Numri i sotëm i së përditshmes zviceriane në gjuhën gjermane, "Neue Zürcher Zeitung" (NZZ), hapet në faqen e parë me njoftimin për artikullin e Daniel Ursprung, një analizë e gjatë që mbush plot pesë kolonat e faqes shtatë. Eshtë një artikull i mirë, që analizon (mos)përballjen e Shqipërisë me të kaluarën e saj, shkruar nga një studiues që e njeh mirë situatën e vendeve ish-komuniste të lindjes. Artikulli në origjinal titullohet: "Albaniens blockierte Aufarbeitung der Geschichte" ("Përpunimi i historisë në Shqipëri, një proces i bllokuar"; përkthimi i lirë i smr) dhe shoqërohet me fotografinë historike të rënies së bustit të Enver Hoxhës, si dhe me një fotografi të tre bunkerëve në det. Artikullin e gjeta të përkthyer po sot në shtypin shqiptar, tek gazeta Tema online. Por, për cudinë dhe irritimin tim, artikulli mban tani në shqip titullin: "Berisha, simbol i vazhdimit të nomeklaturës komuniste", - edhe pse autori, Ursprung, flet për vazhdimësi elitash dhe këtu përfshin edhe Berishën, por jo vetëm atë - dhe shoqërohet me një foto të Berishës në varkë me familjarët e Hoxhës.

Jo vetëm kaq, por dy nëntitujt, "Harte Repression" dhe "Opfer ohne Täter", që bëjnë gati 2/5 e artikullit, nuk janë përkthyer fare, mbase sepse në këtë pjesë nuk përmendet më Berisha dhe këtu mbaron funksioni i artikullit të Ursprung për gazetën "Tema". Manipulimi i artikullit të Ursprung, përdorimi i autorit dhe autoritetit të të huajit për qëllime politike lokale, është një akt i turpshëm (jo i pari dhe as i fundit në tregun e paturpshëm të medias dhe politikës shqiptare). Ironikisht, Baze dhe gazeta e tij shndërrohen në një ilustrim konkret të asaj që Ursprung përmend në artikull, se "Retorika anti-komuniste shërbeu më shumë si një gjueti shtrigash në luftën për pushtet." dhe se "Hapësira e lirisë intelektuale është në varësi të politikës". Për ata që kuptojnë gjermanisht, këshillohet leximi direkt nga linku i mësipërm i NZZ. Më poshtë është artikulli i cunguar dhe me funksion/identitet të ndryshuar, me foton dhe titullin e seleksionuar nga gazeta "Tema".


Berisha, simbol i vazhdimit të nomenklaturës komuniste

Nga Daniel Ursprung

Neue Zürcher Zeitung

Asnjë vend tjetër në Europën Lindore nuk ka kaq shumë monumente, ndoshta edhe të pavullnetshme, që të kujtojnë sundimin komunist si në Shqipëri.

Të shpërndarë në të gjithë vendin janë qindra e mijëra bunkerë betoni, simbole të heshtura të një varianti represiv të pushtetit komunist në Europë.

Bunkeri, që do mbronte Shqipërinë e qeverisur me grusht të hekurt nga viti 1944 deri në vitin 1985 nga Enver Hoxha, është simbol i karakterit unik të regjimit, që me anë të vetë-izolimit kërkonte ta mbante vendin si bastioni i fundit i stalinizmit në Europë.

Njëzet vite pas ndryshimeve politike, që kulmuan në dhjetor të vitit 1990 me heqjen dorë të Partisë së Punës nga monopoli politik në vend, statujat e Stalinit e Enverit janë zhdukur, por përpunimi i të kaluarës nuk ka nisur ende.

“Lustracioni” i politizuar

Në asnjë vend tjetër të Europës Lindore nuk ekzistojnë kaq pak studime serioze në lidhje me periudhën e socializmit si në Shqipëri- nuk ka asnjë biografi kritike ndaj Enver Hoxhës, edhe pse asnjë drejtues tjetër komunist nuk e ka dominuar për kaq gjatë e në mënyrë kaq intensive fatin e vendit të tij.

Krahas raporteve të publikuara në media, në tregun e librave ka vetëm dokumente e kujtime të viktimave të komunizmit, por edhe të anëtarëve të nomenklaturës- përfshi këtu edhe përligjet e anëtarëve të familjes së Enver Hoxhës dhe kujtimet e jetës së pasuesit të tij, Ramiz Alia.

Akademia e shpërndarë në vitin 2008 gjithashtu nuk ka asnjë rivlerësim kritik të regjimit komunist. Arsyet e këtij dështimi janë të ndryshme dhe duhen kërkuar kryesisht në situatën specifike të tranzicionit shqiptar.

Tranzicioni në Shqipëri është shënuar nga konfrontimi tejet i personalizuar mes dy kampeve politike të papajtueshme me njëri- tjetrin, demokratët e Sali Berishës në një anë dhe komunistët e kthyer në socialistë.

Partia Demokratike e Sali Berishës, e ardhur në pushtet në vitin 1992, udhëhoqi një betejë të pamëshirshme ndaj kundërshtarëve politikë me pretekstin e anti- komunizmit. Ligji i parë i “lustracionit” u miratua në vitin 1993, të tjerë e pasuan atë.

Retorika anti-komuniste shërbeu më shumë si një gjueti shtrigash në luftën për pushtet. Kjo çoi në një destabilizim të rrezikshëm të institucioneve shtetërore, aparati burokratik u ndryshua për arsye politike dhe u mbush me njerëz pa përvojë, por besnikë të partisë.

Korrupsioni, manipulimi i zgjedhjeve dhe përfundimisht rrëzimi i të ashtuquajturave skema piramidale, të cilat i kishin premtuar popullit shumim të jashtëzakonshëm të kursimeve të tyre, sollën zemërimin e verbër të popullit ndaj institucionet shtetërore.

Vazhdimësia e elitave

Trazirat e rënda të vitit 1997 e kthyen procesin e tranzicionit disa vite mbrapa. Ideja e përpunimit të të kaluarës ishte diskretituar rëndë nga interesat personale të Berishës, ndaj socialistët nuk e ndoqën këtë gjë derisa ishin në pushtet.

Me rikthimin e Berishës në pushtet në vitin 2005, ligjet e “lustracionit” u kthyen si një armë në betejën kundër opozitës.

Në fund të vitit 2008, parlamenti miratoi një ligj “lustracioni”, të kritikuar ashpër jashtë vendit dhe të rrëzuar më vonë si anti-ligjor nga Gjykata Kushtetuese. Ky ligj hapte një gjueti shtrigash të motivuar ndaj të gjithë nëpunësve.

Në këtë mënyrë përpunimi i të kaluarës komuniste ishte bërë një çështje e politizuar, një mjet për betejën politike.

Përveç kësaj, Shqipëria është një vend i vogël dhe i ri, që nuk ka traditë intelektuale përpara periudhës së socializmit. Universiteti i parë në vend është themeluar në vitin 1957, Akademia e Shkencave në vitin 1972, Muzeu Kombëtar i Historisë në vitin 1981.

Në një vend që numëron rreth tre milionë banorë, elita është e vogël dhe në marrëdhënie shumë të ngushtë farefisnore e patronazhi.

Hapësira e lirisë intelektuale është në varësi të politikës, çka e bën shumë të vështirë që studimet historike bashkëkohore të kërcënojnë reputacionin e njerëzve me ndikim në aparatin komunist.

Se sa e fortë është vazhdimësia e elitës komuniste, këtë e tregon shembulli i shefit të qeverisë, Sali Berisha, retorika anti- komuniste e të cilit është në kontrast me të kaluarën e tij në nomenklaturë, si pjesë e ekipit të mjekëve të Enver Hoxhës.

Figura përfaqësuese e shqiptarëve në Perëndim, shkrimtari Ismail Kadare, nuk është një Vaclav Havel i Shqiëprisë, por i ka lejuar vetes të monopolizohet nga regjimi.

Problemi në Shqipëri është se elita e saj praktikisht është produkt i kohës së Hoxhës.

SHENIM: Daniel Ursprung është bashkëpunëtor shkencor në Universitetin e Zyrihut. Shkrimin e plotë do e lexoni në gazetën Tema, versioni i printuar

14 Komente

Flm per perkthimin SMR. 

nuk e kam perkthyer une, nuk e di kush e ka perkthyer sepse Tema nuk e jep kete informacion. Nese me arrin koha mund te plotesoj perkthimin e dy nentitujve qe mungojne dhe pa te cilat artikulli i Ursprung eshte i ceket.

Selmo, shkrimi nuk eshte perkthyer i gjithi, por vetem nje cope, e thote edhe ne faqen e Temes, ne fund te shkrimit. Te plote shkrimin e perkthyer e gjen ne numrin e neserm te Temes se printuar.

Problemi në Shqipëri është se elita e saj praktikisht është produkt i kohës së Hoxhës.

S'ke c'te thuash me teper...

Nga llogjika e shkrimit(perkthimit) duhet te nenkuptojme edhe qe Mero Baze eshte UFO

 Analiza qe i ben shkrimi i gazetes eshte realist dhe i paanshem. Nuk me pelqen qe keto shkrime vijne te cunguara.  Mero Baze, vertete eshte i inatosur me Salen, por kjo s'do te thote qe t'ja mohosh edhe ato dy fljale te mira qe kane thene per te. Njeriu, qofte ky dhe kriminel, nuk ka vetem te keqija.

Tranzicioni në Shqipëri është shënuar nga konfrontimi tejet i personalizuar mes dy kampeve politike të papajtueshme me njëri- tjetrin, demokratët e Sali Berishës në një anë dhe komunistët e kthyer në socialistë.

Qe ketu ne krye, kur demokratet personalizohen nga Sali Berrisha, vaj medet per demokracine tone

 

Në asnjë vend tjetër të Europës Lindore nuk ekzistojnë kaq pak studime serioze në lidhje me periudhën e socializmit si në Shqipëri- nuk ka asnjë biografi kritike ndaj Enver Hoxhës, edhe pse asnjë drejtues tjetër komunist nuk e ka dominuar për kaq gjatë e në mënyrë kaq intensive fatin e vendit të tij.

 

Shkrim i paster, prek aty ku dhemb, por edhe pjesa tjetre qe do botohet neser, nuk eshte se do i " turperoje" politikanet e intelktualet shqiptar.

Politika rutin do bej punen e vet, kutijat , rruget, e piramida !!!!!!!!!!!!

 

Te lumte Self, Tema e ndryshoi titullin e artikullit, che pare ti !!!!!!!!!!!!!!!!!!

Kot thuhet qe Shqiperia eshte demokratike, sepse vetem demokratike qe nuk eshte. Eshte e mbushur plot me mashtrime, manipulime, propaganda. Ne lidhje me kete te fundit, po me vjen nder mend propaganda e paster bere ditet e festave te fund vitit ne TV: "Ne kemi bere x, y, z gje... vetem prej punes tone... blablabla...", e cila "cuditerisht" pervec se pak e modernizuar me duket shume e ngjashme me propaganden e bere ne kohen e xhaxhit Enver.

Ajo propagande meritonte nje pergjigje te thjeshte: "S'keni  bere ndonje gje te madhe. E kishit per detyre!!!"

Eshte e vertete e turpshme qe media, qe duhet te jete totalisht e lire dhe transparente, te vihet kaq shume ne sherbim te politikes saqe te shkeli me kembe dhe parimet baze te se drejtes se autorit dhe vertetesise se shkrimit/lajmit.

 self me ke kenaq se une sapo e lexova artikullin e Meros dyshova.Por kjo eshte  bere mode dhe e nxitur gjithmone prej pushtetit.Une, gjithmone kur citohen organe apo titullare te huaj, per  te nxjerre koeficentin e saktesise    i  shumezoj me keficentin 0.9... Per  habi ashtu  me ka rezultu e  verteta.Nuk  e di a do behet ndonjehere serioz ky   m..shtypi dhe kjo  h..propagande....

E cfare eshte gazeta "Tema"?! Nje pike uji ne oqeanin e agjit-prop-it.

Media eshte pushtet.

"nuk ka asnjë biografi kritike ndaj Enver Hoxhës".

Nuk e di sa i ploteson kushtet per te qene nje biografi kritike libri i Agim Mustes per E. Hoxhen, por gjithsesi mbetet nje perpjekje e mire dhe burim informacioni me vlere. Ka vend per t'u kritikuar qasja ndaj te kaluares komuniste por nuk eshte se nuk ka pasur perpjekje dhe ajo qe citohet me siper eshte pak e tepruar dhe jo e sakte.

 ..Polit...po me librin e Gim Mustes, 30 vjeç me i vogel se Enveri dhe  ben fjale,(ne ato qe mollois)  sikur ta kete  patur shok bange....? Gimi  eshte i teri karagjoz ne  ato qe thote more  mik... Biografi mi quani  ato, per nje burre qe drejtoi jeten e nje vendi si ky yni, i teri plot me karavidhe(jeta pas tij e vertetoi kete ) e zoteroi  ne nje dore, si ti kishte te  gjithe korra lajthie dhe neve ngreme e veme fjalen ... diktator more diktator..! Po  me tutje  sa ka...? Dokrrat e  kafeneve te Gimit

 Biografia e Enver Hoxhes do te behet e sakte vetem pas 50 apo 80 vjetesh, se tani me nje shoqeri  kaq te politizuar qe akoma nuk ka zgjidhur problemin e dites se çlirimit, veshtire se do te gjeje konsensus. Keta historianet tane jane kaq te politizuar, saqe nje dokument te shkruar dhe autentik e komentojne sipas midese, njesoj si PS dhe PD qe kur marrin nje dokument te shkruar nga BE, apo KiE, secili e lexon sipas interesave te veta.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).