- Për herë të parë lejohet edukimi në shtëpi i nxënësve që ndjekin arsimin e detyruar.

 

Mësimdhënia në kushtet e shtëpisë mund të duket një sipërmarrje luksi në kushtet e Shqipërisë së sotme, por në rast se prindërit shqiptarë duan të mësojnë fëmijët e tyre në shtëpi tashmë e kanë këtë të drejtë.

Në projektligjin për arsimin parauniversitar, të prezantuar në fillim të muajit nga Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, është një klauzolë e veçantë, e cila iu lejon prindërve të shkollojnë fëmijët brenda mureve të shtëpisë. Një procedurë kjo që mund të aplikohet për të gjithë nxënësit që ndjekin arsimin e detyruar dhe që do të ketë rregullat e saj, të cilat vendosen nga ministri i Arsimit. Projektligji për arsimin e lartë u hodh pak javë më parë në tryezën publike të diskutimeve për të parë nëse do të kishte kundërshtime apo jo.

Në fund të muajit janar ky projektligj do të nisë rrugën për në Parlament ku pritet të miratohet. Vetëm pas kësaj, prindërit kanë mundësi të ushtrojnë të drejtën e shkollimit të fëmijëve në shtëpi.


Mësimi në shtëpi

Modeli i mësimit të fëmijëve në shtëpi, sipas drejtorit për arsimin parauniversitar në MASH, Fatmir Vejsiu, është një model i përhapur gjerësisht në Europë. Por një mision të tillë nuk mund ta marrë përsipër kushdo.

"Fëmijës (ose fëmijëve) mund t'u japë mësim vetë prindi ose një person i licencuar për mësimdhënie", - thotë z. Vejsiu, duke shtuar se jo çdo prind mund të mësojë fëmijën e tij. "Prindërit që do të marrin përsipër mësimdhënien e fëmijëve duhet të jenë të kualifikuar", - shpjegon ai.

E në të tilla kushte edukimin në shtëpi mund ta ushtrojnë ato familje që kanë të ardhura të mjaftueshme për të punësuar një mësues të licencuar ose ata prindër që janë vetë mësues. Në rast se një familje zgjedh këtë formë edukimi për fëmijët nuk do të thotë se fëmija duhet të shkëpusë çfarëdolloj lidhje me shkollën.

Çdo fillim viti nxënësi duhet të regjistrohet në një shkollë, dhe gjatë vitit shkollor të edukohet në shtëpi. Vlerësimi i arritjeve të nxënësit kryhet në fund të çdo viti shkollor nga institucioni arsimor ku nxënësi është regjistruar. Ndërsa është detyra e Ministrit të Arsimit të përcaktojë kushtet e veçanta dhe procedurat për arsimimin në shtëpi për të gjitha klasat e arsimit të detyruar.

 

Pro mësimit në shtëpi

Për ata prindër, të cilët kanë një jetë sociale të ngarkuar dhe një portofol që mund t'ua lejojë, shkollimi i fëmijëve në shtëpi është një mundësi shumë e mirë. Adelina, 33 vjeç një nënë e re kryeqytetase thotë se ky lloj arsimimi për fëmijën e saj, i cili aktualisht është 4 vjeç, do të ishte shumë efikas, sidomos për vitet e arsimit bazë, (klasa e parë deri në të katrat).

"Fëmija im do të kishte gjithë vëmendjen e mësuesit dhe sigurisht programet, me të cilat do të mësonte do të ishin më të përzgjedhura. Në një klasë me 30 apo 40 nxënës sa vëmendje mund t'i kushtohet fëmijës tim? - pyet ajo.

Por, prindër të tillë që janë të dy apo të trepunësuar, të cilët nuk kanë kohë për t'iu kushtuar edukimit të fëmijës, pagesa e një personi tjetër do të ishte zgjidhja më e mirë, ndonëse fëmija do të provohej nga një jetë sociale aktive. "Të paktën do të isha e sigurt që fëmijës nuk do t'i kanosej asnjë rrezik brenda mureve të shtëpisë", - argumenton ajo.


Kundër mësimit në shtëpi

Për prindër me të ardhura më të ulëta kjo formulë shkollimi duket sikur ka dalë nga librat e klasikëve rusë, ku familjet borgjezë paguanin për t'i mësuar shkrim e këndim fëmijëve të tyre. Por, një gjë e tillë ka pak gjasa të ngjasë në Shqipërinë e sotme.

"Edhe nëse do të kisha të ardhura të mjaftueshme prapëseprapë do t'i kisha dërguar fëmijët në shkollë publike", - tregon Majlinda, 42vjeçe, nënë e dy fëmijëve.

"Për fëmijët është më mirë që të rriten në ambiente publike, sepse kjo ndikon edhe në formimin social të tyre. Një mësues privat e marr në ato raste kur fëmija nuk shkon mirë në një lëndë. Por nuk mund ta heq përgjithmonë nga banka e shkollës", - shprehet ajo, duke shtuar se mësimi në shtëpi mund të jetë një zgjidhje për ata fëmijë që kanë nevoja të veçanta, si autikët, të cilët duhet të kenë 100 % të vëmendjes së mësuesit.

4 Komente

me duket se arsyet pse shkollohen kalamajt ne shpi jane krejt te tjera nga ato qe lidhen me jeten sociale te prinderve, por si gjithmone gazetaret tone jane truthare dhe pertojne me u informu pertej b,,thes se vet

Po tani kalamojt e politikaneve do te arsimohen neper shtepira privat dhe pa paguar asnje lek .....

 Per kushtet e Shqiperise, mua ky ligj me duket i parakohshem. Nuk eshte se çdo shkolle ka faqen e vet te internetit, (si kendej ne perendim, shkollat e larta dhe te mesme), ku shfaqen çdo dite mesimet per te nesermen. Femijet e vegjel e kane te domosdoshme kontaktin çdo dite me njeri-tjetrin ne oborrin e shkolles, sepse vetem ashtu do te mesojne se si te sillen ne jete kur te rriten. Jeta shoqerore eshte shum e rendesishme. 

Nuk eshte e heret a e vonshme. Behej ne bote edhe kur nuk kish kompiutera fare.

Ne thelb, eshte nje mundesi qe i jepet personave ne nje fare moshe qe te plotesojne arsimimin pa qene te detyruar te shkojne ne shkolle me femijet.

 

Nuk me duket vendim i keq (nese provimet e fundit jane vertet te vlefshme)

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).