Kjo ese e Gilles DELEUZE ështe botuar si pasthënie e botimit shqip të librit te Michel FOUCAULT, Disiplina dhe ndëshkimi. Lindja e burgut ("Surveiller et punir. Naissance de la prison"), i cili sapo ka dale nga botimet ODEON. Ky libër ështe kështu i katërti i Foucault në shqip, pas Historisë së marrëzisë në epokën klasike (Bot. Toena), Vullneti për dije (Historia e seksualitetit 1) (Bot. Dukagjini, Prishtinë) dhe Pushteti dhe Dija. Katër sprova (Bot. ISP-Dita 2000, Kolana e mendimit politik).

 

POST-SCRIPTUM MBI SHOQERITE E KONTROLLIT



I. Historik 

Foucault e ka vendosur lindjen dhe zhvillimin e shoqërive disiplinore në Perëndim në shekujt xviii dhe xix; ato arrijnë kulmin e tyre në fillim të shekullit xx, duke patur si veçori të funksionimit organizimin e mjediseve të mëdha të mbylljes. Individi nuk resht së kaluari nga një mjedis i mbyllur në tjetrin dhe secili prej tyre rregullohet nga ligjet e veta: në fillim familja, pastaj shkolla (“nuk je më në shtëpi këtu”), pastaj ushtria (“nuk je më në shkollë këtu”), herë-herë spitali, pastaj ndoshta dhe burgu, që është mjedisi i mbylljes par excellence. Burgu shërben edhe si model analogjik: kështu, heroina e Europa 511, duke parë punëtorët në uzinë, rënkon: “m’u duk sikur të kisha parë të dënuar...”. Foucault e ka zbërthyer më së miri projektin ideal të mjediseve të mbylljes, veçanërisht i dukshëm në rastin e uzinës: përqëndrim; shpërndarje në hapësirë; renditje në kohë; ndërthurje në hapësirë-kohë e një force prodhimi rezultati i së cilës duhet të jetë më i lartë se shuma e forcave fillestare. Por Foucault dinte mirë edhe diçka tjetër: përkohësinë e këtij modeli; ai pasonte shoqëritë e sovranitetit, qëllimi dhe funksioni i të cilave ishin krejt të tjera (të vjelë më shumë sesa të organizojë prodhimin, të vendosë për vdekjen më shumë sesa të kujdeset për jetën); kalimi ishte jo i menjëhershëm dhe Napoleoni duket se siguroi boshtin e konvertimit të madh nga njëra shoqëri te tjetra. Mirëpo, disiplinat do të binin po ashtu në krizë, si pasojë e ndikimit të forcave të reja që po zinin vend dhe bëhen të prekshme sidomos pas Luftës së Dytë Botërore: shoqëritë disiplinore kishin pushuar tashmë së qeni bota jonë, ishin tashmë e kaluara jonë. 
Ne jetojmë sot në kohën e një krize të përgjithësuar të të gjitha mjediseve të mbylljes, burgje, spitale, uzina, shkolla, familje. Familja është një “mjedis i brendshëm” në krizë si të gjitha mjediset e tjera të brendshme, shkollore, profesionale, etj. Ministrat përkatës na lajmërojnë pa pushim për reforma demek të domosdoshme. Të reformojmë shkollën, të reformojmë industrinë, spitalin, ushtrinë, burgjet; por të gjithë e dinë se këto institucione kanë marrë fund, herët a vonë. Bëhet fjalë vetëm t’u zgjatet agonia, të merren njerëzit me diçka sa të zënë vend forcat e reja që po trokasin në derë. Shoqëritë disiplinore janë duke u zëvendësuar nga shoqëritë e kontrollit. “Kontrolli” është emri që propozon Burroughs2 për të cilësuar përbindëshin e ri dhe Foucault e pranon si të ardhmen tonë të afërt. Nga ana tjetër Paul Virilio3 nuk resht së analizuari format ultra të shpejta të kontrollit në terren të hapur që zënë vendin e disiplinave të vjetra të ushtruara në kohëzgjatjen e një sistemi të mbyllur. Nuk është vendi të përmenden prodhime farmaceutike të papara, formime bërthamore, manipulime gjenetike, edhe pse të gjitha këto tentojnë të bëhen pjesë e procesit të ri. Nuk është vendi të pyesim se cili është regjimi më i egër ose më i pranueshëm, sepse në secilin nga ta përballen liritë dhe nënshtrimet përkatëse. Për shembull, me krizën e spitaleve, si mjedise mbylljeje, sektorizimi, spitalet e ditës, mjekimet në shtëpi mund të kenë shënuar në fillim liri të reja, por po ashtu u përfshinë më pas si pjesë të disa mekanizmeve të kontrollit, që maten me mjediset më të ngurta të mbylljes. Nuk është vendi të frikësohemi apo të shpresojmë, por të kërkojmë armë të reja. 

II. Logjikë 

Internatet e ndryshme dhe mjediset e tjera të mbylljes nëpër të cilat kalon individi janë ndyshore të pavarura: duhet nisur çdo herë nga e para dhe nëse gjuha e përbashkët e mjediseve të tilla ekziston, ajo është analogjike. Ndërkohë që kontrollet e ndryshme përbëjnë ndryshueshmëri të pandara dhe formojnë një sistem me gjeometri të ndryshueshme, gjuha e të cilit është numerike (gjë që s’do të thotë me doemos binare). Mbylljet janë si kallëpe (moules), me derdhje (moulages) të veçanta, kurse kontrollet paraqiten si një modulim, si një derdhje vet-shformuese që do të ndryshonte pareshtur, nga çasti në çast, ose si një sitë, nyjet e së cilës do të ndryshonin nga një pikë te tjetra. Mund ta shohim fare mirë me çështjen e rrogave: uzina ishte një trup që i çonte forcat e brendshme në një pikë ekuilibri, sa më të lartë të mundshme për prodhimin dhe sa më të ulët të mundshme për pagat; por, në shoqëritë e kontrollit, ndërmarrja ose firma zëvendëson uzinën, dhe ndërmarrja nuk është trup por shpirt, është si një gaz. Sigurisht, edhe uzina e përdorte tashmë sistemin e shpërblimeve individuale, por ndërmarrja përpiqet të zhvillojë një modulim më në thellësi të çdo rroge, në gjendje metastabiliteti të përhershme që kalojnë nëpër sfida, konkurse, stazhe e trainime tejet komike. Suksesi i madh lojërave televizive më idiote sot, shpjegohet pikërisht më faktin se ato pasqyrojnë dhe përputhen më situatën aktuale të ndërmarrjes. Uzina i ndërtonte individët si trupa, në të mirë të dyfishtë edhe të pronarëve që mbikëqyrnin secilin element të masës, edhe të sindikatave që mobilizonin një masë rezistence; kurse ndërmarrja nuk resht së nxituri një konkurrencë të pamëshirshme nën emrin e emulacionit të shëndoshë, shtysë e shkëlqyer që i kundërvë individët mes tyre dhe që e përçan secilin në vetvete, duke e dyzuar. Parimi modulator i “pagës sipas meritës” po grish edhe shkollën dhe sistemin e arsimit: dhe në fakt, ashtu si firma zëvendëson uzinën, ashtu edhe formimi i zgjatur po zëvendëson shkollën, dhe kontrolli i vazhdueshëm provimin. Gjë që është mënyra më ë mirë për ta vënë shkollën në duart e ndërmarrjes. 
Në shoqëritë disiplinore, rifillimet pasojnë njëri-tjetrin (nga sholla në kazermë, nga kazerma në uzinë), kurse në shoqëritë e kontrollit asgjë nuk përfundon asnjëherë dhe ndërmarrja, formimi, shërbimi janë gjendjet metastable dhe bashkekzistuese të të njëjtit modulim, si të një deformatori të përgjithshëm. Kafka, që gjendej në kufirim mes dy shoqërive, ka përshkruar tek Procesi format më të frikshme gjyqësore: lirimi në dukje i shoqërive disiplinore (mes dy mbylljesh), zvarritja e pafundme e shoqërive të kontrollit (në ndryshueshmëri të vazhdueshme), janë dy mënyra jetese juridike shumë të ndryshme dhe, nëse drejtësia jonë është e drojtur, e përfshirë nga kriza, kjo ndodh sepse jemi duke dalë nga njëra për të hyrë te tjetra. Shoqëritë disiplinore kanë dy pole: nënshkrimin që tregon individin dhe numrin ose numrin rendor që tregon vendin e tij brenda masës. Në fakt disiplinat nuk i kanë parë kurrë këto dy tipare si të papërputhshme dhe pushteti ushtrohet njëkohësisht si masifikues dhe individualizues, domethënë ndërton si trup ata mbi të cilët ushtrohet dhe derdh në kallëp individualitetin e çdo anëtari-gjymtyrë (membre) të trupit masiv (Foucault e gjente origjinën e këtij shqetësimi të dyfishtë tek pushteti baritor i priftit – që kujdeset për kopenë në tërësi dhe secilën nga delet – por pushteti civil shndërrohet në “bari” laik dhe me mjete të tjera). Në shoqëritë e kontrollit, përkundrazi, thelbësor nuk është nënshkrimi apo numri rendor, por shifra si kod: shifra është fjalëkalim (mot de passe) ndërsa shoqëritë disiplinore punojnë me fjalë-direktiva apo urdhëresa (mots d’ordre), si nga pikëpamja e integrimit edhe nga ajo e rezistencës. Gjuha numerike e kontrollit përbëhet nga shifra që përcaktojnë hyrjen në një informacion të caktuar apo refuzimin e tij. Nuk jemi më përballë çiftit masë-individ. Individët janë shndërruar në “dividualë”, kurse masat në kampione, të dhëna, tregje ose “banka të dhënash”. Paraja ndoshta shpreh më mirë dallimin mes dy shoqërive, sepse disiplina gjithmonë u është referuar monedhve të shtypuara kallëp që përmbanin ar si numër etalon, ndërkohë që kontrolli punon me këmbime të rrjedhshme, modulime që përdorin si shifër një përqindje monedhash të ndryshme të marra si kampione. Urithi i vjetër monetar është kafsha tipike e mjediseve të mbylljes, por ajo e shoqërive të kontrollit është gjarpri. Kemi kaluar nga një kafshë tek tjetra, nga urithi tek gjarpri, me regjimin ku jetojmë; por gjithashtu edhe në mënyrën tonë të jetesës, si dhe në raportet me të tjerët. Njeriu i disiplinave ishte prodhues i segmentarizuar energjie, por njeriu i kontrollit është më shumë valor, i kurbëzuar, i hedhur në orbitë, me prurje të vazhdueshme. Gjithandej surf-i ka zëvendësuar sportet e vjetra. 
Është e lehtë ta përngjasësh çdo shoqëri me lloje të caktuara makinash, jo sepse makinat janë përcaktuese, por sepse ato shprehin më së miri format shoqërore të afta për t’i nxjerrë në dritë dhe për t’i përdorur. Shoqëritë e vjetra të sovranitetit përdornin makina të thjeshta dhe të rënda, leva, çikrikë, sahate; kurse shoqëritë e vona disiplinore kishin si pajisje makina energjitike, me rrezikun pasiv të entropisë dhe atë aktiv të sabotimit; shoqëritë e kontrollit, ndërkohë, veprojnë me makina të llojit të tretë, makina informatike dhe ordinatorë për të cilat rreziku pasiv është zhurmimi dhe ai aktiv piratimi dhe futja e viruseve. Nuk është thjesht evolucion teknologjik, por më në thellësi edhe një mutacion i kapitalizmit. Ky mutacion është i njohur dhe mund të përmblidhet kështu: kapitalizmi i shekullit xix ecën më përqëndrim, synon prodhimin dhe me organizohet në pronësi. Ai ngre kështu uzinën si mjedis mbylljeje dhe kapitalisti është pronar i mjeteve të prodhimit, por eventualisht edhe pronar i mjediseve të tjera të organizuara në analogji (shtëpia familjare e punëtorit, shkolla). Sa për tregun, sundimi në të sigurohët herë nëpërmjet specializimit, herë kolonizimit, herë më uljen e kostos së prodhimit. Mirëpo, në gjendjen aktuale, kapitalizmi nuk është më për prodhimin, që e degdis shpesh në periferitë e botës së tretë, madje edhe strukturat komplekse të industrisë tekstile, metalurgjisë dhe naftës. Kemi një kapitalizëm mbiprodhimi, që nuk blen më lëndët e para dhe nuk shet më prodhime të gatshme: blen prodhime të gatshme ose monton pjesët e këmbimit. Ato që tanimë don të shesë janë shërbimet, dhe ato që don të blejë, aksionet. S’është më një kapitalizëm për podhimin por për produktet, domëthënë për shitjen ose për tregun. Kështu edhe në thelb është bërë shpërndarës dhe uzina ia ka lënë vendin sipërmarrjes. Familja, shkolla, ushtria, uzina nuk janë më mjedise analogjike të dallueshme që përmblidhen drejt një pronari, shtet apo fuqi private, por figurat e koduara, të palosshme dhe të shformueshme, të së njëjtës ndërmarrje që s’ka më veçse administratorë. Madje edhe arti i ka braktisur mjediset e mbyllura për të hyrë në qarqet e hapura të bankës. Sundimet e tregut bëhen me marrje kontrolli dhe jo më me formime disiplinash, me caktimin e kurseve më shumë sesa me uljen e kostos, duke transformuar produktet më shumë se duke specializuar prodhimin. Korrupsioni fiton tani një përmasë të re. Shërbimi i shitjes është bërë qendra ose “shpirti” i sipërmarrjes. Na thonë se dhe sipërmarrjet paskan shpirt, gjë që është përnjëmend lajmi më i frikshëm në botë. Marketingu është bërë mjeti sundues i kontrollit shoqëror dhe po na formon racën e pacipë të eprorëve të rinj. Kontrolli është afatshkurtër dhe me rrotullim të shpejtë, por njëkohësisht i vijueshëm dhe i pakufizuar, kurse disiplina ishte afatgjatë, e pafundme dhe e copëzuar. Njeriu i sotëm nuk është më njeriu i mbyllur, por njeriu me borxhe, jo njeriu i disiplinave, por njeriu i kredive. Ndërkaq, është po aq e vërtetë se kapitalizmi ka patur si vijë të qëndrueshme mjerimin e skajshëm të tri të katërtave të njerëzimit, tepër të varfër për t’u dhënë borxhe, tepër të shumtë për t’u mbyllur: kontrollit do t’i duhet të përballojë jo vetëm fashitjet e kufijve, por edhe shpërthimin e paralagjeve (bidonvilles), periferive dhe getove. 

III. Program 

S’është nevoja fare për fantashkencë për të përfytyruar një mekanizëm kontrolli të atillë që të japë në çdo çast vendndodhjen e një elementi në mjedis të hapur, të kafshës në një rezervë, të njeriut në ndërmarrje (byzylyku elektronik). Felix Guattari përfytyronte një qytet ku kushdo mund të dilte nga banesa, rruga, lagjja e vet falë një karte elektronike (dividuale) që bënte të ngrihej këtë apo atë pengesë; por, po ashtu, karta mund të refuzohej filan ditë, apo mes filan orësh; e rëndësishme nuk është pengesa, por makina informatike që përcakton vendndodhjen e çdokujt, të ligjshme apo të paligjshme, duke kryer një modulim të përgjithshëm. 
Studimi socio-teknik i mekanizmave të kontrollit, i nisur në agun e tyre, do të duhej të ishte kategorial dhe të përshkruante elementët që po hyjnë në veprim në vend të mjediseve të mbylljes disiplinore, krizën e të cilëve e pohojnë të gjithë. Ka të ngjarë që edhe mjete të vjetra, të huazuara nga shoqëritë e kaluara të sovranitetit, të rivihen në punë, por me përshtatjet e nevojshme. E rëndësishme është se kemi të bëjmë me fillimin e diçkaje të re. Në regjimin e burgjeve: kërkimi i dënimeve alternative, apo “zëvendësuese”, të paktën për shkeljet e vogla, dhe përdorimi i “byzylykëve elektronikë” që e detyrojnë të dënuarin të rrijë në shtëpi në orë të caktuara. Në regjimin e shkollave: format e kontrollit të vazhdueshëm, dhe ndikimi i formimit të zgjatur mbi shkollën, braktisja përkatëse e çdo kërkimi në Universitet, futja e “sipërmarrjes” në të gjitha nivelet e shkollimit. Në regjimin e spitaleve: mjekësia e re “pa mjekë dhe të sëmurë”, që qëmton të sëmurët potencialë dhe subjektet me rrezik të mundshëm, gjë që, ndryshe nga sa duan të thonë, nuk dëshmon për ndonjë zhvillim drejt individualizimit, por zëvendëson trupin individual ose numëror, me shifrën e një lënde “dividuale” të kontrollueshme. Në regjimin e ndërmarrjes: trajtimet e reja të parasë, produkteve dhe njerëzve, që s’kalojnë më nga forma-uzinë e dikurshme. Janë vetëm disa shembuj të pakët e të paplotë, por që mund të na bëjnë të kuptojmë më mirë atë që quhet si krizë e institucioneve, domethënë vendosjen e shtruar dhe të shpërhapur të një regjimi të ri sundues. Një nga çështjet më të rëndësishme do të kishte të bënte me paaftësinë e sindikatave: duke pas qenë të lidhura, gjatë gjithë historisë së tyre, me luftën kundër disiplinave dhe mjediseve të mbylljes, a do të dinë të përshtaten apo do t’ua lënë vendin formave të reja të rezistencës kundër shoqërive të kontrollit ? A mund të perceptojmë që tani ndonjë skicë të këtyre formave të ardhshme, të afta të sulmojnë lumturinë e hareshme të marketingut ? Çuditesh kur sheh se shumë të rinj duan të jenë “të motivuar”, kërkojnë me ngulm stazhe, trainime e formime të zgjatura; atyre u takon të zbulojnë se kujt i shërbejnë dhe ç’i shtyn me kaq ngulm të bëhen shërbyes, ashtu si paraardhësit e tyre zbuluan, dhe jo pa mund, qëllimin e fshehur të disiplinave. Unazat e gjarpërinjve janë akoma më të pleksura se vrimat e folesë së urithit. 

(1990) 
Përkthyer nga frëngjishtja : Orgest AZIZI 

(Footnotes) 
1 Europa 51 është film i kineastit italian neorealist Roberto Rossellini. Heroina në fjalë, e luajtur nga Ingrid Bergman, është një grua e borgjezisë së lartë të huaj në Romën e pasluftës (1951) e cila, pas vdekjes së djalit të vet 10-vjeçar si pasojë e një përpjekjeje dramatike për të vrarë veten, ndërgjegjësohet për dhimbjen e të tjerëve dhe ndërmerr një “zbritje” simbolike dhe iniciatike në shtresat e varfra të popullsisë. E shoqëruar nga një mik gazetar komunist në një nga lagjet “përtej stacionit të fundit të tramvajit”, një nga çastet më të forta të filmit është ai kur heroina e gjen veten për herë të parë në jetën e saj në uzinë, për të zëvendësuar një grua që duhet të takojë të fejuarin në një qytet tjetër. Tronditja e saj nga kushtet e punës, mbylljes dhe mbikëqyrjes është aq e madhe sa vendos të punësohet në uzinë, vendim që sigurisht shkakton prishjen me familjen dhe burrin e saj diplomat – [të gjitha shënimet janw të përkthyesit.] 
2 William Burroughs (1914-1987), shkrimtar amerikan i njohur për metodat e tij letrare moderne dhe eksperimentale, përvojën e drogës, dhe analizën e formave më të sofistikuara të pushtetit dhe kontrollit në të gjitha nivelet e shoqërisë, përfshirë edhe në trup e në gjuhë. Për një njohje të parë me veprën e tij të shumëfishtë (ndër të tjera libri 
Naked lunch («Dreka lakuriqe ») i përshtatur me të njëjtin titull në kinema nga kineasti kanadez David Cronnenberg) mund të shihet, në shqip, antologjia e tij me titullin 
Drejt trupit pa organe, botimet LOGORECI, Tiranë 2003. 

3 Paul Virilio:filozof, sociolog dhe estet bashkëkohor francez,profesor në Shkollën Kombëtare të Arkitekturës të La Villette në Paris. Është marrë gjerësisht me studimin e pasojave teorike, sociale, politike e estetike të zhvillimit masiv të mjeteve dhe teknologjive të informacionit të shpejtë. Vepra e tij e fundit është organizimi në vitin 2003, në Fondacionin Cartier për Artin Bashkëkohor në Paris, i një ekspozite mbi aksidentet, si tregues gjithnjë e më thelbësorë të strukturës së shoqërive moderne.      

37 Komente

Mishel Fuko është një mendje e ndritur. Kush e ka përkthyer librin dhe nga ç'gjuhë?

Jo eshte. 
Ka qënë.

per shume gjera sociale/filozofike eshte i mire, por eshte shume i veshtire per tu lexuar ne anglisht, se ne shqip nuk e di

Nga Frengjishtja duhet te jete perkthyer, se Francez ka qene dhe nga gjuha e tij perkthehet me mire

Kur behet fjale per "mendjen " thuhet eshte, kur behet fjele per "trupin " thuhet ka qene.

 Imagjino qe Deluze e ka shtruar kete problem ne 1990. Po ta shihte nga kendveshtrimi i post-2008-es, besoj se do fuste ne ekuacion edhe krijimin e qarqeve te informacionit si paradigma te shoqerive te kontrollit. Modeli i ketyre nuk eshte edhe aq panoptikoni benthamian, ku vezhgimi kryhet nga nje qender dhe hapet ne forme rrezesh tek i vezhguari, por ne forme satelitore, ku vezhgimi kryhet nga nje periferi apo perimeter i cili tenton te jete gjithperfshires duke tentuar te shkoje drejt infinitit. Ka pra nje lloj rikthimi ne teatrin klasik te korit grek, ku ndryshe nga ideja e Artaud, se vezhguesi, spektatori, duhet te jete ne qender dhe spektakli te ndodhe rreth tij, vezhguesi hapet rreth salles se audiences dhe nepermjet moralit popullor te korit kontrollon lojen e aktorit. Mirepo gjithe loja qe behet ne skene eshte nje hic tragjik, (facebook) nje boshllek qe sa vjen e zmadhohet, audienca nuk ben gje tjeter pervecse vezhgon vetveten, dhe format qe krijohen keshtu jane "bubble" pas "bubble" e fllucke pas fllucke. Vezhgimi i Foucault, (apo edhe i Kuhn) se zhvendosje paradigmash te tilla hyjne e penetrojne ne cdo fushe te dijes e te shkences (pavaresisht faktit ne jane revolucionare apo jo) behet legjitim po te kihet parasysh se fllucka te tilla informacioni shpjegohen ne fizike me ane te konceptit gjithperfshires te Hawking e Mlodinow, se "universi krijon veten nga hici." E vertete qe nuk eshte ceshtje thjesht teknologjike, sic veren Deluze, por ceshtje taktike ne sensin qe i jep De Certau ketij termi duke e vene perballe strategjise. Strategjia ka nje pike avantazhi, nje perspektive benthamiane, prej se ciles suksesi qe sigurohet, pavaresisht faktit qe eshte ne terma sovraniteti monadik, eshte njekohesisht edhe afatgjate. Taktikat perkundrazi jane afatshkurtra, borxhi (i cili realisht nuk ekziston) i hidhet ne kurriz gjithmone pasardhesve, apo flluckes tjeter.

Gjithsesi, hallall per perkthimin (te pakten Deluze vjen i qarte e i thjeshte) dhe respekte vellezerve Azizi.  

Libri është përkthyer natyrisht nga frëngjishtja, nga Orgest Azizi, i cili ka përkthyer po ashtu nga Foucault : Vullneti per dije (Historia e seksualitetit 1), dhe Pushteti dhe Dija. Katër Sprova. Ka tekste te Foucault që mund të jenë eventualisht të vështirë per t'u lexuar, kryesisht disa të fillimit, por besoj asnjë nga këta më sipër, e sidomos jo Disiplina dhe ndëshkimi. Hapeni librin në faqen e parë - te tortura e Damienit - dhe provojeni. Thonë se kur doli libri, të burgosurit në Francë ia lexonin me zë të lartë njëri-tjetrit nga një qeli ne tjetrën. Ndër të tjera, libri ështe dhe shumë i këndshëm e me shumë humor, që të kujton shpesh Dictionnaire des idées reçues të Flaubertit.

Ah, po. Kushton 700 lekë (7 Euro).      

A mund te di pse "Disiplina ... "? Flm

E drejte, por po aq e drejte do te ishte edhe pergjigjja: Pse jo "disiplina"; ose dhe pyetje : Pse "ndeshkimi" dhe jo "denimi", dhe ku eshte dallimi, nese ka? Teksti i librit eshte dhene ne nje fare menyre "bruto", pa hyrje apo parathenie te perkthyesit, megjithese ka disa shenime te tij gjate librit, por jo per titullin. Origjinali thote: Surveiller et punir. Naissance de la prison, pra perdor foljet ne paskajore. (Megjithese me vonese, konkursi mund te hapet per propozimin me te mire te titullit ne shqip. Ku i dihet, ka ndonje botim te dyte... Ju, per shembull, si do te mendonit?) Megjithate, kur e lexon librin, "disiplina" ne titull nuk te habit, sepse ze vendin kryesor, me shume se "mbikeqyrja", per shembull, gje qe ndihet edhe te eseja e Deleuze.

Per saktesi, ma duhet te korrigjoj duke thene se titulli i sakte i librit ne shqip eshte: Disipline dhe ndeshkim. Lindja e burgut (pra ne trajten e pashquar).    

Faleminderit.

Mua me ishte dukur se "mbikëqyrja" ishte e lidhur me idene e M. F. me shume fije, njera prej te cilave "Panoptikoni" i Benthamit. Pushteti s'ka nevoje te "disiplinoje" konkretisht, s'ka nevoje "ta misheroje/konkretizoje" forcen e vet: mjafton "veshtrimi", mjafton ideja "e te qenit i veshtruar/vezhguar", mjafton deri edhe levozhga boshe e sistemimit... Natyrisht jam e prirur te besoj qe leximi i perkthyesit ka qene me i thelluar se i imi. Dhe po ashtu mendoj se perkthimi i titullit s'ka fare pse te jete i fjale-per-fjalshem.

"E drejte, por po aq e drejte do te ishte edhe pergjigjja: Pse jo "disiplina"; ose dhe pyetje : Pse "ndeshkimi" dhe jo "denimi", dhe ku eshte dallimi, nese ka? "

Eh, çalon nje cike me duket krahasimi mes parapelqimit te "disipline" ne vend te "mbikqyrje" dhe "ndeshkim" ne vend te "denim". Tek cifti i pare sinonimia s'eshte medoemos e nenkuptuar.

"Eh, çalon nje cike me duket krahasimi mes parapelqimit te "disipline" ne vend te "mbikqyrje" dhe "ndeshkim" ne vend te "denim". Tek cifti i pare sinonimia s'eshte medoemos e nenkuptuar."

Ne fakt, nuk ishte krahasim, por thjesht evokim i listes legjitime te pyetjeve qe mund te behen per titullin, dhe per te cilat edhe une nuk kam pergjigje. Fundja (perderisa e njihni tekstin) nuk eshte pa vend te pyetet nese "ndeshkimi" dhe "denimi" jane e njejta gje, apo shenjojne forma te ndryshme epokale te ushtrimit te pushtetit ndeshkimor. Grosso modo, a mund te flitet per nje kalim nga "ndeshkimi" (i eger dhe i furishem, "i teprishem" gjithsesi, siç thuhet ne liber) te "denimi" (i racionalizuar)?

Nderkohe, verejtjet per "mbikqyrje" me duken me vend, edhe pse kam pershtypjen se, qofte edhe tekstualisht, ne mos historikisht, "disiplinat" jane makineri me e gjere, qe e perfshijne "panoptikonin". Fundja, sigurisht qe keni te drejte, perderisa jeni ne anen e autorit. E gjithe çeshtja eshte te dihet nese perkthimi (i titullit) i largohet atij apo, me keq akoma, e tjeterson ate. Thjesht kam pershtypjen qe jo.    

Mes "denimit" dhe "ndeshkimit", ne nje liber te M. F. personalisht do te kisha parapelqyer "denimin". "Ndeshkimi" ka (perfundimisht?) nje permase religjoze (te painstitucionalizuar) qe nga "Krim e ndeshkim". Eshte interesante te soditet sesi gjuha ndryshon pasi kalon permes veprave te medha letrare: fikcioni si nje fushe e dyte lojerash, fjalet qe çapëlehen te pushtojne sa me shume domene... Nejse, se e humba fillin smiley .

 

Interesante (dhe ne harmoni me tekstin e M. F. , mesa mundem te gjykoj) verejtja mbi "disiplinat", porse kam frike se ne shqip kumti i atyperatyshem i fjales eshte shume larg nga lat. "disciplina". Do te thosha qe perzgjedhja e pikerisht kesaj fjale, me vetedije pra nga perkthyesi, eshte nje gjest qe e tejkalon disa here detyrimin (ta quajme) qe ka ai (perkthyesi) ndaj nje teksti.

"Mes "denimit" dhe "ndeshkimit", ne nje liber te M. F. personalisht do te kisha parapelqyer "denimin". "Ndeshkimi" ka (perfundimisht?) nje permase religjoze (te painstitucionalizuar) qe nga "Krim e ndeshkim". "

Foucault vertet nuk eshte fetar, por eshte ama i depertuar kryekeput nga vetedija e rendesise se elementit fetar (ketu, atij te krishtere) ne strukturimin e dinamikave dhe pushteteve. Ne liber duket qarte se krishterimi, qofte ai katolik qofte ai protestant jane nje nga strumbullaret me te rendesishem te gjenealogjise se disiplinave (nga ku dhe lidhja me termin latin). Kujtojme po ashtu dhe punimet klasike (por relativshte te pabaza historikisht, me sa duket: keshtu thone sot) te Max Webberit mbi etiken protestante. Dhe para se gjithash, frymezimin niçean te Foucault, qe synon ketu nje lloj gjenealogjie te moralit ne terma historike. C'do te mbetej nga NIetzsche po te hiqnim raportin konflitual me krishterimin? 

Fundja, administrata e burgjeve quhet "administrata penitenciare", ku degjohet fort gjurma fetare ( e krishtere ?) e "pendeses". 

Por nuk me thate vertet, ashtu si dhe lexuesit e tjere "peshq", cilat do te ishin propozimet tuaja per nje variant alternativ te titullit ne shqip.  

Hem, nje cike e gjate dhe e komplikuar per ta diskutuar me dy fjale dhe nga ana tjeter vete Foucaulti i shkrete ankohej (me te drejte) kur e shihte vepren e vet te permbledhur ne disa rreshta gazetash.

Por, per shembull, a s'ju duket se harku kohor (e si rrjedhoje profili i pushtetit) ku vendoset analiza e librit seksionon vetiu ndarjen mes pushtetit te vjeter holist dhe atij te riut iluminist (te me falni per grosso-modalitetin e termave smiley ) ? 

Ne substance te fundit: a s'eshte "biopushteti" nje strukture krejt e re dhe me rezistente nga "sovraniteti permes vdekjes" dhe a s'shenon pikerisht rrenimin e formave te vjetra "te ndeshkimit" (Sy per sy e dhemb per dhemb) dhe zevendesimin e tyre me forma te reja te institucionalizuara (burgje gjithnje e me te mirembajtura, zevendesimin e tortures mbi trupin me forma te tjera me te sterholluara) ?

Te me falni per persjatjen e gjate, por me siguri nje perkthyes i filozofise kalon neper "furka" te ketilla kur ia hyn nje teksti si ai i M. F.-se. Nga ana tjeter s'kam dyshim qe edhe kenaqesia e perftuar neper kthesat e fjalive, duhet te kete qene e pazevendesueshme. Foucault eshte edhe shkrimtar shume i mire, sipas meje gjithnje.

Nuk di ne eshte e drejte te jepen propozime per nje titull alternativ, por gjithsesi personalisht do ta kisha ruajtur formen e foljes ne titull dhe ndoshta do te vendosja per "Te mbikëqyresh dhe te denosh". Fundja M. F. - se s'besoj se do t'i mbetej hatri nese do te kontribuonte disi ne naltesimin e nje forme foljore te shqipes. Shaka kjo e fundit dhe urime te sinqerta perkthyesit per botimin.

 Na falni qe po nderhyj, por "disipline" qendron edhe ne shqip me afer kuptimit te autorit se sa "mbikeqyrje." Kini parasysh se cfare eshte objekti i studimit. "Mbikeqyrje" nenkupton nje produkt te prodhuar nga dora e atij qe mbikeqyret, nderkohe qe "disipline" nenkupton qe produkti eshte vete i mbikeqyruri. Mbikeqyrja eshte ne pergjithesi ne lidhje me procesin e prodhimit, disiplina ne lidhje me procesin e formimit. Mbikeqyrja eshte Marksiane, nuk i intereson trupi, per te mos thene se eshte pasiv ndaj trupit; disiplina Foucauldiane, fokusi eshte vete trupi. Mekanizmi i disiplines eshte panoptikoni, i mbikeqyrjes eshte rripi ku mbidhet makina Ford. Ka shume elemente thelbesore te konceptit te Foucault qe nuk mund te shpjegohen me ane te mbikeqyrjes. Nder keto, me kryesori, dy trupat e mbretit, ku dhe dyfishimi i sovranit me ane te disiplines ruan funksionin origjinal qe gjendet tek "dishepulli." 

Në asnjë gjuhe tjetër nuk e gjej të përkthyer në "Disiplina... ". Edhe mua do të më interesonte të dija pse në shqip kanë zgjedhur pikërisht këtë fjalë!

Faleminderit smiley

Po e saktë. Nuk po shfletoja wiki-n në fakt, po disa faqe në gjerm. dhe italisht. Pyetjen e shkrova për t'u informuar edhe më, ndaj dhe ju falenderoj për përgjigjen.

Ne fakt te gjithe termat jane te hapura per interpretim. Sic thashe, disipline me duket se qendron me mire se mbikeqyrje. Por edhe "ndeshkim" me duket se qendron me mire se sa "denim." Denimi vjen nga "damnare," e latinishtes, jo ne sensin e mallkimit fetar, por ne sensin juridik, nderkohe qe ndeshkimi eshte term qe nuk perqendrohet tek sistemi mirefilli juridik, por tek zbatimi i denimit, dhe jane pikerisht mekanizmat e ketij zbatimi qe jane objekt studimi per Foucault. Te denon gjykata, por ndeshkimin e merr ne burg. 

Keshtu qe une jam dakord me termat "disipline" dhe "ndeshkim." Tjeter pune qe do i perdorja ne urdherore: "Disiplino dhe ndeshko." Se cka dicka (ndoshta krejt irracionale) imperativi i shqipes qe i pershtatet, per mua, idese se ketij libri.

Mundet qe "disipline" te qendroje me mire, por origjinali e ka "surveiller".

Sa per "denoj", aty duhet llogaritur edhe perdorimi i foljes ne shqip, jo thjesht etimologjia: themi "e denoi me burg" dhe jo "e ndeshkoi me burg", themi "kreu denimin" dhe jo "kreu ndeshkimin" etc.

 Po, por kryerja e denimit eshte thjesht momenti i zbatimit te drejtesise, moment abstrakt ky (ose edhe moment gramatik, po deshe), prej te cilit mekanizmi specifik i kryerjes se denimit eshte i pavarur. Ki parasysh qe institucioni i burgut, per Foucault, eshte i pavarur nga institucionet e drejtesise juridike. "It would not be true to say that the prison was born with the new codes" (Discipline and Punish, 231). Denimi eshte nocion juridik qe kodifikon borxhin qe i denuari ka ndaj shoqerise, njesoj si dhe kryerja e denimit eshte nocion juridik qe kodifikon shlyerjen e ketij borxhi. Denimi dhe kryerja e denimit i perkasin gjyqesorit, madje jo vetem aq, por edhe opinioni publik ka kodet e veta dhe mund te denoje. Mekanizmat e kryerjes se denimit, (coercive technologies of behavior) nga ana tjeter, nuk jane denuese, por ndeshkuese, dhe modeli i ketyre mekanizmave eshte pikerisht burgu. E vertete qe nuk themi "ndeshkim me burg," por themi "denim me burg," por ne kete rast burgu eshte vete ndeshkimi.

Qe nga perkthimi i titullit me shkrefet deshira per ta lexuar ne shqip; une nuk dua te lexoj interpretimin e Orgestit, i cili me siguri ka nje vizion te mire, por Foucault. Deri atehere do vazhdoj ta shijoj ne frengjisht.

"Deri atehere do vazhdoj ta shijoj ne frengjisht."

Deri kur? Me duket pak e rrepte qe, vetem nga titulli, perkthimi te deklarohet "interpretim", ne kuptimin negativ ose shmanges te fjales dhe  t'i kundervihet keshtu origjinalit. Nejse, e rendesishme eshte lexohet e "shijohet", paçka se ne ç'gjuhe e aq me mire ne orgjinal, sigurisht ("Qu'importe le flacon, pourvu qu'on ait l'ivresse&quotsmiley. Veçse, pyes veten, ju ne frengjisht "shijoni" Foucault, apo vetem titujt e librave te tij? 

Les mots et les choses, psh. ishte planifikuar fillimisht te titullohej La Prose du monde, por u pat zene nga Merleau-Ponty dhe titulli ndryshoi...   

 Veçse, pyes veten, ju ne frengjisht "shijoni" Foucault, apo vetem titujt e librave te tij? 

Ti ndoshta Foucault e perkthen por une e ligjeroj.

Orgest Azizi eshte personazh i panjohur ne boten e filozofise, biles hera e pare qe po degjoj per egzistencen e tije. Duke qene ne ate pozite une nuk kam besimin/kohen/deshiren/...qe te ve Orgestin ne poziten e interpretuesit por maksimumin ne ate te perkthyesit. Sdq, me vjen keq qe nje perkthyes limiton shijimin ne nivel sensesh.

Si perfundim, te keshilloj te besh nje hap para Les mots et les choses, psh. ne Folie et déraison. Histoire de la folie à l’âge classique, keshtu largon veten nga njohurite e pergjitheshme dhe hidhesh hopthi ne shijime ndoshta me...hyjnore?! Ah, ndoshta!

Kalofshi mire! smiley

Thuhet "ekzistencen e tij" dhe jo "egzistencen e tije"; "e pergjithshme" dhe jo "e pergjitheshme". 
Sa per te tjerat, fatkeqesisht nuk mora vesh pothuaj asgje nga "proza" e mesiperme, perveç faktit qe, siç ndodh shpesh nder shqiptare, fillon ligjerimi me "ti" dhe mbaron, beftas, me "ju". 

gjithe te mirat, po ashtu. 

Te me falesh per shqipen por periudha me e gjate qe kam studiuar ne shqip ka qene 1 muaj kur shkoja mysafire. Sdq jam e sigurte qe kuptove thelbin e asaj qe thashe; kjo u nenkuptua nga reagimi tere vrull. smiley

Kalofshi mire(ti+njerezit qe te rrethojne)! 

PS Poashtu apo po ashtu?

Une reagim tere vrull?!?! Po habitem. Nderkohe, vertet nuk e kuptova postimin lidhur me "limitimin e shijimit ne nivel sensesh" etj., e as ate punen e Folie te déraison.

Po ashtu, veç; ndersa gjithashtu, bashke.

Faleminderit ne emer te njerezve qe me rrethojne.

Turpi nuk qendron ne moskuptim por ne mospyetje.

Une s'jam afer fjalorit tim shqip tani por, nese ti je, mos perto dhe hape, keshtu me heq nje pishman ne lidhje me ate fjale.

Je i mirepritur; te kaluaren mire une e shoh shpesh si nje ndodhi ne grup, jo perhere solitare, ndaj dhe urimet i bej ne shumes.

Trop, flm per linkun edhepse e njihja. Ngaterresa ime qendron tek fakti qe gati cdo dite ne gazeta ndesh poashtu.

A literal translation of the title of the French edition of this work (Les Mots et les choses) would have given rise to confusion with two other books that have already appeared under the title Words and things. The publisher therefore agreed with the author on the alternative title The order of things, which was, in fact, M. Foucault's original preference.

shenim i botuesit ne anglisht, 1971 (ISBN 0-679-75335-4).

"Ti ndoshta Foucault e perkthen por une e ligjeroj."

smiley Eh, bota te thyen me dysh nga te qeshmet.

(ketu: ai burri qe thyen kompjuterin)

Finisterre, qe te thyesh dicka duhet te kesh cfare te thyesh. Boshlleku eshte veshtire per t'u thyer, sidomos kur shfaqet ne gjasa banaliteti.

Uroj qe t'u kthye pak nga jeta qe kishe humbur ne hierarkine e moderimit virtual te PP; pashe me keqardhje qe kishe ngjallur nje bindje te pergjitheshme qe jeta te fillonte dhe mbaronte ne veprimtarine peshkore. smiley

Po, ke te drejte, se edhe une me boshllekun po merresha. Te shkon krahu huq. Halli eshte qe po na mbyt boshlleku dhe hera-heres je i/e detyruar te merresh edhe me te.

P.s. Personalisht s'kam asnje keqardhje lidhur me ty, meqe mesa duket mundesite per t'u pajisur si qenie duhet t'i kesh patur. Si dhe qysh i ke shfrytezuar pastaj jane çeshtje vetjake.

Nje individ bosh vetem me luftimin e vetes do merret dhe ti po lufton veten! smiley Aftesite e tua jane treguar ne luften tende per hierarkine virtuale ku mbushe PP-ne me tema gazete te tipit Paloma, sesa me vlen lekura mua eshte e vertetuar tjeter kund. Kohen tende une nuk e kam ne dispozicion(çuditerisht ato pak here qe hyj ketu te gjej perhere online)por fyerjet e tua prej gruaje te thartuar fshati mund t'i kurseje. Aq me pak kur askush s'po diskutonte me ty.

Kaq ishte koha qe kishe ne dispozicion nga une, pra replika e fundit! Te uroj nje darke sa me te qete. Larg computer-it mundesisht. smiley

 Tani une them nje sugjerim per adminet :

Meqe kjo gruja qe shkruan me nickun La bozee me sa shof zihet me te gjithe ne peshk. Pune e saj, po pse nuk i hapni nje teme me vete kesaj se edhe mesojme ndonje gje se si mund raca njerezore te reagoje ne rrethana te vecante.

Ejvalla paraprakisht per marrjen ne konsidetare te mendimit smiley

Koth, kur kalon ne me te gjithe duket sikur po kerkon ndihmen e gjithesise. Pse valle, Tunxh?!Nuk beson ne aftesite e tua?! Mgjth Koth, dukesh qun i ndjeshem dhe kuptoj qe kritikat ndaj bozes tende neper tema te tjera mund te te kene tundur rrenjet. Po c'rrenje delikate qe paske pasur, te keqen!

E firmosun plot dashni dhe mirekuptim per sensibilitetin tend femeror. smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).