E lindur gjashtë vjet para shtetit shqiptar

Kujtimet e 105-vjeçares Lule Dija
Është 105-vjeçe dhe ka një kujtesë ende solide, ku ka të fiksuara fort ngjarjet më emocionuese të jetës së saj: djegien e Ishmit nga serbët në kohën kur kishte hyrë qeveria e Ismail Qemalit, si dhe vajzën, fëmijën e saj të parë të cilën e ka lindur pas 5 vjet martese dhe që i ka vdekur më pas. "Ishte e bukur si drita", do t'i thotë kujtdo që e pyet për të.

Mban mend gjithashtu, madje edhe mund t'i këndojë me një zë të ulët, këngët lirike të dasmave të Ishmit ku ka kënduar thuajse në të gjitha së bashku me kunatën e vet. Është mjaft komunikuese. Të pret me fjalë të ëmbla mirësjellje dhe megjithëse ka kapërcyer shekullin si moshë, nuk përton të të përcjellë, për të të respektuar. Kur e pyet se kur ka lindur dhe se çfarë mban mend nga fëmijëria e saj, Lule Dilja thotë, se kur ka hyrë qeveria e Ismail Qemalit, ajo ishte 6-vjeçe.

Vajza e saj thotë se në pasaportën e lëshuar në vitin 1961-in është shënuar viti 1910, por në pasaportën e lëshuar në kohën e Zogut, ishte datuar si ditëlindje vitit 1908, ndërsa realisht ajo ka lindur në vitin 1906-ën. Pra, është 105-vjeçe.


Pasaporta e re
Në pasaportën me nr.053151 të lëshuar nga Zyra e Gjendjes Civile të qytetit të Durrësit dhe të firmosur nga nëpunësja e Gjendjes Civile të asaj periudhe, Pranvera Reka, janë shkruar këto të dhëna:
Emri: Lule
Mbiemri: Dija
Emri i Babës: Lam
Emri i Nënës: Xhixhe
Datëlindja: 7 shtator 1910
Vendlindja: Kapidanaj Durrës


Kujtimet e Lules
Kujtimet e 105-vjeçares vijnë nga honi i thellë i moshës në zgafellat e fillimshekullit të kaluar me ndërprerje, por me fjalë të artikuluara mirë dhe mjaft të sakta fillimisht. Kur kujton fëmijët e saj, atëherë shpreh një dritë mjegullore që i lulëzon në shpirt dhe më pas, pasi i rikthehet kujtesa e vdekjes dhe mbase skenat makabre të varrimit të tyre që s'i shpreh për të mos e rënduar veten. Kujtesa e saj provon rotacionin e të gjitha stinëve në pak sekonda: fillon me një ndriçim pranveror për t'iu rikthyer ngricave të kujtesës dhe pasi sillet drejt çasteve më pikante që i kanë lënë gjurmë, biseda e saj shtrohet, ashtu siç shtrohej edhe lumi i Ishmit pas vërshimeve të ujërave të turbullta. Ky vërshim, të cilin e ka vrojtuar në ditët e veta të rinisë, sidomos edhe në stinët e pranverës, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e 105-vjeçares dhe kujton se ka lindur në pranverë dhe prandaj i kanë dhënë emrin Lule.

Kur hesht gjatë bisedës, kjo ndodh se fluksi i kujtimeve nuk respekton radhën dhe atëherë ajo përpiqet pasi ka ndaluar të flasë, që t'i zgjedhë si tespihet e qelibarta... Kujtesa e saj më pas rrjedh lirshëm...

Ajo fillon të flasë: "Kam qenë 6-vjeçe. Kam ikë në Krujë kur na ka ra serbi. Po 6-vjeçe isha kur ka ardh Ismail Qemali dhe u dogj Ishmi. I gjithë populli iku. Kishte qenë ditë zie. Baba mblodhi plaçkat dhe na mori me kalë u nisëm për në Borizanë afër Krujës. Kur kemi qenë në Thumanë, serbi hyni në Ishëm dhe pamë flakën të shpërthente mbi shpijat... Jam martue 18-vjeçe. Burri im ka qenë Ismail Dija. E kam shkue mirë me të. Nuk jemi zënë kurrë".

105-vjeçarja kur sjell ndërmend të shoqin, kujton me shqetësim edhe faktin se ai ishte i sëmurë: "Ka qenë i sëmurë. I mirrej fryma në mëngjes. I merrte qetë dhe shkonte në pyll." Ajo kujton edhe nënën e saj që i ngiste qetë në arë, por thotë se ajo vetë "nuk dinte për me i nga".

Lulja kujton dhe fëmijën e parë që i ka lindur pas 5 vjetësh martesë. "Një vajzë, - kujton ajo, - vajza e parë e bukur sa s'ka. Vdiq 5-vjeçe. Një çun më vdiq i vogël..." Gjatë gjithë bisedës ajo i rikthehet dhimbjes për humbjen e vajzës së parë. "Për të lindur e kishin çuar, kujton ajo, në një vend të mirë në kishën e Shënavlashit. "Më çoi vjehrra", -thotë ajo, megjithëse kishte në fis 5 dajat hoxhallarë. Kur ajo u kishte thënë se do ta çonte nusen atje, ata i kishin thënë se " ...është vend i mirë, nuk është vend i keq".

Më pas kujton se në Shënavlash i kishin hedhur ujë të mirë. "Pastaj linda. Linda një gocë të bukur shumë, që vdiq 5-vjeçe. Një djalë më vdiq një vjet e gjysmë". Ajo thotë se vetë ka gëzuar shëndet të mirë dhe se nuk ishte shtruar kurrë në spital. Vetëm një herë që kishte kaluar të ftohur, por nuk ishte shtruar, sipas saj, pasi për këtë kishte pasur asistencën e dajallarëve hoxhallarë.

E lindur gjashtë vjet para shtetit shqiptar  

Martesa
Lule Dija kujton edhe kohën kur është martuar. Ajo sjell ndërmend se atë ditë në fshatin e saj kanë ardhur tre nuse. "Kur jam martuar janë martue 3 nuse në një ditë. Ato të tjerat ishin shumë të bukura, kurse unë isha kërcu i zi... I kishin thënë shokët Ismailit se, a ta ndërrojmë nusen, të gjejmë një tjetër, - kujton ajo humorin e të shoqit, - por ai u kishte thënë se nuk e ndërronte me asnjë".

"Ato të dyja, - thotë më pas Dija, - lindën në krye të vitit, ndërsa mua më çoi vjehrra në Shënavlash dhe pas kësaj linda edhe unë". Ajo kujton se e ka shkuar shumë mirë me vjehrrën: " Edhe pse unë isha më e zezë (brune), vjehrra më donte më shumë nga të gjitha". Nga martesa e saj kanë lindur tetë fëmijë, pesë jetojnë, ndërsa tre i kanë vdekur. Ajo i kujton vazhdimisht dhe thotë se "tashti unë jetoj me të kaluarit, sepse i kam harrue të gjallët..."


Mbesa kujton
Për 105-vjeçaren Lule Dija kujdeset mbesa e vet Hatixhe Xhafa. Ajo thotë se stërgjyshja e saj ka qenë si të thuash mamia e fshatit. Ajo sipas saj ka asistuar në të gjitha lindjet e fshatit, madje gratë nuk pranonin tjetër njeri veç asaj. Përveç këtij privilegji mjaft të nderuar për periudhën, ajo thotë se Lulja ishte një këngëtare mjaft e spikatur që me gjithë njërën prej kunatave të veta hapte të gjitha dasmat e fshatit. Ishte njeriu që i përcillte nuset që nga ardhja në shtëpitë e reja deri në lindjet e tyre. "E njihte i gjithë Ishmi, -kujton ajo, - dhe e respektonte shumë. Edhe sot është një plakë e mrekullueshme. Pas çdo shërbimi që i bëj, ajo vetëm mërmërit falënderime. Nuk di të mërzitet kurrë.



Vajza Behija
Vajza e vet Behija, ish-mësuesja 67-vjeçare, tashmë pensioniste, thotë se çdo nënë është e mrekullueshme për fëmijët e vet, por se ajo gjithmonë ka menduar se nëna e saj ishte më e mira në botë. "Ka qenë një njeri i veçantë, e kujdesshme dhe mjaft gojëmbël. Nuk i ka ndarë kurrë fëmijët nga njëri-tjetri, edhe pse kushtet ekonomike kanë qenë mjaft modeste si në Ishëm, ashtu edhe kur kanë ardhur në fillim të viteve '60 në Durrës.

Ajo me gjithë të shoqin kanë qenë shembull harmonie të cilën na e dhanë edhe ne fëmijët e tyre. Punonte në fabrikën e bukës si transportuese bukësh të pjekura me karrocë dhe që e stivonte prodhimin në raftet e posaçme. Emri i saj ishte gjithnjë në tabelat e emulacionit të asaj periudhe si punonjëse e dalluar". E bija emocionohet dhe i mbushen sytë me lot...

Kjo ishte historia e shkurtër e Lule Dijes, vajzës që lindi në fillim të shekullit të shkuar, në një ditë pranvere dhe që pati një lulëzim të gjatë...

 

6 Komente

pac dhe mos-pac fatin e lules.

 me duket se edhe do vdesi me shtetin shqiptar

 Fjona,  Nuk do te vdesi KURRE SHTETI SHQIPTAR !

 fjalet e tua ne veshet e perendise i/e dashur po ky qe kemi ne krye vetem shtet nuk me duket.

 Lute eshte  e gjithe jeta, moje mire .Te luftojme te gjithe  qe ...TA BEJME !

 i kalofsh sa me lehte keto vite te veshtira smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).