Kush e tha që jemi popull pa fat? Ne kemi qenë e jemi me shumë fat. Puna është se si e kemi, të mbarë, apo të zi? Këtu nuk është puna për t’i errësuar gjërat dhe për t’u zhytur në një botë të zymtë gri, puna është se nëse e mendojmë mirë, gjithçka nuk e kemi vendosur ne, as Pavarësinë, as 1944, madje as atë, të cilën sot e quajmë me shumë optimizëm, demokraci. Ne nuk kemi bërë gjë tjetër veçse kemi ndenjur me sytë nga qielli duke iu lutur Allahut mëshirëplotë që të na e bëjë jetën më të bukur, në rastin më të mirë të na linte ashtu siç ishim. As edhe një hap të vetëm përtej kësaj.

Këto ditë lajmet janë të mbushura me deklarata të ashpra politike, me arritje dhe “fitore”, me premtime, me sy të skërmitur dhe aksidente automobilistike. Vetëm një lajm u dha pak minuta dhe u ritransmetua vetëm pak herë. Vetëm pak ditë pas Vitit të Ri, një djalosh nga rrethinat e Shkodrës kishte mbetur pa para. Kështu që vendos të bëjë nja dy grabitje nëpër qytet sa për të mbushur ca xhepin e tij të holluar. I kënaqur nga fati – kini kujdes fjala fat na doli sërish në skenë – i kërceu motorit të tij i hodhi nja dy kupa duke gëzuar fatin e tij – edhe një herë kjo dreq fjale – dhe e grahu atë me hare drejt shtëpisë. Porse ja që fati vendos nganjëherë të hakmerret me ata që besojnë kollaj. Ndodh që në errësirën e natës djaloshit tonë, fatzi kësaj here, i del përpara një goxha lopë e cila kush e di se çfarë bënte në rrugë në atë orë të natës. Me sa duket kishte edhe ajo problemet e saj, apo më mirë me thënë fatin e saj. Kështu ndodhi që dy fatzinjtë përplasen me furi në rrugë. Për lopën nuk u tha asnjë fjalë. Fati i saj i mëtejshëm nuk dihet. Për djaloshin që ëndërroi vetëm një pasdite të ishte me fat u tha që ishte dëmtuar rëndë. Kamerat kishin fokusuar motorin e tij të bërë lesh e li. Sikurse e thamë kjo kronikë u transmetua si nëpër dhëmbë dhe vetëm pak vetë, me përjashtim të familjarëve të fatziut e kthyen kokën për ta parë. Kjo është e drejtë. tekefundit janë gjëra që ndodhin. Ku e ku historia e fatziut me atë të kutive dhe të fletëve të votimit! Shqipëria po përjeton gjëra edhe më të mëdha, sikurse plagosjet e bllokmenëve të rinj ta zëmë. Porse, megjithatë, a nuk ju duket kjo ngjarje absurd një simbol i gjithçkaje që po kalojmë. Kjo histori ka brenda të gjitha ato që përjetojmë përditë. Më e para nga të gjitha ka ngazëllimin dhe ekzaltimin që na kaplon sa herë që arrijmë një gjë normale. Mbaron një rrugë, ne brohorasim duke prerë shirita, madje edhe për së gjati. Nisin një palë punime? Gjë normale, apo jo? Ne bërtasim njësoj sikur të kemi arritur parajsën. Pas kësaj, sigurisht nis beteja për të marrë në dorë flamurin e arritjeve. Historia ka brenda saj edhe paaftësinë tonë tashmë të stërnjohur. Kishim menduar se të paktën në hajdutëri duhej të ishim specializuar ca, por nuk paska qenë aspak e vërtetë. Djaloshi që pasi grabiti vajti dhe u përplas me lopën e ngratë është treguesi më i mirë i kësaj ane. Kjo histori ka brenda saj edhe atë fjalën që zumë me gojë që në fillim: fatin.

Kështu si kanë ardhur punët, si na kanë lënë me një fjalë vetëm fati do na bëjë derman. Të dyja palët zihen e grinden për fletë, kuti, amendamente… Koha kalon dhe e vërteta, fjala që duhej t’i bënte derman kësaj pune, ka nisur të ngatërrohet. Kjo histori është bërë aq monotone saqë vetëm ata që merren përditë me këtë punë ia vënë veshin, askush tjetër. Njëra palë mbahet fort në qëndrimin e saj, tjetra është e pafuqishme të ndryshojë gjërat. Atëherë si i bëhet. Si gjithnjë te ne, me sa duket, këtë do ta vendosë vetëm fati. Njësoj si historia e hajdutit të lumtur që vajti e u përplas me një lopë.

Meqë bindja jonë është se te ne gjërat kanë shkuar si ka dashur fati, atëherë e kanë kot ata që rrahin gjoksin për arritje dhe “fitore”, për suksese pa fund e pa fre, për një parajsë mbi tokë për ta pasur zili. Në vend të kësaj ata, nga të gjitha palët, duhet të kërkojnë ndjesë pse na kanë braktisur në mëshirën e fatit, në kohën që dynjaja jonë e vogël priste shumë prej tyre. Andaj është mirë që fjalët e mëdha t’i zëvendësojnë sakaq me fjalën “ndjesë”. Sigurisht kjo vetë e mbyllur brenda secilit prej nesh është e ndryshme në njerëz të ndryshëm. Ne, njerëzit pa pushtet e kemi jo më të lehtë, por më thjeshtë, të kërkojmë ndjesë. Pushtetarët e kanë ndryshe. Edhe nëse ndodh, gjë e rrallë kjo për Shqipërinë që të kërkojnë ndjesë, e bëjnë vetëm sa për sy e faqe. Nuk u rreh fort zemra dhe as që nuk u përloten sytë. Një pushtetar nuk jep kurrë ndjesë të mirëfilltë. Një filozof i njohur i shekullit të kaluar ka shkruar kështu mbi këtë pikë: “…Sundimtari regjistron me saktësi çdo akt armiqësor dhe e lë atë mënjanë, duke bërë sikur e ka harruar. Mund t’i shërbejë ndonjëherë për ta këmbyer me një nënshtrim të plotë. Aktet e shpirtmadhësisë së sundimtarëve kanë gjithnjë këtë qëllim. Ata kanë një dëshirë aq të madhe për t’i nënshtruar njerëzit që u kundërvihen, saqë shpeshherë paguajnë një çmim tepër të lartë për këtë nënshtrim”.

Këto radhë mund të duken ca si tepër pesimiste. Në Shkodër do të thoni: Ani, ani… Nëse e vrasim mendjen ca më shumë, ca përtej deklaratave të politikës majtas e djathtas, ca përtej buzëqeshjeve dhe hakërrimeve atëherë do të na bëhet i qartë fati ynë, ai që ka vendosur jetë e mot për jetën tonë. A nuk i ngjajmë nga pak të gjithë atij djaloshit fatzi që vajti e u përplas me lopën?

 

3 Komente

 Toso, ai cuni te pakten i paska ra bankes, ka bere nje dore pare, nje pasdite qejf dhe ka vdekur aksidentalisht. Te vdesesh keshtu eshte gjysma e se keqes. Pjesa me e madhe ne Shqiperi vdesin si lopa! Heren e pare qe dalin te kalojne rrugen, nje goditje e mbytur ne erresire (gup!) qe nuk dihet nga erdhi dhe... hiç.

Lidhje e bukur.  

Porse, megjithatë, a nuk ju duket kjo ngjarje absurd një simbol i gjithçkaje që po kalojmë. Kjo histori ka brenda të gjitha ato që përjetojmë përditë.

....pèr kètè e kisha fjalèn

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).