Shtëpi e Zotit apo apartamente për “zotat”?

 

Këto ditë është përfolur në publik mbi mundësinë e ndërtimit të një xhamie të re në kryeqytet. Nga autoritetet janë përcaktuar dhe kriteret funksionale të këtij objekti, sipërfaqja, koeficienti i ndërtimit, kate mbi dhè e gjithashtu nën dhè, një minare, metra katrorë, pronarë dhe shpronësime. E gjitha kjo që është publikuar i ngjason një historie me pronar trualli dhe ndërtues pallatesh, histori të rëndomta këto, që shoqërojnë jetën social-ekonomike të qyteteve tona. E veçanta në këtë ngjarje, parë kështu me sy të lirë, është se në këtë pallat do të ushtrohen rite dhe praktika të besimit islam.

Duke qenë se nga çfarë njohim si opinion i gjerë publik, është një marrëdhënie “më jep-të jap” (leje ndërtimi) ndërmjet një bashkësie fetare dhe autoriteteve lokale, si dhe ngarkesa me labirinte funksionale të kërkuara me ngulm në këtë objekt, mungesa publike e një aureole me vlerësime dhe kritika estetiko-kulturore mbi simbolikën e kësaj ndërmarrjeje, e nevojshme në të tilla raste, e zbeh dukshëm entuziazmin momental në gjirin e dashamirësve të xhamisë së re. Mbase mungesa e qëndrimeve të tilla mund të vijë nga shkrehja e beftë gjatë një paraditeje festive, pas tendosjes së pritshmërisë së gjatë nga ana e të interesuarve, ose nga droja e shumëkujt që në këtë klimë mbarëkombëtare islamofobie nuk ka ndërmend të zgjojë “shejtanin” nga dremitja duke i thurur lavde kësaj nisme. Të dyja sa thashë më sipër qëndrojnë, por mendoj që mosqasja ndaj një debati të dobishëm mbi domethënien
shumëplanëshe të ndërtimit të një xhamie qendrore, simbolikën që mbart ajo në një mjedis multireligjioz, si dhe kriteret specifike të natyrës arkitektonike që do të vuloste dhe identitetin islamik të kësaj ndërtese, vijnë kryesisht nga një zbrazëti shpirtërore e përgjithshme, e cila karakterizon mjerisht shqiptarët pas një ateizmi të dhunshëm, përfunduar zyrtarisht vetëm 20 vite më parë.

Tempulli është një vend ku kryhet komunikimi me transcendenten, ndaj besimtarët duhet të jenë ekskluzivisht të vetmit të cilët duhet të ideojnë dhe materializojnë një projekt të tillë. Me suksesin ose jo të projekteve të tilla varet pritshmëria e përjetimit shpirtëror të anëtarëve të një bashkësie religjioze dhe kohezioni i identitetit kulturor që e karakterizon bashkësinë. Sa larg është projekti i nxitur nga autoritetet, i një ngrehine religjioze me zyra, parkingje, dhe më tragjikja, me kate që frekuentuesve u pamundësojnë kontaktin fizik dhe vizual ndërmjet tyre, me atë që sipas Eliades, duhet të përfaqësojë një tempull: “… mundësinë që njeriu religjioz të gjejë periodikisht Kozmosin, ashtu siç ishte në gjenezë, në momentin mitik të Krijimit”. Ky përkufizim i tij është mbi natyrën universale të tempullit në të gjitha religjionet, ndërsa më specifikisht, tempullin semit ai e kategorizon si “arketip qiellor”. Jo rastësisht arkitektura e krishterë (sidomos ajo lindore) dhe ajo islamike ( jo magrebine), në ndërtimin e tempujve e kanë zhvilluar përgjatë shekujve kupolën si një element arkitektonik që mishëron qellin, kozmosin, përjetësinë. Nuk duhet të harrojmë se në qytetin tonë kemi një shembull të tillë plotësisht origjinal, Xhaminë e Et’hem Beut, e cila frekuentohet si nga besimtarët që prehen “fetarisht” aty, ashtu dhe nga vizitorë që mrekullohen nga veçantia e saj. Ndërkaq Eliade, si një ndër historianët me të njohur të religjioneve, thekson se ndërtimi i tempullit lind si nevojë për të veçuar të shenjtën nga korrupsioni i kudondodhur njerëzor. Në rastin tonë jemi larg nga ky konstatim, kur kemi parasysh terminologjinë e përdorur, e ngjashme kjo si në ndërtimin e çfarëdolloj objekti, si dhe përfytyrimin popullor mbi virgjërinë morale të aktorëve të
përfshirë në projekt.

Bashkësitë religjioze, kur ndërmarrin projekte kaq kulmore siç është ndërtimi i tempullit të tyre qendror në qytet, angazhojnë burimet njerëzore më të kualifikuara nga gjiri i tyre. Në mungesë të personaliteteve produktivë nga gjiri i vet, mundet të huazohen ndihmëtarë nga bashkësitë simotra kudo në botë, gjithmonë për të harmonizuar elementët lokalë të traditës sonë me universalizmin e arkitekturës islame, risitë e modernitetit, në hapësirën dhe mundësitë e dhëna. Mendimin thelbësor në të tilla raste duhet ta thonë personalitete me ndjeshmëri spirituale, etikë të mirë në komunikimin me termat e religjionit, si dhe me një profesionalizëm në njohjen e estetikës islame në objektet religjioze. Rudolf Otto thekson se: ”E shenjta është para së gjithash, kategori interpretimi dhe vlerësimi e cila ritakohet vetëm në fushën e religjionit. Në etikë zgjerohet rrethi i saj, por nuk theksohet kurrë veçmas religjionit, i nënshtrohet racionales, komplikohet dhe është e pashprehshme konceptualisht”. Kështu jo çdokush, aq më tepër elita jonë kulturore e politike, me një te kaluar të skajshme ateiste, mund të ndërhyjë me një retorikë formale duke shfrytëzuar boshllëkun shpirtëror të shqiptarëve për ta “mbushur” sadopak këtë hapësirë. Me tej, pas këtij baraslargimi të së shenjtës ndërmjet burimit të saj, religjionit dhe etikës, Otto e hedh këtë kategori në fushën e përjetimit njerëzor dhe thotë : “Është e vështirë të flasësh për njohje religjioze me dikë, i cili mund të rikujtojë ndjenjat e tij të para të moshës së pubertetit, ndonjë çrregullim në tretjen e ushqimit, ose ndjenjat sociale, por jo specifikisht ndjenjat e para religjioze”. Por, në promovimin e xhamisë së re janë thirrur të kontribuojnë personalitete me profil të theksuar areligjioz, me interesa dukshëm profane dhe me ‘background’ të turbullt dhe jo të denjë. Nëse shumëkush arrin të rinjohë në vetvete ndjesi të së shenjtës, të lidhura specifikisht me ndonjë religjion, është i thirrur të kontribuojë me gjithë kapacitetet e tij në bashkësinë përkatëse religjioze, nëse dëshiron dhe nëse ia pranojnë. Përfshirja gjithnjë e më tepër e autoriteteve shtetërore në retorikat me sfond religjioz, dhënia prej tyre e recetave veterinaro-fetare-inflacioniste kudo dhe kurdoherë, dhe në rastin e xhamisë, protagonizmi jo i shëndetshëm i kryebashkiakut në promovimin e cunguar të saj arkitektonik dhe kulturor, është shkelmimi i vazhdueshëm i parimit të neutralitetit të shtetit ndaj bashkësive fetare. Neutralitet që thërrmohet vetëm në rastin e bashkësisë së besimtarëve myslimanë, sepse ndërkaq, nuk kemi parë të tillë ndërhyrje kaq flagrante të autoriteteve në ndërtimin e tempujve të bashkësive të tjera në kryeqytet. Siç duket, këto bashkësi kanë ndjekur procedurat rutinë në aplikimet pranë autoriteteve, dhe duke iu përmbajtur rregullave kanë arritur atë që dëshirojnë. Nuk dimë në asnjërin rast sa kapacitet parkimi ka nën tempujt e tyre dhe sa kate u kanë kërkuar autoritetet. Ndërtesat fetare monumentale në fakt, nuk maten me kate, por me lartësi, sepse si kudo edhe në Tiranë, ato janë kryesisht njëkatëshe.

Në ndërtimin e një xhamie, sipas Titus Burckhardt: ”Arkitektura ka për detyrë të rivendosë gjendjen e pastërtisë që servir natyra”. Më pas shton se: “Arti islam (në xhami brendashkruhen të gjitha llojet e këtij arti) është një komentues i librit të shenjtë”. Mospasja parasysh e të tilla kritereve konceptuale dhe turrja me vrap pas funksionalitetit dhe utilitetit, tregon zbrazëti të thellë shpirtërore dhe mosnjohje të principeve të fesë në këtë fushë nga shumëkush në bashkësinë e myslimanëve shqiptarë, ose më tragjikja, një kombinim i asaj sa thamë më sipër me një nënshtrim total dhe servil ndaj më të fortëve, që nuk kanë farë respekti për vlerat religjioze të Islamit. Në qoftë se gjërat në këtë rrafsh nuk ndryshojnë në favor të frymëmarrjes së jetës religjioze tek myslimanët, kjo tregon se ata nuk kanë mësuar asgjë që nga viti ‘67.

26 Komente

 E veçanta në këtë ngjarje, parë kështu me sy të lirë, është se në këtë pallat do të ushtrohen rite dhe praktika të besimit islam.

----

Mospasja parasysh e të tilla kritereve konceptuale dhe turrja me vrap pas funksionalitetit dhe utilitetit, tregon zbrazëti të thellë shpirtërore dhe mosnjohje të principeve të fesë në këtë fushë nga shumëkush në bashkësinë e myslimanëve shqiptarë, ose më tragjikja, një kombinim i asaj sa thamë më sipër me një nënshtrim total dhe servil ndaj më të fortëve, që nuk kanë farë respekti për vlerat religjioze të Islamit. 

http://www.architecture-studio.fr/en/pro...

Në çfarë vendi do ta bëj Rama se siç shihet në foto, tek plani francez nuk ka asnjë minare përveç Et'hem Beut? Apo, hëm xhami hëm parking hëm ... floktore!!! 

 

 

Ke harru kinemane dhe piken e basteve.

 Seriozisht, Rama e ka vënë 1, kupto ti... 

Kaq e rregulluar ? A po kështu kot në letër!

 jerusalem ..Shalom ! ( po z-ne pse e ke zevendesuar me  s-ne?) Me ke pelqyer  shume.Tani  pata  mundesine ta lexoja. Eh sa djem azgane ka ky  vend  por  ku  i lene te  marret te marrin fryme. Veçse kurajo more djem se do behemi nje dite dhe me mire se bota! E bota nuk eshte bere me ushtare dhe pistolerot, por me ...puritane, mandej me njerezit e shkolluar e dinjitoze.

     ....Do isha kurjoz ne se mund te  me jepje  ca  te  dhene te shkollimit, punes  .Natyrisht si   jer...

Te pergezoj sinqerisht !

 

Po projektin e kishes Protestante ( ungjillore) kur do e beje bashkia ...???? Po i ecen biznesi Edi-t  xhami per vota.... ide e mire e  po s´dihet sa ecen  ...merr nga nje ane le nga ana tjeter ... a i ka shkruar ne projekt altoparlantet qe do cirren arabisht ne toke shqiptare ...Edi Rama ....

... a i ka shkruar ne projekt altoparlantet qe do cirren arabisht ne toke shqiptare ...Edi Rama ....

Te vret veshet? Eh, muzike per veshet e mi dhe me e embel. Tani kot per te te pyetur: ajo ana nga po le Edi Rama dhe po humbet jane komuniteti protestant? E megjithate kambanat e kishes se zotrotes nuk me bezdisin po hic fare keshtu qe nuk ma kthen dot bezdine me te njejten monedhe.

 Po ndonje fjale  shqip sinonim i fjales profane,nuk ka xhanen ?? 

profane-paraduket,sic duket ,tejduket.Keto perdoren per te qene pak trendy  ,qe thua ti si puna e katharsit (pastrimit) te nanos  apo kleplokracise(hajduterise) se sales.Tani qe u bene anglizmat boze po i futemi greqizmave

 ka mor ols...avdall

Sipas parimeve te tregut te lire: kur s'ke para as kapital njerezor s'ke pune te ndertosh me paret e tjetrit(kjo vlen per te gjithe 'bashkesite' qe vec te tilla nuk mund te quhen)

Bashkësitë religjioze, kur ndërmarrin projekte kaq kulmore siç është ndërtimi i tempullit të tyre qendror në qytet, angazhojnë burimet njerëzore më të kualifikuara nga gjiri i tyre. Në mungesë të personaliteteve produktivë nga gjiri i vet, mundet të huazohen ndihmëtarë nga bashkësitë simotra kudo në botë

Kapitalizmi është komplet m'rregull, vetëm se ka një problem të vockël, që mirë do ishte mos ta kishte. Nuk e përdorim dot për t'i shpjeguar të gjitha.

EMIN... kembana leshon tinguj jo fjale qe percaktojne nje gjuhe dhe eshte anti kombetare ta degjosh neper rruge dhe cenon laicizmin aq me teper qe eshte injorance kur ka apo nuk ka 10 veta qe dine arabisht ne Shqiperi ... Kembanat leshojne tinguj jo fjale si puna e kembanave te sahateve ne Tirane , Elbasan qe jane ndertuar gjate pushtimit osman ...

 Do ta shohim sa do njehsohet legjstracioni me ate te BE-se 10 vitet ne vazhdim ...edhe ne Usa minaret simbolike jane nuk kane as hyrje e dere per te dale siper jo me altoparlante ....Nga ana tjeter nuk kemi degjuar deri me sot qe bashkia ´(insitucion shteteror nderton xhami ) po te ishte ashtu ndertonte dhe kishat ...

ps. Kisha protestante ungjillore eshte legalizuar me sa di une kohet e fundit  i takon dhe asaj  nje kishe ne qender ....

Pune shijesh kjo. Anti-kombetaren mbaje per vete gjithe diten e gjithe naten. Bashkia nuk po nderton xhamine, xhamine do e ndertojne myslimanet vete. Bashkia me ne fund po jep lejen dhe po parashikon ndertimin e saj si pjese e planit te ri te qendres. Tani ne kete qendren super te ngarkuar, a do dale vend dhe per juve. E dyshoj, po nese del nuk me shqeteson kjo pune. A ju takon? Myslimanet po ndertojne ne toke te tyre, ortodokseve jua dhane si kompensim per ate qe ka qene tek 15 kateshi me demek, dhe katoliket i mbajten me hater se demek me afer evropes helbete.

Dhe nje sqarim tjeter, ne Amerike, ne varesi te lagjeve, ka ezan me artopolant dhe per kete, le te themi, jam i mire informuar. Por gjithsesi, kendej jemi te ardhur te vonet, ne Shqiperi kemi 500 vjet qe deklarojme ne ezan madheshtine e Zotit. Na e ndali per ca vite komunizmi, po le te afrohet njeri tani. Nderkohe tolerojme dhe ne myslimanet kakofonine e qytetit qe ka kambana e kasetofone makinash, buri makinash, koncerte, mitingje e shume zhurma te tjera qe ndoshta mund mos i pershtaten shijes se nje besimtari por kuptojme qe bashkejetesa kerkon te pranojme dhe zhurmat e te tjereve. Zaten, do durosh dhe zotrote ezanin kur te shkosh per pushime vere e po nuk e durove dot, well, too bad.

 

emin shume trashe dhe hic bukur (ndryshe nga c'kisha krijuar pershtypjen) i re diskutimit mbi ezanet ne mes te tiranes apo new yorkut apo antalyas. megjithate ne rastin konkret nje xhami me shume ne qender s'do ndryshonte kushedi ce per sa i perket ezanit.

O tropizma mund te kesh te drejte dhe probabilisht ke. Problemi eshte se cfaredolloj dikskutimi per myslimanet ne Shqiperi ka humbur cdo lloj civiliteti dhe myslimanet mund te kene dhene kontributin e tyre ne kete fakt por nuk mendoj se jane shkaktaret kryesor. Do doja seriozisht te dija se si mund te behet debati ndryshe dhe do ishte preferenca ime. Do te doja te te vija ne dukje, gjithsesi, se per kedo qe ka dy para mend ne koke e di se kur i vihet ne pikepyetje e drejta per te qene nje grupi, kjo shperben jetesen normale dhe civile te te gjitheve. Ata qe kembengulin ne diskursin islamofob nuk kuptojne kaq gje.

Autopallantet jane me te vertete problem dhe nuk e kuptoj perse komuniteti musliman ne Shqiperi nuk e eviton kete fenomen te bezdishem. Tirana eshte qytet i te gjitheve dhe nuk ka asnjeri te drejte qe te vendos autopallante ne hapesira publike, aq me teper me karakter fetar ne nje gjuhe te huaj. Me duket shume e pavend. Ketu ne Briatni psh komunieteti musliman nuk vendos autopallante neper minare, por vetem brenda ambjenteve te xhamise vetem per ata qe falen aty. Nqs njerezit duan te degjojne namaz shkojne ne xhami, s'eshte nevoja per autopallante, nuk jetojme ne vende islamike, ku e gjith popullsia i perket nje besimi dhe namazi eshte tradite popullore.

Më falni se po hyj si fanti spathi, alban_forever, por lipset të bëni të paktën dy sqarime: për cilin lloj (të legalizuar) të kishës protestante ungjillore (evangjeliste) e kini llafin, sepse zakonisht evangjelistët kishë quajnë kudo ku grumbullohen më shumë se dy veta (simbolikisht) dhe më ritualisht, nuk kanë nevojë për tempuj, madje e kanë të ndaluar me protestë të madhe (prej nga vjen edhe emri "protestante". Por ndoshta ndonjë version 2.0 i kishës evangjeliste 2.0 mund të zhvillohet nëpër tempuj dhe unë s'e di. Më thoni. Së dyti, kur thoni minaret simbolike amerikane nuk kanë hyrje e derë për të dalë sipër - doni të thoni se këto të tjerat, josimboliket, janë me derë? Faleminderit.

sa here qe leshohet ndnj xhevahir fashist, shoqerohet me fjalet kombetare ose anti-kombetare. Mos e ulni diskutimin nen nivelin europian te budallallekut!

JERUZALEM...eshte protestante ungjillore ... po gjithsesi ndoshta ke te drejte dhe ndoshta jo... prandaj duhet te bejme regjistrimin e popullsise te statistikave fetare ne Shqiperi ( pa etnite qe veshtire se percaktohen dhe dokumntohen ne ate kaos) se kane kaluar 99 vjet qe nga Pamvarsia nga pushti osman dhe statistikat fetare jane me se te mundshme pa as nje lloj problemi , fare natyrshem si ne gjithe Europen ...

 Duhet të bëjmë rregjistrimin e popullsisë që të marrim vesh që kisha protestante ungjillore e mohon institucionin fetar tradicional, ndërtesën? Kishë quhen të dyja llojet - kisha protestante ungjillore këtë ikonoklasti e ka në thelbin e saj. 

kjo që po themi ne vllai im, i jep të drejtë prapë zotni Hatibit aty sipër që thotë shkurt se ndërtimi i këtij tempulli duhet të bëhet me konsulencën e atyre që marrin vesh nga kjo punë (që të paktën e dinë që minaret NUK kanë derë fare): Për të mos ndërtuar diçka sa për të larë gojën, për të mbush xhepat, për të marrë votat: por një ndërtesë dinjitoze (e cila nuk do ndërtohet vit për vit).

E mbylla këtu për t'i lënë radhën të tjerëve. 

 

Eh... "Shqiperia, vendi i beses e i mikpritjes, i trimerise e i zakoneve e ku te gjitha besimet jetojne ne harmoni... te plote." ???!!!

Persa i perket temes, jam shume dakord me autorin, projektimi i objekteve te kultit shkon pertej anes funksionale. Gjithsesi kjo nuk do te thote se duhet te mungoje nje skeme funksionale per to persa kohe qe nuk jane vecse "objekte arti", por edhe arkitektura qe permbajne funksione te caktuara.

Mire do ishte qe per keto probleme te kerkohej zgjidhja brenda vete komunitetit qe do te perdore kete objekt perpara se ato te beheshin publike nepermjet gazetave.

Meqenese diskutimi mori nje drejtim tjeter qe kishte te bente me autoparlantet qe transmetojne fraza ne arabisht, do te ishte e dobishme qe te hapej nje diskutim me i thelle per to. Une besoj se cdo komunitet fetar (apo i cfaredolloji) duhet te ushtroje funksionet e tij brenda lirise qe i lejon hapesira qe i percaktohet.

 po mor Ols, ashtu eshte sic thua ti. liria ime mbaron atje ku fillon e jotja. tregoja kete ketyre arabistaneve qe duan te na kendojne arabisht ne mes te Tiranes. po bejne me depresion tere dynjane, nje grup arabistanesh...

Bah, sa injorante!

Nuk po i referohesha vetem kenges se hoxhes, Lira.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).