http://www.dw-world.de/image/0,,6428461_4,00.jpgNë festivalin e filmit Berlin konkurron "Falja e gjakut" për Ariun e Artë, Alimani prezanton "Amnistinë" në Forum e Nik Xhelilaj është njëri nga dhjetë yjet e rinj të kinematografisë evropiane.

Të enjten fillon Berlinalja 61-të dhe ashtu si çdo vit kryeqyteti gjerman do të jetë për dhjetë ditë (10.-20.02) nën ethet e kinematografisë: Yje dhe yllka nga e gjithë bota do të shkelin tapetin e kuq në sheshin Marlene Dietrich. Berlinalja do të hapet me një film të vëllezërve Coen, "True Grit", i cili nuk merr pjesë në garën konkurruese për Ariun e Artë.

Për herë të parë në historinë e Berlinales konkurron zyrtarisht një bashkëprodhim amerikano-shqiptar. “The Forgiveness of Blood” (në shqip: Falja e gjakut) i regjisorit amerikan Joshua Marston trajton pasojat e gjakmarrjes në Shqipërinë e sotme. “Ky model arkaik thyhet në këtë film, sepse tema trajtohet nga perpsektiva e të rinjve, të cilët nuk e kuptojnë këtë zakon”, tha drejtori i festivalit Dieter Kosslick gjatë prezantimit të programit në Berlin.

“Falja e gjakut” është filmi i dytë i 42-vjeçarit Joshua Marston, mbas atij kolumbiano-amerikan “Maria full of Grace” (2004). Ish-reporteri i televizionit ABC e ka shkruar skenarin e filmit aktual së bashku me kineastin shqiptar, Andamion Murataj, njëkohësisht producent. Këta si dhe aktorët në rolet kryesore Tristan Halilaj, Sindi Laçej, Refet Abazi e Ilire Vinca Çelaj do të jenë të pranishëm me rastin e premierës botërore të filmit të premten, më 18 shkurt. Pikërisht një ditë para se juria me në krye aktoren italo-suedeze Isabella Rosselllini do të shpërndajë Arinjtë e Artë. Gjithsej 16 filma janë vënë në garë për ta.

"Amnistia" në Forum

Por Berlinalja flet shqip qysh në ditën e dytë të saj: Më 11 shkurt do të bëhet prezantimi i parë i "Amnistisë" së Bujar Alimanit. Filmi i parë me metrazh të gjatë i 41-vjeçarit nga Patosi tregon historinë e një burri dhe një gruaje që afrohen me njëri-tjetrin tek shkojnë për të takuar bashkëshortët e tyre në burg. “Është një film tipik autorial që shkon me profilin e Forumit,” thotë Bernd Buder, i cili e nxiti producentin grek që ta prezantonte filmin në Forum. Programi shoqërues i Berlinales zhvillohet për herë të 41-të dhe është fokusuar kryesisht në regjisorë të rinj të pavarur që kanë një vështrim subjektiv ndaj temave. I tillë është edhe filmi i Alimanit, sqaron Buder. “Është një inventar i një shoqërie në transformim e që të vë në mendime. Nga të gjitha karakteret e filmit ajo që mbetet është pyetja se mos transformimi i shoqërisë bëhet me një shpejtësi shumë më të madhe se sa mund ta përballojë individi, “ - thotë Buder më tej.

Struktura jo transparente

Edhe pjesëmarrja e dy regjisorëve të rinj nga Shqipëria, Gentian Koçi dhe Kolo në "Talent Campus" është shpresëdhënës për kinematografinë nga Shqpëria. Ndërsa ajo kosovare këtë radhë mungon, megjithëse në filmin konkurrues luajnë një numër i madh aktorësh nga Kosova.  Kosova ka jo vetëm potencial aktorial, por edhe autorial, thotë Bernd Buder, i cili ka vite që i ndjek zhvillimet e kinematografisë në Evropën Juglindore. Por ai vëren disa dallime mes Shqipërisë dhe Kosovës. “Ndërsa në Shqipëri në vitet më të fundit ka pasur një qendrueshmëri në stafin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, çka ka bërë që të ketë shumë bashkëprodhime dhe bashkëpunime me jashtë, në Kosovë strukturat e shpërndarjes së të ardhurave janë ende jotransparente”. Buder shton se me gjithë talentet e shumta që ka Kosova, temat e tyre vazhdojnë të lëvizin brenda kuadrit kombëtar dhe janë të vështira për t'u tranmetuar në një publik më të gjerë.

Xhelilaj - Shooting Star 2011

Por sidoqoftë, si Shqipëria ashtu edhe Kosova (Prifilm) kanë lajmëruar pjesëmarrjen e tyre në Tregun e Filmit Evropian (EFM) që  zhvillohet paralelisht me Berlinalen. Këtë vit aty do të promovohet bashkëprodhimi gjermano-shqiptar “Der Albaner” (Shqiptari). Filmi i regjisorit Johannes Naber pat korrur një sërë çmimesh gjatë vitit të kaluar. Ndërsa në fillim të këtij viti ai u nderua edhe me çmimin prestigjioz Max Ophuels në Saarbruecken. Aktori i tij kryesor Nik Xhelilaj do t'i prezantohet të hënën, më 14 shkurt, publikut si një nga dhjetë  talentet e përzgjedhura të kinematografisë evropiane. Se me sa kontrata, premtime, fonde apo arinj do të kthehen shqiptarët nga Festivali i Filmit në Berlin, kjo nuk dihet. Por edhe këtu vlen parimi i lojrave olimpike: Pjesëmarrja është e rëndësishme.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Aida Cama

1 Komente

suksese!Nik Xhelilaj me gezon shume me arritjet e tij smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).