Këtë artikull po e shkruaj në përgjigje të pyetjeve të shumta që më dërgoi Olti Buzi, Drejtori Editorial i AlbaniaNews në Itali, në emër të bashkëpunëtorëve të kësaj platforme të rëndesishme elektronike në diapore pas transmetimit nga Al Jazeera English TV me 27 Janar të programit ‘Inside Story: Albania’s escalating political crisis’.

 

Kriza e tanishme politike dhe vrasja e tre demonstruesve, njëri nga të cilët, sipas filmimit që është qarkulluar në internet, nuk përbënte ndonjë kërcënim për personelin ushtarak dhe civil në ambientet e godinës së Kryeministrisë, janë shumë tronditëse. Në shkrimin e tij ‘Mbi ngjarjet e Janarit’, botuar në gazetën ‘Shekulli’ më 3 Shkurt, Ismail Kadare me të drejtë thekson se, fatmirësisht, në kohën tonë historia shqiptare është ‘njëherësh shqiptaro-europiane’. Megjithatë Kadareja nuk medoj se ka të drejtë kur i shikon ngjarjet e 21 Janarit si shkak për prishjen e ‘normalitetit të jetës shqiptare’.

Jeta shqiptare, shoqëria shqiptare, pothuajse çdo hallkë e shtetit shqiptar dhe veçanërisht jeta politike shqiptare kanë kohë që nuk janë normale. Në fakt kjo e fundit ka qënë thellësisht jonormale që nga përmbysja e diktaturës komuniste në vitin 1991.

Ky realitet jo normal ka zgjatur kaq shumë sa që, fatkeqësisht, për shumë nga ne, por veçanërisht për ata që kanë lindur në dy dekadat e fundit, anormalja është i vetmi realitet që njihet, serviret, propagandohet dhe, deri diku, pranohet si normalitet.

Demokracia për ne shqiptarët mbetet një aspiratë por jo realitet, dhe kjo aspiratë ka të ngjarë të mos realizohet edhe për shumë kohë po qe se refuzojmë t’i themi gjërat ashtu siç janë. Përgjegjësit kryesor për krizën politike dhe trazirat e fundit në Shqipëri jemi ne shqiptarët që kemi lejuar për kaq kohë disa drejtues të klasës politike të përdorin një ligjërim hipokrit ‘demokratik’ për të fshehur epshin e tyre demonik për pushtet dhe pasuri, epsh i cili nuk duhet shikuar vetëm në prizmin e korrupsionit. Në rastin e disa drejtuesve të politikës shqiptare, korrupsioni duhet pagëzuar me emrin e trishtueshëm që meriton: tradhëti kombëtare.

Dhuna policore që u filmua më 21 Janar duhet të na shqetësojë shumë sepse është tregues i frikshëm i natyrës totalitare të ‘demokracisë’ shqiptare. Në shkrimin e tij ‘Ata që në pushtet mbahen me dhunë, nga dhuna do të vdesin’, të botuar në gazetën ‘Shekulli’ më 27 Janar, Rexhep Qosja na kujton se fetishizimi dhe mitizimi i shtetit rezulton në fashistizimin dhe stanilizimin e tij, pra në shndërrimin e shtetit në një instrument vrasës që likuidon fizikisht qyetarët të cilët nuk janë dakord me të.

Pushteti në Shqipëri është fetishizuar dhe mitizuar por shteti shqiptar nuk është fashist dhe incidentet, perfshirë edhe tragjedinë e 21 Janarit, duhen gjykuar me gjakftohtësi për të mos nxjerrë konkluzione të gabuara që mund të kenë pasoja të rënda për kohezionin kombëtar që është në një gjendje delikate.

Ata që me 21 Janar autorizuan të hapet zjarr ndaj demonstruesve si dhe gardistët që ekzekutuan këtë urdhër monstruoz duhet të paraqiten para ligjit. Në policinë dhe ushtrinë shqiptare, që është inkuadruar në NATO, nuk duhet të ketë vend për automatë dhe kriminelë. Ndërsa eprorët e tyre civil dhe ushtarak nuk duhen lejuar që të përdorin varësit dhe qytetarët e thjeshtë si mish për top për të mbajtur në fuqi një klikë të caktuar, kushdo qoftë ajo. Një nga tragjeditë më të mëdha të aktualitetit shqiptar është çvleftësimi i jetës që shkon deri në përçmim dhe urrejtje mizantropike.

Sali Berisha do t’i bëj një shërbim të madh vendit po qe se ai paraqet prova te padiskutueshme në mbështetje të akuzave që ka bërë ndaj Edi Ramës dhe opozitës në përgjithësi se ngjarjet e 21 Janarit ishin një përpjekje e orkestruar nga ana e tyre për të realizuar një grusht shteti. Po qe se këto prova nuk materializohen, Berisha dhe disa anëtare të kabinetit dhe të Partisë Demokratike duhet të përballen me ligjin sepse një ligjërim i tillë jo vetëm që kriminalizon padrejtësisht opozitën dhe terrorizon psikologjikisht popullin por edhe dëmton edhe më tej imazhin e Shqipërisë në botë si një vend ku grushtet e shtetit gjoja janë normale.

Berisha u ngut kur u shpreh në mbrojtje të Ilir Metës menjëherë pas publikimit të filmimit në të cilin ky i fundit duket sikur i jep udhëzime një anëtari të qeverisë për të favorizuar miqtë e tij. Po qe se filmimi rezulton të jetë i fabrikuar, autorët e videos duhet të ndëshkohen sipas ligjit, dhe Meta të kthehet në postin e tij qeveritar. Po qe se filmimi i fshehtë është i vërtetë, Meta duhet të përballet me ligjin dhe të tërhiqet përfundimisht nga jeta politike dhe publike.

Sjellja e Metës, qeverisë dhe opozitës në këtë rast do të dëshmojë shkallën e pjekurisë së klasës politike shqiptare në një kohë kritike si për Shqipërinë, që aspiron të pranohet në Bashkimin Europian, ashtu edhe për të ardhmen e Kosovës, pikërisht tani që Serbia dhe aleatët e saj nuk po lënë gur pa lëvizur për të sabotuar proceset demokratike në Kosovë si dhe njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

Zgjedhjet në Shqipëri duhet të zhvillohen në përputhje me kohën kur janë planifikuar. Megjithatë, kur e kërkojnë interesat e vendit, zgjedhjet është e këshillueshme dhe në disa raste edhe e domosdoshme të zhvillohen edhe para kohe. Ata që kane fituar votë drejtësisht s’duhet të kenë frikë të përballen me elektoratin.

Gjatë njëzetë viteve të fundit Shqipëria nuk ka zhvilluar asnjëherë zgjedhje të pakontestuara dhe të pastra. Në Shqipëri në disa zona gjatë zgjedhjeve votat, me sa duket, blihen dhe shiten ditën me diell me para në dorë nga disa politikanë dhe anëtare të familjeve të tyre. Askush nuk duhet të bie në batakun e këtyre prostitutave të ‘demokracisë’ shqiptare; ata duhen demaskuar pa asnjë hezitim. Dhe kjo nuk është e vështirë në kohën tonë kur çdonjeri prej nesh është një reporter falë celularëve dhe paisjeve të shumta elektronike që posedojmë. Kurdo që t’iu afrohet dikush që t’ju blej votën, fotografoni pa ndrojtje fytyrën kriminale të korrupsonit politik dhe përcilljani fotot mediave në Shqipëri, diasporë dhe mediave të huaja. Demokracia në Shqipëri nuk do të konsolidohet pa një angazhim aktiv të qytetarëve në proceset demokratike. Ngjarjet e fundit në Tunizi, Egjipt, Jordani dhe Jemen kanë treguar në mënyrë bindëse rolin dhe efektivitetin e mediave sociale ne sfidimin dhe heqjen qafe të regjimeve të korruptuara.

Korrupsioni ështe kanceri i shoqërisë shqiptare por ky kancer mund të luftohet me sukses. Korrupsonin duhet ta luftojmë të gjithë së bashku duke manifestuar mosbidje civile, veçanërisht brezi i ri. Studentët duhet të refuzojnë të ndjekin leksionet e lektorëve për të cilët kanë fakte të pamohueshme se janë të korruptuar. Pacientët, të afërmit e tyre dhe personeli mjeksor duhet të demaskojnë mjekët e korruptuar. Po qe se punonjësit e administratës u kërkojnë të paguani rryshfete për t’iu shërbyer, refuzoni të dilni nga institucionet shtetërore deri sa t’iu shërbejnë në përputhje të plotë me ligjin. Po qe se kjo ju duket e pamundur, kujtoni se u desh një Rose Parks që me ‘mosbindjen’ e saj në vitin 1955 ndezi shkëndinë e lëvizjes për të drejtat e Afrikano-Amerikanëve, duke i bërë kështu një shërbim të pashoq demokracisë amerikane.

Politika shqiptare ka nevojë urgjente për transfuzion gjaku. Persona që kanë mbajtur dhe vazhdojnë të mbajnë poste drejtuese në politikën shqiptare që në fillim të viteve 1990-të duhet të tërhiqen sa më shpejt dhe përgjithmonë nga skena politike. Disa politikanë shqiptarë si në pushtet dhe në opozitë u ngjajnë despotëve të tipit të Ben Aliut dhe Mubarakut. Anëtarët e partive duhet të kenë kurajon të kërkojnë me insistim dorëheqjen e drejtuesve po qe se entet e tyre politike nuk fitojnë në zgjedhjet e përgjithshme apo lokale në mënyrë që në vendin e tyre të vihen njerëz të rinj, dinamike dhe me vizion, qëllimi parësor i të cilëve është t’i shërbejnë popullit dhe mbrojtja e interesave kombëtare.

Demokracia shiptare po kalon ditë të vështira. Le të shpresojmë se të gjthë ne, por veçanërisht klasa politike shqiptare, do të nxjerrim konkluzionet e duhura nga ngjarjet e turpshme, të dhimbshme dhe të dënueshme të këtij fillim viti. Të shpresosh nuk është gjithmonë e mjaftueshme.


Dr Gëzim Alpion
Department of Political Science and International Studies
The University of Birmingham, UK
(05 shkurt 2011) © Albania News

10 Komente

Shkrimi tenton te perpiqet si neutral, por thelbi i tij con uje ne kampin e Edi Rames per zgjedhje te parakohshme.  Flitet per korrupsionin e qeverise; po korrupsioni dhjetevjecar i kryebashkiakut te Tiranes a perben shqetesim per qytetaret e Shqiperise? 

Na thuhen se nuk kishte rrezik per mbrojtesit e nderteses se qeverise; sikur jane plagosur nja 80 prej tyre apo kjo ska rendesi?

Na citohen Rexhep Qosja kur dihen opinionet e tij (per me shume mund te lexoni artikullin "Rexhep ne letersi dhe Qose ne politike", botuar nga nje opinionist kosovar).  Kurse Ismail Kadareja nuk paska te drejte meqenese thote qe prishet normaliteti i jetes shqiptare; per fat te keq po asistojme qe prej dy vjetesh ne zbatimin e pseudo-teorise se "demokracia eshte me e rendesishme se stabiliteti".  Berisha eshte politikan autoritar, kjo ska as me te voglin dyshim.  Po kush valle do ta sjelle demokracine ne Shqiperi, Rama qe vetem demokrat smund te jete se kete e ka treguar brenda partise se vet.

Mendoj se anormaliteti i Shqiperise fillon nga kokat e shqipetareve, te cilet kane nje talent te rralle per te zgjdhur ne krye te vendit lidere problematike.   

Na thuhen se nuk kishte rrezik per mbrojtesit e nderteses se qeverise; sikur jane plagosur nja 80 prej tyre apo kjo ska rendesi?

          Demostruesit si armet me efikase kishin gurret dhe cadrat e shiut. Nese jane plagosur 80 police nga 800 qe ishin ne mbrojtje te godines se KM, nga rreth 200 protestues qe i provokonin me gura, atehere duhet te dale urgjentisht pergjegjesia e drejtueseve te ketij dikasteri, minimalisht per mospajisjen e policeve me mjetet e domosdoshme per te mbrojtur pjeset delikate te trupit nga sendet e forta.

 Sali Berisha do t’i bëj një shërbim të madh vendit po qe se ai paraqet prova te padiskutueshme në mbështetje të akuzave që ka bërë ndaj Edi Ramës dhe opozitës në përgjithësi se ngjarjet e 21 Janarit ishin një përpjekje e orkestruar nga ana e tyre për të realizuar një grusht shteti. Po qe se këto prova nuk materializohen, Berisha dhe disa anëtare të kabinetit dhe të Partisë Demokratike duhet të përballen me ligjin sepse një ligjërim i tillë jo vetëm që kriminalizon padrejtësisht opozitën dhe terrorizon psikologjikisht popullin por edhe dëmton edhe më tej imazhin e Shqipërisë në botë si një vend ku grushtet e shtetit gjoja janë normale.

Kjo eshte beteja e dites: do te fitoje demokracia ,  apo ne emer te paranojes per puc/grusht shtetit, do ti jepet grushti i fundit institucioneve  dhe shtetit ligjor?

Vetem PERGENJESHTRIMET qe SB i ka bere deklaratave dhe akuzave te tij ne 2-3 ditet e para pas 21 janarit, jane te mjaftueshem per t`u perballur me ligjin.

Mbreti eshte lakuriq, kurse tufa e te verbuarve, nga adhurimi per idhullin antikomunist , brohoret ne ekstaze smileyHTYPJANI KOKEN PUCIT*

*popullit

Lakuriq vetem nje mbret kemi pare deri tani, Edi Ramen. 

Do te isha shume i lumtur nese Berisha do te largohej nga pushteti sot; por nese do te me thoni se ai qe do ta zevendesonte eshte Edi Rama, ju them qe tufa e te verbuarve eshte po aty dhe brohoret, duke pergatitur revolucionet dhe trazirat e neserme.

 Besian, do te dija mendimin T`uaj: Cilen zgjidhje ofron  si me te pranushmen? Mes dy te keqiave, qe realsht po thoni, cilen  keni me te lehten per te zgjedhur?

Dhe se fundi..." Mbret Edi Rama deri tani"..! Gjer ketu nuk duhet te na katandisesh.

Mos u merzit shoku, e ka marre ne dore shteti me demokratik  i rruzullit, demokracia eshte ne duar te sigurta.

 Lum e ke mire  fare...

  Jo vetem tek neve, por pa u gabuar, mund te themi se ne krejt Evropen Lindore, kryengritja kunder utopise  racionale, u kthye ne nje prirje  shoqerore  qe  tashme eshte e rrenjosutr thelle; "Perpjekja" per te kerijuar nje shoqeri  "PA SHTET",  me ne fund eshte  konkretizuar me se miri ne Shqiperine tone.Dhe nuk eshte se kemi ketu ndonje gje te re, me kete "perpjekje" goxha te madhe.Ajo buroi nga  vete thelbi i  i perbashket i socializmit dhe liberalizmit. Dhe demokracia? Vazhdon te mbetet  nje aspirate , nje enderr. Si dhe  ajo per KOMUNIZMIN.

Mirepo  krejt ndryshe nga  socializmi dhe liberalizmi , te quajturat revolucione te kadifenjta, pas 1989 (dhe  1990 tek neve) rezultuan te ishin "utopira" edhe pse ne thelb nuk ishin te tilla.Idete rracionale mbi shoqerine dhe shtetin, mbi te gjitha, mbi moralin, u konsideruan nga prijesit e  atyre kthesave si enderra me sy hapur te inetligjencies marksiste, e cila i vuri detyren vehetes..... te legjitimizonte sundimin  sipas aspirates komuniste...(Katovica).

  Dhe ne fakt nuk pati idera te tjera te vlefshme.Sepse tek neve te gjitha idete qe i referoheshin sferes publike, nen sensin e demokratizimit , u lidhen per here me  ato te aspirates komuniste.Keshtu kthesa e jone, na rezultoi ne nje lloj ZHAKERIE, kunder cilitdo model Republike, cilesdo forme shteti.

 Te gjithe e dime qe aspirata  liridashese e Zhakerise nuk ka qene liberalizmi.Per pasoje ashtu si dhe ne vendet e BOTES SE TRETE, ne ato te Bllokut  Sovjetik edhe tek neve Shteti..."i zgjedhur me vota" sikunder na ve ne dukje Mister... ARVIZU, asnje here deri me sot nuk na eshte paraqitur si perfaqesuesi i Rendit Publik te shoqerise, mbi te cilen kjo makine sundon.Por  per dite e me teper po shfqet si nje Perandor, si i huaj, pasi ai bazohet kryekeput mbi nje llogjike te huaj.Dhe kjo jo vetem ne kuptimin etnik te fjales.

E kunderta  do te ishte plotesim  apo nisje ne fillimaspiraten qe patem ne vitet  90.Le ta spjegojme sipas llogjikes se thjeshte.Njerezore eshte .."PRIVATJA".Kerkesat  univesale abstrakte, te tilla si detyrimet politike apo dhe detyrat qytetare, jane pare prej  te gjitheve, se pari prej intelektualeve, si pretekste mashtruese, grabitejeje nga ana e nje bande  cubash te pushtetshem, te cilet e kane quajtur dhe vazhdojne ta quajne vehten ata 'SHTETI". Kjo eshte arresyeja pse te drejtat qyetare  shikone sot e gjithe diten si  "tituj meritushmeria".Politika e  lirise  eshte bere e barasvlefshme me te drejten ..per te mos u qeverisur apo per t`i shpetuar  pjesmarrjes ne qeverrisje (intelektualet e formuar &nbspsmiley."Arratisa" e intelektualeve te mire u kthye ne nje bindje dhe me ne fund ne domozdoshmeri.(peyeteni seicli vehten..!)

   Ne kete fare lloj shteti, kultura universale dhe  dhe politika universialiste,  jane bere tashme te huaja.Zgjedhjet,  rrotacionet "me ...VOTA" ( qe gjithenje jane vjedhur e vidhen) per zevendesimin e ekipeve qeverrises,  sikurse na meson abetaren ARVIZUJA, nuk shpien ne krijimin e nje shteti, me  demokarcie funksionale, por vetem ne rrethin vicioz tonin.Perendimi dhe mbi te gjitha Amerika as ka dhene e as e jep dot "Receten" e berjes se shtetit me demokraci funksionale, duke patur  per shtetberes, "burrat e mbedhenj" ,  mbeturinat e nje te kaluare, .... te keqkuptuar, nga vete Perendimi. Jam i sigurte se per keteo rrenje te se keqes  as Mr.Arvizuja as  keta afer te  Evropes nuk e kane vrare dhe nuk e vrasin mendjen.     Ndoshta sepse e dine... qe te keqiat hiqen me bisturi prej trupit me plage te qelbezuara... 

Dhe tek sa po degjoja keshillat e Arvizuse se si vine qeverrite ne krye mu kujtua nje  episod humoristik.Episod i degjuar ne vitet e mia te feminise.Ndodhia ben fjale per... "nje thes me kashte".Ne kufirin mes dy fshatrave te Delvines Kalases dhe Bamatatit, pati kete "ndodhi" qe Laberia  ja u shprehu me vargje... 

Dymbedhjete kalasjote

S`ngrinin dot ..nje thes me kashte

Vajti nej i bamaqot, e u tha:

"Zbrazeni more! Ta ngreme bashke..!

  Mos te ma marrin per keq amerikano -shqiptaret dhe shqiptaro-amerikanet, ne se une, sot e tutje, do ta quaj Arvizune"I BAMAQOTI"!

   E kam  pa qellim te keq

Demokracia shqiptare ne udhkryq ?! Dyshoj qe ne shqiptaret te kemi provuar ne vendin tone nje sistem demokratik te mirfillte. Te gjithe diskutojme dhe perpiqemi duke mbajtur here anen e njeres force politike dhe here te tjetres, e, nganjehere edhe duke u stermunduar te qendrojme mbi palet, fenomenet me te cilat shoqeria shqiptare po ndeshet ne kete faze te zhvillimit te saj. Historia e pas viteve 90 ka nxjerre ne pah se formacionet politike qe kane udhehequr procesin e ndertimit demokratik, kane qene vete te paformuara dhe te papergatitura per te implementuar parimet e shtetit te se drejtes dhe te ekonomise se tregut te lire. Ne nje fare menyre, keto formacione e kane konsumuar vetveten dhe nuk jane ne gjendje te prodhojne me politike, ato prodhojne vetem demagogji dhe konflikt qe i vendos ne dy krahet e llogoreve per te anatemuar apo fajsuar njera tjetren. Duke shfrytezuar pakenaqsine qe ekziston ne popull, ato perpiqen te rrisin aksionet e tyre politike dhe te vetshpallen si perfaqsueset e vetme te aspiratave te shumices se popullsise qe pretendojne se i ka zgjedhur. Fasha "gri" ajo qe nuk numerohet as me njerin dhe as me krahun tjeter te politikes, eshte rritur mjaft dhe, duke mos patur besim tek politika dhe politikanet aktuale, qendron indiferente dhe nuk merr pjese ne jeten politike,por mjaftohet vetem te mbaje qendrim here indiferent, here perbuzes dhe here kritik duke mos ndermarre aksione konkrete per te krijuar shtratin e nevojeshem ku mund te ndertohet nje vizion i qarte per te ardhmen e shoqerise shqiptare, per te ardhmen e Shqiperise dhe te vete shqiptareve. Une besoj se ka shume energji pozitive tek intelektualet shqiptare si brenda ashtu edhe jashte Shqiperise. Eshte koha qe intelektualet te hidhen ne aksion per te filluar nje proces te ndertimit te nje kulture te re politike, te nje kulture qytetare politike, nje kulture gjithperfshirese ku te gjithe te kontribuojne, larg dhunes,larg urrejtjes...

Domokracia jone,demokraci funksionale,na thone.Notova neper ca fjalore,por desh u mbyta per ta marre vesh ''shqip''.Atehere,ku dhemb dhembi vete gjuha,e ''perktheva' <vetura jone>.(Me falni per perngjasimin)

         Vetura jone,se e kam ne bashkepronesi  me time shoqe,ne pamje te pare nga llamarina,ka ca blana ne ngjyra te ndryshme nga karambolet e bera,here per faj tonin dhe here te te tjereve.Gomat nuk i ka te nje marke,ca pa lule,ca me pulla e ca me hedhje.Dritat,sinjalet e ku di une,ca i ndizen,ca nuk ndricojne,edhe pse i bleme bateri te re.Bejme ta ndezim,ajo geerrr-verrr,mezi sikur ndez.Fiket,ndizet...''Punon'' thote ime shoqe.''Ah,funksionon'' them une i lodhur.Bej t'i jap para,ajo me iken pas.''Zbrit,ta marre une''thote ajo.''Pse s'te pelqej une?''.Grrindemi,skuqemi,shahemi,japim e marrim sa vetura na fiket.Komshinjte shohin,dicka thone,dikush qesh,por ne...E shtyjme,ajo s'merr para.E cfare s'i bejme.''Ta cojme ne servis''thote ajo.''Ta cojme per skrap''them une.''Eshte e mire ,jepi nje boje''degjoj dike...E keshtu ndezim nga nje duhan,duke pare njeri tjetrin me inat per te gjetur se kush eshte fajtori...Ne grindje e siper sikur vendosem te blejme nje veture te re.Te re si te te tjereve.Te re te punoj tak-fak.Te re.Oh,sa e mire do te jete kjo e reja,por...s'kemi ''l e k e''...E ,moj vetura jone,qe na shtove dhe ca halle,si mua,gruas,komshinjve...C'te bejme?!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).