Sot jam zyrtarisht puçist. Gruaja ime u kënaq shumë që unë thashë se e kam frikë atë ngaqë më kontrollon tabulatet dhe e kam faturën e thjeshtë të telefonit. Sali Berisha u kënaq shumë që Komisioni më cilësoi mua dhe tre koleg të mi zyrtarisht nxitës të puçit. Prokuroria u kënaq që listës së armiqve ju shtuam dhe ne, duke mos e lënë vetëm Shefen e saj. Presidenti duhet të jetë kënaqur po ashtu pasi e ka më të lehtë tu bëj grimasa të huajve për tu treguar që ky burri ka rrjedhur. Dhe SHISH besoj do jetë kënaqur që del i larë dhe nuk na ka përgjuar ne që kemi përgatitur puçin. Tani që u kapëm, më duhet të rrëfehem.

Grupi është i përbërë nga 4 vetë. Në krye të grupit qëndron Filip Çakuli, i quajtur përndryshe Çakalli. Ky njeri ka marrë kasetën që ka regjistruar Dritan Prifti, dhe e ka transmetuar. Në skemën tonë të puçit, ky quhet zjarrvënësi. Pas tij kemi hyrë në lojë ne tre të tjerët. Sokol Balla ka dhënë kushtrimin tek Top Channel për skandalin, Andi Bushati i ka prishur qetësinë Ilir Metës tek Klani, ndërsa unë kam bërë thirrje që Ilir Meta të mos hyjë më në zyrat e shtetit dhe ai u tremb dhe nuk hyri. Kaq mjafton të dashur lexues, por dhe hetues të Komisionit që të quhemi fajtor dhe nxitës të puçit kundër qeverisë.

Më tej në dosje mund të shtoni artikujt tanë të përditshëm plot helm e vrer për qeverinë, talljet e pafundme të Filipit tek Fiks Fare, batutat e Bushatit në dy- tri televizione kundër Berishës, angazhimin e Sokol Ballës në Top Story dhe artikujt e mi të mallkuar cdo ditë në gazetën Tema dhe në disa portale online. Nuk janë pak. Po të kishte mundësi qeveria t’i lexonte dhe t’i kuptonte do të nxirrte një skemë më perfekte të grushtit të shtetit dhe ideve që e kanë furnizuar atë.

Le të shkojmë tek data 21 Janar. Ajo ka qenë kulmi i veprimtarisë sonë. Jemi mbledhur të katërt kokë më kokë qysh në mëngjes. I pari na ngjalli dyshime Filipi. Ai shpiku një hall në Divjakë sikur i kishte vdekur vjehrra dhe iku. Na mbylli dhe telefonin. I dyti Sokol Balla. Erdhi në fillim në bulevard pastaj humbi brenda kullave binjake duke parë televizionin dhe nuk na hapte telefonin. Unë dhe kolegu Bushati nuk u tërhoqëm deri në fund. U ulëm tek një televizion i  restorantit dhe i ndoqëm pa na u trembur syri deri në fund protestat. Kur kamerat e fshihnim të vërtetën, zgjasnim kokën nga xhami dhe shikonim  turmën. Nga telefonat ishim rehat se policia kishte bllokuar komunikimin dhe nuk merrnim dot njeri në telefon. Kështu të shpërndarë dhe të paorganizuar mirë, dështuam. Dhe gjithë inatin për dështimin e nxorëm të nesërmen ne gazeta dhe ekrane. Morëm në mbrojtje të vrarët dhe akuzuam Berishën për vrasës. Bëmë thirrje për drejtësi dhe hetim thelbësor. Paralajmëruam qytetarët për Republikën e Berishës…. Ç’të bënim tjetër? Kaq kishim në dorë. Pas gjithë këtyre e meritojmë të jemi puçistë. Është hera e parë që jemi të gjithë të kënaqur. Edhe ata që akuzojnë, edhe ne që akuzohemi, edhe lexuesit tanë apo shikuesit tanë. Nuk kemi asnjë mënyrë më të mirë se kjo për t’i treguar shqiptarëve dhe botës se kryeministri nuk qeveris më Shqipërinë, por Republikën e tij në të cilën i është fanitur një grusht shteti dhe ai po lufton me armiqtë. Aq punë sa më është dashur të dëshmoj se ky njeri nuk është më as fizikisht normal, më ka bërë dje vetëm Komisioni i tij i Puçit. Të më ndjejnë që nuk i falenderoj dot për këtë nder, se siç thotë dhe Alibej në rrëfimet e tij prej besimtari, kur ramazani mbahet pa dashje, nuk quhet. Po ashtu të më ndjejnë lexuesit që nuk kam aq fuqi sa  Berisha të flas për meritat e mia dhe të kolegëve të mi në këtë puç. Kemi bërë plot gjëra ta përmbysim këtë kryeministër që ka vrarë për të vjedhur në këtë vend, por prapë s’ia kemi arritur dot atij. Ai ka bërë më shumë se sa ne të gjithë për të përmbysur veten. Është çmendur.

10 Komente

Sa vende i bie te humbasi Shqiperia ne renditjen e Freedom House per kete vit pas ketyre gomarlleqeve qeveritare? 

Po me tabulatet e ketyre c'duan xhanem? 

U be deti kos e jane bere te gjithe heronj tabulatesh. 

 Mero ka me shume talent per humorist sesa per gazetar. T'jem si ai do ta mbyllja gazeten (nuk besoj se e blen njeri gjithsesi!) dhe do filloja nje "Talk Show" te tipit "Glenn Beck Program" ne amerike. smiley

@Monda: Keto te katert jane shpallur grup armiqsor. Jane nga me te rrezikshmit! haha

Po jo se eshte vete Mero qe i ben refresh faqes cdo 2 sekonda. smiley

Sali Berisha: "Kapeni puçistin! E pranoi vete! O Sali, o Izet, dilni e kapeni e vareni n´litar armikun e popullit, puçistin, horrin e dy kullave! Ku eshte Saliu! Ku eshte Izeti, pse nuk po leviz nga vendi!

Nje mik qe ia do te miren: "Shoku Sali! Izetin nuk e kemi me ketu! Eshte jashte shtetit, ishte ne Turqi, pastaj ne Malte e tani eshte ne Gjermani. Ka ikur qe atehere kur lave hesapet me Azem Hajdarin dhe Izeti na doli zbuluar pernjehere."

 Gazeta Tema, sikur u nderpre me duket, apo vazhdon ne ilegalitet smiley 

ALB358, provo edhe ti ti besh refresh....

Tema eshte nje nga sitet me te klikuara dhe leket i ben me monetizim nga google adsense. Vetem IP unike.

Pavaresisht mendimit personal jo te mire per Mero Bazen, ka penen me te forte ne treg, e ka pasur gjithnje, dhe eshte me i cmenduri ne guxim.

Kete shkrimin e tij e lexova ne mengjes dhe me knaqi.

Bravo Mero, ate penen e mprehte pse nuk ia rase BuallMavrise kur e kishe afer ne ndonje vrime obskurantiste?

 

 Ajo e refresh-it ishte shaka kinectial. E di shume mire se si maten ato statistika.

Mero mund te jete i guximshem por nuk besoj se eshte gazetar per tu lexuar. Per mendimin tim gazeta e tij eshte njesoj si '55' ose 'Zeri i Popullit'.

Cfar mendsh mund te maresh nga nje person pa integritet dhe moral?! Deri dje ishte njesh me berishen. Te njejtat budallalliqe qe thote tani per maxhorancen i thonte dje per opoziten.

Cfar ndryshoi?! Te njejtat persona jane ne maxhorance, te njejtat persona jane ne opozite? 

E njejta gje me shume gazetare te tjere qe njehere shkruajne pro PS's pastaj shkruajne pro PD's!

Mos te flasim pastaj per politikanet qe jane edhe me keq. Ishte Berisha ai qe s'la gje pa i thene Nanos? Tani e ka shok te ngushte. Ku jane ato dosje mbi te cilat flente prokuroria?

Po Meta? Berisha ishte Sale Gerdeci per te. Tani eshte burre shteti?!

 

Problemi qendron se integriteti nuk eshte nje nga kriteret qe populli shqiptar kerkon nga "elita". Perkundrazi, perjashtohen ata qe kan integritet.

as adsense ska, asgje!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).