E kisha vendosur që ta blija. Ishte një magnetofon i përdorur, por i rregullt. Pazari me të panjohurin që e shiste zgjati ca, por, më në fund, ramë në ujdi. Magnetofoni shoqërohej vetëm me dy kaseta me këngë popullore. Në shtëpi më priste sherri me gruan. Kisha harxhuar kursimet e tri vjetëve të martesës. Gruaja kishte të drejtë të mërzitej. Po e blija pa e pyetur. Ajo kishte bërë aq plane për prishjen e atyre parave. Kishte ëndërruar për divane e kolltukë, për bufe të madhe etj. Por ëndrrat mbeten ëndrra. E vënë përpara një fakti të kryer, u detyrua ta pranonte. Nëna shtatëdhjetëvjeçare, rrinte ulur në minder, në anë të sobës me dru dhe dëgjonte e mrekulluar. I vinte çudi që një këngë, të cilën e pëlqente shumë, e ktheja që ta dëgjonte për së dyti e për së treti…

    - Ç’paska bërë frëngu, o bir, - më thoshte

    Fëmijë akoma nuk kishim, prandaj magnetofonin e lija shkujdesur mbi tavolinë. Kalonin ditë e kalonin muaj. Ne vetëm ato dy kaseta kishim. I vërtitnim e i dëgjonim ç’kishin brenda. Një ditë, përmes ndihmës së një mikut tim, sigurova dy kaseta të reja. Në njërën regjistrova këngë të ndryshme që na pëlqenin mua dhe gruas, kurse tjetrën…Më lindi një mendim, të regjistroja nënën. Ia thashë edhe Zanës këtë mendim dhe e priti me shumë kënaqësi. Nëna ishte në moshë të madhe, për më tepër e sëmurë. Kishte një kollë që i zinte frymën.

Një mbrëmje, kur në shtëpi ishim vetëm ne të tre, e nxita nënën të më fliste për jetën e saj. Magnetofoni rrinte mbi tavolinë si gjithnjë dhe asaj nuk i shkonte mendja për keq. Nisi të tregojë për ndodhi që të copëzuara i kisha dëgjuar shumë hërë nga goja e saj. Gëzimi dhe trishtimi janë pjesë të jetës. Nëna, pa e ditur, i regjistroi në shiritin e kasetës. Foli sa desh. Kur mbaroi, u afrova tek magnetofoni, ktheva shiritin dhe e lëshova në dëgjim. U dëgjua zëri i nënës, që fliste ulët, shtruar, përmallshëm. Ktheu kokën e çuditur dhe qeshi. E dëgjuam deri në fund. Mes zërit të saj, e kollitura sa vinte e shtohej.

    E mbështolla kasetën në një qese celofani për ta ruajtur nga lagështia dhe e vura në sirtar. Ishte një relik i shtrenjtë. Do ta dëgjonim sa herë të na zinte malli për nënën. Ajo ishte gjallë, midis nesh, megjithatë ngandonjëherë më pëlqente ta dëgjoja në magnetofon.

    Nëna na la pas ca kohësh. E qamë me lot të hidhur, se kishte vuajtur shumë në jetë, e shkreta, dhe pikërisht atëherë kur po jetonim disi më ndryshe dhe kishte mundësitë për t’i ndier edhe kënaqësi viteve të pleqërisë, iku…”Bënim të nduknim bukën, e nduknim dorën”, - thoshte. Këtë nuk e harroja kurrë sepse edhe nëna nuk harronte ta përdorte sa herë që binte fjala për vitet e saj të shkuara. Këtë e shumë të tjera i kisha të regjistruara në kasetë.

    Kohë më pas, kur ditët e zisë kishin mbetur prapa, mora magnetofonin dhe e vura mbi tavolinë. E hapa nën vështrimin e hutuar të Zanës dhe të motrës. Shtypa butonin… Ja, po ai zë i thellë, po ajo butësi, po ajo kollë që e ndërpriste shpesh e që u bë shkak që t’i ndërpriste edhe jetën. Zëri i nënës!

    Në flokët e mi dhe të Zanës dalëngadalë po delte tek tuk ndonjë thinjë. Po iknin vitet si pa u kuptuar. Ishim bërë me fëmijë, bile ishin rritur. E gjora nënë, nuk arriti dot t’i përkëdhelte. Janë tre. E madhja lindi pak kohë pas vdekjes së nënës, djali dhe vajza tjetër janë më të vegjël. Vajza e madhe dhe djali shkojnë në shkollë. E vogla, Arjana, nuk e kishte me qejf as kopshtin. Më shumë rrinte te gjyshja, nëna e Zanës

    Atë ditë ne ishim në punë. Ishte mbasdite. Të tre fëmijët në shtëpi. Vojsava dhe Ermali mësonin, Arjana rrinte vetëm në dhomën e ndënjies. Duke qenë vetëm kishte bërë ç’kishte dashur. Kishte shtypur butonët e televizorit, dy tavlla qeramike i kishte thyer, kishte gjetur magnetofonin dhe, duke luajtur nëpër sirtarët e bufesë, kishte gjetur qesen ku ruaja kasetat. Përplas andej e përplas këndej, njëra prej kasetave ishte thyer dhe kishte dalë shiriti. Pastaj kishte shkuar tek soba dhe kishte patur kureshti të shihte flakën blu që lëshonte kaseta dhe shiriti bashkë. Kur hyri Vojsava në kuzhinë për të parë ç’qe ajo erë e keqe që përhapej në shtëpi, kaseta ishte përfshirë nga zjarri. E rrahu Arjanën për prishjen e kasetës. Kur erdhi Zana nga puna e rrahu edhe ajo për atë që kishte bërë. Po fundja, ç’faj kishte katërvjeçarja? Fajin e kisha vetë që isha treguar i pakujdesshëm. Kur u ktheva ne shtëpi, Arjana qante akoma. Të tjërët heshtnin kokëulur. Ç’kishte ndodhur? Pashë dy copa kauçuku nga të kasetës mbi qilim dhe i mora në dorë. Nuk do të më kishte ardhur keq për cilëndo kasetë përballë lotëve të vogëlushes së përkëdhelur. Do ta kisha kaluar gjithçka me të qeshur e humor. Por, ishte pikërisht ajo kasetë që nuk duhej të ishte. Ishte zëri i papërsëritshëm i nënës. Ajo nuk duhej të prishej. Ajo kasetë u duhej përcjellë brezave. Kur ma thanë të vërtetën, m’u errën sytë. M’u duk sikur më kishin shkulur një copë nga shpirti. M’u dhimbs sa s’mund ta shpreh. M’u bë si të ishte një vdekje e dytë e nënës. Kur më zinte malli i dëgjoja zërin, fjalën, më bëhej se e kisha të gjallë, aty, me fëmijët e mi. Vjen një çast i kobshëm dhe humbet gjithçka. Ajo që provoja ishtë më e hidhur se vdekja reale, sepse vdekja reale pritet, do të vijë në mënyrë të pashmangshme, si ligj i natyrës, kurse kjo ishte një rivdekje. Atë natë m’u err çdo gjë. Nuk doja të më flisnin. Ishte një rivdekje që nuk donte ngushëllime.

    Sa herë fëmijët hapin magnetofonin për të dëgjuar muzikë, edhe pse kanë kaluar disa vjet, mua më zë përmallimi për atë zë që nuk e kam të gjallë, por që jeton brenda meje dhe fëmijeve të mi.

 

1989

 

30 Komente

tregim i ndjere ky....

Gruaja kishte të drejtë të mërzitej. Po e blija pa e pyetur. Ajo kishte bërë aq plane për prishjen e atyre parave.

ore , pse ne shqiptaret shprehemi ne kete menyre per parate, pra i prishim ato.smiley

te jete kjo arsyeja qe ne shqipove nuk na ka duk paraja?!smiley

jo se dynjaja, kur flet per parate, zakonisht thote : do blej, do bej keshtu e ashtu, ose do ti shpenzoj parate....

 

Belul ... ky eshte mentaliteti tradicional shqiptar qe akoma egziston edhe ne mendjen e nje pjese te mire te te shkolluarve (pa folur per te tjeret)! Vete fjalori i perdorur ne jeten e perditshme edukon, fatkeqesisht perdorja e ketyre fjaleve gjeresisht ne Shqiperi ne nje menyre ose tjeter kultivon prishje dhe dhune (rrahje)! Sikur edhe ne te mos kishim jetuar ketej ca vite as nuk do te na i vrisnin veshet keto shprehi si me poshte!!

Po e blija pa e pyetur. Ajo kishte bërë aq plane për prishjen e atyre parave.

... per prishjen duhet te z/v me per investimin e atyre parave!!!   

E rrahu Arjanën për prishjen e kasetës. Kur erdhi Zana nga puna e rrahu edhe ajo për atë që kishte bërë. Po fundja, ç’faj kishte katërvjeçarja?

... e rrahu duhet te z/v me e qortoi rende!

Duke lene menjane keto dy verejtje te vogla smiley ne pergjithesi tregimi eshte i mire dhe me pelqeu!!!

po pse po don me e puritanizue me zor ?

me siguri do një dru, se duket që s'paska ngrënë asnjëherë... smiley

Jo, nuk kisha ne mendje purification! Vetem sqarova Belulin pse fjale te kesaj natyre jane krejtesisht normale ne Shqiperi!

Psh. si i thuhet femijes fli tani se po vjen gogoli ... dhe pas kesaj femija shikon endrra me arinj ... imagjino cfare malukati behet ai kur te rritet!!

Nejse .. tregim i mire!!

Kur blen bufe shqiptare 11 a 12 mijelekeshe apo magnetofon te perdorur, s'di per c'investim mund te pretendosh. Shqipja e ka shume te bukur ate fjale, sepse ato jane vertet para qe "prish" dhe jo "investon".

Tregimi ne ka probleme, i ka me ca fjali me ngerç si puna e :

"Më lindi një mendim, të regjistroja nënën. Ia thashë edhe Zanës këtë mendim dhe e priti me shumë kënaqësi.".

Te kujtojne ca tekste te tmerrshme ilustrimi ne Gjuhen shqipe te klases se trete.

P.s. Verejtja e dyte eshte konceptualisht shume interesante, por po pertoj.

Fin - te dyja verejtjet jane konceptuale! Te dytes nuk i heq asnje pike!

Per te paren - Pse sa duhet te jete sasia e parave qe te fillojme ta quajme investim prishjen e tyre? Investimi fillon edhe me nje qindarke!! Fjalen e kisha qe nje pjese e mire e shqipove jane so jevgjiti qe kur gjeti kos leu ....  pa menduar per diten tjeter!

psh. nqse ka 20 mije leke qe te kane ngelur menjane atehere me 10 mije ble nje bufe dhe 10 mije perdori per investim psh futi me interes ne banke ose ble aksione ose investo per trurin (blej nje liber, bej nje kurs), etj mundesi te shumta nqse vret mendjen dhe kerkon!!! Jo bjeri me top te 20 mijeve dhe diten tjeter ne diell!!!

Nejse zgjidhjet jane personale! smiley

I dashur, ju po i beni kritika jetes, jo tregimit. Dhe kjo eshte zbavitese, por edhe krejt absurde, po te mbajme parasysh marredhenien mes realitetit dhe letersise.

Shume e dashur - e thashe me lart qe tregimi eshte i mire dhe me pelqen me dy verejtje te vogla sipas kendveshtrimit tim! Ti nderhyre duke u perpjekur te me sqarosh prishje/investim/sasi parash (dmth u more me absurditete jo me letersi!!!!). Une vetem tu pergjgjigja!

Hajde po e le me kaq se nuk kam as kohe dhe as tipin te merrem me jo po e poqi jo po e dogji ne PPU!!!

Diten e mire!

Shume shume i dashur, mos na u merzitni. S'e patme me te keq. Te na e falni ne ju ngjame tejet te ashpra.

Debati mbi perdorimin e dy sinonimeve (investoi apo prishi) ishte ne rrafsh te gjuhes me ndonje rreshkitje per nga ekonomia, kurse ai mes "e qortoi" dhe "e rrahu" ka tjeter karakter, meqe "rrahja" dhe "qortimi" jane emertime per dy gjeste te ndryshme.

Nejse, te na falni edhe nje here dhe dite te mbare.

Vendosa te mos komentoj me per kete teme, por me qe me dashke shume, shume ... thashe ti shkruaj dhe nja dy rreshta!!!

Jeni e falur dhe me vjen keq qe nuk u morem vesh! Ti gjuan per kuptimin letrar te fjaleve ndersa une gjuaj per kuptimin social te fjaleve!!! smiley

smiley Mund te vijonim gjate me ate "shume shume... " perpara. Do t'ishte loje e kendshme ligjerimi, shpresoj pa pasoja sociologjike smiley .

tani, edhe kur blen nje magnetofon, qofte dhe te perdorur, ne nje fare menyre, investim eshte. sepse blen nje objekt qe do te ''kontribuoje'' ne per te kaluar kendshem nje pjese te kohes se lire, pershembull etj...   e njejta gje vlen  edhe per bufene.  eshte dhe kjo nje objekt funksional ne shtepi. na duhet.

megjithate, fjala investim duket pak e ''rende'' ne kete rast. shpenzim parash do te ishte me drejt mendoj une.  flas ne pergjithesi.  jo detyrimisht per kete tregim.. tregimi me pelqeu keshtu sic eshte.

Tregim i shkelqyer me nje fabul shume prekese dhe njerezore. I shkruajtur shume bukur, me fjali te shkurtra dhe shume ndjenje. Urime autorit 

Me kujtoi nje film shume te vjeter italian "Ate e bir". Pak a shume e njejta fabul, por djali qe e fshiu shiritin me zerin e se emes, Mino me duket se e quanin, ra nga pema dhe u paralizua. Duhet te kem qene e vogel fare, por e mbaj mend goxha mire. Ishte film shume prekes, si kjo histori.

Shkrimi është shumë shumë i bukur. Më bëri përshtypje.

Sa për atë që thotë Korani, këtu në shkrim nuk qëndron. Nuk mund të ndryshohet! ngjan me një skeç që kam parë, që tregonte sesi të kulturoheshin tifozët, duke përdorur gjuhë purifikuese. Dmth në vend të o arbitër të... motrën. do bëhej: tu angazhoftë jot motër në marrëdhënie seksuale me të panjohur, njëkohësisht. etj.

Po përveç shembullit, përgjithësisht gjuha jonë, është ca fatale. Ose duket e tillë? Kjo është temë e bukur për tu diskutuar.

Psh kur themi u prish makina, në mendje kemi: u prish, mbaroi, u çkëth. S'bëhet më. Në fakt makinës, mund t'i jetë çpuar pak goma... gjë që rregullohet. Këtë formë fatale që merr gjuha, mund tia kushtëzojë realiteti. Duke qënë se u "liberalizua" fjala, gati gati çdo gjë në shqip tingëllon banale, ose fatale, ose të dyja bashkë. Kështu që kur shumë shkrimtarë, apo analistë, kërkojnë strehë në terma dhe gjuhë të huaj, duhet kuptuar arsyeja. Mund të jetë një nga arsyet.

Një tjetër psh mund të jetë, varfëria e leksikut? Meqënëse vetë fjala nuk bën dallimin cilësor midis ngjarjeve, atëherë i ngelet përfytyrimit njerëzor apo shkaqeve sociologjike ta bëjnë.

"bëri sherr", ça dmth kjo? u shanë, u zunë me grushte, apo u vranë me pisqolla bam bam, si ca punë nipërish andej nga blloku?

Te kujtojne ca tekste te tmerrshme ilustrimi ne Gjuhen shqipe te klases se trete.

Vërtet Fin, kjo e prish një çikë. Po duke qënë se ishte nusja, ndaj vjerrës, kuptohet kjo shprehje kënaqësie e formës mondane, si shkëmbim letrash kredenciale ambasadorësh.

Më bën përshtypje ky lloj ligjërimi që përdoret edhe në të folur. Kur dikush nuk shpreh ndjenjat që ka, por i përshkruan ato. Gjithnjë më është dukur qesharake ajo që përdorin në anglisht sidomos, kur rrinë si statujë dhe thonë: I am so mad right now...!

p.s më kish marrë malli me të repliku. smiley.

 

Mundet, mundet smiley , por mbetem e idese qe fabula meritonte nje fustan pak me te lirshem se ky qe i ka dhene autori.

Mua me pelqeu qe i paska vene femijeve emra shqiptare tamam e jo arnold, brandon, e ambra.

Kjo qenka shkruar ne 89-en. Interesante se si raporti jone me teknologjine ka qene i shenjte, ndersa sot inflacionist. Me risjell ne kujtese ato magnetofonet shiritngrenes "internacional"..

Tregimi m'u duk i mire, "i ndjere" dhe keshtu me tej. Jo se kam lexuar shume dhe nga shumekush, por sepse me duket qe proza artistike shqiptare, si puna e tregimit me lart, nuk mberrin te behet, si te thuash, transhendentale, me zhbirime shumeplaneshe, pertej atij linear.

... per prishjen duhet te z/v me per investimin e atyre parave!!!   

"shpenzim"

 

Me pelqeu shume tregimi.

Olsi - mund te jete edhe 'shpenzim' ne kontekstin gjuhesor!!!

Por kur thashe investim me lart, une e thashe si e kunderta e "prishjes" se parave pa pergjegjesi ne kontekstin e mentalitetit dhe nuk e thashe aspak ne lidhje me kontekstin letrar apo gjuhesor te tregimit ose me mire nuk kishte te bente fare me tregimin!!!

Sa per Finance 101 per te gjithe ata qe nuk e kane bere.

Investimi eshte perdorim i parase me qellimi fitimi.

Prishja apo shpenzimi eshte kur asaj paraje nuk i shikon me fitim.

Femrat (duke perfshire edhe Mrs. ITS) i perdorin investimin dhe shpenzimin sikur te ishin njesoj. Psh e kam shume bezdi kur thuhet "investova" ne nje pale kepuce, bluze, makine.... keto jane te gjitha objekte shpenzimi.

Investimi eshte ne stocks, bond, fixed income, mortgage, small business ideas, venture capital etc, etc...

/mos harroni te investoni ne edukimin dhe shendetin tuaj. smiley

po kur 'ben' vizite  ne shrepi publike  si quhet ,prishje apo investim(ne shendet)

 Tregim i kënshëm pikërisht se është i thjeshtë .

Prishje,  shpenzim ,harxhim janë sinonime me njëra tjetrën por jo me investim . Për paret e shpenzuara kot ne themi :" i bëri rrush e kumbulla " ose shpërdoroj apo, ndonjë shprehje tjetër të ngjashme dhe fjala prish kur përdoret për paret nuk ka kuptimin, i shkatroi apo grisi apo i shpërdoroi siç mund të përdoret në rastet e funksionimit (u prish motorri) ose në rastet e shkatrimit fizik (u prish kaseta &nbspsmileyetj.Kjo është aftësi e gjuhës dhe jo dobësi sigurisht për një të huaj që se njeh mirë është një vështirsi më tepër sidomos për përkthyesit.Jo , po ka faj s'ke çi bën ...... dhe gjuha .

Shume tregim i bukur.

Edhe pse i dhembi ne shpirt qe u prish kaseta, te pakten kishte mundesi ta degjonte ate ze per vite te tera pas humbjes fiizike te nenes.

 Shume tregim i bukur. Edhe une kam nje kasete te tille, bile mire qe ma kujtuat qe ta ridegjoj, se mos eshte prishur.

Sa per perdorimin e fjaleve, prish, apo shpenzoj, apo investoj, apo ....etj etj, shqipja prandaj eshte e bukur se fuqine shprehese e gjen ne keto fjale me kuptim siperor.

Mundohuni te shani nje njeri. Cila fjale do te ishte ajo qe do te mbushte shpirtin tuaj se ja thate te tera atij njeriu?

Pasi jeni qetesuar thuajeni perseri ate fjale, do t'ju duket pa asnje kuptim, atehere. Fjala merr forme dhe trajte te caktuar vetem atehere kur shoqerohet edhe me nje ndjenje emocionale te caktuar, prandaj nuk ka prerje me thike.

Ore se late kokrren e namit tani, edhe per pasurine gjuhesore do ta akuzoni gjuhen shqipe tani? Prishja e parave eshte kur parate i hedh kot, pra i prish. Kur shkon ne pazar nuk thote njeri do shkoj te prish para, por do shkoj te blej, te bej pazarin, te bej shpezen etj etj. Si nuk thenka njeri ne Shqiperi BLEU? Ca jan keto budalleqe? Skam degjuar ndonjehere une ne shqiperi te thote dikush filani prishi nje televizor, dhe te nenkuptoje blerje me kete. Shqipja ketu tregon pasuri dhe jo varferi, varferia eshte me ato gjuhe qe kane vetem nje fjale si per prishjen e parave si per blerjen, si per shpezen etj. Ne shqip keshtu i thone kur parate shpenzohen ne menyre te panevojshme, dmth PRISHEN (kot), i prishi leket filani i beri rrush e kumbulla. Shume gjuhe te tjera psh nuk e  bejne kete ndryshim. Nuk e shoh c'ka ketu per tu kritikuar shqipja dhe shqiptaret.

Kurse sa per rrahjen, eshte pjese e kultures familjare shqiptare, ose te themi ka qene me pare, perjashto nje pakice me te kulturuar e me te edukuar. Pse na u dashka te thote autori e qortoi, kur ne fakt do qe te thote e rrahu? Nuk e marr vesh kete llogjike.

 Bukur, me pelqeu. 

Pershendetje te gjithe atyre qe kane bere komente rreth tregimit tim te cilin fare rastesisht e postova tek "peshku".Ju falenderoj nga zemra per te gjitha fjalet e mira por edhe per verejtjet me vend qe jane bere.E them kete shume sinqerisht dhe jo thjesht per te qene brenda.Une i njoh dhe i kuptoj ato verejtje qofte konceptuale apo edhe gjuhesore,por jam perpjekur qe te ruaj origjinalitetin e ketij tregimi sepse eshte i vecante per mua per faktin e vetem se eshte shkruar ne nje kohe tjeter,te ndryshme nga kjo e sotmja dhe eshte botuar me 22.04.1989 ne "Zeri i Rinise".Ndaj para se ta postoja nuk preferova t'i bej korrektime dhe nuk do tja bej as kur ta perfshij ne nje permbledhje.Kjo,jo pse nuk ka defekte,por sepse eshte tregimi im i pare dhe si i tille meriton te ngelet ne kujtesen time i pa prekur.Kushdo qe ka botuar dicka e njeh fare mire emocionin qe perjetohet ne te tilla raste...

Gjithsesi edhe nje here dua t'ju falenderoj te gjitheve.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).