Më 1994, në një mëngjes të ftohtë dimri, dhjetor duhej të ishte, në katin e katërt të një parafabrikati një fëmijë i strukur poshtë dy palë jorganësh, u zgjua i trembur prej një zhurmeje mekanike të tmerrshme. Mbajti vesh… nga jashtë vinin copëza fjalësh të pakuptimta… “Hudhe, hudhe!”…  «Ho, pra, merre, kape, po mbaje!»… «Ja, aty, aty, mër, mër debil»…

Me hapa të lehtë u zhvesh prej ngrohtësisë së shtratit dhe ngjiti hundën pas xhamit të ftohtë të dritares. Ç’po ndodhte në pallat? Tre kamionë ishin rreshtuar njëri pas tjetrit, një si tip ekskavatori i verdhë kishte marrë andej nga tyneli… tre-katër punëtorë me lopata dhe kazma supeve bën ca metra tejtu e, më pas, u ndalën si në pritje të një sinjali: «Ktu? O shefi, ktu the ti?». «Po, aty, po hë më ku të dush, aty hë, s’ka gjo, se s’prish punë».

 

Kazmat dhe lopatat ranë njëra pas tjetrës. Katër burra të zinj çanin asfaltin me kazëm, dy të bardhë, të moshuar me lopata, hidhnin tutje dheun; dheun e hedhur tutje, dy të tjerë e merrnin me karroca dore dhe e afronin pranë kamionëve, ku katër gra e fluturonin prej sipër kokave mbi rimorkion e kamionit.

Babai u afrua pranë dritares. «O ba ; po pse nuk e gërrmon ekskavatori asfaltin? Po kamioni, pse nuk afrohet? Hë, ba?». Babai s’din’ ç’të thoshte: «E kanë marrë me ngadalë, se ndoshta kanë ftohtë»…

Ata punuan aty gati gjithë ditën: çan asfaltin, thyen ca tubacione, i këputën gabimisht dritat hyrjes së Olsit, shkulën shtyllat elektrike që ndriçonin pallatin dhe, në fund, pasi kishin hapur një kanal të thellë, shtruan një kabëll të zi. Të gjitha këto i bënë brenda ditës.

Në ditët që vijuan, kalimtarët ditëve pllaqurisnin nëpër llucë, kurse netëve mallkonin duke ecur në terr.

Një javë më pas, në fatin e tij të përbashkët, pallati u zgjua sërish nga një zhuzhurimë. Punëtorët u rishfaqën; po kështu edhe kamionët, erdhi edhe ekskavatori i verdhë. Filloi sërish puna. Punëtorët rihapën kanalin, hoqën kabllin e zi, e hodhën mbi supe e, më pas, e ngarkuan mbi një kamion. Te një kamion tjetër përbri morën ca tuba të rëndë hekuri, i kapën dy nga dy dhe i hodhën në gropë, ku, më pas, dy saldatorë filluan t’i ngjisnin. Prej katit të katërt, i vogli mbyllte sytë – diku kish dëgjuar se ato flakëzat e saldimit, të prishnin sytë. Ened Zvarraniku i thoshte shpesh të gjithëve, se syzet i kishte peshqesh nga xhaxhai kur saldonte antenën në tarracë…  

- Mos - tha babai, - na prenë telefonin. Nëna është sëmurë. Dreqi e mori! Po tani për Vit të Ri e gjetën dhe këta?    

Të voglit diçka i shtrëngoi në zemër. Gjyshja, zemërmira, ishte sëmurë. Po sikur të kishte ngjarë diçka e rëndë?! Ai e shihte që babain s’e mbante vendi. Ndërkohë, jasht punëtorët rimbyllën kanalin, dheun përmbi të e shtypën me këmbë, derisa ai që qëndronte mbi ekskavator me një republikë të vjetër hedhur syve, u tha: “Hajt, lërëni se mirë është!”.

31 dhjetor. E shtunë. Ai u zgjua para të gjithëve, me çapitje të vjedhura hapi frigoriferin pa zhurmë. Një dritë e ftohtë përbrenda zbardhi një tepsi baklava, që mbretëronte e vetme para gjithçkaje tjetër. Ai zgjati dorën dhe këputi dy-tri petë prej saj. Për një çast iu duk, se shërbeti i ëmbël iu shpërhap në të gjithë trupin. U zgjat sërish dhe shkuli ca arra të pjekura. Lëng. E mbylli frigoriferin ngadalë dhe bëri të kthehej në shtrat. Po kamionët?! U afrua pranë dritares. Asnjë kamion, asnjë punëtorë, vetëm shenjat e zinxhirëve të ekskavatorit mbi baltë. Diku tutje, tek garazhet në të djathtë, Berti, bukëpjekësi i lagjes, ngriti qepenin e furrës dhe hyri duke tërhequr një thes. “Qënka vërtet herët. Në lagjen tonë furrat ndizen gjithmonë herët!”, mendoi i vogli. Ktheu supet për të rihyrë në shtrat, por, pa bërë as dhe një hap të vetëm, një shpërthim e rrëzoi përtokë! Megjithë atë piuuuu të stërzgjatur që i ushtoi në vesh, ai e dëgjoi fare mirë atë që tha babai nga dhoma tjetër: “U dogj transformatori!”  

(vazhdon)

as

 

6 Komente

 tregim i bukur, tamam ato dite te zymta, pa drita, pa uje dhe me frike per buken e gojes, Fillim tranzicioni dhe njerezit kishin frike nga e ardhmja.

Wow, syzet e militantit kane aftesine te nxijne jo vetem ardhmen dhe te tanishmen, por edhe te shkuaren smiley

Arber si gjithnje je k/veper ne kapjen e subjektit . faktet qe ke sjelle jane shume pak . Vetem ne kolektorin e ujit tubacionin kryesor te lagjes Allias jane regjistruar 280 nderhyrje ...nga njerez qe iknin ne drejtim te paditur .

Me zi e me druj te shtrember se c'eshte ndertuar ajo stive drush ne Shqiperi  nuk besoj se ka vend apo Lagje ne BOTE . Ne ate stive me druj te shtrember gjendet e ardhmja e atij Kombi , ku kakarisin si gjelat ne pleh Salistet e Demokracise !

Te lumte dora qe po le fakte te qarta , te verteta , te pastra dhe shume rele ashtu si ne te gjithe fletet e Ditarit tuaj qe jane flete nga HISTORIA e Vertete e pa buje e lustra atij Populli gjate ketyre 20 vjeteve . 

Keep up your good work! Congrats!

Ngjarja duket sikur ka ndodhur ne Allias smiley  

Ju falenderoj te gjitheve  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).