Në faqet e gazetave tona u jepet rëndësi të madhe brekëve të aksh këngëtareje apo ngacmimeve seksuale në Big- Brother, por asnjë vend nuk gjen në faqet e para për të shpallur, se në këtë katrahurë të madhe janë dhënë 10 çmimet më të rëndësishme Kombëtare të Letërsisë për vitin që lamë pas.

1. Adrenalinna jonë meditaike

Në këtë vend nuk ndodhin vetëm ngjarje të trishta, dramatike, tragjike e makabre. Në atdheun tonë ka vend edhe për realitete të tjera, aspak të ngjashme me zhaurimën e hadit, që na e servirin mediat tona me një regjim njëzetë e katër orësh në cilësinë e adrenalinës. Në këtë vend ka plot ngjarje të rëndësishme, arritjesh, befasish e kurajoje.

Ushqimi ynë i përditshëm informativ nuk janë vetëm realitet acaruese e psikotropike të rrugës, që shumëfishohen  në faqet e para të gazetave. Dhe nuk besoj të jetë ky i vetmi ushqim që meriton lexuesi ynë. Doza e helmit mund të dobësohej pak edhe me lajme të tjera, të çelëta, shpresëdhënëse. Dhe nuk besoj se jemi të aftë të prodhojmë vetëm se kulturën e zisë, shantazhit apo teorive të përzishme konspirative. Në këtë vend prodhohet edhe kulturë e lartë, art elitar.

Bëhen përpjekje të vazhdueshme, por ne nuk e njohim atë që quhet rëndom “heroi kulturor” i përditshmërisë. Ka përpjekje për të instaluar në ndërgjegjen e qytetarit vetëm kulturën e kujës, zisë, rënkimit e ankesave, a thua se këtu, në këtë vend mesdhetar, qenkëshim mu në zëmër të ferrit. Nuk është aspak ashtu! Vetëm se duhet pak mund e mendje më të hapët për të konstatuar se nuk jemi aspak mjeranë për të na qarë kush hallin. Gjëmën e bëjnë atë, që gjëmën e kanë në kokë! Nuk është aspak dekurajuese gjendja edhe në sferën e vlerave tona shpirtërore, siç është letërsia, për të cilën sot jam i shqetësuar, jo për atë vetë, por për pakujdesinë dhe verbërinë tonë, që i kalon pranë dhe nuk e vëren dot. 

Ka një traditë, tashmë të formësuar, të ngjarjeve kulturore-letrare më të rëndësishme për harkun e çdo viti. Një ndër ta, e nga më të padyshimtat janë edhe çmimet vjetore Letrare Kombëtare, që sponsorizon MTKRS, duke ia deleguar gjykimin e vlerave artistike një Jurie të pavarur, me ekspertizë të padyshimtë letrare e shkencore. Çdo vit përzgjidhen autorët dhe veprat më të mira, që shënojnë risitë dhe rritjen e kulturës sonë letrare kombëtare. Dhe nuk është aspak, o Zot, aspak e vërtetë, që juritë dhënkan çmime të orientuara politikisht, siç mundohet të bëjë atentat paraprak në imazhin e Konkursit ndokush që edhe ajrin e sheh politikisht. Së paku shprehem për jurinë e këtij viti, në të cilin kam qenë kryetar i saj.

Por çdo vit, kam vënë re se ndodh e njëjta gjë: ngjarja më e madhe kulturore e vitit, ndarja e dhjetë çmimeve letrare në zhanre të ndryshme, klasifikohet si informacioni më i padenjë nga mediat tona. Njëlloj si viteve të tjera, edhe këtë vit, lajmi më i rëndësishëm vjetor i kulturës shqiptare kaloi në anonimitet të plotë: asnjë gazetë (përveç “Panoramës”), qoftë e spektrit të majtë, qoftë e të djathtës, nuk denjoi ta përmendte as shkarazi  si lajm në faqen e parë. Akoma më keq dy-tre gazeta që e përmendin në mënyrë fragmentare, të cungët, duke zhdukur lidhjen me identitetin e lajmit. Ashtu si shumë njerëz të kulturës, ashtu si të gjithë fituesit, ashtu si gjithë anëtarët e tjerë të jurisë, edhe unë jam personalisht i fyer dhe i revoltuar.

Sepse ndodhi përsëri. Saktësisht siç ka ndodhur edhe më vitet e mëparshme. Faqet e para të gazetave të djeshme janë të mbushura cit me lajme të kreshpëruara, acaruese, me shantazhe politike e makinacione makiavelike. Gjithka mund të lexosh në anonçimet e faqeve të para: histori hakmarrjesh, paralajmërime demonstratash, raporte sekrete, dosierë për bëmat e diktaturës, epidemitë, vrasjet, grabitjet, incestet, vetëvrasjet, sherret e vjedhjet e bankave, njerëz në kërkim, aksidente automobilistike, lotari, etj, etj., - gjithë pluhurnaja acide e përditshmërisë sonë dekurajuese. Në faqet e gazetave tona u jepet rëndësi të madhe brekëve të aksh këngëtareje apo ngacmimeve seksuale në Big- Brother, por asnjë vend nuk gjen në faqet e para për të shpallur, se në këtë katrahurë të madhe janë dhënë 10 çmimet më të rëndësishme Kombëtare të Letërsisë për vitin që lamë pas.

Dje, në fjalën time si kryetar i jurisë bëra edhe një thirrje mirëkuptuese për gazetarët dhe shefat e tyre: që të gjejnë pak vend dhe ta lajmërojnë këtë ngjarje me dinjitetin që duhet të meritojë. Nuk kam asgjë kundër me gazetarët e kulturës. Ata e kanë kryer detyrën e tyre dhe njëmend, që në faqet e brendshme, andej nga fundi , jepet thelbi i veprimtarisë. Por kurrsesi jo në faqet e para! Përse vallë ndodh kështu? Mos vallë kaq e padenjë qenka kultura jonë letrare, sa të kalohet si material i parëndësishëm, thjesht për të mbushur boshllëqet e gazetave? Prandaj nuk është çudi kur nër studio televizive dhe faqe gazetash, me një hutim e dilemë prej viçi, ngrihet gjithmonë refreni monoton, se gjoja, ne nuk kemi letërsi, nuk kemi arritje, nuk kemi cilësi, nuk kemi emra, nuk kemi maja, siç kemi patur, fjala vjen, në kohën e artë të shokut Enver.

2.Sindroma e “prishjes së festës”

Ka një barrierë psikologjikisht të pakapërcyeshme për mendësinë e politikave redaksionale. Kryeredaktorët nuk e honepsin dot kulturën që vjen nga libri. Duket qartazi kjo. Libri që (më shumë se shkopi i majmunit darvinian) e ka krijuar fizionominë morale e kulturore të njeriut të sotëm, tashmë është shndërruar në objekt jo kulti, por alergjie. Atij nuk po i lënë më vend, e kanë përzënë në ca shtampa retorike, dekorative e ekzotike. Ai shfrytëzohet tash si një detaj  zbukurues në përmendje fort të rralla, por në fakt nuk lexohet; librit i është mohuar roli edukues duke u konsideruar tashmë objekt alergjie. Të paktën për drejtues të gazetave tona, të cilët, me sa duket “i zë libri”. Atëherë çfarë qenka e denjë, po ta përjashtojmë rolin e librit? Gjithçka tjetër, që ... Zot ruana!

E theksoj, nuk qëndron problemi në paaftësinë e gazetarëve të kulturës. Përkundrazi është e dhimbshme të shohësh se si shkrime mjaft të bukura janë strukur në faqet e fundit. Problemi me të cilin ndeshemi, është qartësisht i thjeshtë: trysnia dhe ethet e kacagjelimeve politike po errësojnë gjithçka, po thellojnë dhe po e bëjnë obsesive idenë e rrezikshme, se nuk ia vlen asgjë tjetër të hyjë në komunikim, përveç kacafytjes politike, përveç melodramave, horrorit dhe kronikës së zezë. Ky është ai “opiumi” i vërtetë i manipulimit të ndërgjegjes qytetare. Sepse nëse ti pushon së ndërtuari komunikimin me gjuhën e përjetshme artistike (gjuha më demokratike e njerëzimit), alterantiva tjetër është ligjërimi i demagogëve politikë.

Njëri ligjërim synon ta eklipsojë tjetrin. Në mungesë të ligjërimit letraro-artistik, njeriu bie pre e ligjërimit demagogjik oral: të lidershipëve, militantëve dhe turmave. Nuk besoj se duhet të modelohemi pro këtij tipi të mbramë ligjërimi! Përkundrazi, duhet të distancohemi skajshëm, të shlyejmë zhylin ideologjik të këtij ligjërimi, të cilin e kemi akumuluar për gjysmë shekulli . Mirëpo interesat nuk i caktojmë ne. Interesat dhe zgjedhjen e përcaktojnë instancat mediatike të lidhura me politikën.

Më vjen vërtet keqardhje, por edhe fyerje njëherësh, se si në një gazetë të përditshme, ku punojnë ndoshta 2 gazetaret më të talentuara të kulturës, të shpallej grafikisht e vizualisht gjithë mllefi dhe cinizmi i mjerë, kundër Konkursit, duke iu vërsulur MTKRS-së, në mungesë të ndonjë argumenti tjetër. Nuk e di çfarë kanë pritur të ndodhte në këtë konkurs suflerët e kësaj gazete, por duket qartazi se ajo çfarë prisnin dhe nuk ndodhi, i ka shtyrë suflerët e gazetës të hidhen tek “varianti rezervë”, duke krijuar një kolonë të bardhë (bosh) me efekt vizual. Në krye të kolonës bosh kemi titullin për çmimet letrare dhe në fund të kolonës - një shënim, ku arsyetohet bojkoti institucional ndaj MTKRS për mosinformim të aktivitetit. Kam të dhëna se njëra nga gazetaret ka qenë e lajmëruar. Është tjetër punë ajo, se gazetari e ka për detyrë të gjejë vetë lajmin dhe të informojë lexuesin e vet, edhe nëse, fjala vjen, nuk e kanë “sajdisur”.

Por sa është e vërtetë? Pata rastin ta shoh me sytë e mi, se nuk është aspak e vërtetë! Lajmërimi paskësh shkuar dhe fakte për këtë ekzistojnë në cilësinë e provës. Pak a shume axhenda e gazetarëve të kulturës nis nga sensacioni më i madh dhe të gjithë gazetarët e dinë çfarë ndodh. I trishtueshëm është fakti, se dhjetë fituesit, shkrimtarë, poetë, studiues e përkthyes, që shenjojnë arritjet më të mëdha të letërsisë shqipe në të gjitha gjinitë për vitin që shkoi, më shumë se sa mospjesëmarrja, i vret alibia e të përdorimit të tyre politik, duke patur në thelb një vepër krejt apolitike. Sigurisht jo vetëm ata. Edhe juria. Edhe Lexuesit.

Madje edhe jolexuesit. Sepse në rastin e përshkruar nuk kemi bojkot të Ministrisë (edhe pse ky është qëllimi), por të shkrimtarëve dhe vlerave të tilla. Ndeshemi me parapëlqimin e qëndrimit skajshmërisht politik (e përkohshmja), kundrejt një produkti artistik apolitik (e përhershmja). Sigurisht nuk është se këto qëndrime, trajtime, pasqyrime ua ulin apo ua shtojnë vlerën thelbit të veprave letrare të atyre krijuesve që u vlerësuan me çmime, por një gjë është e sigurt: jemi shumë larg një atmosferë mirëseardhëse e dialoguese të artit tonë, përderisa imazhi i tij, në një mënyrë a në një tjetër përçudnohet, herë nga huqet e suflerëve të mëdhenj politikë, herë nga shpërfillja dritëshkurtër e profanëve. Dhe në një atmosferë të tillë të helmuar,  me sindromën e përhershme të “prishjes së festës”, është zor të mbrosh të pandotur idenë mbi të bukurën. E kjo, sipas meje, është kryefjala e artit dhe e edukimit letrar.

12 Komente

Behet fjale per kete bojkot te Shekullit:

Çmimet Kombëtare të letërsisë 2010

Kjo hapësirë bosh i takonte lajmit për Çmimet Kombëtare të Letërsisë. Zyra e shtypit e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nuk njoftoi mbajtjen e aktivitetit kombëtar, ecurinë e të cilit "Shekulli" e ka ndjekur dhe ka këmbëngulur për transparencë. I kërkojmë ndjesë lexuesit për bojkotin, një shenjë proteste ndaj burokracisë së institucioneve të Kulturës që në mënyrë të përsëritur ka shkelur të drejtën për informim dhe ka reshtur së qeni qytetare.

___________________

Çmimet në letërsi 
*Çmimi i Madh i Letërsisë 2010, Sabri Hamiti: “Poetika shqipe”
*Çmimi "Petro Marko" 2010, Ramiz Gjini: “Bibollasit”
*Çmimin "Mitrush Kuteli" 2010, Ridvan Dibra: “Në kërkim të fëmijërisë së humbur”
*Çmimi "Lasgush Poradeci" 2010, Arian Leka: “Ndreqje gabimesh”
*Çmimi "Faik Konica” 2010, Anastas Kapurani: “Migjeni, ose parathënie e dyzuar”
*Çmimi "Gjergj Fishta" 2010, Visar Zhiti: “Panteoni i nëndheshëm”,
*Çmimi "Fan Noli" 2010, Saverina Pasho: “Ishulli i mundshëm” (Michel Houellebecq), përkthim nga frëngjishtja 
*Çmimi "Jusuf Vrioni" 2010, Joachim Röhm: “Për kontributin e gjithanshëm e të shumëçmuar në përkthimit dhe promovimit e dhjetëra shkrimtarëve dhe veprave të letërsisë shqipe në gjuhët dhe kulturat gjermane”
*Çmimi “At Donat Kurti” 2010, Joni Boçari: “Bor-for ose provat e Askanos”
*Çmimi "Migjeni" 2010, Manjola Brahaj: “Vajtimi i Kalipsosë”

Asnje keqardhje. Kjo eshte çorba qe keni gatuar me duart tuaja.

 "...Në këtë vend prodhohet edhe kulturë e lartë, art elitar"...

Per cfare e ke behet fjale ketu? 

... brekëve të aksh këngëtareje 

 

Midis brekeve te reja te cmimeve letrare qe jep (cdo) qeveri dhe brekeve te aksh kengetareje Mrroklla zgjedh breket e kengetares!

Me qejf te modh bile!! 

For everything else, there is NY Public Library! 

 ç 'përfaqsojnë këto çmimet dhe pse kaq shumë çmime plot 10.Psh kush është më i rëndësishëm çmimi Lasgush Poradeci apo çmimi Migjeni. Po çmimi Naim Frashëri apo s'ka .

Kujt i qahet ky pamundësisë për mos promovuar një aktivitet apo ka të drejtë gazeta që Ministria me shumë gërma e ka bojkotuar.Unë i them që çdo gjë që ka vlera e gjen vendin e vet sidomos Kultura.Kur tjetri s'ka dëshirë  të lexojë duhet vlera e librit ta "detyrojë". A.Tufa veç për politikë (editoriale ) ka folur por për vlerat e konkursit hiç.Kësaj i thonë kërko nga të tjerët .

 

letersine dhe artin nuk po ja promovojne sic duhet neper shkollat ku edukohen robt, dhe ky na e kerkoka nga gazetat e mediat..

ai ka lexu nojnjoni nonji nga keto librat mo lart? naj sugjerim? ju lutmi

How come that your sh!t is stuff, and their stuff is sh!t? - G. Carlin.

 ai ka lexu nojnjoni nonji nga keto librat mo lart? naj sugjerim? ju lutmi

Do e postoja kete artikull qe mbreme kur vura listen e cmimeve, por e lashe pas dore.  Sa per kuriozitet:

Sabri Hamiti: Letërsia për mua është ekzistencë

Vepra letrare në dallim nga vepra shkencore shkakton te lexuesi një kënaqësi shpirtërore të llojit të veçantë. Kënaqësia që del nga leximi i tekstit letrar është vlerësuar si një nga elementet bazë që e dallon letërsinë nga veprat e fushave të tjera.

Por sigurisht që kjo nuk e ka penguar jurinë e Çmimit Kombëtar të Letërsisë Shqipe që për këtë vit të dalë nga korniza e tradicionales e të shpallë si fitues një vepër me karakter teorik, studimor dhe interpretues. Juria me kryetar studiuesin Agron Tufa dhe anëtarë: Bardhyl Londo, Persida Asllani, Virgjil Muçi dhe Balil Gjini ka shpallur fitues të “Çmimit të Madh të Letërsisë 2010”, poetin, prozatorin, dramaturgun dhe studiuesin e letërsisë, Akademikun Sabri Hamiti me veprën “Poetika Shqipe”. Çmimi është dhënë për studimin dhe interpretimin e Letërsisë shqipe si një tërësi organike me kodet dhe strategjitë e saj të ligjërimit, nën dritën e teorive dhe hulumtimeve moderne, origjinale dhe bashkëkohore. Akademik Sabri Hamiti në librin “Poetika shqipe” ka përfshirë librat e studimeve e të kritikës letrare: “Bioletra”, “Tematologjia” dhe “Albanizma”.

Në ndarjen e çmimeve letrare akademiku Hamiti e vlerësoi çmimin e dhënë nga shkrimtarët dhe kolegët bashkëkohës: "Me marrë një kurorë letrare që ta ofrojnë shkrimtarët dhe kolegët bashkëkohës, është edhe nder edhe kënaqësi. E kam provuar dashurinë paskajore me shqipen, për ta shpëtuar vetveten, për të mos dalë nga vetvetja, duke e kërkuar Shqipërinë e përhershme dhe duke jetuar në Shqipërinë e përkohshme. Letërsia për mua është shpëtim më shumë se mbrojtje, më shumë se njohje, faktikisht ekzistencë. Ky libër, që kolegët e mi e dallojnë, është në të vërtetë vetëm një titull në trajtën e shquar i një nëntitulli për 40 vite të studimeve të mia letrare. Është vetëm subliment i kërkimeve të mëhershme, përpjekje që një ditë të sistemohen."

Përveç Çmimit të Madh, në ceremoninë që u zhvillua dje në mjediset e MTKRS-së u ndanë edhe nëntë çmime sipas gjinive të romanit, tregimit, poezisë, përkthimit, studimit dhe letërsisë për fëmijë, si çmimi: “Gjergj Fishta”, “Faik Konica”, “Fan Noli”, “ Mitrush Kuteli”, “Petro Marko”, “Migjeni”, “Lasgush Poradeci”, “Jusuf Vrioni”, “Donat Kurti”.

“Ky aktivitet përfaqëson një angazhim të përvitshëm, nëpërmjet të cilit vlerësohet krijimtaria letrare, studimore dhe përkthimore që i ofrohet editorisë shqiptare përgjatë një viti kalendarik. Është e qartë së këto janë çmime të Ministrisë së Kulturës dhe ne si ministri kemi menduar se mund të shkohet drejt një përzgjedhjeje cilësore, duke i deleguar kartën e besimit, me të gjitha të drejtat e përzgjedhjes, një jurie serioze të kompozuar nga shkrimtarë, studiues dhe personalitete të letërsisë. Juria, e cila prej disa muajsh ka hulumtuar mbi risitë dhe dukuritë letrare që janë shfaqur në botimet e vitit që lamë pas, do të na bëjë të mundur vetëm disa minuta më pas të njihemi me arritjet më përfaqësuese në fushën e krijimtarisë letrare, studimit dhe përkthimit, që mendohet se kanë shënuar një nivel kulmor në zhvillimet e sotme letrare.”- u shpreh ndër të tjera në fjalën e tij ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj.

Aida Tuci

_________________

Sic e sheh fh, Cmimi i Madh i Letersise eshte cik si "dry reading" smiley.  Nejse, peshqit ne Shqiperi mbase sugjerojne me shume.    

 shume ankesa paska ky tipi.ne te gjitha gazetat e botes ne faqe te pare eshte politika ose kronika dhe andej nga fundi vjen kultura me sportin.nqs nuk e kane paraqitur gazetat mbase eshte edhe ndonje sinjal se ky konkursi nuk eshte dhe aq intresant ose nuk eshte dhe aq i mire organizuar

Z.Tufa nuk do ta shkruante kete shkrim sikur te mos ishte kryetar jurie. Pasi i ndau çmimet sipas qokave, natyrisht, besoj se nuk ka qene kryetar i pashperblyer jurie nga MTKRS, tani duhej qershia mbi torte- perkedhelja e mediave per to.

Mendoni sikur te ishte kryetar i ndonje institucioni, si do tu hakerrehej mediave- pse nuk me nxirrni ne faqen e pare...

Gazeta me e shitur "The Sun" eshte se ne faqen e trete nxjerr fotografi te vajzave gjysme te zhveshura. A thua nuk ka shkrimtare dhe cmime Anglia?

Çmimet ne Shqiperi jane lajme te njohura.- Jane ca leke qe duhen ndare ne njerez qe neser mund te bejne dicka per ty.

 Mire, mire, po kush e ka menjen te kultura tani mre,. Ky pis milet e ka menjen te Berisha, tej Ramna, tek buka e gojes. Masi ti kena mire kto trija, atehere i vje radha kaltures, veç n'i zonte venin, nai dor domino, a tavell, a noi dor bilardo.

 Vetëm se duhet pak mund e mendje më të hapët për të konstatuar se nuk jemi aspak mjeranë për të na qarë kush hallin. Gjëmën e bëjnë atë, që gjëmën e kanë në kokë! Nuk është aspak dekurajuese gjendja edhe në sferën e vlerave tona shpirtërore, siç është letërsia, për të cilën sot jam i shqetësuar, jo për atë vetë, por për pakujdesinë dhe verbërinë tonë, që i kalon pranë dhe nuk e vëren dot.  

E nxori koken birbuaaaaaa.  Epo vertete ae na iku mendja, ne vazhdojme te mbetemi Fanar Ndriçues n'zemer t'evropit.

Epo i dashur Tufe (borzilok) meqene se edhe je ithtar i partise qe trumbeton tregun e lire, vlerat e artit i dashur i rankon tregu, tregu, tregu. Ankohu ti sa te duash se nuk po ta varin gazetat, perpiqu ti sa te duash ti besh me vete keto. Jo, mor jo, vlerat e verteta, nuk duan shume reklame. Ato mjaftojne te behen, dhe publiku ja jep vete vleren. Po sa per ju dhe MTRKS, do te ish me shume vlere. qe te organizonit edhe gara me shkollat 9 vjeçare, te mesme, gara mes qyteteve, qe ta benit jeten artistike me te gjalle, se keshtu vjen dhe dashuria per artin, keshtu dalin talentet, keshtu ecen kultura, keshtu rdhe ato vlera artistike, qe ju u dhate çmime, do te marin me shume jete..

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).