Sistemi klientokratik shqiptar nuk mund të kuptohet i shkëputur nga vetë struktura e shoqërisë shqiptare. Ai jo vetëm e riprodhon këtë strukturë, por është edhe një pasqyrim i drejtpërdrejtë i saj. Thelbi i strukturës sociale shqiptare sot është fragmentizimi. Sot nuk kemi ndarje mes shtresave të ndryshme sociale, por përplasje mes grupimeve, që nga pikëpamja sociologjike i përkasin të njëjtës shtresë. Prandaj, për të kuptuar se nga buron sistemi klientokratik, duhet të kuptojmë më parë procesin e fragmentarizimit të shoqërisë shqiptare sot.  Gjatë njëzet viteve të tranzicionit, shoqëria shqiptare ka kaluar në një proces të vazhdueshëm fragmentizimi.  Komunitetet dhe grupimet shoqërore, të organizuara horizontalisht dhe me një identitet të qartë politik e social, u shpërbënë duke u zëvendësuar me grupe të përbëra nga individë të izoluar nga njëri-tjetri. Me rënien e komunizmit, u zhdukën shtresa sociale si klasa punëtore, kooperativistët dhe komunitetet lokale. Me fundin e tranzicionit po zhduken edhe shtresat e ish-të persekutuarve politikë dhe të ish-pronarëve.  

Ky fragmentizim social erdhi si pasojë e kombinimit të paktën të tre faktorëve; ekonomik, kulturor dhe demografik.  Reforma ekonomike shqiptare, në thelb prodhoi një proces de-industrializmi dhe një ekonomi që bazohet kryesisht tek bujqësia, shërbimet dhe vetëpunësimi, duke eleminuar kështu kolektivitetet që janë tipike për prodhimin. “Revolucioni kulturor” i viteve 1990 e vuri interesin personal në piedestal, duke e kthyer individualizmin në fenë e kohëve tona. Së fundi, lëvizjet e mëdha demografike, si brenda edhe jashtë vendit, shkatërruan komunitetet ekzistuese, si në fshat, edhe në qytet.  

Ndërveprimi i këtyre tre faktorëve e ka kthyer shoqërinë shqiptare nga një organizëm kolektiv, në një grumbull individësh në konkurrencë më shumë sesa në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Por ndërsa për faktorët kulturorë dhe demografikë që e kanë prodhuar këtë fenomen është folur mjaft, aspekti ekonomik pothuajse është injoruar. Ndaj, në këtë analizë ne do fokusohemi te fragmentizimi social, si pasojë e reformës dhe modelit tonë ekonomik të zhvillimit.  

Modeli aktual i zhvillimit që është përqafuar në Shqipëri nga të gjitha partitë kryesore politike, ka prodhuar dy fenomene të ndërlidhura. Së pari, ekonomia shqiptare është transformuar nga një ekonomi e industrializuar rëndë dhe në mënyrë ineficente në një ekonomi të de-industrializuar, ku bujqësia primitive dhe shërbimet janë dy sektorët kryesorë të saj. Së dyti, ekonomia shqiptare është transformuar nga një ekonomi që rritej nëpërmjet prodhimit, në një ekonomi që rritet nëpërmjet konsumit. Sot shqiptarët, më shumë sesa prodhues janë transformuar në konsumatorë.  

Ndaj, theksi sot vendoset tek tregtia e lirë që presupozohet të ofrojë çmimin më të ulët për konsumatorin dhe jo tek mbrojta e prodhimit vendas. Kështu, theksi është tek lufta ndaj inflacionit që dëmton konsumatorin (si dhe sektorin e shërbimit financiar) dhe jo tek nxitja e prodhimit nëpërmjet nxitjes së kërkesës. Ndaj, sot monumentet e reja të ekonomisë shqiptare janë qendrat tregtare dhe jo fabrikat (madje edhe ndonjë fabrikë shumë shpejt zëvendësohet me qendër tregtare).

De-industrializimi dhe theksi tek konsumi kanë thelluar fragmentizimin e shoqërisë shqiptare. Së pari, transformimi i qytetarëve nga prodhues në konsumatorë ka theksuar izolimin e tyre social, në raport me njëri-tjetrin. Teksa procesi i prodhimit nxit formimin e grupimeve sociale të organizuara, procesi i konsumit stimulon individualitetin dhe fragmentizimin. Së dyti, shumica dërrmuese e të punësuarve në ekonominë shqiptare (mbi 70%) punojnë në biznese familjare, me një ose dy punëtorë. Si të tillë, ata nuk formojnë një shtresë të ndërgjegjësuar dhe të organizuar sociale.  

Një situatë e ngjashme është edhe në sektorin bujqësor. Për nga pesha që zë në GDP, bujqësia është sektori më i rëndësishëm i ekonomisë shqiptare sot. Ama, në zonat rurale si pasojë e fragmentizimit të tokës, si pasojë e mungesës së kreditimit dhe si pasojë e konkurrencës së prodhimeve nga jashtë, bujqësia është ende në gjendje primitive dhe përqendrohet kryesisht tek përmbushja e nevojave jetike të fermerëve. Për pasojë, nuk kemi ende një sektor të organizuar fermerësh, çka kërkon transforimin e bujkut në fermer, që prodhon me shumicë për tregun. Përkundrazi, kemi një numër të madh bujqish individualë, që prioritet kanë mbijetesën vetjake.
Në kushtet e një fragmentarizimi të tillë social, është tejet e vështirë për partitë politike t’i drejtohen grupimeve sociale in-ekzistente. Fragmentarizimi social do të thotë se politikanët përballen me kërkesa individuale dhe jo sektoriale (si p.sh., fermerët, punëtorët, mësuesit, pensionistët, etj).  Pra, çdo individ kërkon një përfitim imediat personal dhe jo një politikë nga e cila do përfitonte e gjithë shtresa e tij.  Dhe kjo për faktin e thjeshtë, se si pasojë e fragmentizimit social, individët nuk ndjehen pjesë e një shtrese të caktuar. Për pasojë, qeverisja në Shqipëri nuk i përgjigjet interesave të shtresave të caktuara sociale, por synon të kënaqë klientela të caktuara. Përfituesit imediatë të politikave qeverisëse janë individë, apo kompani dhe jo sektorë të caktuar.

Diçka e tillë vjen si pasojë e faktit që modeli aktual neoliberal i qeverisjes, (që si askund tjetër në Europë është zbatuar i plotë në Shqipëri) i redukton shumë hapësirat politik-bërëse, nëpërmjet të cilave shteti mund t’u përgjigjet nevojave të shtresave të caktuara sociale dhe për pasojë, duke i artikuluar këto shtresa edhe politikisht. Në këtë model, shteti tërhiqet nga shoqëria duke hequr dorë nga çdo pasuri dhe aset kombëtar, duke ia shitur ato kryesisht kapitalit të huaj.  

Aktualisht, shteti shqiptar ka pranuar të heqë dorë nga mbrojtja e prodhimit vendas, duke e hapur tërësisht tregun lokal ndaj prodhimeve të huaja. Është hequr dorë nga kontrolli mbi kursimet e shqiptarëve duke e privatizuar tërësisht sektorin bankar, kryesisht në dobi të kapitalit të huaj.  Është hequr tërësisht dorë nga pasuritë minerare, duke e privatizuar tërësisht këtë sektor. Është hequr dorë nga sektori i telekomunikacionit, duke e privatizuar atë tërësisht në dobi të kapitalit të huaj. Po hiqet dorë edhe nga sektori i energjetikës, siç tregoi privatizimi i dështuar i KESH. Në kuadrin e fushatës “Shqipëria një euro”, qeveria filloi të hiqte dorë edhe nga territori, duke ia dhuruar pjesë të tij kompanive të huaja.

Në mungesë të prodhimit dhe në mungesë të aseteve kombëtare që prodhojnë të ardhura, shteti shqiptar, për të siguruar të ardhura, shet vazhdimisht vetveten. Aq sa mund të themi se shteti shqiptar tashmë është shndërruar në një Agjencinë Qendrore Shitjesh, ku qeverisja reduktohet tek tenderat, licencat dhe koncensionet. Nëpërmjet privatizimit ofrohen asetet kombëtare si telefonia, energjetika, apo lumenjtë. Tek investimet e huaja ofrohet Karaburuni, importi i plehrave, apo Shqipëria një euro, e kështu me radhë.  

Ky proces shitjesh krijon automatikisht edhe klientelat blerëse, që formohen rreth aseteve shtetërore dhe kombëtare, të cilat vazhdimisht dalin në shitje. Këto janë klientela që ndajnë me qeveritarët dhe partitë e tyre politike fitimin e blerjes, por që prioritet nuk kanë prodhimin, por vjeljen e këtyre aseteve. Partitë politike dhe politikanët nga ana tjetër, e përdorin pushtetin jo vetëm për të kënaqur klientelat ekonomike dhe mediatike që përftojnë nga pushteti i tyre, por edhe për të kënaqur anëtarësinë partiake, që punësohet në shtet. Në kushtet e një ekonomie të fragmentizuar, me pak prodhim dhe për pasojë me papunësi të lartë, shteti, pavarësisht reduktimit të vazhdueshëm, mbetet punëdhënësi më i madh në ekonomi. 
Nëse politikën e përkufizojmë si sistemin e shpërndarjes së të mirave materiale (dhe jo materiale), ndërsa ekonominë si sistemin e prodhimit të tyre, mund të themi se Shqipëria ka shumë politikë, por pak ekonomi. Jo rastësisht kur flitet për demokratizimin shqiptar, ekonomia mungon tërësisht. Flitet për mungesën e kulturës demokratike, për mungesën e zbatimit e ligjit dhe për mungesën e institucioneve të forta, por jo për strukturën tonë ekonomike, që është jo vetëm produkt, por edhe burim i këtyre mungesave. Diskutimi ekonomik në sferën tonë publike kufizohet një herë në vit tek debati rreth buxhetit, që në fakt është një debat mbi shpërndarjen dhe jo prodhimin e të mirave materiale. 

Këtu duhet kërkuar burimi i një pjese të mirë të klientokracisë shqiptare. Klientokracia është produkt i përpjekjes sonë për të ndërtuar një demokraci pa ekonomi.  Klientokracia është një sistem qeverisjeje, që përqendrohet tërësisht tek shpërndarja e të mirave materiale dhe pak ose aspak tek prodhimi i tyre. Jo rastësisht rritja jonë ekonomike buron jashtë nesh, si p.sh nga remitancat. Jo rastësisht kjo rritje kërkohet po jashtë nesh, nëpërmjet investimeve të huaja.

Në këtë sistem, Shqipëria ngjason me një tepsi byreku, të cilës i sulen klientela të ndryshme politike, mediatike dhe biznesi, shqiptare dhe të huaja, secila duke synuar të marrë një copë sa më të madhe. Dikush e zgjat dorën vetë, direkt tek tepsia, ndërsa të tjerë marrin diçka nëpërmjet përfaqësuesve të tyre politikë. Përqendrimi ekskluziv tek konkurrenca për të marrë një copë sa më të madhe nga byreku ekzistues, në vend të bashkëpunimit për të bërë më shumë byrek, shkakton edhe përplasje të forta mes klientelave të ndryshme, si dhe debate politike, se kush e ka radhën të vihet në krye të tepsisë.  

Kemi të bëjmë me një rreth vicioz, në të cilin struktura ekonomike prodhon një strukturë politike klienteliste, e cila më pas riprodhon strukturën ekonomike nga buron edhe vetë.  Përveç faktorëve kulturorë dhe demografikë, pikënisja e këtij qerthulli vicioz është politika ekonomike, që është përqafuar sot si nga PD, edhe nga PS. Thelbi i kësaj politike është theksimi i tregtisë dhe konsumit në kurriz të prodhimit, si dhe reduktimi i rolit të shtetit në shitës dhe jo shtues të pasurive kombëtare. Një politikë tjetër ekonomike është një nga hapat e parë që duhet hedhur për të dalë nga sistemi aktual klientokratik. Pikërisht, këtë do të trajtojmë në artikullin në vijim; Drejt një tjetër modeli zhvillimi. 

21 Komente

"Por ndërsa për faktorët kulturorë dhe demografikë që e kanë prodhuar këtë fenomen është folur mjaft, aspekti ekonomik pothuajse është injoruar."

Si heq dot nje presje. Megjithese eshte permendur dhe ne shkrime te tjera. Kur do dali artikulli tjeter? Ka ketu ndonje per te shtuar ndonje gje per faktoret e tjere?

Kajsiu, 5 *****

Aspekti ekonomik, papunesia, klientelizmi shume here vetem per nje vend pune (pa folur per interesa te medha) nuk po trajtohet sa duhet, e eshte kyc.   

Rastis edhe te godase ndonje gje Kajsiu, sidomos kjo pjesa ketu:

- Fragmentarizimi social do të thotë se politikanët përballen me kërkesa individuale dhe jo sektoriale (si p.sh., fermerët, punëtorët, mësuesit, pensionistët, etj).  Pra, çdo individ kërkon një përfitim imediat personal dhe jo një politikë nga e cila do përfitonte e gjithë shtresa e tij. 

 

 

 Ketu ka nje spjegim nga ana teorike pse nuk krijohet poli i trete ne Shqiperi.

10* 

E kam dëgjuar Kajsiun në dy tre debate Tv dhe e kam kuptuar thelbin e tezës së tij të sistemit klientokratik që është shumë i drejtë por Kajsiu nuk i shton dhe sistemin e hajdutërisë(kleptokratik) për të dalë më paqsisht dhe më i kuptuar në analizën e sotme e me disa rrjeshta ka shtjelluar thelbin e e paaftësisë e papërgjeshmërisë të politikës Shqiptare .Kjo lloj politike me politikanë tregtarë (+hajdut&eumlsmiley ka filluar që herët me "çekun e bardhë" e deri në "Shqipëria 1€" . Përveç ndërhyrjeve "miqsore" për pamundësinë e Shtetit Shqiptar për mbajtjen e industrisë dhe domosdoshmërisë e privatizimeve , shumë shpejt politika Shqiptare e kuptoi se forca e puntorëve të grumbulluar në uzina e fabrika ishte një kërcënim i vazhdueshëm për ta. Industria e vendit fitimprurëse ose jo në fillim u braktis dhe u rrënua papërgjegjshmërisht dhe ndoshta për uljen e vlerave të saj .Industri mjaft fitimprurëse si ajo minerare apo metalurgjike (veçanërisht kromi dhe bakri ) pas rrënimit u nxorrën n'ankand për konçesione aspak transparente dhe fitimprurëse por as me kushte të përcaktuara investimi e punësimi.

Ndoshta analiza e Kajsiut bën të mundur që ata që duan të jenë forcë e re politike të dalin me një program ekonomik ndryshe nga të tjerat . Mos interesi për industrializimin e por dhe modernizimin e bujqsisë jo vetëm në forcat politike por dhe në diskutimet politike nga kafenetë në forume interneti .Me keqardhje kjo vlen dhe për PPU ku për shëmbull në një shkrim të postuar mbi konçensionet e industrisë minerare pat vetëm      3-4 komente .Por politika nuk s'vlen asgjë pa zhvillimet e përgjithshme  ekonomike. 

Një politikë tjetër ekonomike është një nga hapat e parë që duhet hedhur për të dalë nga sistemi aktual klientokratik. Pikërisht, këtë do të trajtojmë në artikullin në vijim; Drejt një tjetër modeli zhvillimi.

Pyetja ime eshte kur do i vije koha qe te diskutohet per fjalet "Politika ekonomike " eshte banned term ne debatet politike. Lere te flasesh per nje politike tjeter ekonomike..

 

5*

 

 

 Ka shenja se politika po kthen fytyren dhe vemendjen nga ekonomiasmileyhqiperia arrore, Shqiperia ullinjore, Shqiperia peme frutore . Po kthehemi tek teza e Krucovit, e atij burrit te shkurter si helmi, qe keshillonte: mbillni portokalle dhe limona , se sa per grure, aq sa u duhet juve, e hane minjte ne hambaret e BS. smiley

Me doktore dhe piktore nuk behet ekonomia. Edhe nje ekonomist qe keshem, na doli pijetar i thekur.Poshte autarqia! Rrofte importi, europa dhe ameriqia.smiley

smiley BE ishte kryefjala e abstrakteve te platformave  partiake para zgjedhjeve ( platforma keto qe thuajse nuk ekzistonin realisht)  tani vertet kur e mendoj beeeeee beeeeeeee kemi bere

Nderkohe raporti import - eksport  eshte  ne me te miren e tij 3 me  1

Kajsia eshte perqendruar tek Klientokracia dhe struktura ekonomike, qe prodhon kete fare kohezioni social te munguar. Mungesa e politikave afatgjata eshte e theksuar. Ajo qe deshton Kajsia eshte analiza e institucioneve, qe jane te kapura nga klientokracia, kleptokracia..Jane disfunskionale, pamvarsisht struktures ekonomike..

Ka te dhena te gabuara ne shkrim por shkrimi ne pergjithsi eshte jo vetem ne rregull, por edhe i nevojshem. Gjynah qe nuk ka nje grup te interesuar per ta zhvilluar me tej.

Pergjithesisht mire Kajsiu, por ka ca vende ku mund te kritikohet dhe ku mund te kishte bere me shume.

 

Sot nuk kemi ndarje mes shtresave të ndryshme sociale, por përplasje mes grupimeve, që nga pikëpamja sociologjike i përkasin të njëjtës shtresë.

 

Ky pohim eshte deri diku i vertete.  Por ama po te shikosh si votohet per te ashtequajturat parti te "djathta" dhe te "majta" mund te dalesh ne nje konkluzion qe pervec perplasjes midis grupimeve ka dhe nje perplasje midis shtresave.  Paradoksalisht (ne fakt per Shqiperine asgje s'eshte paradoksale) partia qe zotohet te jete e "majte" votohet pergjithesisht ne zonat urbane (8 nga 12 bashkite qenderqark, qe normalisht jane qytetet me te medhaja te vendit, jane nen kontrollin e PS-se) qe realisht ne hierarkine socio-ekonomike qendrojne me larte se zonat rurale.  Nga ana tjeter partia qe zotohet te jete e "djathte" votohet masivisht ne zonat rurale.

 

Komunitetet dhe grupimet shoqërore, të organizuara horizontalisht dhe me një identitet të qartë politik e social, u shpërbënë duke u zëvendësuar me grupe të përbëra nga individë të izoluar nga njëri-tjetri. Me rënien e komunizmit, u zhdukën shtresa sociale si klasa punëtore, kooperativistët dhe komunitetet lokale.

Ky pohim nuk eshte dhe aq i thjeshte.  Homogjeniteti i ketyre grupimeve shoqerore nuk ka qene dhe aq kompakt sac aludon Kajsiu.  Perbri ketij organizimi, diktatura komuniste i gruponte njerzit si mbas moralit politik dhe si mbas perkatesise krahinore (komuniste ose simpatizante te komunizmit leber apo/edhe toske qendronin ne nje shkalle me larte se ta zeme antikomunsite gege apo came).  Kjo percarje e krijuar gjate komunizmit u be me e forte me renien e tij, sidomos prej mos denimit te pjeses te privilegjuarve te komunizmit qe ishin pergjegjes per krime politike.

Me fundin e tranzicionit po zhduken edhe shtresat e ish-të persekutuarve politikë dhe të ish-pronarëve.  

Ky pohim eshte i pasakte.  Nuk e di c'ka dashur te thote Kajsiu ketu, por deklarata nuk qendron fare.

 

Në kushtet e një fragmentarizimi të tillë social, është tejet e vështirë për partitë politike t’i drejtohen grupimeve sociale in-ekzistente. Fragmentarizimi social do të thotë se politikanët përballen me kërkesa individuale dhe jo sektoriale (si p.sh., fermerët, punëtorët, mësuesit, pensionistët, etj).  Pra, çdo individ kërkon një përfitim imediat personal dhe jo një politikë nga e cila do përfitonte e gjithë shtresa e tij.  Dhe kjo për faktin e thjeshtë, se si pasojë e fragmentizimit social, individët nuk ndjehen pjesë e një shtrese të caktuar. Për pasojë, qeverisja në Shqipëri nuk i përgjigjet interesave të shtresave të caktuara sociale, por synon të kënaqë klientela të caktuara. Përfituesit imediatë të politikave qeverisëse janë individë, apo kompani dhe jo sektorë të caktuar.

Kjo pastaj eshte pak si puna e vezes dhe pules.  Shkaktare te fragmentarizimit social jane dhe vete partite politike.  Partitie politike e shohin me te volitshme dhe te lehte qe me politikat e tyre te mbeshtesin individe te caktuar qe zotojne pushtet ne zona te ndryshme (cuba, gangsterre, biznesmene, drogaxhinj, kotrabandiste, te forte, ish funksionare te regjimit komunist etj) te cilet duke perfituar ekonomikisht nga mbeshtetja e njeres apo tjetres bande kleptokrate, i sigurojne bandes se caktuar votat qe i'u nevojiten ne nje zone te caktuar.  Fut ketu nivelin medioker intelektual te masave dhe nevojen per t'u ndjere te permbushur emocionalisht dhe te identifikuar me nje fraksion i.e. sharjet ndaj "malokeve" dhe "malokut" apo ndaj "bllokmenve" dhe "bllokmenit", percarjet dhe indetifikimet krahinore dhe ja ku del mbeshtetja kaq e gjere per dy kleptokracite kundershtare.  Realisht partitite politike do duhet te mundoheshin shume me programe e politika te plota e te qarta qe perkojne me interesat e shtresave te ndryshme sociale, por kjo eshte pune per partite te verteta dhe kjo per banda kleptokratesh qe zgjedhin rrugen e "lehte".

Partitë politike dhe politikanët nga ana tjetër, e përdorin pushtetin jo vetëm për të kënaqur klientelat ekonomike dhe mediatike që përftojnë nga pushteti i tyre, por edhe për të kënaqur anëtarësinë partiake, që punësohet në shtet.

Por jo vetem.  Duke qene te varfer vete, politikanet e perdorin pushtetin per perfitim personal duke e kthyer shtetin ne ndermarrje shitjesh tenderash, licensash e koncesionesh per 7% apo 20% apo edhe shuma me te majme.

 

Përveç faktorëve kulturorë dhe demografikë, pikënisja e këtij qerthulli vicioz është politika ekonomike, që është përqafuar sot si nga PD, edhe nga PS.

Vath ne vesh per te gjithe mbeshtetsit e bandave kleptokrate, qofshin keta te nivelit "pse malokun ne krye do duroj une", apo ata qe hiqen si me te sofistikuar dhe flasin per transparence, pergjegjsi, liri te medias, autoritarizm etj.

" .... Në mungesë të prodhimit dhe në mungesë të aseteve kombëtare që prodhojnë të ardhura, shteti shqiptar, për të siguruar të ardhura, shet vazhdimisht vetveten. Aq sa mund të themi se shteti shqiptar tashmë është shndërruar në një Agjencinë Qendrore Shitjesh, ku qeverisja reduktohet tek tenderat, licencat dhe koncensionet. Nëpërmjet privatizimit ofrohen asetet kombëtare si telefonia, energjetika, apo lumenjtë. Tek investimet e huaja ofrohet Karaburuni, importi i plehrave, apo Shqipëria një euro, e kështu me radhë... "

   Tani e vuri re Blendi kete gje.  

 

" .... Kemi të bëjmë me një rreth vicioz, në të cilin struktura ekonomike prodhon një strukturë politike klienteliste, e cila më pas riprodhon strukturën ekonomike nga buron edhe vetë. Përveç faktorëve kulturorë dhe demografikë, pikënisja e këtij qerthulli vicioz është politika ekonomike, që është përqafuar sot si nga PD, edhe nga PS. Thelbi i kësaj politike është theksimi i tregtisë dhe konsumit në kurriz të prodhimit, si dhe reduktimi i rolit të shtetit në shitës dhe jo shtues të pasurive kombëtare. Një politikë tjetër ekonomike është një nga hapat e parë që duhet hedhur për të dalë nga sistemi aktual klientokratik. Pikërisht, këtë do të trajtojmë në artikullin në vijim; Drejt një tjetër modeli zhvillimi... " 

  Nuk ka nevoje te lodhet, le te lexoje "Vizione te qarta" .

Shkrim komunist. Korrupsioni ulet duke ulur peshen e shtetit ne shoqeri; e kunderta, me shume shtet, ajo qe propozon Kajsiu, rrit korrupsionin.

Shkrime jashte kohe nga nje majtist i vonuar, sepse keto teza jane debatuar ne Europen perendimore ne '68. 

Te krijosh dhe te drejtosh politika qe nxisin industrializimin dhe prodhimin ne vend nuk eshte komunizem. E ke pare ceshtjen ne prizmin me te ngushte te mundshem.

Shih se Kajsiu eshte nga ato qe nuk e sheh shtetin si nxites, por mendon qe shteti duhet te nderhyje vete drejtperdrejte si aksioner/pronar.

Me ndje, po ku e lexon kete ne shkrimin me siper?

Ne te gjithe shkrimet e Blendi Kajsiut skema eshte e njejta:

1. Keqardhje per shkaterrimin e sistemit ekonomik para '90 dhe si rrjedhoje prishjen e atij kohezioni social (te gjithe te barabarte ne varferi)

2. Kritike sistemit ekonomik aktual, i cili krijon ndarje te shoqerise ne te varfer e te pasur.

3. Si zgjidhje propozon, nderhyrjen e shtetit rendshem ne ekonomi, jo me ne rolin e arbitrit, por ne ate te protagonistit.

Me variacione te ndryshme gjithe artikujt e tij sillen rreth kesaj skeme.

Mendoj se kjo analize e mire eshte vetem nje pjese e se "vertetes".

-Nqs do te marim si te verteta arsyet e fragmentizimit te ekonomise bujqesore (fshataresise) atehere le ti hedhim nje veshtrim bujqesise shqiptare para luftes se dyte boterore. Pra atehere kur kishim pronare te medhenj ose te mesem tokash dhe argate qe punonin per ta. Per aq sa di une: Bujqesia edhe ne ate kohe ka qene e pa zhvilluar.

Cdo teze e Kajsiut duhet krahasuar me gjendjen perkatese para luftes se dyte boterore.

Fragmentizimi per mua eshte ne rradhe te pare rrjedhoje e klanizimit te etnise shqiptare. Ne sot identifikohemi si shqiptare ndersa dje ishim i keti ose atij fisi. Vetem ne shqiperi ekziston pyetja: i kujt je ne .......... ti ore? Prandaj dhe jemi ne "lufte" te perhershme me njeri tjetrin dhe jo ne bashkpunim me njeri tjetrin.

Per mua shkaku kryesor i fragmentizmit te etnise shqiptare eshte terreni gjeografik i thyer ku jetojne shqiptaret.

 Mendoj se Kajsiu gabon ne premisen e analizes.

E trajton ceshtjen sikur Shqiperia nga sistemi i kaluar trashegoi nje ekonomi te shendetshme. Ne fakt ekonomia shqiptare ne vitin 1990 ishte ne zgrip, me industri te planifikuara keq (politikisht) te cilat po jepnin shpirt. Kishte nevoje urgjente per kapital te huaj, dhe askush nuk kishte dale te bente sevap. Sot jemi ne kushtet e nje ekonomie globale, ku Shqiperia nuk eshte nje territor 28 mije metra katrore qe pluskon i pavarur ne univers. Kapitali i huaj ishte dhe mbetet i domosdoshem per rigjallerimin e industrive. Ekonomi pa konsum nuk mund te kete. Ekonomi pa prodhim aq me pak nuk mund te kete. Por qe te prodhosh duhet te kesh kapital, dhe ky kapital nuk do te binte si mana nga qielli.

Jam dakord qe manovrat duhet te kishin qene me te kujdeshme, por kam frike se me ate qe i kishte mbetur ketij vendi ekonomikisht ne kohen kur sistemi ra, nuk mund te diktoje te ardhmen. Abuzim dhe keqmenaxhim pati shume por reformat ishin te pashmangshme. Shpresoj nuk keni harruar ndemarrjet jo-rentabel, raftet bosh ne dyqanet e bulmetit dhe ushqimoret. 

 

 

Nuk eshte askund Kajsiu. Nuk e kupton ekonomine as si shkence e as si proces. Konstatimi i tij eshte qe shoqerite shqiptare ( Kajsiu me qellim apo pa qellim i harron mbi 60 % te shqiptareve jashte Republikes se cunguar te Shqiperise) jane bere konsumuese. Mire- ketu edhe qendron esenca, por pse jane konsumuese? Nuk jane konsumuese per shkak te rrenimit te prodhinmit dhe fabrikave, por per shkak se shesin dicka- ne rastin tone- punen e emigranteve. Parate per konsum duhet te vijne dikah...Mandej thote Kajsiu fragmentarizmi- nuk pajtohem aspak- sot me shume se kurre ka dallim mes nje shtrese super te vogel te pasur dhe krejt tjereve super te varfer- nese e ka fjalen per fragmentarizem klasor apo shtresor e ka gabim. Fragmenarizem ka nder shqiptare ne jemi te fragmentuar ne 6 shtete dhe deri sa nuk e verejme kete s ka zhvillim dhe krejt kto analiza kshui fare kot jane hajt futja nje pordhe!

 ahhaha fillimisht e lexova klintokracia shqiptare. medova deri ketu paskemi arritur, paskemi bere progres.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).