Gati një vit më parë u hap këtu afër një ekspozitë arti e titulluar, “Botë të Magjishme, Arti i Përrallave të Zanave e Sirenave”.   Nga titulli ekspozita tingëllonte si diçka më e përshtatshme për fëmijë sesa për një të rritur, por një punë nga David Hockney mjaftoi për të ma mbushur mendjen të marr trenin e të udhëtoj gati nja dy orë.

Së paku fëmijët u kënaqën duke parë ilustrimet e personazheve të dashur të përrallave, mes tyre,  kësulëkuqja, e bukura dhe bisha, sirena e vogël, për të përmendur vetëm disa. Hockney kishte vetëm një skicë me bojë-kine nga cikli i tij i përrallave, dhe ajo e pamjaftueshme me ngi hapësirën e madhe të një galerie të vjetër.

Kështu, isha gati për të dalë jashtë kur me doli përpara një skulpture e veçantë e Rumpelstiltskinit nga një artist i ri i quajtur David Metaxas. Si edhe në përrallë, Rumpelstiltskini ishte duke tjerr kashtën për ta shenduar më pas në fije ari.  Me një tjerrëse të ndryshkur që e theksonte ende më tepër pamjen e tij  kërcënuese, ai transmetonte edhe ashtu i ngulitur siç ishte, zhdërvjelltësinë e një dreqi. 

Rumpelstiltskini  nga David Metaxas 

Emri i personazhit është pothuajse i pashqiptueshëm dhe sigurisht do të ketë kërkuar mjeshtëri  për tu përshtatur në shqip. Vëllezërit Grimm e ritregojnë përrallën duke përdorur  emrin e vjetër origjinal sepse në gjermanisht emri ka një kuptim te veçantë. Rumpelstiltskin nënkupton “një shpirt të keq”, dhe këtu fillon analogjia ime me një personazh tjetër shumë të ngjashëm.

Sipas përrallës, Rumpelstiltskini  ndihmon vajzën e mullixhiut që ta kthejë  kashtën në ar. Ajo ndihet e detyruar nga pangopësia e Mbretit dhe mendjelehtësia e te atit  që të shtiret se me gjithë mend mund ta kryejë këtë akt alkimie. Në  dëshpërim të thellë ajo i kthehet për ndihmë Rumpelstiltskinit, i cili si shpërblim i kërkon foshnjën e parë kur ajo të bëhet princeshë. E frikësuar për jetën vajza pranon këtë marrëveshje. Ndërkohë Mreti i kënaqur me arin e grumbulluar e kishte shumë të thjeshtë ta martonte vajzën me djalin e tij. Princesha e re harron fare premtimin e dhënë Rumpelstiltskinit  dhe jeton e lumtur, deri kur ai shfaqet papritmas në çastin e lindjes dhe kërkon shpërblimin që i takon. Vajza e tmerruar i premton pasuri pafund vetëm e vetëm që të mos t’ia marri fëmijën, por Rumpelstiltskini i përgjigjet se një krijesë e gjallë ishte shumë më e vlefshme për të se sa të gjithë pasuritë në botë. Por sikundër edhe në përrallat e tjera edhe kjo përrallë e errët ka një fund të lumtur.  E mira fiton mbi të keqen, Rumpelstiltskini zhduket nga faqja e dheut.

Vëllezërit Grimm, Hockney dhe Metaxas kanë vetëm një lidhje virtuale me fabulën, e do ish interesant nëse krijimet e tyre do ishin ndryshe sikur ata të kishin hasur në një Rumpelstiltskini të vërtetë. 

Po ata nëmur ekzistojnë edhe jashtë fabule. 

 

rockingham gallery - david hockney - grimms fairy tales - original etching and aquatint - gold - 1969

Ari, Serigrafia e bazuar në fabul nga David Hockney 

Për çudi Rumpelstiltskini ngjason shumë me një njeri nga e kaluara e afërt. Edhe ky person i përket përsëri një bote tjetër përrallash, e në të njëjtën kohë më i vërtetë se vetë përralla. Sikurse vija e palosjes në mes të dy figurave simetrike, dhe ngjasia i lidh këto dy njerëz në një bashkim të përkryer. Në rrotullimin e pafund të fatit e të roleve duket sikur Rumpelstiltskinit i ra rasti më në fund të jetojë  nën lëkuren e një shqiptari, duke na  mishëruar ne të vobektëve praninë e tashme të këtij shejtani.

E vetmja gjë që mund ti ndajë të dy figurat është gjinia, por edhe ajo diçka e paqartë, është më e lehtë nëse dy personazhet përfytyrohen si aseksualë!

Personazhi im si dhe Rumpelstiltskini ka një emër të pazakontë; e quajnë Kaliopi,  apo Calliope që në greqisht që do të thotë “Zë i Bukur”. Ironia nuk mund të ishte më e madhe, zëri i Kaliopit ishte rrëqethës. Në mitologji ajo është vajza e Zeusit dhe Zana frymëzuese e Homerit për Iliadën dhe Odisean. Kurse në Rrugën e Durrësit Kaliopi ishte njeriu më i frikshëm i krahut perëndimor të rrugës. Influenca të madhe e kësaj zonje shtrihej tej e përtej. Disa e përcaktonin ketë ndikim të zgjatur  në një hartë urbane deri tek “Rruga e Kavajes”;  një shqetësim i veçantë për mua ku shtëpia e nëndajës në mes të gjelbërimit ishte vendi më i mirë për t’u fshehur nga bota e të rriturve.

Nuk me kujtohet titulli zyrtar i Kaliopit, (në fakt askush nuk përkujdesej shumë për titujt sesa për dëmin që ata mund të shkaktonin). Në atë kohë njeriu tërhiqet nga të tjera sende shumëngjyrëshe, megjithëse më vjen keq që sensi i perspektivës në kohë dhe në vizion i një të rrituri mungonte atëherë.  Dikush duhet ti kushtonte më shumë vëmendje këtij personazhi kaq interesant. 

Fole e hapur, vaj nga village-bey 2010

Kaliopi ishte fizikisht e deformuar nga një gungë në kurriz. Nuk ka asgjë qesharake në deformimin fizik të njeriut, përkundrazi. Megjithatë shëmtimi i Kaliopit si edhe i Rumpelstiltskinit nuk kufizohej vetëm tek fizikja. Sikurse në  kulturën e Evropës mesjetare, shëmtia trupore edhe në këtë rast simbolizonte diçka thellësisht të padenjë edhe për shpirtin.

Kur puqeshe me të për herë të parë, në fillim duhej ti vije rrotull një çudie. Si ishte e mundur që kjo lloj krijese e vogël e që teknikisht mund të klasifikohej si një xhuxhe, e vjetër, gërmuqe, dhe e veshur si burrë, mund të ngjallte kaq shumë shqetësim e frikë tek gjithë ata njerëz. Sekreti i paradoksit të Kaliopit qëndronte pikërisht në kontrastin e madh ndërmjet brishtësisë fizike të këtij njeriu dhe fuqisë të pamasë që ajo kishte në dorë.  Si edhe Calliope në mitologji edhe Kaliopi jone ishte e veshur me atribute hyjnore. Ajo ishte e gjithëfuqishme, përnjëmend bija e një Zeusi të ri hakmarrës dhe gjakatar.

Kjo dhunti shumëfishohej disa herë më shumë nga prania e kudondodhur e saj. Ishte sikur ky individ mbinte nga toka e mund të paraqitej në çdo moment e në çdo situatë, duke përgjithësuar dhe personalizuar kështu praninë e gjithanshme të shtypjes. Lojë me komça, kopaca, zara, kanoçe, pëllumba, gardelina, karbit, apo gjithfarësoj  loje tjetër pa frymë revolucionare ishte e ndaluar. Gjëja më e arsyeshme që mund të bëje kur e pashmangshmja Kaliopi të shfaqej përballë ishte t’ia mbathje me rrëmbim. Në femëri njeriu udhëhiqet nga instinktet dhe kështu shumica e fëmijëve shpërndaheshin në drejtime të ndryshme kur afrohej Kaliopi, unë vrapoja drejt Rrugës së Kavajës.

Jam i sigurte që ekziston një formulë që rregullon lëvizjen e njerëzve në kësisoj kohësh, e vlefshme edhe për situatave të ngjashme njerëzore. 

Hapësirat publike transformoheshin e spostoheshin sipas forcës e trysnisë së shtypjes. Në kundërshti të hapur me rrjedhën natyrore të gjerave, në Shqipërinë e saj kohe hapësira publike  shpërqendrohesh me një forcë centrifugale  drejt lartësisë ose nëntokës apo shpërndahesh drejt periferisë. Sa më shumë afroheshe drejt qendrës aq më shumë e dendësuar bëhej propaganda, ku flamuj të kuq e filma të prozhektuar dominonin. Njerëz të thjeshte të detyruar për të evituar këtë përqendrim duhet të krijon hapësirën e tyre të vogël. Disa syresh luanin bixhoz në oborre shkollash edhe përgjatë natës me çakmak, çiftet takoheshin në errësirë, hajdutët ndanin paret te Fusha e Druve, rock&rollistat bënin muzikë nëpër bodrumet e qytetit,  prindërit tanë rregullonin në fshehtësi antenat në tarraca pallatesh, ndërsa ne shkonim drejt fushës së aviacionit.

Për ti shpëtuar ndëshkimit të Kaliopit ne niseshim për te fusha e vjetër e postës, vendi më i hapur në Tiranën e asaj kohe me një përmasë hapësire dhe lirie të pa-përjetuar më parë.  Fusha hapej për nga perëndimi drejt detit e ne i kthenim shpinën Kaliopit dhe mbingarkesës së saj helmuese. Ngrefshim trapet për gardalina e dhjamça.

Ndërkohë e dinim se në mungesë Kaliopi përrallonte si përherë për luftën, ku ajo shpallte me krenari se kishte qenë diçka me rëndësi. Përsëri detajet janë të zbehura, megjithatë nuk mund të fajësohet askush nëse mendon se ajo kishte qenë e ngarkuar me detyra që kërkonin të mbyllje një sy e një vesh, o mbase të dy. Të krijohej përshtypja se ajo kohë kishte lenë një gjurmë të thellë në të, aq te thellë sa  ekzistenca e saj nuk mund të justifikohej dot pa luftë.  Si edhe shumë të tjerë, kuptimi i jetës së Kaliopit e ka zanafillën e vet në vrasjet e para. Gjithçka para tyre e pavlere, gjithçka pas tyre e paracaktuar nga natyra e atyre vrasjeve të para.  

Amplifikimi letrar i Kadaresë  në librin e tij ‘Pasardhësi’, shpjegon me mjeshtri metamorfozën që ndodhi me këta njerëz në male. Si shumë herë më parë në kujtesën e përbashkët çdo ndryshim ka si zanafillë sakrificën njerëzore.  Paragrafi i Kadaresë të duket si një nga ata hapat logjike kaq të gjithë-pranishëm e të thjeshtë po asnjëherë të cilësuar më parë. Shenja e një artisti të madh qëndron në aftësinë që vetëm disa kanë në transmetimin e të vërtetave që ne të tjerët i kemi para syve por jemi të pamundur për ti shquar. 

Ai përdor një bashkëbisedim fiktiv mes djalit dhe vajzës së kryeministrit Shehu, (kur ky i fundit sapo kishte kryer vetëvrasje),  si për të na tërhequr drejt kësaj lidhje të mistershme që i bënte këta njerëz të shpërfillnin vuajtjet njerëzore.


“ Natyra e kësaj lidhjeje ishte shumë e pakuptueshme. Në kundërshti me aleancat fetare, ajo ishte në konkurrence me lidhjet e fisit dhe të familjes, sepse edhe në të kishte gjithashtu një lidhje gjaku – por të një forme tjetër. Ajo nuk kishte për bazë gjakun e brendshëm, gjakun në venat e tua, të  njëjtin gjak i familjes që sipas gjenetikës shkon mbrapa njëmijë vjet, po një lloj tjetër gjaku, gjakun e jashtëm. Domethënë, lidhja bazohesh në gjakun e të tjerëve, gjakun që ata si të dehur kishin derdhur në emër të Doktrinës.”

(versioni mund të ndryshojë nga origjinali në shqip sepse pasazhi është marrë dhe përkthyer nga anglishtja).

Kopertina e librit “Pasardhësi” nga Kadare 

Si dhe Shehu edhe Kaliopi ishte më se e vetëdijshme për këtë lidhje të gjakut të jashtëm. Në rast festash ajo mbulohej me dekorata alumini dhe bakri e kthehej kështu në një shpend qesharak që fryhet për të kërkuar te zogj të tjerë të një soji.

Në një lidhje të ngjashme dramaturgu rus Mikhail Bulgakov e shihte të nevojshme të vendoste në qendër të dramës së tij “Zemra e një Qeni”, një qenie tjetër përtej njerëzores.  Mbase për efekt dramatik, e mbase për t’iu shmangur pa sukses censurës ai mundohet te krijoje një devijim nga shqetësimi i vërtetë i dramës. Megjithatë  krijesa e mjekut Philip Philiphovic që evoluon  nga një qen me organe të transplantuara njeriu në një njeri me kapacitetin mendor të një qeni, fsheh ne vetvete diçka thelbësore nga përralla Rumpelstiltskinit. Bulkhagov na paralajmëron nëpërmjet mjekut Philiphovic, se ky lloj krijimi, është shumë herë më i rrezikshëm sesa qesharak.

E në të vërtetë nënvlerësimi i Kaliopit ishte gjeja e fundit që një njeri me mend mund të bënte. Në arrestime, internime apo bastisje vendi i saj i nderit si përfaqësuese e lokalitetit ruhej me fanatizëm. Në prani të saj duhet të gjeje gjuhën e duhur ideologjike e kjo përfshinte edhe fëmijët. Nuk është e vështirë të imagjinohet sesa në shumë kufoma duhet të ketë kapërcyer Kaliopi përgjatë transformimit të plotë që Kadare apo Bulgagov përcaktojnë. Sot është e vështirë të imagjinohet sesi një grua e tillë jetonte me kaq kënaqësi brenda një kafazi të hekurt si ky i Rumpelstiltskinit. Si dhe ai, ajo e vlerësonte jetën e fëmijëve me shumë se gjithçka tjetër materiale. Në një bote të mbrapshtë gjyshërit tanë të urtë me tespihe qelibari në dorë duhet t’ia lëshonin edukimin e nipave e mbesave Rumpelstiltskineve si  Kaliopi.

Fatmirësisht disa nuk munden.

http://www.theartsdesk.com/index.php?option=com_k2&view=item&id=2624:a-dogs-heart-eno&Itemid=27

12 Komente

Jam i sigurte që ekziston një formulë që rregullon lëvizjen e njerëzve në kësisoj kohësh, e vlefshme edhe për situatave të ngjashme njerëzore. Hapësirat publike transformoheshin e spostoheshin sipas forcës e trysnisë së shtypjes. Në kundërshti të hapur me rrjedhën natyrore të gjerave, në Shqipërinë e saj kohe hapësira publike  shpërqendrohesh me një forcë centrifugale  drejt lartësisë ose nëntokës apo shpërndahesh drejt periferisë. Sa më shumë afroheshe drejt qendrës aq më shumë e dendësuar bëhej propaganda, ku flamuj të kuq e filma të prozhektuar dominonin. Njerëz të thjeshte të detyruar për të evituar këtë përqendrim duhet të krijon hapësirën e tyre të vogël. Disa syresh luanin bixhoz në oborre shkollash edhe përgjatë natës me çakmak, çiftet takoheshin në errësirë, hajdutët ndanin paret te Fusha e Druve, rock&rollistat bënin muzikë nëpër bodrumet e qytetit,  prindërit tanë rregullonin në fshehtësi antenat në tarraca pallatesh, ndërsa ne shkonim drejt fushës së aviacionit.

Good obzervim e obzervim-shprehje-formulim  bej smiley

Na bere kurioz per kete Kaliopin; nqs ishte personazh real (me apo pa te gjitha atributet qe ti i jep)  shkruaj dicka me teper per te smiley

 

Në një bote të mbrapshtë gjyshërit tanë të urtë me tespihe qelibari në dorë duhet t’ia lëshonin edukimin e nipave e mbesave Rumpelstiltskineve si Kaliopi.

Fatmirësisht disa nuk munden.

Fatkeqsisht, shume munden, dhe pasojat duken akoma dhe sot.

Vajza e tmerruar i premton pasuri pafund vetëm e vetëm që të mos t’ia marri fëmijën, por Rumpelstiltskini i përgjigjet se një krijesë e gjallë ishte shumë më e vlefshme për të se sa të gjithë pasuritë në botë.

V. Bej, te them te drejten nuk e kuptova mire persiatjen tende me Kaliopin te frymezuar nga ekspozita dhe libri i Kadarese. ekspoziten nuk e kam pare dhe librin nuk e kam lexuar. por me duket se mesazhi i perralles eshte si nje shuplake qe i jepet atyre qe na udheheqin sot. do benin mire politikanet tane (te te dy spketreve) te lexonin ca perralla te vjetra.  ka aq shume moral dhe njerzillek ne to, sa te prek kur mendon situaten ku eshte katandisur shqiperia.

 falemnderit village-bey për kënaqësinë e leximit!

Me nder qofshi

Aha Xhib, e disha qe Kaliopi do te bente kurioz,

Eshte personazh i vertete, me dekorata, me gunge ne kurriz and all the trimmings.

Nuk kam imagjinate aq te forte sa ta krijoja nga hici.

Jetonte ne ket pallatin ne krahun e majte te fotos, sa kaloje ish ambasaden jugosllave, perballe pallatit te oficerave.

Gaz Gjoka (regjizori i teatrit dhe petagog te drama besoj) ishte viktima e preferuar e Kaliopit.

Ai i shkreti kishte takuar komandantin si pionier dhe ajo i kerkonte ketij cdo here te na tregonte ne te tjereve emocionet e asaj ngjarje te madhe.

Kaliopi ishte legjendare.

Shpresoj mos t'ket vdek e shkreta, nuk eshte mire me perfol t'vdekurin. 

 

....ka vdek bej. Besoj se nja 15vjet me pare. Cdo pallat e kishte nga nji Kaliop. Po pervecse Kaliopit, ai pellg pallatesh aty ka pas ca figura te tjera unike.... Kirovi, Neta, Meti Feres, Ornela etj etj.

Small world hey,

Kirovi me motorin e vet, Mandi i Netes c'ka heq nga ajo Kaliopi duke shkrujt parrulla neper mure. Ornela Vorpsin ?? 

Ohh c'me bone me kujtu ca njerez.

Per cudi me vika keq edhe per Kaliopin 

 

Ah se harrova po Sandri i shkrete, baba Jotit te zi 

Tamam bote e vogel.

Kush o Sandri? .... Mandi Netes vdiq para nja tre muajsh. 

 MOOOOSSSS si ka mundesi ?????????????

Booo sa keq po me vika. Une thash Mili do vdiste para te gjithve, ai dreq pite shume raki.

Bo ca m'the...

Sandri ka qen 1 pijanec tjeter nga krahu tjeter i rruges

 Infarkt. Mili osht namerike!!!!! U bo nja 5-6 vjet. 

.....kaliopin e mbaj mend ke pallati fredit apo tan hoshafit...kalamojt po edhe te rriturit e kishin frike....sa here qe i fishkelleja shokve nga poshte per te dale jashte, shikoja mos ishte kaliopi verdalle.....cdo lagje e ka pas nga 1

 po pse ketu nuk ka kaliope? jane keto si motrat e kalipit tamam. shikojne kush hyn kush del. kush ben ndonje gabim (nxjerre plehrat pak para kohe) qe me vrap te spiunojne. njerezit jane kudo njesoj. jepu pak mundesi dhe e nxjerrin fytyren e vertete.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).