PD-së në koalicion, LSI-ja, duket se do të hyjë në këto zgjedhje me objektiva të qarta për veten, por sigurisht edhe për të kontribuar në fitoren e koalicionit ku bën pjesë. Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, në një prononcim për “Shqip” thekson se marrëveshja e bashkëqeverisjes e nënshkruar mes PD-së dhe LSI-së nuk i përfshin zgjedhjet lokale të këtij viti, por ka një klauzolë që lë të hapur mundësinë dhe parashikon një marrëveshje të veçantë për zgjedhjet lokale. “Natyrisht vendimin për bashkëpunim do ta marrin forumet drejtuese të LSI-së në kohën e duhur, por ajo që mund të them sot është bindja ime se koalicioni i integrimit europian, më parë se të rrisë kërkesat ndaj partnerëve reciprokisht, duhet të rrisë angazhimin dhe të zgjerojë dimensionet e veprimit politik dhe elektoral. Kjo me synimin e vetëm që fitorja në zgjedhje të jetë për qytetarët dhe jo për flamujt e partisë”, thekson sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama. Sipas tij, 2011-a është një vit i sfidave të rëndësishme, mes të cilave një rëndësi parësore për LSI-në kanë zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore. Por Luan Rama thekson se për LSI-në përgjegjësia kryesore për një rezultat sa më të mirë në këto zgjedhje, bie fillimisht mbi përfaqësuesit e kësaj partie. “Pretendimet janë ndaj njerëzve tanë në të gjitha nivelet e përfaqësimit politik dhe qeverisës”, shprehet Rama. Nga ana tjetër, me objektiva të qarta për zgjedhjet e ardhshme vendore janë edhe aleatët e ngushtë të PD-së në qeverisje, republikanët. Burime pranë Partisë Republikane bëjnë të ditur se kjo parti është në përfundimin e sondazhit të saj të brendshëm për sa i përket mbështetjes që gëzon në zona të ndryshme të vendit. Nisur nga rezultatet e brendshme të deritanishme, kjo parti pritet të kërkojë mbështetjen e PD-së për kandidaturat e saj në bashki të nivelit të dytë dhe të tretë në vend. Po kështu, jashtë vëmendjes së republikanëve nuk do të mbeten as komunat dhe anëtarët e këshillave bashkiakë në vend. Këto kërkesa pritet që gjatë muajve të ardhshme t’i dorëzohen Kryeministrit Berisha, njëkohësisht kryetarit të Partisë Demokratike nga ana e Fatmir Mediut, kryetar i PR-së dhe aktualisht ministër i Mjedisit në kabinetin ‘Berisha’. Por në zgjedhjet lokale të këtij viti, pritet që edhe Partia për Drejtësi dhe Unitet e drejtuar nga Shpëtim Idrizi, të përfshihet në koalicionin e mazhorancës. Burimet bëjnë të ditur se pas një aleance të mundshme mes PD-së dhe PDU-së për këto zgjedhje lokale, pritet të jetë i madh numri i njësive vendore në të cilat kjo parti parlamentare do të kërkojë të ketë përfaqësim. Nga ana tjetër, në një aleancë të mundshme mes këtyre dy partive, pritet që kërkesat të jenë të mëdha nga ana e PDU-së edhe për sa i përket përfaqësimit në nivel ekzekutiv. Përfaqësimi me dy deputetë në Parlament i PDU-së, duket se do të jetë një nga “armët” më të forta për rritjen e kërkesave të saj në koalicionin e djathtë qeverisës të drejtuar nga Partia Demokratike.

1 Komente

 Eeeehhh, ç'u prish dynjaja. Te gjithe me luge ne brez, per nje çike post, per pakez firme e vule, per vetem pak "mjelje" lope pushteti.

" seç e shempne derbederet, mercenaert dhe bejleret, seç e shtrythne jabanxhinjte seç e shtrythne fajdexhinjte.......

Eh o Nol'i madh...  pavdekshem do te mbetesh 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).