Në ditët më dramatike të Shqipërisë, Kuvendi pritet të miratojë një koncesion që shkon në favor të sekserit të familjes Berisha, Damir Fazlliç për dhënien e monopolist për pullat fiskale. Formalisht koncesioni i jepet një kompanie amerikane, ndërsa kontrata është lidhur me filialin e saj në Zvicër. Ekspertë ndërkombëtare e kanë quajtur kontratën të dëmshme për ekonominë shqiptare

Parlamenti shqiptar pritej të votonte të enjten kontratën koncensionare mes Ministrisë së Financave dhe kompanisë “Sicpa Security Solution Albania” për dhënien e monopolit të prodhimit të pullave fiskale. Përtej kalimit nga një monopol publik në një monopol privat, kjo kontratë duket se mbart në “background”-in e saj një marrëveshje të fortësh që pritet të kurorëzohet pikërisht sot duke i dhënë fuqi me votat e deputetëve të maxhorancës. Burime nga Ministria e Financave kanë zbardhur dhe lobuesit e kësaj kontrate monopoli mes shtetit shqiptar dhe korporatës amerikane “Sicpa Security”, ndërsa sërish shtytësi dhe ideatori i kësaj kontrate ka qenë miku serbo-boshnjak i kryeministrit, Damir Fazlliç.

Burimet kanë bërë të ditur se Damir Fazlliç ka propozuar informalisht dhënien me koncesion të prodhimit të pullave fiskale, ndërsa në shkurt të vitit 2010 gjithçka ishte gati dhe Ministria e Financave nisi tenderimin për ofertat.

Më datën 5 shkurt 2010 morën pjesë në garë dy kompani për marrjen e këtij koncesioni, “De La Rue International Ltd” si dhe “Sicpa Security Solutions Sa”.

Më 26 qershor 2010 fituese u shpall kompania “Sicpa Security Solutions sa”, ndërsa rivalja e saj në garë kishte konsumuar edhe një ankesë te Avokati i Prokurimeve ku kishte pretenduar një “kurth” të ngritur prej komisionit të ofertave në lidhje me kriteret e dokumentacionit që duhej të përmbushte kjo kompani.

Një muaj më vonë më 7 korrik 2010 Ministria e Financave nisi negocimin e kontratës, e cila ishte parashikuar të nënshkruhej në mesin e muajit tetor 2010. E gjithë procedura e negocimit u krye në një mungesë të plotë transparence. Burime nga Ministria e Financave kanë saktësuar se me këtë çështje janë marrë direkt Ministri i Financave dhe shefi i tij i kabinetit, si dhe dy këshilltarë të kryeministrit Berisha, së bashku me një studio ligjore në Tiranë që ishte dhe përfaqësuese legale e kompanisë “Sicpa Security”. Asnjë lojtar tjetër nuk ishte i përfshirë në këto negociata, as grupet e interesit, ndërsa ministria eliminoi çdo lloj tentative edhe nga ana e medies për të marrë informacion lidhur me ecurinë e negociatave. Duket se negociatat nuk shkuan edhe aq mirë edhe pse palët punonin në fshehtësi totale, pasi ndryshe nga sa ishte parashikuar, kontrata nuk u nënshkrua në mesin e tetorit, por rreth një muaj më vonë. Pikërisht në momentet e ngecjes së këtyre negociatave, në Tiranë është rishfaqur zoti Fazlliç, kësaj here së bashku me ish- gjeneralin e NATO-s, Uesli Klark, për të lobuar në favor të kompanisë amerikane dhe për të shtendosur mosmarrëveshjet mes palëve. Klark ka zhvilluar takim të posaçëm edhe me kryeministrin e vendit, Sali Berisha, ku i ka kërkuar që nënshkrimi i kontratës të mos vonohej më shumë, ndërsa ka lobuar pranë kryeministrit edhe në lidhje me disa pretendime të kompanisë për përqindjet e fitimit në prodhimin e pullave fiskale për asortimentet e akcizës dhe jo vetëm, siç janë alkooli, duhani, barnat etj.

Dy lobuesit duket se ia kanë dalë të marrin në kohë kontratën me kushtet që preferonte edhe kompania që tashmë pritet të marrë monopolin.

Një tjetër aspekt i lidhjes së kësaj kontrate lidhet me kompaninë konsulente të garës, të pajtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe pa garë nga Ministria e Financave. Kjo kompani është “Field Fisher Waterhouse LLP” dhe ishte ngarkuar prej ministrisë të hartonte procedurat për zhvillimin e garës për marrjen e koncesionit. Burime të rezervuara nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se edhe pajtimin e kësaj kompanie që do të hartonte “rregullat e lojës” për fitimin e koncesionit e ka sugjeruar i njëjti negociator që sugjeroi dhe fituesin, Damir Fazlliç. Kjo kompani konsulence, e sugjeruar nga Fazlliç, solli në Tiranë dy ekspertë të saj të quajtur Majkëll Krisik dhe Xhon Bridsman, të cilët asistuan Ministrinë e Financave gjatë gjithë kohës.

Problemet e kontratës:

-   Zgjidhja SICPA nuk është zgjidhje që lufton kontrabandën e duhanit dhe alkoolit, pasi shërbimi i SICPA-s eliminon produktet me pullë të falsifikuar, ndërsa në Shqipëri problem janë produktet pa pullë dhe jo ato me pullë të falsifikuar.

-   Kredencialet e SICPA nuk janë më të mirat bazuar në raportin e OBSH-së dhe qeverisë amerikane etj, kompania ka pasur një skandal me abuzimin dhe fitimin e kontratës në Filipine çka shkaktoi dhe një skandal qeveritar.

-   Çmimi i ofruar në Shqipëri është tre herë më i lartë se ekzistuesi. Shteti humbet gati 60m përqind në krahasim me më parë aktualisht shteti merr 1 lek/pullë akcizë ndërsa në bazë të kontratës SICPPA do t’i japë shtetit 2 përqind të 3 lekëve/pullë akcizë ose 0.06 lekë/pullë.

-   Kompania nuk përfshihet në çmime TVSH-je dhe në taksa të tjera.

-   Kompania duke operuar në mungesën totale të transparencës mund të godasë dhe dëmtojë grupet e interesit për sa kohë që ka operuar pa bërë asnjë këshillim me askënd por duke operuar e privilegjuar në kontakt të drejtpërdrejtë me rangjet qeveritare.

Skandali, Shqipëria do blejë pullat fiskale dy herë më shtrenjtë se vendet e tjera

tema.al

16 dhjetor 2010

Qeveria shqiptare miratoi të mërkurën dhënien me koncesion të “prodhimit dhe ngritjes të sistemit të kontrollit të pullave fiskale”, një vendim i cili është paraprirë nga një procedurë të gjatë shkeljeje, mungese transparence dhe dyshime të besueshme për kosto dyfishe të këtij operacioni, por dhe mungesë eficencë në luftën kundër kontrabandës së duhanit, alkoolit dhe barnave.

Vendimi u mor pas propozimit të Ministrisë së Financave disa muaj më parë, e cila vendosi të zbatojë pulla të reja fiskale për të gjitha produktet e duhanit, produktet e fermentuara dhe distiluara të alkoolit dhe birrës, me destinacion tregun vendas, të importuara apo prodhuara në vend, si dhe për produktet farmaceutike.

Historia ka filluar në fillim të shtatorit të vitit 2010 kur nisi dhe procedura e konkurrimit për dhënien me koncesion të prodhimit të pullave fiskale. Në tender u paraqitën disa firma, mes tyre dhe SICPA Security. Gara nxori fituese pikërisht kompaninë SICPA, ndërsa një prej konkurrentëve në tender pretendoi parregullsi dhe diskriminim gjatë garës. Por, duket se historia dhe skandali i vërtetë fillon pikërisht në momentin që kompania SICPA fitoi garën. Për disa muaj rresht kjo kompani negocioi me Ministrinë e Financave termat e kontratës koncesionare, që ishte lënë për tu nënshkruar më datën 15 tetor. Për javë të tëra marrëdhënia mes kompanisë dhe ministrisë ka qenë tërësisht jashtë çdo lloj konturi transparence dhe për kontratën dhe ecurinë e saj ka pasur dijeni vetëm ministri Bode, një grup i vogël ekspertësh në ministri, dhe kryeministri Berisha.

Ky koncesion krijon sipas ekspertëve tri problem të mëdha.

Së pari çmimi i pullave është dyfishi i çmimit që e njëjta kompani ka ofruar në Filipine një vit më parë.

Së dyti, ky sistem nuk është në një gjatësi vale me rekomandimet dhe marrëveshjet ndërkombëtare të Shqipërisë për luftën kundër trafikut të mallrave me ‘akcizë’ të fortë, siç janë duhani, pijet alkoolike dhe barnat.

Dhe së treti, procedura e tenderit ka qenë tërësisht jo-transparente dhe fituesi është diktuar nga një lobues i lartë amerikan, i parë nën shoqërinë e Damir Fazlliçit në muajin tetor në Tiranë, për të cilin u përfol se ka ardhur për lobim pranë zotit Berisha.

Dështim i kushtueshëm në luftën kundër kontrabandës së cigareve

Nga Besar Likmeta dhe Gjergj Erebara

Balkan Insight

Një skemë prej disa miliona eurosh për pullat e reja fiskale, që ka si synim të luftojë tregtinë ilegale të cigareve dhe alkoolit, mund të jetë e kushtueshme dhe jo-efektive, sipas një hetimi të Balkan Insight.

Sistemi i pullave të reja fiskale, i mundësua nga “SICPA Securities” nuk është në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare për të luftuar tregtinë ilegale të produkteve të cigareve.

Për më tepër, sistemi nuk ka të dhëna se ka reduktuar trafikun në ato vende ku është aplikuar dhe nëse kjo është zgjidhja e duhur, mbetet ende një çështje e hapur.

SICPA ka fituar një kontratë ekskluzive koncesioni për të furnizuar me pulla fiskale qeverinë shqiptare në një vlerë prej dhjetëra miliona euro për mbi 35 vjet.

Pullat printohen si një provë që janë paguar taksat ndaj qeverisë. Ato përmbajnë teknologjinë e nevojshme që lejon të gjurmohen produktet që kur lënë fabrikën e deri në rrjetin e shpërndarjes.

Qeveria thotë se kjo teknologji e gjurmimit, do të ndihmojë për të luftuar kontrabandën e cigareve, pijeve dhe produkteve të tjera, duke sjellë më shumë të ardhura për shtetin.

Megjithatë, kompanitë e cigareve janë ankuar se tenderi për dhënien e kësaj kontrate ekskluzive nuk ka qenë transparente. E kontaktuar nga Balkan Insight, SICPA ka refuzuar që të japë komente për këtu akuza. Edhe Ministria e Financave nuk iu është përgjigjur shumë kërkesave për koment.

Kosto të shtuara, përfitime të paqarta

Më 27 shkurt të vitit 2005, Shqipëria u bë një nga 160 vendet që ratifikoi Konventën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për kontrollin e duhanit.

Ndër detyrimet që përfshihen në këtë traktat përfshihet edhe sistemi i gjurmimit të cigareve për të kuptuar se nga vijnë, miratimi i ligjeve më të forta kundër kontrabandës dhe sigurimi se cigaret që konfiskuara do të shkatërrohen.

Palët nënshkruese të kësaj konvente kanë rënë dakord për negociata shtesë për të ulur kontrabandën e cigareve. Negociatat për këtë protokoll nisën në vitin 2008 dhe mund të kompletohen vitin që vjen.

Luk Joossens, një ekspert ndërkombëtar për kontrabandën e cigareve, thotë se një sistem i saktë gjurmimi i lejon autoritetet të bëjnë një hetim të plotë në momentin që kapen cigaret e kontrabanduara. Kjo u jep hetuesve të dhëna të plota se kush i ka prodhuar dhe kush i ka shitur.

“Qëllimi i këtij protokolli është që të kontrollojë rrjetin furnizues dhe dërgesat e mëdha kur udhëtojnë nëpër botë,” thotë Joossens.

I papërshtatshëm për Shqipërinë?

SICPA pretendon se ka zhvilluar një sistem të plotë dhe funksional gjurmimi.

Ky sistem përdor të dhëna dimensionale, të printuara në paketim me një bojë të padukshme për syrin, por që lexohen nga një skaner xhepi. Në të shkruhen emri dhe adresa e distributorit, data dhe vlera.

Megjithatë, më 22 shkurt 2010, në një raport konfidencial të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që është siguruar nga Balkan Insight, theksohet se pas “ekzaminimeve të afërta të sistemit, ai mbulon vetëm disa aspekte të autenticitetit.

Sipas të njëjtit raport, sistemi gjurmues i SICPA nuk plotëson kërkesat minimale të gjurmimit, për shkak se kodet nuk janë të lexueshme për syrin e njeriut dhe nuk janë në përputhje me standardet ndërkombëtare të kodimit në seri.

“Sistemi i sigurisë së pullave të SICPA është direkt i varur në ngritjen e një rrjeti të ngushtë e të sigurisë së lartë, që përbën problem sigurie edhe për në vendet më të zhvilluara, e në mënyrë të paevitueshme do ketë probleme të mëdha në vendet më pak të zhvilluara,” thuhet në raport.

Thuhet se sistemi nuk është efektiv në bazë të kostos dhe i papërshtatshëm për burimet e kufizuara për vendet në zhvillim.

“Eksperti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në raportin e tij për sistemin e gjurmimit e thotë qartësisht se sistemi i përdorur në Turqi nga SICPA nuk është i përshtatshëm,” thotë Janine Cameron, një menaxhere për avokatinë ndërkombëtare të tregtisë ilegale pranë “British American Tobacco”.

Sipas Anshu Banarjee, përfaqësuesja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipërisë, afatet e protokollit do të finalizohen dhe shtetet nënshkruese do të kenë afatet kohore të përmbushjes së tyre dhe detyrimet që duhen plotësuar nga Shqipëria do të bëhen të detyrueshme në një pikë gjatë kontratës së gjatë ekskluzive të SICPA-s.

“Unë mendoj se duhet të nisin dikur me sistemin e gjurmimit, por ata kanë rreth pesë vite kohë përpara se mekanizmi aktual të plotësojë kriteret e kërkuara,” thotë Banarjee.

Kalifornia e implementoi sistemin SICPA në vitin 2005 dhe shpesh është cituar si një histori suksesi nga mbështetësit, për shkak se të ardhurat nga taksat janë rritur me 100 milion dollarë pas instalimit.

Megjithatë, një studim i vitit 2009, i realizuar nga Departamenti i të Ardhurave në Indiana, që mori në konsideratë sistemin SICPA, raportoi se këto pretendime nuk janë korrekte, për shkak se pullat e kriptuara mund të falsifikohen lehtësisht.

“Brenda një muaji që kur programi i pullave të kriptuara nisi në Kaliforni, Zyra e SHBA për Alkoolin, Cigaret dhe Armët e Zjarrit, zbuloi pulla të falsifikuara në të gjithë shtetin,” thuhet në raport.

Të ardhurat në Kaliforni u rritën me 0.5 përqind në vitin 2005 e 2006, pas implementimit të sistemit të pullave të kriptuara dhe masave të tjera ligjore, thuhet në raportin e Departamentit të të Ardhurave.

Megjithatë, nga viti 2006 deri në vitin 2008, të ardhurat ranë me 6.8 përqind për shkak se trafiku nuk ishte ndaluar.

Sipas raportit, një makinë për aplikimin e pullave kushton nga 125 deri në 150 mijë dollarë për prodhuesit e shitësit e mëdhenj, e rreth 800 dollarë për supermarketet- të gjitha kosto që shkojnë në shpinën e qytetarëve.

Joossens, që e ka parë sistemin SICPA në Brazil e në Kaliforni, thotë se ai punon mirë në nivel kombëtar, por nuk punon mirë kur bëhet fjalë për nivel ndërkombëtar, kur kontrabanda i kalon kufijtë. Kjo për shkak se vendet e tjera nuk mund të lexojnë kodet e printuara për të gjurmuar se kush i ka prodhuar apo shitur cigaret kontrabandë.

“Në Brazil, sistemi SICPA nuk mund të ndalonte kontrabandën e cigareve nga vende të tjera si Paraguaji,” shton Joossens.

Ankesat për tenderin

Cigaret e kontrabanduara në Shqipëri përbëjnë pjesën më të madhe të cigareve që shiten. Sipas një raporti të vitit 2008 të

Euromonitor International Illicit Trade, taksat paguhen për vetëm 45 përqind të cigareve që u shitën në vend në vitin 2006.

Në shtator të vitit 2009, pas një propozimi të dhënë nga SICPA, Këshilli i Ministrave hapi procesin e tenderimit për një koncesion 35- vjeçar për një sistem gjurmimi.

Më 23 dhjetor, parlamenti ndryshoi ligjin që i njihte pullat fiskale si një “monopol shtetëror”, duke lejuar dhënien për kompani private pas miratimit nga Kuvendi.

Ofertat për tenderin u hapën më 2 shkurt, kur komisioni i përzgjedhjes në Ministrinë e Financave skualifikoi të vetmin konkurrent të SICPA.

De La Rue Security më qendër në Britani, dha një ofertë më të ulët, por u skualifikua për shkak se nuk ofroi në kohën e duhur dokumentacionin që kishte paguar taksat.

De La Rue, një kompani publike e listuar në Bursën e Londrës, printon monedhën britanike dhe siguron teknologjinë dhe letrën për rreth 150 monedha të tjera. Më përpara ka fituar kontrata me Bankën e Shqipërisë për të prodhuar lekun shqiptar.

Komisioni i tenderit deklaroi se kjo kompani nuk kishte provuar se kishte eksperiencë direkte në implementimin e një sistemi gjurmimi për pullat fiskale.

Kompania bëri një apel, por iu rrëzua. Një zëdhënës i saj nuk komentoi për këtë çështje duke thënë se kompania ishte fokusuar në projekte të tjera.

Megjithatë, kompanitë e cigareve si Philip Morris, British American Tobacco dhe Japan Tobacco janë ankuar se tenderi nuk ka qenë transparent, se sistemi i shtrenjtë i SICPA nuk do të ulë shitjen e cigareve kontrabandë, në një kohë që në tregun shqiptar cigaret shpesh shiten pa pullë ose me pullën fiskale të vendeve të tjera.

Ata janë ankuar në shumë autoritete, përfshi kryeministrin Sali Berisha, por thonë se kanë marrë një përgjigje që nuk i ka lënë të kënaqur.

Kompanitë thonë se ky sistem do rrisë çmimet për pullat dhe kjo do bjerë në shpinën e konsumatorëve.

12 Komente

 wow

 

Ne nje kohe kur behet gjema dhe populli Shqiptar eshte i shokuar ende nga vrasjet makabre ne rruget e Tiranes ngjarje skandaloze ndodhin. si kjo e lirimit te njerit prej pergjegjesve te Gerdecit ,Minxollit...Dhe afera skandaloze si kjo e pullave fiskale

O Arti, une te admiroj. Pa tallje. Sepse nqs indinjohesh, do te thote qe ke marre vesh ndonje gje nga artikulli (po perjashtoj rastet e indinjimit a priori, meqe shkruan Mero Baze kunder qeverise). Po pate mundesi na bej nje permbledhje te shkurter e te qarte. flm

 Ne daqten 6 nendor te vitit qe shkoi sikurse edhe kam shkruar ahere, para meje dy karrige, te avionit qe nisej prej Rinasi, per ne Munchen, udhetuan edhe Damir Fazlliç dhe Gjenrali Klark... Nje bisnesmen serb dhe  Gjenerali amerikan, i cili vetem disa vite me pare,  kishte bombarduar atdheun e bisnesmenit, po fjaloseshin, goje me goje, si te ishin... te nje barku.

 Ku ta dija une i ziu, se ata te dy ferkonin barkun, prej ngopjes me ato qe po rrembenin prej, te fakireve te vendit tim.Avazi i ketyre lloj "currlesh korruptive" te qeverritareve kusare, u ndjeka vone.Shume vone, per tu rivene ne sirane e hakut te popullit.Prandaj del domozdoshmeria e shembjes se piramides se ngritur  te Korrupsionit dhe hajduterise.Faktet jane bere mmale.Sa i shohin edhe ata pa drite syri...

Nje korrigjim te vogel, i dashur Grava, me duket e ke fjalen per 6 Tetorin 2010( jo 6 Nentor), sepse me 9 Nentor Fazllic mberriti ne Tirane( nisur nga London), per nje vizite te shkurter... sic ishe prezent edhe vete...

 Po! E sakte ne 6 tetor, Lapsus...! Sepse kam hyre gabim ne daten qe... Fazlliç ishte duke udhetuar per ne Shqiperi ..bashke me Juve..

Flm

Prokuroria i ka lexuar keto?

Sepse institucionet nuk funksionojne prej kohesh ne "luften kunder korrupsionit", prandaj kemi 21 Janarin!

Dhe 21 Janari, po nuk u vazhdua deri ne rrezimin e germadhes korruptive te Qeverise Berisha  numer 2,fazllicet,berishovicet, do ta grryejne ate vend. 

O Artiiii, se me frymezove tani. I ka dale boja artikujve me histori korrupsioni, eshte ngopur publiku, nuk shtyhen me. Nje keshille, ne vend te fotos te Demirit, ver ate te Tony Montana, ashtu po qe ka lezet.

Droge, pushtet, vrasje, korrupsion, seks, degjenerim dhe ne sfond muzika e Scarface,

Push it to the limit

smiley

nje mik imi ne fb shkruante

"mos shikoni kisha (ps) e xhamia (pd), ktej per lesh po ik shqypnia"

Problemi qendron ketu kur mediat dhe shoqeria civile merren me demet e pas-21 janarit, Berisha dhe Salibanet e tij po kalojne ligje skandaloze nen rrogoz. Nejse ketij kombi nuk i ka ngelur gje tjeter vecse protestat...

Jam i irrituar me kurverine Europjane, te cilet po e trajtojne urrejtjen popullore si nje "dukuri jodemokratike" dhe disa nga ata(si ministri Slloven Pahor) flasin per zgjedhje lokale si te mos kishte ndodhur asgje. Problemi i BE-se eshte se kurre nuk ka pasur nje politike te jashme unike se jane mbi30shtete me politika dhe interesa te ndryshme.

qe nje abuzim nga drejtori i pergjithshem i tatimeve..

tjeter

..

 

Po sa shitet e sa nuk shitet duhet te matet e kontabilizohet sic behet ne gjithe boten. Si qenka abuzim ti kerkosh tjetrit te vendosesh kasen fiskale?! Po ai shitesi i gazit qe s'faturon dhe nuk i paguan tvsh e taksa shtetit, ty dhe mua po na i vjedh leket.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).