Intervistë me Olivier Mongin, sociolog : ‘Të krijojmë vende publike kudo që është e mundur’ 

Intervistoi Vincent Rémy

Shqipëroi Nermin Begzade

Bota ndryshon – shtrirje, fragmentarizim, kaos… Për drejtorin e revistës Esprit, autorin e La Condition urbaine [Fati i urbanes], shpërthimi demografik dhe globalizimi ia kanë rrjepur lëkurën qyteteve. Shtrohet si nevojë urgjente rikrijimi i vendeve ku njeriu të gjejë hapësirën e tij. Një intervistë për të ravijëzuar udhëtimin tonë nëpër botën e qyteteve, që nis nga Detroit, Dakar, Mumbai (ish Bombei), etj.

Drejtori i revistës Esprit, mendimtar protean – punimet e tij i kushtohen imazhit, dhunës,  qeshjes e me rradhë – Olivier Mongin ka megjithatë një temë të përzemërt, qytetin. Vetëm se qyteti nuk jeton më, shkruan ai në një vepër madhore (Fati i urbanes). Të paktën qyteti sikur lindi në Greqi dhe mbarti shekull pas shekulli historinë europiane. Shpërthimi demografik, dyndja e megapoleve, shtrirja kaotike, mbërritja e një qytetërimi rrjetesh ia kanë rrjepur lëkurën. Jemi vallë ne dëshmitarët e rënies së pakthyeshme të vlerave urbane që e kanë farkëtuar historinë tonë ? Apo mund t’ia dalim të themelojmë vende të reja ku njeriu do të gjejë gjithë hapësirën e tij të nevojshme ?

Fjala ‘qytet’ mbart vallë ajo ende një kuptim ?

Kanë kaluar tashmë disa dekada nga koha kur urbanistja Françoise Choay teorizoi vdekjen e qytetit. Kërkuesit sot flasin për ‘pas-qytetin’, për ‘jo-qytetin’ dhe sidomos për ‘përgjithësimin urban’. Në fakt, kishte qytet atëherë kur kishte ‘përvojë urbane’, një koncept i gjërë dhe i ndërlikuar, i cili përfshinte trupin e kalimtarit dhe mbërrinte në jetën publike. Qyteti shihej si një pëlhurë trajektoresh të pafundme. Julian Gracq, në atë që mbetet ende libri më vyer për çështjen (La Forme d’une ville [Forma e një qyteti]), shihte tek ai një premtim për emancipim. ‘Përgjithësimi urban’ e vë në rrezik këtë përvojë.

Çfarë është ‘përgjithësimi urban’ ?

Është para së gjithash përshpejtimi i lëvizjes së urbanizimit nisur në fillim të shekullit XX. Vetëm 5% e popullatës botërore ishte atëherë e urbanizuar, sot jemi përtej nivelit 50% dhe shumë shpejt do të arrijmë në dy të tretat. Rritja e qyteteve aziatike, afrikane dhe jug-amerikane është vërtet e paimagjinueshme. Kjo nuk kuptohet mirë në Francë, ku përfytyrimi i rurales mbetet shumë i fortë, dhe në Europë, ku qytete të caktuara po humbasin banorë. Përgjithësimi urban është gjithashtu fakti se qyteti klasik, me një qendër dhe një periferi, zhduket në favor të një bote rrjetesh, lidhjesh, shumëpolariteti. Prurjet masive – të bartura prej rrugëve tokësore, detare dhe numerike – shfarosin vendet. ‘Qyteti global’, i lidhur me botën, është ai që e mundëson këtë transformim. 

Megjithëse pré e shtrirjes suburbane, Franca i qëndron pëfytyrimit tradicional të qendrës dhe të periferisë…

Kjo vjen prej kulturës sonë politike. Gjithë përfytyrimi ynë është i qendërzuar. Le të kujtojmë dallimin e Fernand Braudel-it : Italisë, përqendruar rreth qytetit, i mungon shteti. Francës, përqendruar rreth shtetit, i mungon qyteti. Urbania nuk ka qenë kurrë më tepër se zgjatimi i shtetit. Kjo u pa me ndërtimin e komplekseve të mëdha, më pas me ‘politikën e qytetit’ në raport me periferitë, dhe së fundmi me projektin e Parisit të Madh, të cilin e përvetësoi Nicolas Sarkozy. Pavarësisht shqendërzimit, shteti vazhdon të diktojë përfyryrimin e tij. Çështja është se, shumëpolariteti dhe globalizmi supozojnë një botë horizontale, ndërkaq që shteti është vertikal. Dhe ky i fundit nuk ka kulturë urbane.

Ç’mund të quhet kulturë urbane ? 

Mund të quhet llogaritja e ritmeve dhe shtresave që përbëjnë përvojën urbane. Kjo përkthehet sigurisht në banesa, por edhe në mundësinë për të dalë sepse asgjë nuk është më e padurushme se të qenit i bllokuar në shtëpi. Kjo supozon atëherë hapësirë publike, por mbi të gjitha mundësinë për të thurur lidhje midis hapësirës publike dhe hapësirës private. Kultura urbane është përfundimisht një ‘përvojë skenike’, domethënë mundësi shkëmbimesh, të cilat mund të mbeten anonime sepse qyteti i lejon maskat, ndryshe… është fshat ! Nuk bëhet më fjalë për të ‘rikrijuar shkueshmërinë’, një luks ky i perënduar, por për të lehtësuar shkëmbimet. Shkrimtarët, poetët, duke filluar prej Baudelaire-it, e kanë thënë fort mirë.  

Julien Gracq e cilësonte Nantes-n si « një qytet më të shkëputur nga territori se ndonjë tjetër ». I pëlqenin kufijtë, sinoret. Do ta njihte sot vallë ai këtë qytet, që si shumë të tjerë, është pré e suburbanizimit ?

Gracq-u e kishte kuptuar fort mirë se kufijtë janë porozë. Në këtë këndvështrim, ai ishte modern. Ndaj logjikës qendër-periferi ai ngrihte një « sistolë-diastolë » (tkurrje-zgjerim). Sakaq, është e vërtetë se qyteti aso kohe kishte kufinj dhe se këta kufinj organizonin pragjet. Sot jemi të pakufishëm për shkak të demografisë, por gjithashtu të virtuales, rrjetit, prurjeve masive. Në qytetin mesjetar ishin vendet ata që i kontrollonin prurjet ; sot prurjet i bëjnë presion vendeve. Duhet rigjetur pra kuptimi i kufirit, jo detyrimisht kufijtë tokësorë ; këta mund të përftohen përmes lidhjeve, duke filluar nga rruga, të cilën po mundohen tashmë ta përfshijnë në projektet e rinovimit të komplekseve të ndërtesave në periferi. Kufijtë janë po ashtu ata që quhen ‘peisazhe të mëdha’. Në Qendrën e Arkitekturës, projekti Grumbach për një Paris të madh që shtrihej deri në Le Havre, i preku vizitorët. Autori i pasqyrave ujore të brigjeve të Bordeaux-së, Michel Corajoud, thotë se peisazhi është « vendi ku qielli preket me tokën ». Qyteti shenjon kështu edhe një ekologji mentale.

Por si mund t’ia dilet konkretisht ndërsa zonat tregtare, rrugët e makinave dhe ndërtimet në seri e përpijnë hapësirën publike ?    

Në fakt, në Francë mendohet se hapësira publike është e gatshme dhe se nuk ka nevojë për përkujdesje. Megjithatë, privatizimi i hapësirave publike ndodh kudo në botë !  Në të kundërt, në Kolumbi, prej nga sapo u ktheva, po zhvillohet një kulturë e vërtetë e hapësirës publike, pikërisht sepse më parë nuk njihej kurrfarë tjetër veç hapësirës private.

Ribërja e hapësirës publike mund të konceptohet përmes lidhjeve, gjithë çka e krijon lidhjen. Shtresat e mesme të zonës suburbane janë të detyruara t’i nënshtrohen lëvizjes, të cilën nuk e kanë zgjedhur detyrimisht, me dy makina për familje. Në të kundërt, në komplekset e mëdha ndërtimore të periferive nuk ka lëvizje. Fëmijët që rrijnë në pragjet e shkallëve të pallateve nuk janë as brenda as jashtë, as në hapësirën publike e as në atë private. E megjithatë, përvoja urbane është vënia në lëvizje !

Ribërja e ndërtesave nuk qenka atëherë e mjaftueshme ?  

Ajo krijon lëvizje në komplekset e mëdha ndërtimore të periferive, por nuk krijon lidhje brenda tyre. Në kryeqytet nuk do t’ia dalim dot për sa kohë nuk do të ketë një gjest simbolik nga ‘qendra e qytetit’ dhe kryetari i bashkisë nuk t’i thotë rinisë të periferisë së Saint Denis-ë : jeni parisianë. Nuk duhet të harrojmë se periferia e Seine Saint Denis-ë ishte pjesë e planit të Haussmann-it. Gjatë kohës që përgatitej Ekspozita Universale, më 1867, u desh që gjithë industria të nxirrej jashtë. Por nuk mund të bëjmë më sikur kjo hapësirë e jashtme nuk është pjesë e qytetit ! Megjithatë, këtu sikundër gjetiu, kur diskutohet me urbanistët, të cilët shpesh janë të punësuar në shtet, flitet për projekte, programe, rrallë imagjinare, dhe asnjëherë për qeverisje, thjesht sepse është e pamundur të preket qendërzimi institucional ! Kështu, të gjitha reformat komunale janë të bllokuara. Praktikat e lëvizshme metropolitane nuk mund të përkthehen institucionalisht : individi është qytetari i komunës ku ai voton, por ai banon në një aglomerat bashkësish dhe përdor mjetet e komunikimit që e përshkojnë periferinë në drejtim të qendrës për të shkuar në punë. Por, elitat s’duan t’ia dijnë.

Sepse ato banojnë në zemër të qyteteve ?

Dhe sepse elitat vetë janë krejtësisht nomade, të lëvizshme, dhe sepse kalojnë nga një qytet global në tjetrin. Deleuze thoshte se nomadi e përshkon shkretëtirën sepse ia njeh të gjitha vendet. Por nomadët bashkëkohorë – elitat tona financiare, politike, artistike – janë njerëz që nuk i njohin vendet e tyre. Kanë nga tre apo katër banesa në ‘qytete globale’ dhe nuk banojnë askund. Kësaj panorame i shtohet edhe rezidenca e dytë, një veçori kjo frënge e cila është pjesë e frikës ndaj urbanes dhe dëshirës disi mitike për t’u gjendur brenda një hapësire të paqtë.

Këtë frikë ndaj urbanes e ndajnë të gjithë : francezët, nëse do t’i besonim anketave, ëndërrojnë të jetojnë në qytete më të vogla se njëzet mijë banorë.

Francezët kërkojnë të mbrohen përmes qytetit të vogël. Urbania nuk është mbrojtja, është shpërthimi ! Nëse preokupohemi vetëm me mbrojtjen, e vrasim hapësirën publike dhe bashkë me të demokracinë. Paradoksalisht, vetëm në metropolet e mëdha mund të rimendohen modalitet e sigurisë dhe të mbrojtjes. Për këtë lipset të thellohet qytetaria politike dhe qytetaria shoqërore brenda hapësirave koherente që kanë kuptim. Nuk duhet t’i druhemi metropoleve të pajetueshme : Franca nuk është Brazil, Sao Paulo nuk përsëritet më kurrë. Pour duhet të dijmë çfarë kërkojmë : qytetin muze – Praga, Venecia, qoftë dhe Parisi – apo metropolin që do të korrte përfitimet e një mase të caktuar europiane që prej të cilës vazhdojmë ende të përfitojmë ?

Pse nuk kemi më urbanistë të mëdhenj, sikurse sigurisht Haussmann, por edhe si Cerdà, ai që e ‘bëri’ dhe e ideoi Barcelonën ?     

Admirues i Haussmannit, Ildefons Cerdà shpiku neologjizmin ‘urbanización’ më 1867. Cerdà ishte vizionar, e ndjeu ardhjen e shumëpolares, rrjetit. Për të urbanizmi ishte krijimi i një territori që mundëson transformimin e shërbimeve. Ai e shenjoi shtetin social brenda një territori. Sot nuk kërkohet asgjë më shumë : nëse punoj në një vend të caktuar, lipset të kem mjete transporti që më mundësojnë të shkoj atje, me kushtin e vetëm që ky territor të mos jetë i pamatë.

Në Francë, ndërkaq që urbanizmi supozon një aglomerat dijesh, kemi vetëm ‘starkitektë’ – të talentuar, sigurisht – të cilët për më tepër varen nga Drejtoria e Trashëgimisë të Ministrisë së Kulturës !  U mendua se me iniciativën Grenelle për Mjedisin, një refleksion për metropolin do të artikulonte debatet ekologjike, shoqërore, etj. Për sa i përket zanatit të urbanistit, ai nuk ekziston më në kuptimin e mirëfilltë të fjalës sepse deri para shqendërzimit, ishte burokrati i lartë Drejtorisë së Urave dhe Rrugëve që e përmbushte këtë detyrë. Sot sigurisht që kemi ekonomistë-urbanistë, sociologë-urbanistë, peisazhistë-urbanistë, por këto janë zanate të ndara nga njëri-tjetri. Sidoqoftë, për Parisin e Madh njerëzit nisën të punojnë së bashku, dhe kjo është risi.    

Si e shpjegoni ju faktin se përfytyrimi shtetëror në Francë nuk e ndalon veprën e liberalizimit, domethënë të privatizimit të hapësirës ?

Neoliberalizmi, ndryshe nga ç’mendohet, nuk është i gjithi treg ; është shteti që vihet në shërbim të tregut ! Kjo është po aq e vërtetë për kinezët sa edhe për ne. Duhen përmbysur tendencat e rënda. Prurjet janë më të forta se vendet ? Atëherë duhen bërë vende më rezistente ndaj prurjeve. Mbylljet midis të ngjashmish, getoizimi i të pasurve sikundër ai i të varfërve po zhduk përzierjet ? Të luftojmë atëherë kundër kangjellave dhe dryneve. Privatja po zhduk publiken ? Të krijojmë atëherë vende publike ku të jetë e mundur. Paradoksalisht, përvoja të tilla gjenden tashmë vetëm në shtete si Kolumbia, apo në qytete të egra si Kali, Medellín ose Bogotá. Në Bogotá, arkitekti i mirënjohur Rogelio Salmona ka krijuar pesëdhjetë vende publike. Të gjithë gjerësisht të hapur. Kryetari i bashkisë i kërkoi të bënte një bibliotekë për njerëzit që nuk dinë të lexojnë. Salmona e mendoi në mënyrë mjeshtërore mundësinë për t’i orientuar njerëzit drejt këtij vendi. Në Medellín një teleferik zhbllokon një favelë, dhe kur ai ngjitet në majë, aty ndodhet një bibliotekë. Jemi pothuaj në Mesjetën europiane, gjatë të cilës ekzistonte shqetësimi për t’u ‘shfaqur’ të arsimuar. 

Pse ndodh kjo vetëm në Amerikën Latine ?

Sepse aty urbanizimi është i rrufeshëm dhe atij i nevojiten përgjigje. Kolumbia është një vend ku shteti është i dobët, por ku gjendja urbane është e tillë që autoritetet vendore janë të forta. Atje shtrohen të njëjtat pyetje që shtroheshin në Europë disa shekuj më parë. Portzamparc-u thotë se qyteti është vazhdimësia, të bërit e kohës në hapësirë.

Si e shpjegoni ju që pjesa më e madhe e vendeve që arrijnë ta kontrollojnë kaosin urban administrohen nga regjime totalitare ?

Sepse ai që quhet neoliberalizëm është në fakt vënia në jetë e një kapitalizmi autoritar, i organizuar nga shtetet ! Janë shtetet që e vendosin sistemin e ‘qytetit global’, i cili nënkupton ndërlidhjen e qyteve të caktuara përmes rrjetesh, pa u shqetësuar për mjedisin e tyre të afërt, apo për atë të qyteve të tjera. Jemi kështu dëshmitarë të lindjes së një bote urbane me shumë nivele shpejtësish. Si mundet atëherë që modeli europian të vazhdojë të qëndrojë domethënës ? Duke u munduar t’i përgjigjemi në shkallën e nevojshme, e cila nuk është qyteti me njëzet mijë banorë, edhe pse tërheqja drejt rurales shpjegohet gjithashtu nëpërmjet shqetësimit ekologjik.

Ju jeni kritik ndaj ‘botës virtuale’. Por në qytetin grek, agora ishte para së gjithash një hapësirë mentale. Nuk mundemi vallë të përfytyrojmë se rrjetet shoqërore kanë zënë vendin e agorave ?

Nuk jam fare anti-virtual. Them thjesht se virtualja sjell shpërfilljen e hapësirës së afërt sepse virtualja i shumfishon mundësitë. Kurrë nuk duhet harruar se jemi të lëvizshëm, por kemi nevojë edhe për një shenjim fizik. Ndërkaq, qyteti virtual është ai i njerëzve që kanë nga një banesë në çdo qytet të madh të botës dhe që nuk banojnë askund. I kthehemi kështu sërish çështjes së kufijve. Nuk është këtu fjala për të përcaktuar kufinj, kjo është një ëndërr diktatorësh. Por duhet rigjetur ‘kuptimi’ i kufirit në një botë të pakufishme, ndikimet e së cilës i pamë gjatë krizës financiare.

Për t’i menduar ato, kryetarët e bashkive në Francë do të frymëzoheshin drejt nëse do të kopjonin shembullin e Barcelonës, e cila ka krijuar një Qendër Kulturore Bashkëkohore dedikuar qytetit. Janë njerëz të aglomeratit, në kuptimin që grumbullojnë dije dhe agregojnë gjithë zanatet, inxhinierë, artistë, mësues. Të gjithë e kanë kuptuar urgjencën për të rivlerësuar kërkesat tona urbane. I kthehemi kështu sërish Julien Gracq-ut : të gjejmë kufinj përfshirës. Urbania mesjetare në mendjen e një europiani mbetet një hapësirë e rrethuar që e mundëson përfshirjen. E vetmja gjë që ka ndryshuar është se kjo hapësirë përkufizohej përkundrejt pyllit, ndersa sot është pylli ai që duhet mbrojtur nga urbania. 

Intervista është marrë nga Télérama, 18 dhetor 2010

Marre nga blogu e-zani i nalte.

http://e-zani.blogspot.com/2011/01/ku-shkojne-qytetet.html

4 Komente

Faleminderit per prurjen.

...qyteti klasik, me një qendër dhe një periferi, zhduket në favor të një bote rrjetesh, lidhjesh, shumëpolariteti. Prurjet masive – të bartura prej rrugëve tokësore, detare dhe numerike – shfarosin vendet. ‘Qyteti global’, i lidhur me botën, është ai që e mundëson këtë transformim. 

Pavarësisht shqendërzimit, shteti vazhdon të diktojë përfyryrimin e tij. Çështja është se, shumëpolariteti dhe globalizmi supozojnë një botë horizontale, ndërkaq që shteti është vertikal. Dhe ky i fundit nuk ka kulturë urbane.

Kultura urbane është përfundimisht një ‘përvojë skenike’, domethënë mundësi shkëmbimesh, të cilat mund të mbeten anonime sepse qyteti i lejon maskat, ndryshe… është fshat !

Në qytetin mesjetar ishin vendet ata që i kontrollonin prurjet ; sot prurjet i bëjnë presion vendeve.

në Kolumbi, prej nga sapo u ktheva, po zhvillohet një kulturë e vërtetë e hapësirës publike, pikërisht sepse më parë nuk njihej kurrfarë tjetër veç hapësirës private.

Ribërja e hapësirës publike mund të konceptohet përmes lidhjeve, gjithë çka e krijon lidhjen

nomadët bashkëkohorë – elitat tona financiare, politike, artistike – janë njerëz që nuk i njohin vendet e tyre. Kanë nga tre apo katër banesa në ‘qytete globale’ dhe nuk banojnë askund.

Nëse preokupohemi vetëm me mbrojtjen, e vrasim hapësirën publike dhe bashkë me të demokracinë.

Cerdà ishte vizionar, e ndjeu ardhjen e shumëpolares, rrjetit. Për të urbanizmi ishte krijimi i një territori që mundëson transformimin e shërbimeve.

Në Francë, ndërkaq që urbanizmi supozon një aglomerat dijesh, kemi vetëm ‘starkitektë’ – të talentuar, sigurisht...

Prurjet janë më të forta se vendet ? Atëherë duhen bërë vende më rezistente ndaj prurjeve. Mbylljet midis të ngjashmish, getoizimi i të pasurve sikundër ai i të varfërve po zhduk përzierjet ? Të luftojmë atëherë kundër kangjellave dhe dryneve. Privatja po zhduk publiken ? Të krijojmë atëherë vende publike ku të jetë e mundur.

Kolumbia është një vend ku shteti është i dobët, por ku gjendja urbane është e tillë që autoritetet vendore janë të forta. Atje shtrohen të njëjtat pyetje që shtroheshin në Europë disa shekuj më parë.

Si e shpjegoni ju që pjesa më e madhe e vendeve që arrijnë ta kontrollojnë kaosin urban administrohen nga regjime totalitare ?  Sepse ai që quhet neoliberalizëm është në fakt vënia në jetë e një kapitalizmi autoritar, i organizuar nga shtetet ! Janë shtetet që e vendosin sistemin e ‘qytetit global’, i cili nënkupton ndërlidhjen e qyteve të caktuara përmes rrjetesh, pa u shqetësuar për mjedisin e tyre të afërt, apo për atë të qyteve të tjera.

Nuk jam fare anti-virtual. Them thjesht se virtualja sjell shpërfilljen e hapësirës së afërt sepse virtualja i shumfishon mundësitë. Kurrë nuk duhet harruar se jemi të lëvizshëm, por kemi nevojë edhe për një shenjim fizik.

 Ols,  te ka ardhur ne zanat ky shkrim.Veçse une mendoj qe pergjithesimet gjithesesi  duhet te jene te kujdesshme.Pasi  specifikat dhe traditat  urbane duke qene te ndryshme si ne kohe dhe ne mentalitetet e planifikuesve urbane, besoj se  nuk shpien gjethenje ne te drejeten per pergjithesime.

 Ndersa tek neve, na duhet ta nisim nga zanafilla.... Qe nga, si lindi uerbanizmi.Nga Abeli dhe Kaini....Jo me larg se sot,  ne periferi te Kryeqytetit valon "ndertimi " urban, pa asnje lloj leje. Ndersa, periodikisht, gazetat mbushin  faqe te tera me emrat e qytetareve qe u legalizohet "veprimi antiligjor", prej "Institucionit te ....Shabonit"

 

Veçse une mendoj qe pergjithesimet gjithesesi  duhet te jene te kujdesshme.Pasi  specifikat dhe traditat  urbane duke qene te ndryshme si ne kohe dhe ne mentalitetet e planifikuesve urbane, besoj se  nuk shpien gjethenje ne te drejeten per pergjithesime.

Shume e drejte Grava. Pergjithesimet qe kane injoruar e injorojne specifikat e zonave te caktuara kane prodhuar e prodhojne rezultate te cuditshme e cnatyruese.

Ndersa tek neve, na duhet ta nisim nga zanafilla...

Tek ne ndoshta, pikerisht mungesa e rolit te shtetit mund te kete dhene forma qe i afrohen me teper konceptit te rrjetes. Por pranoj se ky eshte nje kendveshtrim teper optimist. Ka me teper gjasa qe rezultati te jete ai klasiku i vendeve ne zhvillim apo te botes se trete: bidonville.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).