Deri më tani gjithë përpjekjet për të analizuar e kuptuar ngjarjet e 21 janarit kanë marrë për bazë konfliktin mes partive të mëdha në Shqipëri, ndërkohë që duket se pak rëndësi i kushtohet ndikimit që ato patën në jetën e brendshme të këtyre partive.  Mendoj se ishte pikërisht funksionimi i brendshëm i partive që pati pasojat më të qarta, ndaj dhe mund të ketë qenë ndër arsyet  pse u deshën dhe u lejuan trazirat. Shtypja e ndonjë fraksioni që po mbarset diku ndër socialistë është shkaku i trazirave të 21 janarit, ndërkohë që për demokratët, që dhanë kontributin e vet të bollshëm duke marrë përsipër rolin e gjakatarit, leverdia del në largimin prej vëmendjes të skandalit Meta, skandalit Ruli, e kështu me radhë. Në zgjedhjet e ardhshme si zakonisht emblemë e demokratëve do të jetë i drejti , por gjaknxehti Berisha e jo një kusar e shok kusarësh, si thotë opozita për të dhe siç me të drejtë mund të na shkojë mendja se është.

 Në konfliktin pozitë – opozitë,  asgjë e re nuk ka ndodhur përveç pasurimit të fjalorit politik me termat “grusht shteti” dhe “vrasës” si dhe emocionit të shtuar në diskutim. Për ta thënë këtë mendoj se mjafton që të mos harrojmë se pak kohë më herët patëm një grevë urie të një grupi deputetësh e dashamirësish të partisë socialiste, protesta, manifestime, bojkotime të parlamentit, e akuza lloj e lloj. Demokratët dhe byrazerët e tyre post-socialistë me noçkat zhytur në tepsinë e quajtur mëmëdhe, domosdo që gjinden të papërgatitur e të bezdisur prej këmbënguljes socialiste. Por kjo as nuk ja prish oreksin as nuk i shqetëson. Në këtë kontekst protesta me të vrarë ishte vetëm një akt regjisorial paksa i guximshëm. Ne, tre shqiptarë në ditë na i shtyp makina e nuk po i  harxhuakemi për projekte politikë kaq urgjentë. Për kaq gjë asnjë qytetar a fshatar shqiptar nuk e ka ndërruar llogoren e vet, dhe kjo ishte e parashikueshme, shumë, shumë shkaktoi ca ëndërrime me ndryshim drejt së mirës për shqiptarët si popull dhe njerëzimin si formë ekzistence në përgjithësi. Paqe, dashuri dhe kështu me radhë.

Për partinë socialiste viti i gjashtë në opozitë domosdo që do të ishte i rëndë. Një lukuni biznesmenësh që shtinë sevda me socialistët në vitet e qeverisjes zemërgjerë të shokut Nano mbesin jashtë privatizimeve e shumave të bollshme që qeveria demokrate po investon nëpër infrastrukturë. Çdo lum a përrua i vendit do ketë hidrocentralin e vet dhe asnjëri nuk do ta ketë zemrën majtas. Dhe nuk do ketë të tjerë, meqenëse lumenj të tjerë nuk do kemi. Zoti Ruli shquhet për efikasitetin e vet në menaxhimin e pasurisë popullore. E kështu me radhë. Në këtë situate, e natyrshme që radhët socialiste të shthuren e morali të bjerë. Por, jo. Rinovimi i partisë me emra të rinj nga radhët e trashëgimtarëve të socialistëve të vjetër, nga bashkia e ojf-të rinore dhe klima deri diku e ndezur që u mund të mbahej falë acarimit për manipulimin e zgjedhjeve e solli kompaktësinë e dëshiruar. Gjithsesi kjo nuk mund të zgjasë shumë. Zoti Rama vërtetë ishte i vetmi me përmasat e duhura për kryetar i partisë së madhe në momentin e dhënë, por kjo vonesë, që shoqërohet me grykësi të paparë prej demokratëve që po e mbarojnë thesin, nervozon. Çarja do ishte fatale, por socialistët po mbahen. Ngjarjet e fundit i shtrënguan mire radhët. Sa do të zgjasë kjo është një çështje interesante. Zgjedhjet lokale dhe kërkesa për bojkotimin e tyre krijojnë konditat për çarjen.  Por, a do munden ikanakët të harrojnë gjakun e dëshmorëve?

Një ish oficer amerikan pjesëmarrës në luftën e Vietnamit, në një shkrim të vetin me mbresa mbi këtë eksperiencë, tregonte se si një gjeneral amerikan përdorte me mjeshtri eksperiencën traumatike të betejës për forcimin e solidaritetit dhe ngritjen e moralit të trupave. Këtë strategji gjenerali e quante “fresh kill”. Besoj se një gjë të tillë sapo e jetuam. Në jetën politike brenda partive ndryshimi është më i dukshëm e i thellë. Të tjera figura po marrin barrë më të rënda me deklarata konfliktualiteti të rëndë ndaj dhe do të meritojnë më shumë përgjegjësi në zgjedhjet e zhvillimet e ardhshme. Zoti Rama ndoshta do përjetojë stabilitetin e nevojshëm brenda partisë për të vepruar me qetësi dhe në një rrafsh paksa më politik. Edhe zoti Berisha tani mund të tresë i qetë LSI-në dhe të ricentralizojë burimet në shërbim të betejave të ardhshme.

Politika shqiptare vetëm përfitoi prej trazirave.  Ne u ripamë në pasqyrë dhe u kujtuam se duhet të rruhemi.

3 Komente

faktikisht te gjithe qe bejne opoziten e opozites kam pershtypjen qe hane (dhe jo vetem groshe) ne canakun e pushtetit. Qofsha i gabuar se sic e ka provuar historia shQIptaret sbehen kollaj mercenare gjasme

Te jesh asnjenes te thuash te verten je armik "O me ne o kunder nesh" jepi burazer se e ke mire Mek eto mend qe kemi edhe 200 vjet te tjera keshtu do te jemi vri e pri , prish e shkatero vidh e pasurohu ne kuriz te njeri tjeterit Mire e kemi se e meritojme. deri ne diten qe do te pushojme se qeni komb. Jo gjithmon ftohet llotaria  

Politika shqiptare vetëm përfitoi prej trazirave.  Ne u ripamë në pasqyrë dhe u kujtuam se duhet të rruhemi

5 me *

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).