New York Times . Të flasësh për padukshmërinë gjithnjë e në rritje të Evropës në rrafsh global është bërë aq e rëndomtë sa të imitosh marrëzitë e Brukselit. Në fakt, të gjithë bien në një mendje se brenda disa dhjetravjeçarëve, pesha e ekonomive evropiane në botë do të bjerë me shpejtësi në më pak se gjysmën e asaj që është sot.

Për më tepër që në vitet e fundit është bërë mjaft e vështirë të shquash një vendim që ka marrë Bashkimi Evropian, për të cilin ia vlen të rrahësh shuplakat. Projekti i sotëm evropian i ngjan më shumë një programi punësimi për zanatçinjtë e shtresës së mesme të kontinentit se sa një ideal që përçon shpresë dhe energji tek njerëzit.

Paaftësia e shfaqur në gjetjen e diagnozës së duhur për të shpëtuar nga kriza ekonomike nuk është gjë tjetër veçse një simptomë e gjendjes së rënduar të problemit. Po përse vallë Evropa vuajti me lengatë dhe më gjatë pasojat e krizës financiare botërore?

Tani, kriza irlandeze dhe mundësia që ajo të shtrihet edhe në vende evropiane me ekonomi të dobët, i jep energji ndjenjës së pesimizmit. “Hamendja ime më e mirë në këto çaste- shkruan Gideon Rachman në ‘Financial Times’ – është se monedha e përbashkët ka shumë gjasa të dorëzohet, dhe ekzekutorja e saj të jetë vetë Gjermania”. Më tej ai përllogarit se kriza e kohëve të fundit dhe paketat e shpëtimit financiar do t’ia sjellin në majë të hundës Gjermanisë, që më pas ajo të ndjehet e qetë se e përmbushi detyrimin historik për të “ndërtuar Evropën”.

Përmbysja e sistemit monetar evropian do të jetë si një murlan për BE-në. Dhe që kjo është një e keqe e madhe për Evropën, kjo është mese e qartë.

Jo aq e qartë është ideja se një botë pa një Evropë të integruar e me ndikim, është një botë më e keqe për këdo. Evropa rrezaton vlera e standarde që janë sa të nevojshme aq edhe të rralla në botën e sotme. Rrënimi ekonomik e politik i kontinentit të vjetër do të zvogëlojë ndikimin e tij pozitiv tek të tjerët.

Ne i njohim fort mirë qëndrimet e Evropës kundër luftërave, trashëgiminë e saj të dy konflikteve të tmerrshme të shekullit të njëzetë. Ne e dimë edhe se sa më përçmim trajtohet pacifizmi prej atyre që ngatërrojnë mospëlqimin për luftën me dobësinë apo edhe më keq se kaq. Por, një botë që parapëlqen edhe të gabojë në përpjekje për të shmangur luftën, është më mirë se një botë ku superfuqive të ngopura e luftënxitëse as nuk u shkon ndërmend se mund të gabojnë kur vendosin t’u japin udhë “luftërave parandaluese”.

Nëse qeveritë në Azi, Afrikë apo Amerikën e Jugut nisin të dhunojnë të drejtat e njeriut, kur të merret në shqyrtim  përhumbja nga faqja e dheut e kundërshtarëve politikë dhe burgosja e gazetarëve, te cila prej tyre do të kishit më shumë besim se do të ngrinte zërin lart në bashkësinë ndërkombëtare. Te Partia Komuniste e Kinës? Te Rusia e Putinit? Apo tek Evropa?

Ndërkohë që në dhjetëvjeçarin e fundit apo edhe më shumë se ka SHBA-ja ka toleruar në mënyrë të përkorë një rishpërndarje masive të të ardhurave nga qytetarët e varfër tek ata të pasur, ndërkohë që Rusia dhe Kina kanë ngritur ne piedestal një oligarki të re që grumbullon pasuri sa s’të shkon nëpër mend, Evropa ende shfaqet si kundërshtare e pabarazisë.

Cilën do të parapëlqenit: një botë në të cilën 5% e popullsisë grumbullon 95% të pasurisë dhe pjesa tjetër mbetet e  varfër dhe e mënjanuar, apo nga një botë ku të mbizotërojë  anekënd një shtresë e mesme gjithnjë e më e fuqishme, gjithmonë e në rritje? Evropa ende përpiqet t’ia dalë mbanë ‘skenarit të dytë’.

Sistemi i ndihmës sociale është aq bujar,  saqë shumë shtete edhe për shumë kohë as nuk mund të përballojnë dot. Por, një model në të cilin miliona njerëzve u mungon kujdesi shëndetësor dhe janë të shtrënguar të jetojnë në varfëri vetëm pak muaj pasi të kenë humbur vendin e punës, të jenë në moshë të thyer apo të sëmurë, mundet që të jetë i pagëlltitshëm për një kohë të gjatë.

Programi i Evropës për të zhvilluar vendet në nevojë ka raste që nuk është edhe aq i frytshëm, por qëndrimi evropian ndaj çështjeve humanitare është i pashoq në rrafsh global. Ndërkohë që ekstremizmi fetar po kërcënon e përçan kombe kudo në botë, qasja evropiane ndaj sekularizmit dhe tolerancës ndërfetare është rrënjosur thellë, ndërkohë që mund të ishte shndërruar edhe në truallin pjellor të  luftërave fetare.

Globalizmi po përhap probleme kudo e panumërt, zgjidhja e të cilave kërkon një përgjigje të bashkërenduar nga vende të ndryshme për të punuar së bashku.

Eksperimenti për një qeverisje të përbashkët është një ambicie e madhe që nuk është parë të synohet ndonjëherë. Nëse kjo dështon, do të ishin të shumë ata që do të hiqnin dorë në çast nga ideja për t’ia dalë mbanë diçkaje të ngjashme. Të humbësh kohë për këtë gjë me vlerë në kërkim të mënyrave për të bashkërenduar vende nga më të ndryshmet, është një luks që s’mund t’ia lejojmë vetes, ndërkohë që shumë sfida globale kërkojnë veprime të vendosura dhe të menjëhershme, gjithëpalëshe e gjithëplanëshe.

Nuk ia kam idenë nëse projekti ambicioz i integrimit evropian do t’u mbijetojë pengesave të panumërta me të cilat përballet. Por di që nëse ai dështon, gjithë bota do të paguajë pasojat.

3 Komente

"Globalizmi po përhap probleme kudo e panumërt,"

Problemi i pare dhe i fundit qe ka hapur globalizimi eshte se nuk arriti te permbushet, pasi mori persiper ti bente te gjitha qytetet nje fshat te vetem. Prish shtepi e bej kasolle.

 

Kjo bote u shthur o prapesi e dreq qe ky fare postuesi paska lindur te te ndreq... psssss.  smiley

 

p.s. per mua globalizimi eshte problem ne vetvete. hera e pare ne histori.

 

Problemi qe shoh une ne te tilla analiza, psh...

Gjermania, PBB 2 800 000 miljon Dollare.

BE - popullsia: ~ 500 miljon.

Per koke: 5600 dollare amerikane.

India, PBB: 3 200 per koke.

Kina, 6 700 per koke. ne 2007, 5700$ p/k

............

Thene me gjuhe te kuptueshme nga te gjithe; sikur Evropa te pushoje se punuari, Gjermania mund ta mbaje me se miri, ne pellembe te dores (si jetojne kinezet, psh, qe zyrtarisht jane njerezit me te lumtur te planetit) qe te gjithe Evropen.

Evropa mund te mbijetoje dhe krejt e vetme... mjafton pak vullnet.

Nuk e kam pare gjekundi deri tani qe zyrtarisht Gjermanise, psh, (po dhe Frances dhe Anglise) t'u mungoje ky vullnet, apo edhe entuziazem.

Fillim shume i merzitshem i artikullit... nuk e detyrova dot veten te duronte deri ne fund te artikullit.

Mos ki merak zotrulso, se deri tani Gjermanise i jane paraqitur faturat e vogla (Greqi, Irlande). Kur ti vijne ato te mdhojat, pastaj do shihet vertet a kane apo nuk kane vullnet per ta mbajt BE-un ne kome.

Per mu i bie qe sot te jet viti 1910, se glloballizejshen na doli nji tajm mashin e papame.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).