I nderuar profesori Lukë,

Ju na kërkuat  të bëjmë një temë për zgjedhjet lokale duke qënë se sapo mbushëm 18 vjeç dhe votojmë për herë të parë. Ju na kërkuat të shkruajmë specifikisht për kandidatët në zgjedhje sikur ti kishim kandidatë për martesë, pra për të na u bërë bashkshorti, bashkëshortja jonë e ardhshme. Pra, ju na theksuat se na duhej të mendonim e të peshonim mirë zgjedhjet tona, aq të rëndësishme janë ato. Dmth, për kë do të votonim ose ndryshe me kë do u martonim. Unë, meqë jam nxënës i notave të mira dhe nuk dua ta prish në tani fund, iu kushtova me mish e me shpirt kësaj temës dhe harxhova dy javë varavingo poshtë e lart duke takuar kandidatët potencialë për martesë (dmth për ti votuar). Dhe ja çfarë ndodhi.

Kandidati i parë, ishte femër dhe kjo ma bëri më të lehtë detyrën, sepse nuk kisha nevojë për të imagjinuar gjëra të paqena. Kjo vinte nga jashtë shtetit, ishte e re dhe kishte shumë bagazh. Dmth, kishte shumë bagazh kur zbriti nga avioni në aeroport ku e prita dhe me turp i thashë se isha aty për të parë nëse do të votoja për të. Nuk u habit fare, më tha se këto gjëra janë të zakonshme andej nga vinte. Mu desh ta merrja në makinën e dajës dhe ta shëtisja sepse donte të shihte sesi kishin ndryshuar gjërat qëkur kishte ikur, ose siç e tha vetë, të vlerësonte ndryshimet. Rrugës e pyeta se pse kishte vendosur të vintee të kandidonte. Më tha se ishte tip idealiste, dhe kishte ardhur për të zbutur e për të ruajtur kafshët e këtij pylli plot me derra. Qeshëm, sepse siç edhe dihet këndej nga anët tona ne qeshim kur duhet të qajmë dhe qajmë kur duhet të qeshim. Ose shkurt vetëm qeshim.

Pasi bëmë nja shtatë xhiro me “uaa” dhe “uah” vendosëm ku do të pinim kafen. U ulëm dhe fillimisht më prezantoi idenë se duhej filluar urgjentisht nga prodhimi dhe shitja e xhinit të vendit. Evropianet bëjnë si të çmendur mbas xhinit tha, është pije që përzihet mirë edhe me limon edhe me lëng shege.  Kishte shumë ide sesi mund të bënim përpara, siç thoshte, se kemi qënë të vdekur për një çik jetë. I kishte shënuar idetë në një bllok ku mbante edhe numra telefoni, dukej që nuk donte ti humbiste. Ajo që më bëri përshtypje, ishte një ide e saja për të hequr gjithë numrat e dyerve në qytet, kështu që qytetarët të mund të trokasin në çdo derë, në çdo orë e të marrin përgjigje për hallet e tyre. Nga mbasditja, kur na ngrohu pak pija, ajo mu afrua mua, votuesit të ardhshëm dhe më tha “qënke djalë i pashëm”. Edhe djalë i prekshëm – ia ktheva, por u pendova sepse mbase ia futa kot, sepse mbase ajo nuk e mbante mend edhe aq mirë shqipen. Kur u ndamë, ajo në papunën e vet e unë në papunën time, u mendova se a ja vlente të votoja (dmth të martohesha) për këtë kandidat. Ku di unë?! Lidhjet në distancë nuk janë edhe aq të këqija se nuk të bezdisin (me a i lave dhëmbët / a i lave këmbët përpara se të flesh) po sesi më duket sikur një e klasës më të lartë se unë të tallet me ndjenjat e mia. Plus shpenzimet e telefonit, biletave dhe dhuratave, shkurt (siç e keni thënë vetë edhe ju profesor) interferenca e faktorit ndërkombëtar duhet marrë gjithashtu në konsideratë.

 

Kështu, gjithmonë në interes të temës së provimit, shkova një ditë të bukur tek kandidati i dytë. Këtij nuk ia kisha parë fytyrën asnjëherë, por më dukej sikur e njihja, aq shumë kisha dëgjuar për të nga shoku i vëllait, Fania që merrej me patentat. Kandidati numër dy, e kishte zyrën në katin e parë të një pallati që po ndërtonte për veten, por që nuk kishte mbaruar ende. Ende dëgjoheshin vinçeristat dhe saldatorët që këndonin e rriheshin me njëri-tjetrin nëpër skela në katet më sipër. Ngaqë ishte zhurmë e madhe, përpara se të hynim në zyrë sekretarja më dha një palë kufje ndërsa më thoshte diçka si “mos u mërzit po s’e dëgjove, se ti them unë çfarë thotë shefi kur të dalësh. Po deshe t’i them që tani.” Shefi, dmth kandidati, aty–këtu me lesh në kokë si kaçube në shkretëtirë, rrinte në këmbë me fytyrë të ngulur nga dritarja, me një pozë të pastër vizionari. Mendova se e kishte nga halli se mos punëtorëve iu thahej llaçi përpara se ta përdornin ose kishte ndonjë shqetësim tjetër të ngjashëm. Po edhe kufjet janë shpikje e çuditshme, sesi të fusin në një botë tjetër, aq serene sa pothuaj të ze gjumi e nuk do të zgjohesh kurrë. I thashë se pse kam ardhur dhe e pyeta çfarë duhet të pres prej tij. Filloi të flasë, por ishte më tepër sikur këndonte. Nën kufje më vinte një zë melodik, ku i zgjatur tërhollë e ku si frenim me buçitje në fund. Pastaj prapë nga e para. Ndonëse me shpinë nga unë, nga gërmushja e shpatullave mu duk sikur  i mbante duart përpara gojës në formë “O” je, ndaj ndoshta ua ndryshonte timbrin tingujve. Por oh sa kisha gabuar. Kandidati-shef, s’kishte thënë gjë, veç kishte shfryrë hundët në shaminë me inicialet e veta gjatë gjithë kohës. Nuk dukej mirë, as nga çehrja as nga trutë. Ndoshta i kishte ngecur në fyt, ndoshta i kishte ardhur në majë hundës. Kur më përcolli, natyrisht që as nuk ia kërkova dorën e as nuk u merakosa pse s’ma dha. Sekretarja e mbajti fjalën e më shpjegoi nxitimthi se shefi donte të dinte a kisha shtëpi të pashembur, ose prona të patundura, se ashtu ishte puna për më vonë. Quaje si formë ndihme të dyanshme, shefi e ka gjithçka të kalkuluar, më tha sekretarja për qurravu-në. Aty-për-aty, vendosa të mos ia fal shpirtin shejtanit. Të paktën, jo këtij.

 

Kandidati i tretë, ishte i vështirë, dmth i pamundur për t’u gjetur. I rashë rrugëve kryq e tërthor, telefonave yll e katror por hiç. Nuk jam aspak kundër grave (kandidatëve) iluzive, por mendoj se problemi kryesor me gratë që nuk gjenden, është pikërisht se nuk gjenden. Të lëshojnë një emër a fytyrë ashtu sinëpër ëndërr dhe të bëjnë të ndjehesh me faj se ti po flije ndërkohë që e gjitha kjo ndodhte. Por them se nuk ka pse të ndjehem kaq keq, fundja, i dola borxhit, e kërkova madje edhe me internet.

 

Kështu, disi i lodhur e i pashpresë arrita tek kandidati i katërt. Ky që kemi. Që ju profesor e njihni dhe si anash e anash po na e propozoni për martesë, dmth për ta votuar. Meqë jam i ri e i parrahur me këto punë, pyeta ata të shtëpisë. Mamaja foli mirë se ai e kishte futur në punë, babai foli keq se ai e kishte lënë pa punë. Pasi u kacafytën nja dy orë bashkë, mamaja foli keq se ai mund ta linte pa punë, babai foli mirë se ai mund t’i gjente punë. Të dy thonë se e njohin, por njëri thotë se nuk bën për gjë, tjetri thotë se të bën gjëmën. Pastaj me zëra skenik thonë se ky na premtoi ndryshim për mirë duke filluar sëpari nga vetja dhe e mbajti fjalën, duke u përpjekur të më lënë të kuptoj diçka që unë gjithsesi nuk e kuptoj. Dhe meqë nuk e kuptoj vetëm mbaj shënim dhe tema i kap tre faqe. Pastaj fillon nga e para, babi thotë se unë atë as tek pragu i derës nuk e qas, mamaja thotë se, eh, ku të troket në derë ai fat. Jam i sigurt se këta nuk do të gjejnë karar me asnji nuse që do t’u bjerë për hise. Ky është “nuse e provuar” më thonë të dy, prapë duke më lënë të kuptoj diçka që unë gjithsesi prapë nuk e kuptoj. Ndaj i dhashë dum të shkoj e ta takoj vetë njëherë, pale çna qenka.

Pata fat se u përplasa me të që përpara godinës së administratës. Pastaj e takova prap tek skuta e rojës, pastaj ndër shkallë, pastaj prapë në tavolinën e sekretarisë, pastaj prap në zyrën e zëvëndësit, madje prapë kur i solli vetes kafe në zyrë. Buzëqeshi hidhur kur më pa të habitur. Këtu të gjithë i kam zgjedhur si vetja, sqaroi. Pasi pa gjatë dhe me inat orën pa numra në mur, vazhdoi:

“Ti, me sa më the, ke ardhur këtu si votues i virgjër që e ke për herë të parë. Ke ardhur aty ku duhet, ke ardhur aty ku mësohet zanati le të themi. Se je djalë i ri dhe duhet të mësosh njëherë zanatin, pastaj. Dëgjo ç’të them; ç’do lagje ka biçikletën e saj. Sado bencëra e volsvagenëra të blejnë, gjithmonë e në çdo kohë është një në lagje që i zgjidh hallet me biçikletë. Unë jam ai i biçikletës, këtë mos e harro.“

U përshëndeta me të në zyrë, tek zëvendësi, tek kthina e sekretariatit, ndër shkallë, tek kuvlija e rojës dhe tek trotuari i administratës. Ishte e lehtë të zgjidhje midis rejv, hauz, urban dhe blugras, i thashë vetes që po priste të dëgjonte një përfundim të pjekur nga unë.

Në fund të dy javëve, djalëria ime endej diku midis aeroportit, kadastrës, viciozllikut dhe askundit..

_______

p.s. Profesor, po e kape që tema ime është komplet njësoj me Xhildën, dije se nuk kemi kopjuar, po kemi një përputhje të plotë mendimesh për jetën që nganjëherë më bën të mendoj se...

 

21 Komente

hall me burrë, hall pa burrë, hall të mos martohesh kurrë!

të lumshin doçkat!

martohu blete, po te ra burre i mire, do jesh e lumtur, po te ra i keq, do behesh filozofe. smiley

 

ps: shume i kendshem shkrimi, fh. kjo thenia e sokratit vlen dhe per personazhin e shkrimit mendoj smiley

po kur filozofe je already, cer bohesh ku t'bi burr i keq (qe ka shum gjasa ?)

Ruzh, beleive it or not, e dija qe dikush do e bente ket pyetje...se kam gjet ala pergjigjen sorry smiley

normal qe e dije smiley

se ajo qe i the Bletes ishte si e dale pri telenovelash smiley

P.S. Telenovelat i shef ma shume se gjysma popllit me nivel filozofik parashkollor smiley

gezuar vitin e ri smiley

shnet e pare jarebi

hahaha, gezuar. nejse mo, menoj qe kur je already filozofe, nuk ke shanc gjalle ne bote qe te bjere burre i mire smiley

ps: ca telenovele lun Sokrati?

une them ske shans te te kape njeri per bishti *

P.S. Ket shprehje perdor plaku im per te zevendesuar "Te merr per grua" . E di, nuk eshte hic filozof se i ka ra sherbertore, ashtu m'fal , gru desha me thene, shume e mire smiley

smiley

 Aha, keto pune behen me guxim. Po u menove dy here e shef qe nuk te del hesapi dhe ngel me bllok ne dore, nderkohe qe asaj tjetres ia kane shpupuris bishtin ollredi! smiley

e kam thane i  here pra , por u ofendu lisandri smiley

: ruj nderin , ruj nderin, mori kurva inxhinierin

 pse inxhinjer eshte lisandri

haha jo mer

po ka plakun inxhinier, kshu qe i bie qe i kisha sha plaken smiley

po une se kisha in general, ishte thjesht nje shprehje popullore simolike e dale nga gurra popullore, bazuar ne ngjjarje te vertete

pastaj une i thashe lisandrit mos behej merak sepse ai was not good enough, to be a son of a bitch smiley

sherbertore, ashtu m'fal , gru desha me thene,

M'fal po pse ke thone m'fal? Une nuk shof asnji gabim ketu.

Ene ju hongert dreqi se e kom emrin LiZandër dhe mamadhine gru t'nershme.

Po ishe filozofe, nuk martohesh...

Bukur. Kandidat i fortë ishte ai i fundit.

ok, edhe mu m'pelqeu po nuk du me e pranu se eshte per politike dhe sic ka tregu historia, politika 10 cdo gjo!

une per vete dysh i vuna sa mos me ja thy zemren anetarit te celulës smiley

duhet kthese e menjehershme, djaloshat e ri duhet te shkrujn si Gëtja (ose si Kobeini).

eh kur qesh 18 - vjeç per here te pare smiley

shume, shume, kendshem

Tre yje vetem per cilesine qe edhe gjerat banale i kthen ne art ! Te kujton ate kengen ne vergje ..

dhe shofer o vella ( berber , varrmihes , hartimberes , shkrimtar , bicikletar , ham-hames ose ham-hamese , karagjoz ose k/minister etj si cilesi te vyera per DEPUTET )  / si zanat s'ke ci thua smiley

Perse Profesori Quhet Luke dhe jo LLukan psh..Kush eshte Xhilda xhanem..

Keto shkrimet e celules kane dicka prej psychedelic qe i ben te fresketa..

si eshte e mundur qe nuk u be nje permbledhje per letersine?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).