- Në përkujtim të 17 Janarit të 1968

Prenkë Jakova është kompozitori i Operas së Parë Shqiptare në historinë e muzikës sonë. Edhe të tjerë kompozitorë ka patur para dhe mbas ndarjes së tij nga jeta, kanë qenë të shquar dhe të till mbeten edhe sot Zadeja, Daija, Harapi, Kono, Zoraqi, Gaci, Gjoka, Mula, Kapidani. Muzikologët shqiptarë, historianë të muzikës, kritikët, duhet ti kushtojnë një hapsirë të gjërë studimit të veprave të tyre duke i bërë edhe vlersimet e drejta e të denja për kontributin që ata dhanë në pasurimin e historisë së muzikës shqiptare.

Disa kompozitorë të periudhës para çlirimit, si At Martin Gjoka, kanë kompozuar vepra me shumë vlerë por performanca e tyre para audiencave në praktikë ishte diçka krejtësisht e pamundur. Nuk ishte faji i audiencave që ato të mos pëlqenin krijimet e tyre, që ato të mos shfaqeshin në skenat e koncerteve. Se në periudhën kur lulëzonte realizmi socialist, doktrina bazë orientuese në artet, ishte vërtetë e pamundur një gjë e tillë kur çdo gjë kontrollohej dhe për çdo " të parregullt" jashtë normave të "realizmit socialist" do ti kushtonte rëndë një autori kompozitor apo interpretues, duke e paguar me çmimin më të shtrenjtë. Një gjë e tillë ndodhi edhe në periudhën Staliniste të Sovjetëve në rastin e Operas "Ledi Makbeth e Mcenskut" e Dimitri Shostakoviç i cili u kritikua ashpër nga rregjimi për "muzikë të degjeneruar", "tendenca moderniste", "mos mbështetje të realizmit socialist" dhe "formalizëm të pandreqshëm." Opera u hoq prej repertorit standard me 28 Janar 1936 dhe u shfaq vetëm me 1963 mbasi u revizionua nën titullin e ri, Katerina Ismaillova. Ledi Makbeth e Mcenskut nuk ishte "Skenderbeu", ajo bile u çfaq me sukses në boten Perendimore. Nëqoftëse Shostakoviç mbas kritikave të ashpra u detyrua të tërhiqej nga skena për tu marrë me simfonitë dhe kuartetet, Prenkë Jakova nuk mundë ta bënte një gjë të tillë, ishte krejtësisht e pamundur në atë situatë, për ta ndërmarrë një hap të tillë me pasoja të rënda për jetën e tij. Ndryshe prej të gjithë kolegëve tjerë, Prenkë Jakova ishte i veçantë se ai e vuajti më shumë se të tjerët rregjimin. Në këto kushte çfarë duhej të bënte ai?? Cila do të ishte alternativa e tij ? - Ai nuk e la për asnjë moment muzikën, pianon mbi të cilën kompozonte me talentin, pasionin, ditë e natë.

Mirëpo, ndokush mundë të thoshte se ky kompozitor punoi në komunizëm dhe punoi për atë regjim. Mendoj se është një gabim po të gjykojmë në këtë mënyrë sepse të gjithë kemi punuar në atë regjim dhe për atë regjim. Prenkë Jakova punoi intensivisht më shumë se çdo kompozitor tjetër, e në saj të talentit, pasionit dhe vullnetit të tij, fitoi një popullaritet të madh jo vetëm në Shkodrën e vet por edhe në të gjithë Shqipërinë. Në ditët e tija ai ishte vërtetë fenomenal në kushtet në të cilat punoi. Opera e Parë Shqiptare "Mrika" e vërtetoi këtë fakt, jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë tij. Superioriteti orkestral me një intelekt të thellë dhe në brendësi të krijimeve kryesore të tij ana psikologjike, janë të manifestuara në muzikë dramën e tij, nga ana tjetër ato krijime dallohen për melodi, arie të bukura me veprime të përsosura skenike. Mirëpo, çfarë u bë këto 40 vjet që prej ndarjes nga jeta e kompozitorit Jakova. Çfarë u kompozua në fushën e simfonisë, muzikës instrumentale. A nuk shihet një farë rrudhje të krijimtarisë të paktën këto 20 vjet kur nuk ekziston ai represioni artistik i dikurshëm! Jo vetëm kaq, por vërehet një farë harrese edhe për të gjithë ata kompozitorë dhe interpretues që krijuan dhe pasuruan historinë e muzikës shqiptare. Nëqoftëse Shkodra bëri shumë për ta nderuar Artistin e saj "Nderi i Kombit", këtë gjë duhet ta bëjnë edhe të tjerët. Por a është normale që Opera "Skënderbeu" e Prenkë Jakovës nuk vihet në skenen e TOB Tiranë të pakten këto 20 vjet. Kjo Opera iu dedikua Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeu. Çfarë i thonë kësaj, neglizhencë apo mospërfillje ndaj Autorit dhe Heroit Kombëtar! Opera Skënderbeu nuk bënte pjesë në repertorin standard të TOB. Unë mendoj se kjo Opera është një krijim madhështor i Prenkë Jakovës mbas "Mrikës" të 1958, dhe duhet programuar për tu shfaqur të pakten me rastin e ndonjë përvjetori të kompozitorit ose me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, gjithnjë sipas origjinalit të kompletuar, pa asnjë revizionim e shkurtim që iu bë atë kohë. 

Muzika e Prenkë Jakovës tingllon me gjithë pasion dhe inteligjencë, e bazuar mbi një teknikë kompozimi madhështore të asaj Opere për konceptin modern të së cilës duhet të kemi respekt. Me një zë të fuqishëm, ekspresiv dhe stilin e tij personal, Prenka i dha popullit dhe vendit të tij një vepër të madhe me të cilen i tregoi të gjithëve se çfarë mundë të bëhet me muziken dhe kengëtarët. Një trajtim muzikor i ngjarjes rreth historisë së Heroit Kombëtar nuk ishte i lehtë dhe ndryshonte shumë nga opera e parë Mrika ngaqë kërkonte një mjeshtri të lartë. Orkestracioni i tij ishte i padiskutueshëm. Në Operan Skënderbeu vërejmë intonacione epiko-heroike në krahasim me Mrikën ku dominon një lirizëm i theksuar. Muzika e Skënderbeut ka një gjuhë mjaft elokuente dhe të kuptueshme me ariet, duetet e koralet. Koralet e "Skënderbeut" janë kompozuar me shumë mjeshtri nga Prenkë Jakova përveç psikologjisë së personazheve, ai gjithëmonë ruajti mirë balancen e domosdoshme midis melodisë dhe harmonisë, zhvillimit të muzikës dhe veprimeve skenike.Opera Skënderbeu mbetet një vepër madhështore jo vetëm për nga muzika e pasur por edhe orkestracioni i përsosur, për nga rolet, personazhet dhe karakteri i saj madhështor.Kjo Opera duhet të bëhet një spektakël publik dhe në këtë mënyrë TOB Tiranë duhet ta realizojë. Mbas vitit 1958, kur u shfaq opera e parë Mrika, kjo gjini muzikore vazhdoi të okupojë kohen më të madhe të kompozitorit Prenkë Jakova dhe arriti të kompletojë kështu të gjithë Operan Skënderbeu në një gjuhë "elegante", të re dhe origjinale, me një zhvillim logjik të gjithë karaktereve esenca e të cilëve ishte ndoshta më e rëndësishme. Çdo gjë në atë Opera është origjinale dhe me vizionet e gjeniut shqiptar. Ai e ndërtoi muzikën mbi një libret të bukur të shkrimtarit Llazar Siliqi, libret i cili inspiroi kompozitorin drejtë klimakseve të bukura të Operas Skënderbeu. Opera përfundoi dhe Prenka nuk ishte më ai Prenka i Mrikës të vitit 1958, por ai ishte tashmë një kompozitor i madh e i famshëm i Shqipërisë, një "oracolo della musica". Kompozitori Tonin Harapi në biseda që bënim, se ai ishte shumë i hapur me mua, më pat thënë: "Prenka i ka kushtuar shumë vëmendje emocioneve, karaktereve të personazheve sepse ai i admironte aqë shumë". Punoi ditë e natë mbi piano, përballoi çdo gjë, ishte i fortë fizikisht dhe asnjë koleg i tij nuk punoi kaq intensivisht sa ai, asnjeri. Opera u shfaq me 17 Janar 1968 por jo i gjithë origjinali sepse, për arsye që tashmë dihen, iu bënë shkurtime e revizionime me tendencë, një persekutim ndaj autorit. 

Rishfaqja e kësaj opere në një performancë të Re duhet të bëhet patjetër sipas origjinalit të kompozitorit në mënyrë që publiku shqiptar, admiruesit e operas, të njihen më mirë me figurën e Heroit Kombëtar Skënderbeu, Heroit të Jakovës dhe të Siliqit, pasioni dhe talenti i të cilëve bëri të mundur një realizim madhështor në Historinë e Artit Muzikor Shqiptar. Përveç kësaj, origjinali do të kishte efekt më të fuqishëm dhe dramatik gjatë zhvillimit të operas Skënderbeu.Të mos harrojmë që deri në vitin 1968 pamë dy Operat Shqiptare ndërsa mbas 40 vitesh nuk kemi, as Simfoni, as piano, çelo, violinë, flaut, oboe koncert kur këto 20 vjetët jo vetëm që nuk ka represion artistik por sot nuk mungon asgjë, as leteratura, as disko e videografia e nevojshme për të mësuar më tej e për tu kualifikuar. Çdo gjë mundë të thuhet por askush nuk mundë ta besoj, mungon vetëm vullneti e dëshira për të mësuar, për të krijuar, për ta pasuruar atë Histori të Muzikës që na la brezi më i mirë, brezi i lavdishëm. Një figurë e personalitet si Skënderbeu që e shohim në Operan e Jakovës, rrallë kush e ka. Unë nuk jam kundër performancave të Operave Rigoletto, Aida, Carmen, Faust, Turandot, Traviata, Tosca të cilat sot i shoh me pasion, por Opera Skënderbeu duhet ta ketë vendin e saj në çdo repertor sezonal dhe nuk ka të drejtë askush ta lerë mënjanë siç u la deri më sot. Edhe kjo Opera i ka admiruesit e saj ashtu siç i ka Boris Godunov që shfaqet rregullisht në çdo sezon te Metropolitan Operas Nju Jork. "Skenderbeu " ishte një triumf i Prenkë Jakovës në muzikë, ishte një triumf mbi testin e regjimit dhe mbi doktrinën Artistike të Realizmit Socialist.

 

1 Komente

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).