Në fillim mendova të bëja veç një përmbledhje të vitit 2010, të Buletineve të Luftës së shqiptarëve kundër vendit të tyre, por pastaj kur pashë se kishte shumë lajme të reja, vendosa të botoj vetëm këto.

 

• Në Tiranë, sheshi “Skënderbej” vazhdon të mbetet tërësisht i shkatërruar prej më shumë se një viti. U shkatërrua hyrja kryesore e Muzeut, u shkatërrua shkallarja ballore e Pallatit të Kulturës, u shkatërrua edhe lulishtja e posakthyer në identitet prapa monumentit të Skënderbeut. Hallall të gjitha, por kur sheh se në atë shesh gjigant punojnë jo më shumë se dy ose tre punëtorë gjithsej, dhe këta jo më shumë se tri a katër orë në ditë, dhe këto jo më shumë se katër a pesë ditë në muaj, një pyetje e madhe të vjen në kokë. Çfarë mirësie shpirtërore apo dashurie për të bukurën mund të lindë në shpirtrat e njerëzve që detyrohen të jetojnë për muaj e vite mes një shkatërrimi e rrënoje të tillë?

• U premtua me të madhe se do të restaurohej mozaiku i fasadës së Muzeut Kombëtar, më i madhi në Ballkan. Pasi u mbajt për gjithë sezonin turistik 2010 i mbuluar, fillimisht me reklama e më pas me posterin e Kryeministrit, më në fund mozaiku u rizbulua pa asnjë ndryshim dhe Instituti i Monumenteve deklaroi se mozaiku paska nevojë për restaurim se është duke degraduar. Çfarë talljeje! Harxhuan gati një vit dhe një thes me pará për ta mbuluar mozaikun me skela dhe me posterin e Kryeministrit, për të arritur në rezultatin që ai u dashka restauruar. Dhe pastaj e zbuluan, duke deklaruar se nuk kanë pará për ta restauruar.

• U premtua se në kuadër në Vitit të Nënë Terezës, do të ndërtohej muzeu i saj. Gjithë çka bënë, ishin ca skica të reklamuara me zhurmë e bujë si projekti i madh i Nënës së Madhe. Për fat të mirë, nuk u bë gjë prej vërteti, meqenëse vendi që kishin zgjedhur për muzeun, ishte hapësira e brendshme e kolonadës në sheshin “Nënë Tereza”. Kështu që do të shkatërrohej një pjesë e kompleksit monumental të shpallur e stërshpallur monument kulture.

• U hartua një projekt për stadiumin e ri kombëtar dhe, natyrisht që nuk u mendua të ndërtohej një i ri, por i ranë shkurt që të prishej ai ekzistuesi dhe, mbi të, të ngrihej i riu. Edhe kësaj radhe, për fat të mirë gjithçka qenë fjalë dhe fasadë, se po të ishte e vërtetë, me këtë projekt do t’i vihej kazma edhe një tjetër pjese të Ansamblit Monumental të sheshit “Nënë Tereza”.

• U shkatërrua një pjesë e madhe e lulishtes së Namasgjasë, thjesht për t’u mbuluar me beton. Në këtë kuadër u shkatërrua edhe shatërvani historik në qendër të saj, më i vjetri shatërvan i qytetit dhe për më tepër edhe funksional. Që nuk ndërtojnë dot gjë, kjo duket sheshit, por ç’dreqin kanë që prishin edhe ato që mezi ia dalin të mbijetojnë vetiu!

• Edhe për një vit tjetër, vijoi agonia absurde e mureve të Kalasë së Tiranës që, për të zezë të vet u shfaqën mbi tokë. E them këtë, se po të vazhdonin të flinin atje ku qenë ndën dhé, ndoshta do vinte dita pas nja njëqind vjetësh që shqiptarë më të mirë se këta të sotmit t’i zbulonin e t’i restauronin. Po bëhen tash tre vjet (!!!) që përbri mureve herë punohet e herë sikur punohet, herë i zbulojnë e herë i mbulojnë me beton, herë i hapin e herë i mbyllin. E gjitha kjo, në një lojë fantastike basketbolli midis institucioneve se kush e ka përgjegjësinë, Ministria e Kulturës, Bashkia e Tiranës, Instituti i Monumenteve, dreqi a i biri. Ndërkaq, në mungesë të shtetit, muret vazhdojnë të vithisen sipas ligjeve të gravitetit.

• Vazhdon me sukses kalvari i Piramidës. Së fundi, Kryeministri shpalli se do të shembë Piramidën për të ndërtuar aty Parlamentin. Meqë s’besoj të ketë mbetur shqiptar që nuk e njeh këtë problem, po i bie shkurt. Në fillim na tha se do e bënte Teatër Kombëtar. Pastaj i vuri emrin Qendra Kulturore “Pjetër Arbnori”. Pastaj se do e bënte Bibliotekë Kombëtare. Pastaj iu kthye prapë Teatrit dhe u dhanë edhe nja 5 milionë dollarë për këtë punë dhe, këto pará u harxhuan për të shkulur veshjen prej mermeri. Pastaj Kryeministri zbuloi se aty qenkësh akoma fantazma e Komandantit dhe, vetëm duke e shkatërruar, fantazma mund të dilte që aty. I futi në sherr e debat të gjithë për këtë punë, ndërsa vetë i harroi të gjitha dhe po pret kur t’i duhet prapë ndonjë sherr për t’iu kthyer kësaj teme. Ndërkaq, rrënoja e Piramidës vazhdon të nxijë midis kryeqytetit.

• U trafikua jashtë çdo kontrolli shtetëror një ikonë e Kostandin Shpatarakut. Tek janë zhdukur me mijëra të tjera, një më shumë ndoshta nuk ngre peshë, por zhurma që ia doli të krijojë për këtë çështje shoqëria civile, të paktën mund të shërbejë për t’u vënë fre këtyre pazareve.

Fati i zi po e ndjek Kostandin Shpatarakun jo vetëm në ikonat që na ka lënë, por edhe në afresket që ka pikturuar. Ka vite që është vënë alarmi se afresket e tij unike në Kishën e Shelcanit të Elbasanit, rrezikojnë të shkatërrohen për shkak të prishjes së çatisë. Sivjet nuk mund të flitet më për rrezikim, por për fillim të shkatërrimit të tyre. Ujërat e reshjeve kanë nisur të depërtojnë nëpër suvatë e pikturuar. Me pak punë do ia dalim t’i zhdukim ato afreske që në kohë të diktaturës së urryer, iu mirëmbahej çatia vit pas viti për 40 vjet rresht.

• Saranda sjell një triptik shkatërrimi. E para, u shkatërruan tre–katër vilat e fundit të mbetura gjallë nga e kaluara neoklasike e fillimshekullit XX për t’u zëvendësuar me pallate mbi pallate.

E dyta, diku nga fundi i dhjetorit më telefonon Alket Islami dhe më thotë se, edhe hapësira e fundit e mbetur e lirë përgjatë rrugës Sarandë-Kanali i Çukës, u zu me pallate. Ishte një hapësirë nja 100 metra, e vetmja që kishte mbetur prej ku mund të shihej ende deti. Tani, përgjatë 3 kilometrave shëtitore nga hotel “Butrinti” në Çukë, nuk mbeti më asnjë pikë prej nga mund të kuptosh se je buzë detit. Dhe i thonë ende “perlë”!!!

Dhe e treta, sheshi qendror i Sarandës u restaurua, u shtrua me pllaka dhe u mbyll për trafikun para disa vjetësh. Punë e paqme për një qytet që pretendon të mbajë turistë dhe që i mungonte një shesh këmbësor. Para disa muajsh sheshit iu shkulën pllakat, u shtrua me asfalt dhe u hap sërish për trafikun, duke u kthyer në një rrugë të zakonshme makinash.

• Në Shkodër, Instituti i Monumenteve hoqi nga lista e monumenteve një tjetër objekt, sipas një skeme tashmë të kolauduar. Ligja e ndalon në mënyrë taksative këtë gjë, por Instituti i Monumenteve me përpjekje heroike ia ka dalë të ngrejë një skemë të pastër korrupsioni dhe t’i bishtnojë ligjës. Edhe në këtë rast, kur janë djegur e shkatërruar shumë godina të tjera monumentale e historike, një më shumë nuk ndryshon gjë, por ndoshta duke e bërë publike këtë rast, ndërpritet ky mekanizëm pervers. Pleqtë dikur, për pará të fituara pa të drejtë, thoshin: “I bëfsh ilaçe”. S’më mbetet veç t’u them të njëjtën gjë edhe unë.

• Në Durrës, Bashkia miratoi një studim për shkatërrimin e lulishtes qendrore të qytetit dhe, në këtë kuadër edhe të shatërvanit neoklasik përballë Bashkisë. Është shatërvani më i vjetër në Republikë ende funksional. Arsye e mjaftueshme kjo, për ta shkatërruar. Nisur nga i njëjti fenomen i përsëritur edhe në Tiranë, ku shkatërruan një shatërvan, përpiqem të gjej rrënjët psikologjike të këtij fenomeni lufte kundër shatërvanëve dhe paranoje ndaj ujit. E vetmja gjë që më vjen ndër mend, janë legjendat me kuçedra që zënë ujin e fshatit.

• Sërish në Durrës, rrezikon të shembet ish-hotel “Vollga”, natyrisht për të pallatizuar zonën. Pushtonjësit italianë, në kohë të të cilëve u ndërtua hoteli, nuk lejuan ndërtimin mbi lartësinë e mureve bizantine të kalasë, për të mos iu humbur rëndësinë atyre. Gjithashtu, ata u kujdesën që fasada e hotelit të ndiqte formën harkore të Torrës, për të krijuar harmoni me të. Ky ishte pushtonjësi. Ne çlironjësit, duket se ç’po bëjmë.

• Prapë në Durrës, nuk dihet asgjë se ç’po ndodh me zbulimet arkeologjike në qendër të qytetit, zbulime për të cilat, nën zë thuhet se janë ndër më të rëndësishmet në historinë arkeologjike të qytetit. Për fatin e tyre të zi, edhe këto u zbuluan në momentin e gabuar. Po të kishin dalë në dritë në kohë të Italisë, do kishin shpëtuar. Edhe po të dilnin në dritë në kohë të Diktaturës, prapë do shpëtonin e restauroheshin. Por, fati i tyre ishte të dilnin në dritë sot, në kohë të Demokracisë dhe fundi i tyre është i parashikueshëm. Grotesku më i madh, është që thuhet se do t’i zhvendosin në një vend tjetër dhe aty, në vendin e tyre, do vazhdojë ndërtimi. Si në çdo gjë, edhe në këtë jemi së prapi. Në të gjithë botën, kur dalin rrënoja arkeologjike zhvendoset ndërtimi i ri, ndërsa këtu zhvendosen rrënojat dhe vazhdon ndërtimi.

• I vetmi informacion sekret që del nga Instituti i Monumenteve, dhe që është shpërndarë nëpër media, është se drejtori ka nja tre vjet që ka mbushur moshën e pensionit, por nuk shkulet nga vendi. Në kohë të Diktaturës, të vetmit që nuk dilnin asnjëherë në pension deri sa, ose ndërronin jetë ose i pushkatonte Komandanti, ishin anëtarët e Byrosë Politike.

Me kaq po e mbyll këtë Buletin të Luftës së shqiptarëve kundër vendit të tyre. Ne jemi shumë të mirë, po serbët sepse na kanë inat dhe flasin keq për ne. Puna është se, edhe pa ndihmën e tyre ne po ia dalim t’ia nxjerrim themelet Shqipërisë aq mirë sa as ata vetë nuk do ta bënin dot.

31 Komente

Grotesku më i madh eshte ajo shqiponja te fotografia..

 na dhe nji nga i njejti autor:

 

 

për më shumë shqipe, këtu.

 Duhet te jete ndonje laraske ajo se shqiponjat kane merdhif! smiley

Nuk ka cfare te thuash me teper. Nqs asnje nuk shperndan jod falas per femijet, gjenerata tjeter ka shume mundesi te perfundoje si tek "28 days later" . Ja dhe nje artikull (fatkeqesisht vec ne anglisht) qe i shkon shume per shtat aftesive mendore te shumices se administrates shqiptare, por ndoshta edhe me gjere.

o çmshkatarroi ky ilustrimi i projektit per sheshin, me feniksin gjysemqiellor, me Niçen pinkflloydjan në kullën e vrojtimit, me atë ndjesinë plaside të egzistencës së vdekjes dhe vdekjes së egzistencës që ndjell...shkurt fantastike, dashka pa dashka vepër arti...  dhe ne harrojmë se këtu jeton nje popull që nderton shkronte migjeni.

nuk na thurre ndonje varg per pellgjet me uje te sheshi o burre i dheut...

e ke fjalën per ato qelqet axurrine të muranos që sperkatin sheshmajucën e gllabëruar nga falangat eternale të piskzhegut te tiranes?  smiley

lol.....

ika shoku, te punojme ka içik se poezia s'na jep buk. te zgjidhim çështjen e drithit i'er pastaj t'i kendojme smiley

C't'i levdosh nje buletini lufte? Nejse, si tha ai: mos qelloni mbi pianistin! smiley

 

Ilustrimi per mua sec ka nje gje prej Magritte smiley :

tani, "shqipe" apo "shqiponje" i thoni zogut ju te dy aty siper??? Dmth cdo lloj zogu eshte shqiponje... si me thon, "ca shqiponje ai harabeli te dritarjaaaa!" apo "kom honger i derr shqiponje per vit te ri.... pule me pershesh!"

"eej, ca shqiponje eshte ajo te kafazi?" - "gardeline"

"si ben shqiponja? - ciu ciu ciu".

Turp të kini! Po shkatërrohet Shqipëria dhe ju merreni me zogjtë! Çfarë zogu ishte, bishtin si e kishte a këndonte etj.

Turp, turp, turp.

Sa na osht trash kjo e shkret lekure duke lexu vecse te kqija!!! Ja me siper, bashkpeshqit e mi komentojne mbi gardalinat apo kanarinat dhe hic mbi luften tone civile. Nejse, pak rendesi ka.

Sa per shkrimin, s'ke c'thua, ma zi nuk bahet ma. Psiqiket kane pushtuar gjithe majat drejtuese dhe kan helmu edhe popllin me opium.

Ah gjerman, o gjerman.....tha. smiley

Kam pershtypjen se kanarinat dhe shqiponjat komentohen ngaqe njerezit ndjehen te pafuqishem dhe te hidheruar me realitetin. S'kane c'i bejne gomarit dhe i bien samarit me nje fjale...

Sa i eshte trashur lekura ketij populli; i eshte bere si sholle kepucesh! Gjithsesi kush te doje, le ta gezoje.

 me se e vertete çka thote per Durresin: eshte zbuluar nje pjese e qytetit antik me nje vlere te pallogaritshme. ndryshimi i vetem nga Pompei eshte vetem lartesia e mureve. urbanistika e kesaj pjese eshte e tille qe i ben me turp arkitektet e sotem, dhe prandaj nuk duhet ruajtur...

Ndersa sheshi ne qender te qytetit ka pesuar nje transformim te turpshem. vetem arkitekt nuk ka qene ai qe e ka bere. Bashkia po del ne rolin e nje .sha, qe ngren hapesira per ti shitur. beton, beton dhe vetem beton...

Pershendetje,

Ne cilen pjese te qytetit jane bere zbulimet?

Flm.

 ne qender, perballe postes se qytetit. eshte nje trekendesh i madh i rrethuar nga rruge. ku ka qene stacioni i autobuzave te plazhit.

Dakord me Finisterre. Ka dicka prej Magritte ne ate ilustrim. Madje, me shume se dicka... smiley

René Magritte's Not to Be Reproduced (La Reproduction Interdit), (1937)

- Versioni i perdorur ne ilustrim eshte i njejti, por i pasqyruar vertikalisht.

 

Sa per buletinin e luftes... c'te thuash?! E frikshme, e shemtuar, revoltuese, e dhimbshme... fushbeteja.

Bashkia po del ne rolin e nje .sha, qe ngren hapesira per ti shitur. beton, beton dhe vetem beton...

Se ku e kemi degjuar here te tjera kete gje...hmmm.....

 Buletin i vërtetë lufte por dhe ky ka qenë pjesë e Shtabit të luftës dhe s'ka mundur të ruajë me ligje të qëndrueshme e të paanashkalueshme pasuritë e trashëguera . Meqenëse e njeh mirë gjëndjen dhe legjislacionin , bën mirë që shkruan por është shumë pak për të ndalur luftën e shkatrrimit .Do ti kërkoja ( ndoshta padrejsisht) të zhvillojë veprimin qytetar duke e ndërthurur me veprimin juridik ( gjygje të njëpasnjëshme). Le të mbledhë të tjerë rreth vetes që i dhimsen dhe jo vetëm kto vlera për një veprim të mirorganizuar kundër ktyre shkatrrimtarëve e zullumqarëve me pushtet politik e finaciar .Derri do plumb o Tani jo llafe !

Unë kam një hall që do ta them...

Në këtë mënyrë si sillemi ne me territorin, lë të kuptohet se jemi jabanxhinj këtu, e jo më të kemi xxxxx e pirdhu vjet në këto troje.

 

ka dhe nje shkolle tjeter mendimi qe thote se pasuria e trasheguar shperdorohet me kollaj se ajo e fituar me pune, me perpjekje smiley

E mirë kjo dakord. Po është edhe tjetra... kur ke me komshiun, supozohet xxxxx vjet që e njef, si ka mundësi të urrehet tjetri kaq shumë?

dmth vëllezër të një gjaku e yçklat e ngjashme...

 

Eshte nje fenomen qe ka plot shpjegime te tjera racionale. Nuk ka pse ta komplikojme.

 Z. Lame shikon zi. Po vizat.......

:smiley

Eshte ceshtje kujtese.. duke shkatrruar monumentet fshijne dhe kujtesen dhe bin rehat me nji fjale.

 

 Desha me i thene njerit qe Lame nuk shaka vetem Salen, por te gjithe qe jane kunder rregullit dhe natyres. Bravo Lames, ka pak te tille pasionat ne ate qe bejne.

 mua me pelqeu ky maket i sheshit me ato thyerjet me vije te cregullt te bazeneve te ujit. Dhe ajo godina prane Bankes qendron me mire se ato kullat e larta qe kemi pare ne nje projekt tjeter. Nje problem eshte se ka shume siperfaqe mermeri dhe me rritjen e temperaturave mesatare me 2-3 grade pas 30 vitesh do jete nje tmerr kalimi aty. 

Nuk do jete problem fare se mbas 30 vjetve do i ken vjedh,dhe prap te betoni do mbetet.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).