Nga e gjithë familja, Ottla ishte personi më i rëndësishëm për autorin e “Metamorfozës”. Vullnetare në Auschwitz për të mos braktisur fëmijët hebrenj në fatin e tyre, më e vogla e fëmijëve ishte ajo që Franc e përshkruan si “e madhe, e pjekur, e fortë”. Franc Kafka i rrëfen të gjitha të fshehtat e të motrës në një epistolar me 111 letra dhe kartolina, që po del në ankand në Gjermani.

 

Ottla ishte motra më e vogël, njëkohësisht më e preferuara e tij. Për asnjë njeri tjetër në botë, Franc Kafka nuk provoi kaq dashamirësi. I besoi asaj shumë të fshehta. Nga çdo udhëtim i shkruante letra, ndërsa ende të vegjël, si dy bashkëpunëtorë mbylleshin në banjën e shtëpisë, në qendrën borgjeze të Pragës, ku kalonin me orë të tëra duke u rrëfyer në fshehtësi. Një botë e tërë ndjenjash e autorit të “Procesi” dhe “Metamorfoza”, që shpaloset përmes dokumenteve të rralla. Janë 111 letra që Franz i shkruante Ottla-s për vite e vite me radhë, nga fillimi i shekullit deri në vdekjen e tij. Dëshmi të jashtëzakonshme, të shkruara të gjitha nga Franz Kafka me stilograf. Trashëgimtarët e Ottla-s e ruajnë prej dekadash këtë korrespondencë, e kanë lënë nën kujdesin e Oxford dhe tani duan ta shesin. Lajmi se do të dalin në ankand në muajin prill tashmë është përhapur. Por, duket se asnjë institucion kulturor nuk i ka paratë, 500-800 mijë euro për t’i blerë. Me shumë mundësi, kjo pjesë e çmuar e trashëgimisë së kontinentit të vjetër do të përfundojë në duart e ndonjë koleksionisti privat, shumë orë larg me avion nga Praga dhe Europa Qendrore. Për të frenuar këtë hipotezë, për t’i dhënë mundësi publikut t’i qaset lirshëm këtij epistolari, shumë institute të kërkimit letrar, por edhe arkiva gjermane kanë bërë apel për kontribute, në mënyrë që ankandi të fitohet nga një institucion publik. Një histori interesante dhe e trishtë njëkohësisht. Nuk mund të ishte ndryshe teksa flet për Kafkën. Për vite më radhë, që nga rinia e hershme deri në vdekjen e tij më 1924, Franc kishte gjetur një dëgjuese të mirë te Ottla. Ai shihte te ajo më të mirën e karakterit të prindërve: kokëfortë dhe e ndjeshme, me sensin e drejtësisë, e kuptueshme dhe e vetëdijshme për forcën e shpirtit të Kafkave. Ia shkruan këto në shumë letra. Ajo, më e vogla, shfaqej gjithnjë “më e madhe dhe më fortë” se i vëllai, që ishte nëntë vjet më i madh se ajo. Ai e adhuronte për aftësinë e të debatuarit vendosmërisht me të atin, “në shtëpinë ku banonin gjigandët” e shihte “pa dëm për dashurinë ndaj vëllezërve të tjerë të mi”. Franc i shkruante Ottla-s kudo që ndodhej, nga Weimar, Versailles apo nga Liqeni i Gardas. Ai vdiq më 1924, ndërsa Ottla u dërgua në kampin nazist Auschwitz-Birkenau. Në vitin 1943 ajo u transferua fillimisht në kampin Theresienstadt, dhe në tetor u regjistrua si vullnetare në një qendër fëmijësh në Auschwitz, ku edhe vdiq. Pas disfatës hitleriane më 1945, trashëgimtarët e Ottla-s i gjetën ato letra në kaosin e Pragës së pasluftës. Vendosën të mos hiqnin dorë nga kujtesa. Vendosën t’i ruanin sa më mirë të mundeshin. Të vëna në mënyrë të çrregullt brenda një kutie gjendeshin 45 letra, 32 kartolina postare dhe 34 kartolina me ilustrime që shprehin afrimitetin për të e ilustrime të tregimeve të shkruara. Pas Luftës së Ftohtë i dërguan për ruajtje në Oxford. Faqe të shumta mbushur me rrëfime zbuluese. Në rreshtat e shkruara me dashuri në gjermanishten e tij letrare, Franc shkruante se shfaqej në marrëdhënie me Ottla-n: “Një njeri tërësisht i ndryshëm nga ai që jam me të tjerët”. I tregon për emocionet e tij gjatë udhëtimeve.

Nga Kratzau, ku “në restorantin e hotelit shijova mish viçi shumë të mirë me fruta pylli. Pastaj kamerierja u ul pranë meje, folëm për dallgët e detit dhe për dashurinë, pastaj u ndamë të trishtuar”. I shkruan edhe nga Slesia, nga ku Franc i dërgon Ottla-s një kartolinë humoristike që titullohej: “Të dukshmet e jetës sime të përditshme këtu”, me vizatime që tregonin net pa gjumë, tavolina të shtruara, takime me njerëz të vendit. Poshtë shkruhej: Po ti si je? Krishtlindjet po afrohen e sjellin gëzim, do të marr në pyetje se si i ke kaluar”. I shkruan nga Weimar, ku një kartolinë ilustron shtëpinë e Gëtes, shoqëruar me rrëfime të trishta. Ankth dhe gëzim, pasiguri dhe lehtësime, rrëfyer për motrën më të dashur në ato 111 letra dhe kartolina. Ky është një nga koleksionet më të mëdha të dorëshkrimeve private të Kafkës, që pasardhësit e Ottla-s kanë mundur ta ruajnë e ta shpëtojnë nga babëzia e kohës dhe nga tinëzitë e historisë. Tashmë, e gjithë kjo pasuri publike e kujtesës së Europës dhe e botës rrezikon të mbyllet në ndonjë koleksion privat.

4 Komente

E çka pastaj? Kafka privat nuk është doemos Kafka shkrimtari? Ç rëndësi kanë këto letra?!

 O Buro, por nepermjet ketyre letrave njihet personi i vertete, idete dhe dobesite e tij, nepermjet ketyre letrave, zbulohen motivet dhe zberthimet qe Kafka u ben personazheve, nepermjet ketyre letrave zberthehen dhe ndjenjat e autorit, bota e brendeshme e tij, e kjo ka shume rendesi per studjuesit e tij.

 do isha kurjoze t'i lexoja keto letra

Letrat e tija jane te botuara, ne librarite ku gjenden librat e Kafkes zakonisht ka edhe nje liber me letrat qe i ka shkruajtur familjareve dhe mikut te tij qe botoi veprat e Kafkes megjith amanetin e Kafkes per ti djekur te gjitha mbasi ai te vdiste.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).