Sipas dëshmish të mbështetura ose anekdotike në Shqipëri janë dje gur, dëmtuar, rrëmbyer ose thjesht
kanë humbur disa biblioteka mjaft të pasura dhe të rëndësishme. Përmenden të tilla, për shembull, ajo e Vlorajve, e Frashërllinjveve, e Bushatllinjve, e Vrionasve, etj. Këto biblioteka, dhe vlerat që ato përfaqësojnë, humbën në territorin shqiptar kryesisht në rrethana shumë të vështira. Po humbja e Bibliotekës së Faik Konicës në SHBA si shpjegohet vallë?

Vdekja dhe
Ceremonia Funebre

Në letrën e 22 dhjetorit 1942, ose një javë pas vdekjes së Faikut, miku i tij i ngushtë i universitetit të Harvardit, Henry Grattan Doyle deklaroi se “e kishte takuar Konicën në rrugë rreth një javë para vdekjes, por ai m’u duk i plakur dhe i lodhur, dhe jo shumë optimist për të ardhmen”.
Nata e fundit e Konicës është përshkruar prej sekretares së tij Charlotte Graham. Ai vdiq nga hemoragjia cerebrale në orët e para të mëngjesit të së Martës, me 15 dhjetor 1942 në apartamentin e tij tek adresa The Hightowers, No. 202, 1530, 16th Street, N.W., Washington, D.C.
Të shtunën me 19 dhjetor 1942 trupi i Konicës mbërriti në Boston, tek agjencia Funeral Parlors, Waterman and Sons, Kenmore Square, afër Boston University. Ceremonia funebre u mbajt në New England Mutual Hall në Boylston Street, Boston, të Dielën me 20 dhjetor1942, në ora 15:00 në një ditë tepër të ftohtë dimri. Sipas një llogarie konservative aty merrnin pjesë “rreth 250 veta nga të gjitha kolonitë shqiptare në Shtetet e Bashkuara” për t’i dhënë atij lamtumirën e fundit, por kishin ardhur edhe shumë miq amerikanë të Konicës. Fjalën e lamtumirës e mbajti miku i tij i ngushtë i Harvardit dhe i Vatrës, Peshkop Noli. Lule të shumta zbukuronin sallën madhështore tek dëgjoheshin tingujt e muzikës klasike që i pëlqnte më shumë Faikut.

A la testament me shkrim Faik Konica?
Zonja Graham jep këtë listë të sendeve personale dhe me vlerë të Faikut:
(a) Piktura dhe statuja me vlerë të papërcaktuar:
a. Dy statuja tê vogla balte;
b. Shtatë piktura me bojë vaji, sipas saj me autor Rodin;
(b) Një gramafon sëbashku me një koleksion të madh pllakash;
(c) Dhjetë kostume, etj, dhe një koleksion shumë i zgjedhur veshjesh zyrtare; një sahat; një unazë me gurë të çmuar të kuq; një gjilpërë-mbërtheckë (stick-pin) me figurën e shqiponjës dykrenore;
(d) Një koleksion i përzjerë monedhash, medaljesh dhe vulash shqiptare;
Mes tyre një monedhë ari me diameter 3/8 inch ose 0.375 cm;në njerën anë ishte shqiponja dykrenare, dhe germat Fr. A, 100 dhe data 1928; në anën tjetër ishte figura e Mbretit Zog me mbishkrimin “Zog – V – Alban Rex” Sipas zonjës Graham, Konica i pat thënë asaj se kjo ishte monedha e pare ari e asaj prerjeje që ishte emetuar nga Banka e Shqipërisë.
Sikurse kemi përmendur tjetërkund, në ora 19:30 të 15 dhjetorit 1942 një telefonatë krejt e papritur mbërriti në zyrën e shefit të F.B.I.-së, z. J. Edgar Hoover në Washington, D.C. Thirrësi i panjohur informonte se Faik Konica atë ditë ishte gjendur i vdekur në banesën e vet në kryeqytetin amerikan, dhe se “kishte marrë informacion se disa persona të panjohur po largonin sende personale të Konicës nga shtëpia pa kryer formalitetet e duhura.” Për këtë arësye, ai kërkonte nga F.B.I.-ja që “të ndërhynte për të ndaluar këto veprime”. Përgjigja qe mori ishte se “Byroja nuk kishte jurisdiksion në çështje të tilla”.
Nuk dihet deri më sot se cilët mund të kenë qenë këta njerëz. Përfaqësuesit zyrtarë të Vatrës shkuan në Washington vetëm me 22 dhjetor, sikurse del më poshtë.
Në punimin e tij shterues, studiuesi shqiptar Prof. Jup Kastrati, përmend se Konica la një testament me shkrim drejtuar Peshkop Nolit dhe shqiptaro-amerikanëve i cili, sipas tij, u gjend në xhepat e Konicës pas vdekjes. Thuhet se aty shkruhej:
“I nderuar At Noli. Po largohem nga kjo jetë me mendimin që ju ishit njeriu që më kuptuat më mire se kushdo tjetër mbi këtë dhe. Trupi im nuk do të të prehet i qetë nëse ti, dhe të gjithë ata që e mbajnë veten si shqiptarë, nuk do të varroset në atdhe. Kam vënë mënjanë shpenzimet e transportit të trupit tim, si dhe një sasi parash për dy metër varr në Shqipëri. Po i mbyll sytë me besimin se ti, i nderuar Noli dhe ju, të nderuar shqiptarë, do ta përmbushni amanetin tim.”
Prof. Kastrati i referohet për këtë informatë njëfarë Kristaq Nano, nga Përmeti, i cili përmendet si “ish-sekretar i Nolit deri në vdekje dhe kryetar i një dege të Vatrës”. Mirëpo deri më sot nuk kemi gjetur konfirm të pavarur nëse ky shënim kinse i shkruar nga Konica të ketë ekzistuar.
Me gjithë rigorozitetin shkencor të profesorit të nderuar, botues i veprës së Kastratit, për arsye teknike, nuk e ka pajisur librin me burimet dhe bibliografinë. Kësisoj, e kemi shumë të vështirë të gjykojmë për vërtetësinë e dëshmisë së Kristaq Nanos.
Për më tepër, zonja Graham, sekretarja e Faikut,e cila ndodhej e pranishme në apartmentin e tij kur vdiq Faiku, nuk e përmend fare këtë të dhënë në përshkrimin e saj të orëve të fundit të jetës së Faikut dhe as në inventarin e sendeve personale dhe të pasurisë. Madje ajo shton se Konica kishte hyrë në borxhe tek disa miq të tij, edhe një kuti duhani prej ari ishte vënë në peng për një hua, për të cilën “kishte dijeni Z. Shkëmb Gurra, …mik i afërt i Konicës”. Nuk kemi as ndonjë provë që Peshkop Noli e përmend gjëkundi letrën e gjetur në xhep. Po ashtu, nuk ka asnjë provë nëse ndonjë çështje trashëgimie u hap për pasurinë e Konicës në gjykatën përkatëse në Washington.
Në botimin e Kastratit jepet edhe një version tjetër i “testamentit”, që hedh dyshime të mëtejshme për vetë ekzistencën e tij. Me të vërtetë, ky version paraqitet kësisoj:
“Nuk do të më tresë dheu nëse ti, Imzot Noli dhe ti Lamja im i Vogël dhe të gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë nuk do të çojnë kufomën time të tretet në token meme”.
Sa më sipër, dhe përderisa nuk kemi gjetur konfirmim nga asnjë burim tjetër, dhe nëse vërtet një dëshirë e tillë ka ekzistuar, ka të ngjarë që Konica t’ia kishte shprehur verbalisht Nolit amanetin për t’u prehur në Shqipëri.
Duke patur parasysh rrethanat e jashtëzakonshme të Luftës së Dytë Botërore, Noli dhe VATRA vendosën ta mbajnë trupin e Faikut në morg deri në mbarim të Luftës dhe pastaj ta përcillnin për ta prehur në Shqipëri. Dy herë i shkruajti qeverisë shqiptare të pasluftës Fan Noli duke i kërkuar leje për përmbushjen e dëshirës së fundit të Konicës. Sipas një dëshmie që i mvishet Fan Nolit, përgjigja erdhi negative në mars 1946.
Kësisoj trupi i pajetë i Konicës u kall gati 6 vjet më vonë në Varrezat e Forest Hills afër Bostonit me 4 shtator 1948. Në ceremoninë e varrimit Sekretari i Vatrës dhe Kryeredaktori i Diellit, Qerim Panariti mohoi se qeveria shqiptare nuk kishte lejuar varrimin e trupit të Konicës në Shqipëri dhe shpjegoi se transportimi nuk u krye për shkak se “ende nuk ishin rivendosur marrëdhëniet diplomatike midis Amerikës dhe Shqipërisë”.
Trupi i Konicës gjeti prehje më në fund në dheun amë në 2 maj 1995. Në emër të bashkësisë shqiptare si dhe të Kishës Ortodokse Shqiptare të Amerikës, Kancelari i Kryekishës së Shën Gjergjit, Shumë i Përndershmi At Liolin deklaroi atje se “ne po e përmbushim dëshirën e tij të fundit me gëzim dhe krenari [“with joy and pride, the fulfillment of his last wish].”

Po Biblioteka?
Nëse për dëshirën për varrosjen në Shqipëri provat janë të tërthorta, sa i takon Bibliotekës ato janë të pakundërshtueshme. Konica ishte shprehur disa herë dhe e kishte bërë të qartë se dëshironte që pas vdekjes të gjitha librat e tij t’i dhuroheshin Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. Kjo jepet në mënyrë fare të qartë në dëshminë e shkruar të sekretares së tij private, Znj. Charlotte Graham. Me të vërtetë, ajo deklaronte se “Shumë herë z. Konica më kishte thënë se dëshironte që [librat] t’i shkonin Bibliotekës Kombëtare Shqiptare”. Dhe më tej: “Në njërën mënyrë ose tjetër, ky amanet duhet çuar në vend, dhe ndërkohë librat mund të katalogohen dhe të ruhen deri sa amaneti të përmbushet”.

Përbërja e Bibliotekës
së Faik Konicës

Sot që Biblioteka e Konicës mund të konsiderohet e humbur, vetëm tërthorazi mund të përcaktojmë përbërjen e saj. Natyrisht që metodologjia mbështetet në të dhënat e sjella nga vetë Faiku, nga miqtë e tij, si dhe duke menduar se Konica i kishte në zotërim librat të cilat i përmend në veprat e veta.
Përshkrimin e parw të Bibliotekës së tij Konica na e jep tek një Memo e vitit 1899. Ai tregon se kishte filluar të blejë e koleksionojë libra qysh në vitint 1890, duke ngritur kësisoj “një bibliotekë të vogël me të gjithë librat e botuar nga ekspertë të huaj të Shqipërisë”.
Apollinaire na jep një tjetër përshkrim të Bibliotekës së Faikut kur u takuan në Londër 4 vjet më vonë, më 1903. Apollinaire vërente se Faiku “sapo e kishte riorganizuar bibliotekën e vet”, se “kishte shitur gati tërë librat e vet për t’i zëvendësuar me botime të posaçme angleze me germa të vogla që mund të lexoheshin me lentë zmadhuese dhe kishte ngritur një bibliotekë të konsiderueshme, e cila mund të vendosej në një dollap të vogël”.Ndofta Konica kishte filluar të shqetësohej për vendin që i zinin librat dhe vështirësitë e transportimit të tyre gjatë shpërnguljeve shumë të shpeshta të tij nëpër Evropë. Gjithsesi, ka shumë të gjarë që “riorganizimi” i Bibliotekës të ketë përfshirë fjalorë dhe vepra të ndryshme letrare, dhe jo libra që lidheshin me Albanologjinë. Në fakt, Apollinaire vetëpërmend fjalorët dhe veprat letrare që kishte ruajtur në atë kohë Faiku, si për shembull, Fjalorin e Piere Bayle “të cilin e kishte si mësues shpirtëror, si dhe një tjetër nga Darmesteter”.
Një tjetër e dhënë për Bibliotekën e Konicës nga vjen 10 vjet më vonë, kur Faiku ndodhej në Shqipërinë e pavarur, por të coptuar.
Si koleksionist i palodhur librash Konica e pasuronte bibliotekën edhe me ndihmën e tw njohurve të shumtw, siç ishte, për shembull miku i tij anglez, Audrey Herbert. Duke e falenderuar për dërgimin e librave të porositur, Konica i shkruante:
“Ky ëshë një kontribut shumë bujar për koleksioni tim të librave edukative na vende të ndryshme. Unë dua të kem sa më shumë syresh, për t’i përkthyer dhe ‘përshtatur”, me synimin për t’i përdorur për shkollat shqipe”.
Më tej Konica na informon se tre vjet më vonë, më 19 korrik 1916 kur jetonte në Baden të Zvicrës, policia kishte kontrolluar banesën dhe kishte sekuestruar përkohësisht bibliotekën e tij. “Të gjitha librat, thotë Faiku, m’u kthyen pas disa ditëve.
Më shumë se 25 vjet më pas, më saktë më 1934, kemi një tjetër përshkrim të Bibliotekës së Konicës prej një biografeje të tij amerikane, e cila na thotë se në apartamentin e tij në Washington ajo “përmbante më shumë se 1200 blenj dhe dukesh si ndër më të pasurat biblioteka…”
Mund të deduktojmë me njëfarë saktësie se Biblioteka e Konicës përmbante kryesisht libra në fushën e Albanologjisë, botime të para dhe libra të tjerë me vlerë në gjuhë të ndryshme për historinë, gjeografinë, zakonet, letërsinë dhe aspekte të tjera të Shqipërisë, të shqiptarëve si dhe për vende të tjera të botës.
Me siguri ajo përmbante edhe vepra letrare të autorëve më të shquar botërorë. Për shembull, në bibliotekë duhet të ketë qenë edhe një botim i veprës Prometheu të Eskilit, për të cilën Faiku na sjell një koment të shkëlqyer më 1922. Me siguri kishte edhe vepra të shkrimtarit të njohur bashkëkohës frëng, Remy de Gourmont, të cilin Konica e admironte së tepërmi.
Konica duhet të ketë patur në Bibliotekën e tij edhe shumë fjalorë të gjuhëve të ndryshme, si edhe traktate në linguistikë dhe etimologji. Miku i ngushtë i tij dhe ish-kryeredaktor i Diellit, R. Gurazezi, e pyeti njëherë Konicën për kuptimin e fjalës “ndofta”. Pasi kërkoi në Bibliotekën e vet, të nesërmen Konica e njoftoi me gëzim se ia kishte gjetur asaj rrënjën etimologjike.
Së fundi, sipas mikut të vet Henry Doyle, Faiku kishte një “bibliotekë të zgjedhur mirë” me libra në “filologjinë e gjuhëve romanse”, si dhe në gatim, “fushë në të cilën ai ishte specialist qoftë në teori, qoftë në praktikë”. Doyle na jep një tjetër dëshmi të interesit të Konicës për të dërguar libra të vlefshëm në Shqipëri. Ai shkruan se Konica “këshillohej me gruan time për libra të mirë të ekonomisë shtëpiake për t’i nisur në Shqipërë që të ndihmonte atë fushë të institucioneve arsimore të vendit të vet”.
Njoftimi i fundit në të gjallë të Konicës për Bibliotekën nga vjen nga sekretarja e tij. Ajo shton se, në kohën e vdekjes së Faikut në 15 dhjetor 1942 biblioteka private e Konicës përmbante të paktën 2,500 libra. Sipas saj, biblioteka ishte “e çmuar” dhe përfshinte shumë blenj “të rrallë”. Noli gjithashtu shprehet se shumicën e librave Faiku i kish “mbledhur me zellin e një dashamirësi të vërtetë të librit” [“collected with the zeal of a true book-lover”]. Sekretarja e Faikut na jep edhe një informatë tjetër të çmuar, të cilën, për fat të keq pesha e pamëshirshme e kohës nuk na lejon ta ndjekim më tej. Ajo shpjegon se “për vlerën e madhe të bibliotekës ka dijeni At Cartwright i Kishës së Zojës së Papërlyer në Washington, i cili ishte mik i ngushtë i Konicës”.
Amanetin e Konicës për Bibliotekën e konfirmoi edhe Peshkop Noli në Ceremoninë Përkujtimore për Konicën në Nju Jork më 7 mars 1943. Pasi hodhi poshtë pëshpëritjet se VATRA nuk ishte kujdesur për Bibliotekën e Konicës Peshkop Noli deklaroi se “biblioteka do të ruhet në magazinat e Fidelity Storage në Washington deri në fund tue Luftës, kur pastaj do të dërgohet në Shqipëri sipas dëshirës së qartë të Faik Konicës [theksimi imi, A.A.]. [“the library will remain [stored in VATRA’s name at the Fidelity Storage of Washington] until the end of the war, when it will be sent to Albania, according to Faik Konitza’s expressed desire”].

4 Komente

 ja nje kontribut historik me vlere nga nje shqiptar i mire si Agron Alibali

kanë humbur disa biblioteka mjaft të pasura dhe të rëndësishme. Përmenden të tilla, për shembull, ajo e Vlorajve, e Frashërllinjveve, e Bushatllinjve, e Vrionasve, etj. Këto biblioteka, dhe vlerat që ato përfaqësojnë, humbën në territorin shqiptar kryesisht në rrethana shumë të vështira.

nuk kane humbur, jooo.  Enver Hoxha ua mori (lexo grabiti,vodhi), dhe keshtu  krijoi ''bibloteken e tij'', me te cilen mburrej pa pik turpi posht e larte, si gjoja lexues i madh qe kishte aq e kaq mijera libra..

Belul. Pjesa me e madhe e vlerave kulturore jane shitur per te paguar qejfet e atyre legenave neper bote. Dikur kam njohur dike ( Zoteri vertet i nderuar) i cili kishte shitur ne nje ankand ne Beirut ne vitet 60 nje pjese te koleksionit te familjes Vlora, per llogari te " shtetit shqiptar"

".... Peshkop Noli deklaroi se “biblioteka do të ruhet në magazinat e Fidelity Storage në Washington deri në fund tue Luftës,..."

 Gje qe do te thote qe Vatra te interesohet dhe hulumtoje me tej ne keto magazina apo vende te tjera ku kjo magazine mund te jete zhvendosur.  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).