Ku po e lëmë vitin 2010? Si po e shkelim pragun e kohshëm të Vitit të Ri 2011?
Një përgjigje e parë do të ishte: Pandryshueshmërish 2011-n po e nisim si një zgjatim të vitit politik 2010. Ndërsa në një metaforizim apo rregullim fraze, mund të shtonim, po e lëmë vitin e sapombyllur 2010, “shtatzënë” me krizë.

Është dhurata më e frikshme që politika i bën kohës së ardhme të një shoqërie. Është e frikshme, jo për arsyen e parë të krizës pa fund dhe pa kufizim kohor shtrirjeje, por për faktin se në përvojën e deritanishme të kohës së një mandati politik, edhe pozita, edhe opozita e kanë humbur sensin e përgjegjshmërisë ndaj kohës. Më shkurt e kanë shpërfillur nevojën e pasjes së sensit të masës për kohën. Në këtë shpërfillje po kalojnë pragun e një viti duke hyrë te tjetri, duke mos ndryshuar së pari, formën demoniake të shpërdorimit të kohës së një vendi, të një shoqërie e veçanërisht të individëve të kësaj shoqërie. Me këtë klasë politike dhe me këta krerë udhëheqësie, po hyjmë në mesin e dytë të moshës së ish-diktaturës komuniste. Në ditë dhe orë të tilla fundviti, biem në prehrin e një refleksioni të natyrshëm vetjak, ku shohim se në sipar të kohës që pruri prijësit e rinj të kohës sonë, ne ishim të rinjtë optimistë e romantikë dhe sot jemi “bijtë e lodhur” jo prej kohës së re që deshëm, por prej prijësve të vjetër të kohës së re. Kjo dialektikë në Shqipëri prizmohet keqas për arsyen e vetme se jemi bërë dëshmitarë të kohës së ndenjur dhe të politikanëve që korrin e korrin në “lëmin e kotësisë” kohën e popullit që i zgjedh, pa i vetëvotuar. Në këtë mënyrë, koha e mandateve të përcaktuara shndërrohet në një kohë pa krye dhe pa limit. Kjo zhbërje kohore shndërrohet në mentalitet dhe bindje gati demoniake. Vitet e qeverisjes së ardhme nuk konceptohen si kohë fizike, por si besim propagandistik. Kryeministri Berisha po flet për qeverisjen e tij që do të zgjasë edhe diku te 30 vjet të ardhme, sikundër kryetari i opozitës e ka zhytur në harresë të plotë kalendarin e qeverisjes së tij si kryebashkiak i Tiranës. Dy protagonistët antagonistë, po përdorin njëjtësisht logjikën e kohës për mandatet që posedojnë. Kjo është dialektika e stopuar politike e udhëheqësisë politike të këtij vendi. Në këtë dialektikë të mbetur po mbipeshohet stanjacioni dhe mavijosja e “ngërçit”. Një kohë që mbahet “shtatzënë” me sherr e konflikt, por nuk lind asgjë. Një paradoks apo monstër tipike shqiptare. Një kreaturë e shëmtuar tranzicioni, me përmbajtje demoniake dhe imazh kimerik. Kjo është koha e mandateve pa afate që po konsumojnë udhëheqësit tanë. Në këtë mënyrë, nisin një vit me urimin-mallkim dhe e mbyllin atë me mallkimin-urim. E vetmja dhuratë e mallkuar për shqiptarët e kësaj Shqipërie të lodhur dhe të parë në dy optika, është konflikti dhe mospajtueshmëria e dy korpuseve tona politike.

Kjo “dhuratë” është autoriale. Ajo po parathuhet, si e tillë për vitin 2011, prej vetë autorëve, pra nga dy protagonistët potencialë, përkatësisht Kryeministrit Berisha dhe kryeopozitarit Rama.

Koha e vitit të ri për vendin po shfaqet me një kalendar të paracaktuar, me më shumë dilema se sa shenja horoskopi.

Asnjeri prej dy udhëheqësve nuk u dha qytetarëve idenë për një projekt të afërt dhe real për vendin. Kryeministri, në oratorinë- monolog të 105 minutave para reporterëve, pa të drejtë pyetjeje, foli për pemëtarinë dhe fisnikërinë e ullirit, por më shumë u vetëndie në poltronin e kryeqeverisësit që ka edhe gjithëfuqinë e Kronosit.

Përballë tij, kreu i opozitës, Rama, rikonfirmoi vendosmërinë për beteja pa rezultat, të cilat janë i vetmi kalendar aksionesh për opozitën. Në këtë mënyrë, viti i ri po hyn duke qenë i eklipsuar prej imazhit të ndenjur të politikës përplasëse. Përbaltja dhe akuzat janë arma e vjetër që po shiten si dhuratë e vetme e këtij cikli të ri ditë-netësh të ardhme shqiptare. Një betejë për të mbetur në peizazhin e vjetër të politikës së tranzicionit. Askush nuk merr përsipër të ripërmendë faktin se kemi mbërritur në epilog të tranzicionit, pasi shumëkush e ndien se ky kapitull, i shpresuar si i fundit, paska edhe shumë e shumë kohë për t’u mbyllur. Projektet e përdorura si maska elektorale apo qoftë edhe si fasada elektorale, janë i vetmi mjet për të maskuar përgjegjësinë e “demonëve” tanë politikë. Janë fatkeqësisht “demonë” me mandate që po e mbajnë në këtë gjendje stanjacioni, kohën dhe skepticizmin e shqiptarëve.

Mes kohës së tyre dhe kohës së dëshirueshme europiane të shumicës së qytetarëve të vendit, ekziston diferencë dhe ndryshim i madh. Matanë demagogjisë së saj është koha reale që konsumon njerëzimin, por është edhe mosha që shënjohet në mënyrë të pazhbëshme te vetë politikanët që sensin e kohës e fitojnë vetëm në raportin shtëpiak dhe e humbasin rishtazi në pragdaljen e përditshme nga shtëpia.

2 Komente

Ndërsa në një metaforizim apo rregullim fraze....

dialektika e stopuar politike e udhëheqësisë politike....

Kjo dialektikë në Shqipëri prizmohet keqas për arsyen e vetme se jemi bërë dëshmitarë të kohës së ndenjur dhe të politikanëve që korrin e korrin në “lëmin e kotësisë” kohën e popullit që i zgjedh, pa i vetëvotuar.

Kjo “dhuratë” është autoriale.

O zot, o zot car shkrimi! Ec e fol po deshe per rishikim te standartit te drejtshkrimit, kur sot po perdhunohet gjuha shqipe cdo dite.

Taksirat, kush mund te shpjegoje car dmth "autoriale" apo kjo fraza

"korrin në “lëmin e kotësisë” kohën e popullit që i zgjedh, pa i vetëvotuar"

nese populli eshte subjekt i trete ai voton dike tjeter, ndersa vetevotuar nenkupton qe populli voton vetveten (e pamundur, nejse), por atehere cfare hyjne ne kete mes politikanet/deputetet? 

P.S. edhe dicka:

posedojnë = zoterojnë

mospajtueshmëria = papajtueshmëria

...dhe te mendosh qe ky monstra Aleksander Cipa, eshte Kryeredator i Gazetes Shqip me duket! Aman se vetem shqip nuk ka ketu.

 Zoti Hunter shume kritika paskeni bere te cilat me duken te kota dhe pak si personale ndaj ketij personi : autoriale duket e shpjeguar me pas "autoreve" po e paskeni lexuar shume pa imtesi . 

Politikane qe korrin me lemin e kotesise kohen e popullit qe i zgjedh pa i vetevotuar - mendoj se eshte nje shprehje e cila ka nje kuptim te qarte, (lexojeni dhe njehere te gjithe fjaline se shikoj qe keni marre vetem nje pjese dhe as nuk keni kuptuar asgje, nuk thote populli vetvoton veten jo po per politikanet i nderuar dhe ta ka bere me qarte qe nga fillimi fjalise), njerzit qe populli yne ka zgjedhur per te na qeverisur jane njerez qe ate karrige e moren me dhune dhe jo se ia dha populli, e moren me lek dhe me korruptime te medha dhe flasin e flasin (korrin e korrin) fjale te cilat kurre nuk i mbajne, premtime te cilat u ka dale boja nga realizimet e tyre te medha dhe qe cdo njeri sot po e shikon me ke ka te beje .... po populli yne eshte si kopeja qe i jep te hane pak me teper dhe ngopen me aq pa menduar cfare do hane diten tjeter... 

Sa per fjalet: posedojne= zoterojne dhe ajo tjetra me poshte keni shprehur dy sinonime te cilat i dini fare qarte cfare do te thone atehere perdorimi i ketyre sinonime eshte i lejueshmen ne gjuhen letrare i nderuar ... 

 

Nje shkrim perfekt, i mbrekullueshem,  si gjithmone i Aleksandrit dhe i uroj suksese ne punen e tij. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).