Datëlindja: 11 janar 1991
Vendlindja: Derviçian-Gjirokastër
Vendbanimi: Minoriteti etnik grek, Albania
 “Omonia”...Kështu u pagëzua organizata e minoritetit etnik grek ato ditë janari 1991, kur sapo kishte filluar të shembej perandoria komuniste në Shqipëri, emërtim mjaft kuptimplotë i përdorur si simbol përpjekjesh nga gjyshërit e stërgjyshërit tanë. “Omonia” është simbol i unitetit, harmonisë e bashkimit. Këtë synonte edhe ajo me formimin e saj: pra, një forcë uniteti, bashkimi, harmonie i minoritetit etnik grek.
Ndaj, që në momentet e para të saj ajo u përqafua, u mbështet dhe u dashurua nga populli i minoritetit grek, i cili i besoi asaj pikërisht unitetin, bashkimin, harmoninë, e mbi këtë bazë edhe përfaqësimin politik... Qëllimi kryesor i kësaj force politike ishte të luftonte për të garantuar të drejtat e anëtarëve të minoritetit etnik grek (të sanksionuara në aktet ndërkombëtare), t’i bashkonte e t’i udhëhiqte politikisht e të kontribuonte lëvizjen për liri e demokraci të gjithë popullit shqiptar. Ishte moment historik, që rolin e opozitës së parë pluraliste që në gjithë vendin do ta luante PD-ja, në jug të vendit, në zonat me popullsi etnike greke, këtë rol koha ja besoi “Omonias”. Në zgjedhjet e para pluraliste, “Omonia” me mbështetjen masive të popullit të minoritetit do të fitonte të pesë zonat elektorale në jug të vendit, ku minoriteti etnik grek është konsistent. Minoriteti u përfaqësua në Parlamentin e parë pluralist me pesë deputetë, të cilët fituan përballë kandidatëve të PPSH-së e të levave të saj. Megjithatë, opozicioni i saj dhe përballja e hapur antikomuniste e karakterizoi atë si forcë të djathtë, paçka se ky pozicion ideologjik i imponuar nga koha nuk do të synonte hapjen e një cikli të ri të luftës klasore në radhët e minoritetit, as
përjashtimin nga kjo lëvizje të atyre që e kontestuan atë që në kohën e krijimit të saj. ‘Omonia’ i ftoi të gjithë të hynin e të bëheshin pjesë përbërëse e saj, por pa u rezervuar atyre vendin në krye të odës.

‘Omonia’, në emër të drejtësisë sociale e politike, kishte si detyrim moral të përkrahte në veçanti shtresat që sistemi komunist i fshikulloi, i denigroi dhe i izoloi. Dhe, këtë pozicion ideologjik fillestar të ‘Omonias’ e mbështeti populli i minoritetit grek si pjesë e popullsisë, që u diskriminua, u shtyp, u përdor, u masakrua e u censurua më shumë se pjesa tjetër e popullsisë e se çdo individ në Shqipëri nga regjimi monstruoz i kohës, paçka se çfarë shkruhet e thuhet nga njerëz që e njohin pak realitetin e tij.

Pa mbushur akoma vitin, kësaj organizate politike i hiqet me ligj e drejta në Parlament e të qenit subjekt elektoral. Në pamundësi të plotë për ta shndërruar ‘Omonian’ në parti etnike (nuk e lejonte Kushtetuta e kohës), minoriteti etnik grek, me iniciativën e drejtuesve të ‘Omonias’ u organizua në një parti të quajtur PBDNJ, pa zhvleftësuar politikisht ‘Omonian’, por duke funksionuar bashkërisht si rrathë koncentrikë. Në qendër do të ishte ‘Omonia’, pra minoriteti etnik grek, dhe në radhët që do të shtoheshin gjithë të tjerët, minoritete të ndryshme, simpatizantë e dashamirës, kriptogrekë etj. Roli i ‘Omonias’ do të ishte vendimtar dhe garanci për funksionimin normal të dy subjekteve. Pakti i hartuar dhe miratuar prej të dyja subjekteve politike përcaktonte që vendimet e ‘Omonias’ do të ishin të detyruara për partinë e re.

‘Omonia’, nën siglën e re fitoi në zgjedhjet e marsit 1992 në dy zonat elektorale të Dropullit në Gjirokastër e të Vurgut në Sarandë, me një parti të krijuar vetëm dy muaj më parë. Në zgjedhjet lokale, po me siglën e PBDNJ-së, ‘Omonia’ do të triumfonte, duke fituar të tre këshillat e rretheve Gjirokastër, Sarandë, Delvinë, Bashkinë Sarandë si dhe të gjitha komunat me popullsi greke në këto tri rrethe. Paçka se pakti ‘Omonia’-PBDNJ funksiononte, ‘Omonia’ me kalimin e viteve nuk mund të ndiqte në mënyrë permanente, nga Saranda apo Gjirokastra, zhvillimet politike në Tiranë, ku kishte strehën politike PBDNJ-ja.

Kjo parti po shtrihej në gjithë Shqipërinë dhe po afirmohej anembanë vendit. Pikërisht në këtë kohë filluan dhe shenjat e para të xhelozisë si dhe lindën mendimet e para se partia mund të funksiononte pa qenë krejt e nevojshme të përkrahte çdo vendimmarrje të ‘Omonias’. Paralelisht me këtë fakt, ‘Omonia’ do të bënte përpjekje për të forcuar pozitat e saj në pjesën e minoritetit grek të emigruar në Greqi dhe me shoqatat e tyre. Arriti të fitonte mbështetjen totale të qeverive greke dhe institucioneve të Greqisë. Siguroi pas shumë përpjekjesh lëvizjen e lirë në Greqi pa viza, trajtimin e pensionistëve me pensione, trajtimin e të burgosurve politikë, shanse punësimi të barabarta të minoritarëve grekë me shtetasit grekë, shkollimi preferencial, investime në komunat e drejtuara prej ‘Omonias’ si dhe një njohje të saj në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare. 
Megjithëse pritej që me këtë
rol dhe këto kontribute të realizuara prej saj në favor të interesave të minoritetit etnik grek mbështetja e saj elektorale të vinte në rritje, po ndodhte e kundërta. E derisa ky fenomen po ndodhte, drejtuesit e dy subjekteve politike, e sidomos ata të PBDNJ-së, në vend që të bënin analizën e shkaqeve për tkurrjen e elektoratit strategjik, u munduan ta kompensojnë këtë humbje me elektorat konjuktural nga zonat jashtë dhe tej minoritetit grek.

Fatkeqësisht, kjo gjë përforcoi mendimin në PBDNJ se, ajo mund të bënte edhe pa ‘Omonian’ tashmë. Rrjedhjet në elektorat që pësuan ‘Omonia’ e PBDNJ në Jug i shfrytëzoi Partia Socialiste, me një politikë të qartë që synonte dobësimin e monopolit të përfaqësimit politik të minoritetit. Në vitet 1998, pakti funksional midis ‘Omonias’ dhe PBDNJ-së u shndërrua në një pakt personal të dy drejtuesve të ‘Omonia’-PBDNJ për ndarje karrigesh. Tani e tutje, organizata e ‘Omonias’ do të ndërtohej në metrin e atyre që qëllim në vetvete nuk do të kishin shqetësimet dhe privacionet e minoritetit, por pushtetin personal politik të drejtuesve të saj. Këtë pushtet ata do ta përdornin për të zbatuar e imponuar modelin e tyre të drejtimit e të funksionimit. ‘Omonia’ ndërpreu dialogun, duke mos funksionuar në mënyrë statutore, u shkëput nga masa e popullit dhe e elektoratit të saj, vendin e
kolegjialitetit e zuri arbitrariteti i ‘njëshit’ dhe çdo gjë e ngritur në këtë ngrehinë politike me emrin e bukur ‘Omonia’ po shkatërrohej me një zell të admiruar. Pas vitit 2002, sinoptika për ‘Omonian’ do të bëhej edhe më e errët. Ajo do të pësonte fiaskon më të madhe politike të të gjithë kohërave: do njësohej me PBDNJ-në. Tani jo vendimet e ‘Omonias’ do të zbatoheshin prej PBDNJ-së, por e kundërta. Vendimet e PBDNJ-së do i diktoheshin ‘Omonias’ dhe drejtuesve të saj të emëruar prej partisë. Ishte koha kur vetë kreu i ‘Omonis’ kaloi në krye të PBDNJ-së. ‘Omonia’ tashmë ishte një seksion i PBDNJ-së në jug të vendit.

Anëtarë të ‘Omonias’ quheshin vetëm ata që votonin për PBDNJ-në. Në këto kohë u bënë përpjekje serioze nga brenda dhe nga jashtë organizatës për ta hapur, për ta bërë mbipartiake, për të futur në gjirin e vet edhe të majtët, edhe të djathtët, si dhe për të rikthyer armatën e omonitëve të zbuar, të përjashtuar, të ofenduar e të lënduar nga drejtimi allazonik i kreut të PBDNJ-së. Pas vitit 2000 ishte momenti më oportun që këto dy subjekte të njësoheshin, ku ose ‘Omonia’ do të ngrihej në nivel partie, ose vetë PBDNJ-ja do të shndërrohej në parti etnike. Ishte koha kur Kushtetuta nuk e pengonte këtë zhvillim. Ideja dhe platforma e shndërrimit të PBDNJ-së në parti etnike u hodh në tavolinën e këtyre subjekteve në janar të 2009, por u kundërshtua haptazi nga figura qendrore të PBDNJ-së, që grekë bëhen sa herë shkojnë me pushime në Greqi.

Çuditërisht, nuk ndodhi ajo që pritej. ‘Omonia’ nuk ishte më një organizëm i gjallë dhe funksional. Ajo u mbyll më tepër në vetvete dhe në panik e sipër për zhvillimet politike që ndodhën në minoritet, filloi një masë të re përjashtimesh. Këtë herë, me diktimin e kryetarit të PBDNJ-së largohen të zgjedhurit lokalë të ‘Omonias’ dhe emërohen besnikët e vijës së PARTISË. ‘Omonia’ u privatizua. Humbi pavarësinë dhe dinjitetin e vet.

‘Omonia’ e privatizuar tashmë prej PBDNJ-së, këtej e tutje do të funksiononte në interes të kësaj partie. ‘Omonia’ humbi tërësisht pavarësinë dhe autoritetin mbi minoritetin etnik grek në prag të zgjedhjeve të qershorit 2009, ku ajo mori vendimin që PBDNJ-ja të zbriste e vetme në zgjedhje, dhe jo në koalicione me partitë e tjera. PBDNJ-ja e shpërfilli këtë vendim të ‘Omonias’ dhe më pas ja imponoi dhe ‘Omonias’. Në këtë mënyrë, PBDNJ-ja bëri paktin më të turpshëm, duke ju kundërvënë hapur interesave të minoritetit, e cila çoi në përçarjen më të madhe në gjirin e minoritetit, duke e vënë kështu edhe ‘Omonian’ në një pozicion diskrit. ‘Omonia’ në këto zgjedhje doli e treta forcë politike në shtëpinë e vet.

‘Omonia’ 20-vjeçare rezulton sot me një sërë paradoksesh.

Paradoksi i parë lidhet me faktin që në vend që drejtuesit e ‘Omonias’ të jenë të shqetësuar dhe të preokupuar për unitetin dhe bashkimin e të gjithë anëtarëve të minoritetit etnik grek, këtë shqetësim e ka baza e anëtarëve.

Paradoksi i dytë është që ndonëse shumica e KPD-së së ‘Omonias’ u shpreh për shndërrimin e ‘Omonias’ në parti etnike, pakica vendosi ta mbajëp si levë të PBDNJ-së.

Paradoksi i tretë qëndron në faktin se, organizatat mbi baza etnike janë për të gjithë anëtarët e një komuniteti etnik, ndërsa ‘Omonia’ bën përjashtim në këtë rast, sepse ajo nuk pranon të gjithë anëtarët e komunitetit të saj. Si mund të quhen vallë anëtarët që nuk pranohen? Antigrekë?! Grekë të pabindur?! Greko maskara?! Apo jo grekë?!

Paradoksi i katërt qëndron te marrëveshja elektorale PBDNJ-PS; kjo për faktin se persona nga minoriteti etnik grek, të cilët ishin kundërshtarë të ‘Omonias’ dhe të aderuar në PS, sot janë vënë në krye të seksioneve të ‘Omonias’ dhe mbrojtës të flaktë të saj. PS-në e kanë në zemër dhe ‘Omonian’ në stomak.

‘Omonia’ sot vërtetë kalon momentet e saj më të vështira, por jo pa shpresë. Asnjë nuk mund të kontestojë sot arritjet e saj, por ka të drejtë të pretendojë për rolin e saj të vërtetë që duhet të luajë.

Asnjë minoritar nuk mund të justifikohet sot për votën e tij të munguar ose të padhënë asaj. Sepse, ajo me simbolikën e saj, për aq sa e lanë, u karakterizua nga përpjekjet e vazhdueshme për mbrojtjen e të drejtave të minoritetit etnik grek, të drejta të cilat i gëzojnë të gjithë pa dallim; edhe ata që e mbështetën, edhe ata që e luftuan.

Ajo sot duhet të ketë një dimension të ri politik, duhet të jetë e aftë të përfaqësojë minoritetin grek në të gjitha shkallët e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ, se omonitët e vërtetë e duan atë si në janar të vitit 1991, si simbol të bashkimit, unitetit dhe harmonisë.

Autori: Ish-deputet i “Omonias”

2 Komente

Autori: Ish-deputet i “Omonias”

I rene nga fiku dhe sot kerkon te hipe prape ne maje te fikut

Omonia dhe PDNj jane konfiguracion i spektirit politik grek nga ku dhe mbeshteten  e financohen. Te tjerat qe thote ky i reni nga fiku jane p...rdhe me rigon

 

  • shini ore shini se u be deti kos.si e lejon lubonja te organizohen  mbi baza kombetare  keta 'maskarenjte',apo kritikat per nacionalizmin jane vetem per shqiptaret.Po 'integrimin' ku e lane ,perse greket(bie llaf,i se me shume votues te pbdnj-shit jane arixhinj dhe greke' laboratori') nuk duhet ti nenshtrohen integrimit shqiptar?

ps. salen dhe fatosin le ti shpallin kryetare nderi te omonias  qe bashke me bollanon  te bejne nje 'trio' te bukur shqiptare qe lufton per te drejtat e grekve

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).