Ditari i gazetarit (3)

22 shtator 1991.
Prag Kuvend. Ishte fiksuar data 27 dhe 28 shtator. Do ishte Kuvendi i parë. Historik. Për PD-në. Për Shqipërinë. Por edhe për fraksionin tonë. Në Kuvend do të zgjidhej kryetari i partisë. Dilemë e madhe. Nëse Berisha do të rizgjidhej, fraksionin e merrte lumi. Le të ndjellim kujtimet. Natë. Vonë. Si ilegalët. Ca me këmbë e ca me makina (ministrat e qeverisë së Stabilitetit) mbërritëm në vilën e Pashkos. Neritan Ceka, Genc Ruli, Mitro Çela, Edmod Trako, Arben Demeti. Eduart Selami, nuk po vinte. Ndërroi mendje në minutën e fundit. Meksi nuk pranoi të bëhej pjesë e fraksionit. Jashtë radhëve të fraksionit ishte edhe Arben Imami.

Nisi mbledhja. Alla PD. Pa protokoll. Pa rend dite. Pa ide të fiksuar. Biseda nis kodra pas bregut. Të nakatosura problemet e qeverisë me problemet e partisë. Gramoz Pashko, duke qenë zëvendëskryeministër, kërkoi mendim për privatizimin e rrjetit tregtar. Ishte hedhur ideja që dyqanet t’i blinin punonjësit. Unë si ekonomist kisha këtë ide: “Privatizim sa më shpejt. Privatizimi do të justifikonte edhe ndonjë gabim”. Dikush kundërshtoi: “Nuk është e drejtë. Është pasuri e gjithë popullit. Pse ta marrin vetëm punonjësit e tregtisë?!” Pashko i vuri vulën: “Është një problem i diskutuar edhe me ekspertë të huaj. Nuk ka kohë për të bërë eksperimentime. Populli kërkon shërbime. Duan: bukë, vaj, sheqer, miell, makarona, mish, vezë, qumësht. I duan që nesër. Ndaj privatizimi i rrjetit tregtar duhet bërë sa më shpejt. Brenda javës. Vetëm privati gjen rrugë për furnizimin e qytetarëve. Nuk ka pse të presim. Nuk ka pse në këtë problem madhor, të nakatoset burokracia! Gjërat duhen zgjidhur me sëpatën e Demokleut!” Arsyetim logjik. Koha tregoi se Gramoz Pashko kishte të drejtë…

Nga ekonomia, biseda u përqendrua te partia. Ndërkohë, në duar mbanim gotat që na i kishte servirur e zonja e shtëpisë. Një ditë më parë kishim vendosur, që fraksioni do të kishte për kandidat Neritan Cekën. Me modesti të tepruar, Neritani e pranoi këtë detyrë fisnike. Nuk di pse unë thashë: “Neritani ka një të metë. Ka raste që nxitohet. Duhet të korrigjohet.”…Gotat ranë mbi tavolinë. Lëvizje supesh. Kundërshtime. “Nuk është e drejtë,- tha Arben Demeti.- Neritani dallohet për qetësi të tejskajshme. U kujtohet dita e parë e hapjes së Parlamentit pas zgjedhjeve të 31 marsit 1991? Deputetet demokratë, në shenjë proteste për vrasjen Arben Brocit më 2 prill 1991 në Shkodër, vendosën të bojkotojnë Parlamentin. Në Parlament shkoi Neritani. Vetëm- midis komunistëve. Pa iu dredhur syri dhe zëri ia përplasi Adil Çarçanit, Haxhi Lleshit, Gramoz Ruçit dhe Fatos Nanos, m’u në lule të ballit. Dhe ashtu, sa fisnik dhe krenar doli nga salla e Parlamentit!”

- Jam dakord,- thashë unë.- Por analiza jote i takon së shkuarës. Unë flas për të ardhmen. Pas 90 ditëve, Neritani, në inat e sipër do të shkojë në zyrën e Ramiz Alisë. Sebepi? Ftesa e Ramiz Alisë për të diskutuar “jetën” e Qeverisë së Stabilitetit, me Kryeministër Ylli Bufin. Në sy të Ramizit do ta sulmojë ashpër Berishën. Në fund do të bëjë edhe një deklaratë befasuese: "Unë do të largohem një herë e mirë nga politika". Kjo më trishton.- Thashë unë duke parë një pikturë moderne varur në mur pak shtrembër.

-Nuk duhet të merremi me vogëlsira, - tha Preçi.- Çdo fjalë e jona do të hyjë në histori. Në fund të muajit bëhet kuvendi. Strategjia: Neritani të zgjidhet kryetar i Partisë Demokratike. Taktika. Këtu duhet kujdes. Duhet mençuri. Ka dy skenarë për të arritur qëllimin: Skenari i parë - kryetari të zgjidhet në Kuvend. Skenari i dytë- kryetari i PD-së të zgjidhet në kryesi. Skema është e thjeshtë, dhe përbën filozofinë e fraksionit për fitore: Kuvendi zgjedh këshillin kombëtar. Këshilli zgjedh kryesinë. Në fund, kryesia zgjedh kryetarin.

-Me skenarin e parë, - vazhdoi Preçi, - probabiliteti që fitorja t'i buzëqeshë Neritanit është e vogël. Ju e dini vetë. Berisha është populist. I zotëron masat. Pa folur, që këto muaj që ne rrimë në mbledhje të qeverisë, ai nuk ka lënë qytet e fshat pa shkelur. Skenari i dytë, që kryetari të zgjidhet në Kryesinë e PD-së, e vendos Neritanin në fronin e kryetarit të Partisë automatikisht. Ju e dini. Kryesia ka 19 anëtarë. Nga këtë. Fraksioni: 12 anëtarë. Berishës i mbeten vetëm 7-të.

21 shtator 1991.Ora 17.00.
Mbledhje e Komisionit Nismëtar të PD-së. Protokollist Agron Çika. Kishte ardhur nga radhët e klasës punëtore. Ka hyrë në historinë e PD-së, me një maksimë tepër origjinale: intelektuali bën edhe pa shkollë të lartë! (Një mendje e ndritur, ka thënë shkrimtari francez, Gabril Shëvalie, bën edhe pa këpucë llustrafine.) Nga t'ia nisim? Protokollet janë shumë. Shkrimi ibret. Tensioni i diskutimeve nevrikoste robin e fundit të allahut që mbante protokollet. Shto këtu edhe pluhurin e kohës. Duhet të bëjmë një kompromis. Do të ndjekim rregullin e artë të statistikës: vëzhgim me zgjedhje! Mbledhja nis pa ceremoni. Më the. Të thashë. Topin e ka Pashko:

-Unë mendoj që kryesia e PD duhet të zgjidhet nga këshilli kombëtar...
-Pastaj kryesia zgjedh kryetarin,- ia ndërpreu fjalën Selami, kësaj radhe pa shumë takt.
-Unë mendoj që kryetarin duhet ta zgjedhë Kuvendi,- tha Berisha.- Të zbatojmë vijën e deritanishme të konferencave të rretheve.

-Degët e PD-së në rrethe kanë dy hallka,- tha Preçi.- Vetvetiu i zgjedhin të dyja. Ndërsa Kuvendi ka tri hallka. Duhet të jemi krijues. Nuk shkon: Kuvendi imiton konferencat! Do të na qeshin. Në Kuvend do të ketë edhe të huaj!? ( Edhe në politikën e lartë ka humor. Më mirë satirë: fati i kryetarit varet nga numri i hallkave organizative. Shyqyr që nuk ka rripa organizimi i partisë, sepse do të dilnim te rripat e transmisionit të xhaxha Leninit!)

-Nuk kuptoj, -tha Azem Hajdari,- jemi parti demokratike apo parti enveriste?! Është marrëzi të diskutohet vendi ku zgjidhet kryetari. Zgjedhja e Kryetarit në Kuvend është abc-ja e demokracisë në partitë perëndimore. Ndoshta dikush ka ndërmend të kthejë rrotën e historisë mbrapsht! Bujrum! Por unë do të largohem.

Folën edhe të tjerët. Njëri gozhdës. Tjetri patkoit. Një pakicë me vështrim nga Berisha. Shumica nga Pashko. Neritani qëndronte indiferent. Shenjë e njeriut që është vetëbindur për suksesin që e pret. Pati replika. Plasi sherri. Pikërisht në këtë moment ndërhyri me shumë takt Eduard Selami: “Të nisim procedurat e votimit!” Para procedurës nisi sherri. U hapën letrat. Ne fraksionistëve na shkëlqenin sytë: 14 politikanë ishin që Kryetari të mos zgjidhej në Kuvend. Dolën më shumë sesa ishin llogaritë tona. Shqip: me këtë formulë Neritani bëhej kryetar. Dhe pastaj: rroftë fraksioni!

-Fitoi varianti juaj,- tha Berisha.- Një variant i gatuar në mbledhje bizantine! Por ndalu Beg se ka hendek, thotë populli! Rregullat e lojës do t’i vendosë këshilli kombëtar. Keni dy ditë për t’u gëzuar.

22 shtator 1991.
Mbledhja e këshillit kombëtar. Luftuan fraksionistët me pallë. Unë bëja sehir. E kisha parashikuar humbjen. Nisi numërimi i votave. Variantet ngordhën. Fitoi varianti i Berishës. Humbi varianti i Neritanit. Sinjalet nuk ishin të mira. U mblodhëm, ashtu rastësisht. Dikush pyeti: “Si ndodhi?” Tjetri: “Pse ndodhi?” Pastaj përgjigjet: “Berisha është mjeshtër i manipulimit. Do ta bëjë këtë gjithë jetën”.

-Mirë Berisha, - tha Preçi, - po ne ku i kishim sytë! A nuk jemi shumica në kryesi! A nuk u shpërndamë kudo!

-Sigurisht,- tha Merita Zaloshnja (në atë kohë anëtare e kryesisë.),- Por ne na kishte kapur euforia. Ministrat nuk e heqin bythën (më falni) nga makina. Nuk shkojnë në konferencat e rretheve. Kërkojnë të hanë gështenja me duart e të tjerëve! Ndërsa Berisha nuk përton! Vjen në zyrë në sabah dhe ikën në mesnatë. Nuk ka lënë rreth pa shkuar. Njerëzit e thjeshtë, që nuk marrin vesh nga politika, mjafton t’i takosh, t’u flasësh dhe i bën për vete. Këtë marifet e di mirë Berisha!

Edhe dy ditë na ndajnë nga kuvendi. “Kemi kohë për ta ndaluar të keqen që i kanoset Partisë Demokratike! Duhet vrarë mendja. Duhet të qëndrojmë. Kuvendi duhet të realizohet sipas skenarit tonë,- arsyetonte Eduart Selami”. Por çfarë thonë protokollet?

25 shtator. Ora 21.00.
Kryesia bën mbledhje. De more de! Fraksionistët luftojnë me çdo mjet. Ka edhe raste kur flitet pa ironi, sarkazëm, fyerje. Vetëm Neritani qëndron stoik! Ende nuk e parashikon humbjen! Agron Çika është dorëzuar. Protokollin e mban një njeri pa emër. Shkrim doktori: copa- copa, mish- mash. Nuk e ka fajin pena. Të tilla ishin diskutimet. Pa pikë e pa presje. Kur u dëgjua një zë: "Në kryesinë e re nuk duhet të jenë ish-anëtarët e Partisë së Punës!" Maksima përbënte formulën më të lehtë për të nxjerrë jashtë loje Berishën. Në atë kohë kryesia kishte 4 ish-anëtarë të Partisë së Punës. Unë, Berisha, Arben Demeti dhe Pashko. Edhe bufi i kënetës e kuptonte që propozimi lidhej me Berishën. Ne të tjerët ishim mish për top!...Citate nga protokolli.

Pashko: - Më vjen turp që kam qenë anëtar i Partisë së Punës. Dhe kur u bëra? Në fund. Dhe sa ndenja me teserë të kuqe? Vetëm 6 muaj. Ngul këmbë për të mos qenë kryetar i PD-së. Nuk më vjen mirë që bëhen debate të tilla. Kryesia e re duhet të korrigjojë gabimet. Zotërinj! Nuk do të na e falë historia, në qoftë se humbasim zgjedhjet.

Mitro Çela: - Hyra dhe dola me dëshirë nga Partia e Punës. Kam vënë re shenja karrierizmi në PD, ndoshta këtë të keqe e sollëm ne komunistët! Jam dakord me propozimin! (Berisha më pa me sy të zgurdulluar. Lëvizi kokën, sikur donte të thoshte: Edhe ti, more Brut!)

Ndjeva dorën e Edmond Trakos. Shtrëngoi dorën time. Pastaj më afroi buzët te veshi: Të lumtë! Nuk të lë njeri ty jashtë radhëve!
Rexhep Uka: -Nuk jam dakord!
Tomor Dosti:- Nuk jam dakord!
Leka Toto:- Nuk jam dakord!
Blerim Çela:- Nuk jam dakord!
Sali Berisha:- Idetë janë të mira. Por materializimin e tyre do ta bëjmë vetëm në kuvend... Kam një intervistë me BBC-në,-tha dhe u largua nga mbledhja.
-Është mjeshtër,- pëshpëriti Merita Zaloshnja.- Rrëshqiti. Na shpëtoi. Kur nuk e thyem në këtë sallë, puna e Neritanit do të shkojë dëm!

28 shtator 1991.
Kuvendi i parë i PD-së vazhdon punimet. I ftuar edhe Ibrahim Rugova. Debate të zjarrta mes Berishës dhe Preç Zogajt. Duartrokitje të zjarrta për Berishën… Është koha kur lexohen rezultatet e votimit për Kryetarin e Partisë Demokratike:

Sali Berisha: 449 vota.
Neritan Ceka: 91 vota.
 

7 Komente

 Ja keshtu ka bere Sali trimi me te gjithe shoket. Idhulli i tij ka qene Enveri, dhe ai po e ndjek hap pas hapi, ne te gjithe rrugetimin e tij.Edhe shoket e tij i eleminoi si Enveri, edhe per popullin e perdor si Enveri, edhe neper kronika intime njesoj si Enveri, duke u folur niperve e mbesave per historine lavdimadhe te popullit tone trim liridashes e puthadoredashes, qe e mban mbi supe kete kodosh politik, me qef te madh dhe pa i bere terrr syri.

Ti dems, i kupton ato qe jane shkruar , apo ja fut si kau peles.

Lexoje edhe nje here, qe te kesh idet e qarta.

 Ka patur te drejte berisha. Nuk mundet qe "kryesia" te vendose kunder "anetaresise".

Jo vetem anetaresia, por shumica e shqipetareve nuk e konceptonin dot atehere se sa mashtrues i pacipe mund te ishte nje njeri qe udheheq vendin. Derisa kuptuan kete, mbeshteten berishen me zemer ne dore. 

 

Nese ka dicka me te keqe se mosbesimi, eshte zhgenjimi.

Qe ne rastin e referendumit per kushtetuen (ajo qe i jepte shume fuqi berishes), populli tregoi se ishte zhgenjyer nga saliu.  

 

 

Fatkeqesi qe s'e mori dikush tjeter PD-n, qofte dhe Ceka. Le qe... jo Ceka, por dhe Cekja i beratit te ishte, do ta bente me mire punen se ky gomari. E sigurt qe s'do te kishim pasur 97, as firma piramidale, as masakra urbane te te gjithe shqiperise dhe as shkaterrim te prones shteterore.

 Sinqerisht me vjen per te qeshur...si nuk e kuptoni qe ky vend e ka marre me kohe rrugen per ne gremine nen udheheqjen largpamese...dhe kush do ta ndale Ed piktori he? hahaha 

Hiqjani festen Berishes...a nuk u be i famshem edhe Neroni? Qellimi justifikon mjetin.

 Ne vend qe ish komunistet, ish nomeklaturistet, ish karrieristet, te vrisnin mendjen per programet ekonomike, programet agrare afat-gjata (dhe jo pa afat siç e bene per 3 muaj), ne vend qe te vrisnin mendjen per burimet e investimit, per ndermarjet, per privatizimet (duke aplikuar dhe sistemin e aksionerve-punonjes), pra ne vend qe te vrisnin mendjen per ekonomine shqiptare, ata ishin te zene me prapaskena e zenie postesh. 

Dicka qe nuk e kuptoj e qe vazhdon te ndodhe edhe sot, eshte mbeshtetja e ideve te Saliut ne fushen ekonomike te vendit. Pas marrjes se pushtetit ne 90, kur vendi ishte ne gjendje mjerane ekonomike, Berisha hedh formulen magjike 'te shkaterrohen brezaret, te priten agrumet, dhe tu vihet kazma fabrikave sepse jane vepra komuniste'. E njejta teori ekonomike vazhdon edhe sot dhe populli akoma shpreson te ky karagjoz.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).