Dëgjoja dje krahasimin që i bëri kryeministri ynë Shqipërisë me Të Bukurën e Dheut. Këtë e tha gjatë një mitingu në Elbasan, pasi la të kuptohet se kjo bukuri vendit i ka ardhur qysh nga krijimi i PD 20 vjet më parë, e pasi deklaroi se Shqipëria është shpallur destinacioni i parë për turizmin botëror (nga kush?)


Kjo metaforë e ngritur mbi figurën e moçme të përrallave shqiptare, s'di pse më ndërmendi një qëndrim disaditësh që pata në dhjetor në Shqipëri të Veriut. Që sa lë lagjet e fundit të kryeqytetit, ato të Bathores, dhe del në natyrë të hapur, të bën përshtypje Mali i Skënderbeut përmbi fusha, ku fle dhe kryeqendra historike e Shqipërisë, Kruja qyteti i bekuar, që pret pëllumbin e shkruar, Kruja që e kemi përfytyruar përherë si kurorë për mbretin tonë të zemrës.

Por shpatet e malit nën Krujë sot janë të rrjepura nga aktiviteti i dendur i guroreve. Rreth tyre tymi i zi i gomave që digjen për furrat e gëlqeres. Nuk di ç'turistë mund të tërheqë ai mal. Kruja të kujton një zonjë që qan bukurinë e motit dhe ka turp t'ia tregojë fytyrën botës.


E Bukura e Dheut e ka një faqe të djegur.
Rruga jonë ndali së pari në Shëngjin të Lezhës. Aty rrotull depozita nafte, mu në prag të zonës lagunore të Kune-Vainit. Ishte dikur dhe liqeni i Knallës me ujë të thellë e të kthjellët që u ndot nga një shpërthim depozitash pak vite më parë dhe që sot nuk është më nën mbrojtje. Një vend i vogël Shqipëria, me vijë të shkurtër bregdetare, por me 4 porte për mbledhjen e naftës: Shëngjin, Porto Romano, Durrës dhe Vlorë, me zona të tëra ku nafta pluskon si në fushat e Marinzës e kodrat e Ballshit ose në plazhet e Semanit.
E Bukura e Dheut e ka një faqe të nxirë.


Nga Shëngjini ecëm në këmbë bregut të detit deri në Ishull të Lezhës. Makina aty s'shkon më, sepse deti i është afruar tokës brenda pak vjetësh me qindra metra. Tutje në det mund të shohësh bunkerët që dikur rrinin krenarë përmbi bregun ranor. Brezi tokësor që më parë ndante i plotë detin nga laguna sot është kthyer në një rrip i hollë i hollë që të ngjan se dhe pak e do këputet. Lumenjtë Mat e Drin sot vijnë më të rrëmbyer e më të fryrë se kurrë në Gjirin e Lezhës, ata sjellin duket më pak aluvione se dikur, ngaqë i grabisin rrugës, dhe uji fryn detin dhe deti ha tokën dhe mbush bronket e saj.
E Bukura e Dheut ka pneumoni.


S'kam parë ndonjëherë vend më të trishtuar se ai mes Shëngjinit dhe Ishullit të Lezhës. Rripi i ngushtë që thamë mbushur krejt mbeturinash. Shishe, bidonë, qese, goma, masa plastike pa fund ku zotëron e bardha dhe bojëqielli. Por jo e kaltra e detit, as ajo e qiellit, e kaltra e ndyrë e njeriut, konsumi i shtrydhur prej tij e i hedhur tej që tani i kthehet mbrapsht. Se deti kthen mbrapsht jo vetëm masat e tepërta të ujit, por edhe gjithë mbeturinat që njeriu shqiptar kujton se i ka hequr nga vetja.


Në çdo qytet e fshat tonin që të kaloni, ku ka një lumë a një përrua, do të vëreni se ky lumë e përrua është depozitë plehrash, lumi që është jeta e tyre, arsyeja pse u ngrit fshat a qytet aty, sot ka as më pak e as më shumë po statusin e nevojtores. Dhe kështu ndodh që deti i madh bujar Adriatik e kthen atë që s'është e vetja, gjithë ndotjen që zbret prej Shqipërisë së veriut nga lumenjtë Ishëm, Mat e Drin, te bregu i njerëzve. Madje dëgjojmë që Mali i Zi e Kroacia janë ankuar se mbeturinat e lumenjve shqiptarë deti i ka sjellë deri te ta. Shqipëria i ngjan njeriut që s'mban dot të vjellat.


E Bukura e Dheut ka nausea.
Kujtuam se po shkonim në këmbë në Ishull, por nuk qe aq kollaj. Rruga befas kalonte nëpër një oborr privat. Po po, dikush kishte ngritur një shtëpi (aty ku ndalohet të ndërtosh), kishte rrethuar vendin me gardh dhe tani ishte bërë zot i rrugëkalimit. Që të vazhdoje për në Ishull duhej o ta merrje pronarin me të mirë, ose t'i paguaje atij doganë. E kështu ndodh që Shqipërinë e copëtojnë, e zaptojnë, e marrin peng.


E Bukura e Dheut e ka litarin në grykë.
Gjithë ato ditë që ndenjëm në Lezhë tema kryesore ishin përmbytjet. Do ta pësojë dhe Lezha si Shkodra, dhe sa do qëndrojë sistemi lagunor, çfarë duhet bërë që të mbrohet ai? Në mbrëmje Xhemal Mato na shfaqte nga filmat e tij për mjedisin. Shqipëria e fillimviteve 90 të ngjan me një Parajsë të Humbur, e mua Xhemali më kujton John Miltonin. Ka një film ku ka xhiruar prej ajri bregdetin e Shqipërisë; shumica e atyre plazheve të virgjëra, sot ose janë mbjellë me beton, ose janë ngrënë nga deti. Ndërsa pyjet e Lurës janë vërtetë përrallë nga e kaluara për ish-të Bukurën e Dheut. Sot ca cungje që rrethojnë liqenet e famshme si këmbë e paterica ushtarësh mbas një bombardimi flasin për atë përrallë.


Dhe ia vënë fajin motit për gjithë këto përmbytje dhe do thellojnë Bunën që të shpëtojnë nga to. Nuk shohin se Shqipëria po humbet pyjet, se i ngjan përditë e më shumë asaj gruas që i bien flokët.


E Bukura e Dheut ka qere në kokë.
Kur dolëm nga Lezha kaluam një herë në Balldren para se të merrnim rrugën e kthimit. Aty një firmë italiane po ngre një fabrikë çimentoje, të tretën deri tani në ultësirën e Shqipërisë veriore. Do të jenë tetë së shpejti, nga Fushë Kruja deri në Shkodër. Se Shqipëria ka uri për çimento, tha kryeministri ynë. Se është mafia që ka uri për çimento në Shqipëri, tha Roberto Saviano.


Më ngjan Shqipëria shpesh me një femër që e kanë nxjerrë ta shesin.
E Bukura e Dheut është bërë e përdalë.

8 Komente

Te lumte, Klosi!

[Ke teper pasazhin idiot dhe te panevojshem "Kruja qyteti i bekuar, që pret pëllumbin e shkruar, Kruja që e kemi përfytyruar përherë si kurorë për mbretin tonë të zemrës" - se nuk mund te mos e prishesh me nje cike uthull teper gjellen qe ben, ama per gjithcka tjeter, Te lumte!!!]

 ok shqiperia e bukura e dheut eshte po eshte nje e bukur qe  ekane perdhunuar 100000 veta dhe tani e kane nxjerre ne rruge te shitet.bukuri e mallkuar

 Natyra dihet qe po degradohet nga njeriu, mirpo ketu nje pjese e fajit bie dhe mbi qeverite. 

puna eshte se Klosi, eshte e kunderta e Saliut.  pra nese Saliu hiperbolizon, sterzmadhon dhe cdo gje sheh pozitive kur flet per Shqiperine, Klosi minimizon, sterzvogelon..., me pak fjale cdo gje eshte negative ne Shqiperi per te...

Klosi nuk minimizon  asgje, perkundrazi eshte treguar shume i bute me paraqitjen..

 

Tamam  shume i bute  eshte treguar me paraqitjen, mjafton ta udhetosh   neper shqiperi edhe  do shohesh tmerr

cna bere me nxjerr keto

 

 

 Kjo eshte Shqiperia e vertete, jo ajo e Saliut dhe e familjes se tij. Ai po ecen ne rrugen e Enverit. Ne kohen kur populli vuante per buken e gojes, ne ishim fanar ndriçues ne tere boten.

Edhe tashti, kur ne vuajme per buken e gojes, Saliu po na tregon per te bukuren e dheut, te cilen ai po e nxjerr tek semafori.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).