Se ç`ngjet këtej nga mëhalla jonë, shpesh është vështirë të merret vesh saktë për disa arsye kryesore. Së pari, sepse si ballkanas të mirë e kemi zakon të bëjmë lesh arapi edhe gjërat në dukje më të thjeshta dhe që ja bëjnë mú. Së dyti, sepse kemi prirjen si shoqëri që të jepemi me mish e shpirt pas teorive konspiracioniste dhe thashethemeve në vend të mendimit kritik dhe analitik. Dhe së treti se na ngatërrojnë këta të uruar politikanë që shpesh edhe pa formim arsimor të përshtatshëm flasin me një gjuhë që do kishte hutuar edhe post-strukturalistët francezë. Së fundmi duket se saga e kutive po merr fund. Por po merr fund në mënyrën më të cuditshme, allasoj që mund të ishte imagjinuar muaj apo edhe ditë më parë. Me të drejtë Preç Zogaj përmendte në një editorial të këtyre ditëve se opozita ka shkuar më në fund te kërkesat e pozitës, por mazhoranca tashmë ka lëvizur në pozicione të reja.

 

 

Nëse fillimisht opozita kërkonte hapjen e kutive por mosndryshim të rezultateve, mazhoranca ofronte vetëm hapjen e kutive të materialeve zgjedhore, por jo të kutive të fletëve të votimit. Kjo me pretekstin se kështu kanë kërkuar organizma ndërkombëtarë, të tillë si Këshilli i Evropës apo sepse është në linjë me vendimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit të Venecias. Kjo bashkë me dhënien e shumicës së një komisioni hetimor opozitës, ishte oferta më e mirë (best deal) që mund të bënte partia në pushtet. U deshën, muaj të tërë protestash masive nga opozita, deri edhe grevë urie si akti më ekstrem i kundërshtimit të arbritraritetit të pushtetit, për t`u bërë e mundur ndërhyrja e ndërkombëtarëve dhe për të mbërritur te dreka e famshme që prodhoi lotë krokodili. Epo thamë shyqyr, tani zgjidhja është në horizont dhe bashkë me hyrjen në parlament të zënë e të bëjnë ndonjë ligj, nga ato që kanë ngelur në kalendat greke dhe të qetësojnë gjakrat se po na lënë jashtë dyerve të Evropës. Por s`paska qenë e thënë.

 

Sikur ta kishte parashikuar ndonjë Kasandër, qeveria me marrjen e statusit të vendit kandidat, e ngrohur nga lajmi i liberalizimit të vizave, që shfryn disa tensione sociale. Po ashtu ky lajm, magjikshëm largoi vëmendjen nga fakti se së pari nuk është meritë të dalësh i fundit (kujtojmë se Mal i Zi, Serbia dhe Maqedonia e kishin arritur këtë 12 muaj më parë) dhe së dyti, lajmi shumë më i rëndësishëm i dështimit të marrjes së statusit kandidat. Ngelëm në klasë në një provim ku qartazi treguam se kishim dështuar në detyrat e shtëpisë më të rëndësishme që ka entiteti i njohur me BE: mosplotësimin e kritereve të Kopenhagenit, plus të tjera yçkla. Por c`bëri opozita? Në vend që të kapej fort pas kësaj, në vend që të organizonte dhe orkestronte një strategji apo plan, vazhdoi të ecte pa busullë, kútúrú dhe me shpresë se mazhoranca po lëshon. U caktuan disa herë data protestash, dhe herë u shtynë për mungesë organizimi, herë se po martohej kryetari, a thua se emocioni popullor mund të dirigjohet nga lart.

 

Njerëzit janë të lodhur pas dy dekadash anarki, elektorati i gënjyer dhe zhgënjyer nga klasa politike në përgjithësi dhe morali i zvetënuar i pjesës dërrmuese së tyre dhe zor se mund të nxiten për protestë si njëherë e njëkohë. Katalizatorët që mund të facilitonin këtë proces, të tillë si sindikatat, lëvizjet sociale apo shoqëria civile, thuajse mungojnë krejt dhe mos të ishte për një pjesë ende të ndërgjegjshme të medias, zor se mund të çlirohej sadopak nga anomia e përgjithshme që e ka mbërthyer. Njerëzit nuk po çohen as për ato që e kërcënojnë seriozisht ekzistencën e tyre, si degradimi mjedisor apo shkatërrimin e trashëgimisë kulturore, jo më për çështje ‘proceduriale’ që duan të nxisin me zor pasione politike apo turbullojnë ujërat e qeta të qytetarit boll të trazuar të këtij vendi.

 

Së fundmi, pas muajve të tërë dilemash dhe hamendjesh, koncesionesh të nënkuptuara apo të shprehura dhe gjuhe si të Ezopit për kompromis politik, në një lëvizje rrufe dhe shumë-planëshe, mazhoranca vendosi djegien e kutive të votimit, ndërsa KQZ-ja e kontrolluar prej saj, dërgimin e materialeve zgjedhore në Arkivin e Shtetit me udhëzimin për mos t`u publikuar për 30 vjetët e ardhshëm, a thua kemi të bëjmë me një sekret nuklear, zbulimi i së cilës çon ujë në mullirin e armikut. Në të njëjtën kohë mbyllet përfundimisht edhe saga e kërkesës së ngritjes së një komisioni hetimor pasi në këtë rast ky do ishte fantazëm në kërkim të gjurrmëvenë erë, kur ujku as që bëhet fjalë të kapet. Dhe kjo bëhet në një moment plotësisht të përshtatshëm për mazhorancën kur ka arritur të përfitoj politikisht nga liberalizimi i vizave, nga topitja e pas-festave të dhjetorit dhe mbi të gjitha nga ç`organizimi total i një opozite në anarki të plotë, që nuk ka bitisur asnjë plan të nisur deri më tash. Duket se më tepër opozitë po bëjnë media të caktuara të cilat në mënyrë konseguente po denoncojnë afera korruptive, sesa partia kryesore opozitare bashkë me partiçkat e tjera të koalicionit që më tepër shërbejnë si dekor. Opozita e këtij vendi duket se është në gjendje shoku pas knock out-it që mori së fundmi dhe do ta ketë vështirë, thuasje të pamundur të dalë shëndosh nga zgjedhjet e ardhshme lokale që po trokasin nëse nuk përpunon shpejt një strategji koherente, plan konkret dhe veprim të organizuar për të marrë votat e elektoratit të majtë por edhe për t`i apeluar elektoratit gri apo të djathtëve të zhgënjyer nga arroganca e partisë në pushtet.

 

13 Komente

Sikur ta kishte parashikuar ndonjë Kasandër, qeveria me marrjen e statusit të vendit kandidat, e ngrohur nga lajmi i liberalizimit të vizave, që shfryn disa tensione sociale. 

po pastaj? ku shkon fjalia? mbaroi bateria? qevria e peshkut, lexoini i herë shkrimet perpara se ti t'na qisni sytë dhe t'na fusni ne dilema vetkorrigjuese.

e kuptoj ngutjen smiley , po pse nxitoheni xhanem s'e marr vesh-t.

hahaha

kusurin, qe eshte pjesa me e rendesishme, e ka lene per Knock Out II neser. Sot ishte sa per te krijuar ate atmosferen, tensionin e nevojshem. Vijon neser

Shihe pak edhe kete

Katalizatorët që mund të facilitonin këtë proces,....

dhe nenvizoj faktin, qe emri i autorit nuk eshte aspak Koloreto.

 

""""Katalizatorët që mund të facilitonin këtë proces, të tillë si sindikatat, lëvizjet sociale apo shoqëria civile, thuajse mungojnë krejt dhe mos të ishte për një pjesë ende të ndërgjegjshme të medias, zor se mund të çlirohej sadopak nga anomia e përgjithshme që e ka mbërthyer.""""""""""""

 

Vetem ky pragraf qe ja vlen te lexohet ( heq fjalen facilitonin , se shume mire i rrin lehtesonin) , persa i perket germave te tjera jane shasma te hedhura ne ere.

Pse ky zoteri, nuk ben pyetjen me thelbesore , qe thjeshteson shume te panjohura, hape nje drite ku njerzit mund te dallojne te verteten me te paverteten, kur ne parlamentin shqipetar po binin dakort  per ngritjen e nje komisioni hetimor per zgjedhjet e 2009 , te kerkuara nga opozita me forcen e bindjes se jane manipuluar e vjedhur votat e lira, kjo opozite nuk bei dakort vetem per nje pike qe ishte krejtesisht normale " kutit te hapen vetem kur te kete fakte se jane manipuluar votat" ???

Ateher , kete e kupton dhe e zbaton edhe nje femije adoloshent, kur je i sigurt se votat jane vjedhur, kushti paraprak nuk te pengon tia arrish objektivit, perkundrazi, siguria qe ke te jep mundesi edhe te pergjigjesh ne menyren me te qete, se jo vetem qe kutijat hapen kur te kete fakte, por dhjete shkelje ti fali moj pozite se jam kaq i sigurt qe shkelje ka , me kete rast politika shqiptare i bente shoqeris nje sherbim shume te madh.

Kjo menyre sjellje e opozites, solli edhe "trimerin" e KQZ te digjte flet -votimet, sepse u kuptua qe opozita nuk kishte qellim te zbardhte rezultatin e 2009, por te krijonte nje situate te acaruar ne vend, as zoti Fyle, as deputet europian nuk i japin te drejte sjelljes se opozites , aq me pak amerikanet.

 Kom.Hetimore  nisen nga premisa sinjalizuese, ose per te  pare si jane zbatuar  rregullsite, ligjet, kodet etj dhe mbi objeksionin e caktuar mbledh fakte(prova qe ja adreson institucionit te akuzes ose gjykates or lum miku...!Po qe  se ishin faktet, provat nuk ka me nevoje per Komision hetimor.Vetem llogjika  e hajdutit  flet ashtu..."Me sillni mu prova  qe t`ju lejoii une, me be komision hetimor..."!

Cilat jane premisat sinjalizues grava eksperti?  Duhet te evidentosh qe eshte kryer krim njehere, perpara se te besh ivestigim.

 Jo i pakapshem e ke jo sakte.Kom Parlamentare  ngrihen dhe per te pare si jane zbatuar ligjet, kodet, programete plot te tjera.Pse medoemos duhet te paramendohet krimi   ?Mund te mos kete krim por ka pergjegjesi dhe morale....

Dhe ngritja e komisionit parlamentar behet me votim, e PD-ja ka mazhorancen ne kuvend.  Ja qe komisioni parlamentar s'ngrihet dot.

 Dhe Ju,  intelektuali me formim perendimor, je dakord me kete metode "shumice",  pa shumen...? Te bukura mend qe jepni ore te uruar..!

S'ka rendesi a jam une dakord apo jo.  Kodin zgjedhor e gatuan vete si batakcinj qe jane.  Firauni mendoi se do fitonte lehtesisht pa nevojen e peshngritesit.  Donte pushtet absolut Edvinoja e jo ndarje torte me peshngritesin.  Ja qe kur dolen rezultatet s'ndodhi keshtu.  Gjithesesi firauni nuk mendoi kurre qe peshngritesi do bente koalicion me bacen, por ne te njejten kohe harroi qe peshngritesin e kishte shtyre vete ne krahet e baces.  Kjo eshte si i thone berje hesapesh pa hanxhine.  Ama si politikan tepke shqiptar qe eshte ai refuzoi t'a pranoje humbjen e vijoj ajo qe pame gjate 2009-2010-tes (mbase jo vetem per hir te ambicies se tij, por dhe presionit te milionero-ndertueseve qe derdhen goxha para ne fushaten e tij e prisnin poste ministrore e koncesione).  S'e di pse mendoi qe Baca do terhiqej direkt pas pak presioni protesto-grevor te stisur me para milionero-ndertuesish, por ja qe s'ndodhi keshtu.  Gjykatave s'iu drejtua asnjehere s'e e dinte qe s'kishte gje ne vize.  E ja ku jemi tani.

S'ka nder mes hajdutesh grava.  Kot s'mburret baca qe thot me kete opozite une do jem dhe 20 vjet ne krye.  Brenda ketij sistemi pervers qe eshte ndertuar atje, per tani ai eshte fitues.

grava pse nuk punon por merresh me thashetheme.

Provat kerkoheshin per te hapur kutit jo per komisinoni, shqip eshte shkruar, dhe standart jo dialekt, kuptoje se nuk don pune shume.

 Me fal qe nuk e paskam kuptue  kaqe holle sa kur juve, or lum!Kom me fillu tuj punue

  Jeni  te gjithe te lutur te  shikoni  programin e FIX-it ! Do bindeni ne ato qe une ju  themsmileye ky vend vetem vidhet dhe kjo fillon nga te paret fare.....Si ta shifniu kam kete pyetje: A doni maaaaa!

 ".... dhe për të mbërritur te dreka e famshme që prodhoi lotë krokodili..." 

  Kjo qe e forte. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).