Me çfarë e masin veten autorët shqiptarë, me shijet e miqve? Miqtë nuk janë publik, thotë Kafka.

Para disa ditësh Peshku postoi artikullin "Alergji ndaj kulturës", të Agron Tufës.  Për të interesuarit rreth këtyre çmimeve të letërsisë, më poshtë një këndvështrim tjetër nga Eneida Bozhani, postuar tek PTF (marrë me aprovim të stafit të PTF-së.)   

 

_____________

Është bërë shqetësuese që nga viti në vit çmimet e shtetit për letërsinë të qarkullojnë në një dorë njerëzish.

Kush vendos? Kush fiton? Sa të pavarura janë palët? Pse ka ndodhur ky izolim? Cilat janë pasojat? Kush humbet nga kjo histori me miq që punojnë për miqtë?

Dhe në fund: a është vërtet aq i vlefshëm ky çmim sa ç’është i lakmueshëm?

A gëzojnë autorët ndonjë të mirë në interes të letërsisë dhe komunikimit me lexuesin? A i bën çmimi më të njohur, më të pranishëm, më të shitur, më të përkthyer, më me influencë në opinionin publik dhe në realitetin letrar?

Po i marrim me radhë duke parë fituesit e duke e parë jurinë. Si njëra dhe tjera palë do të na shtyjnë të kthehemi herë pas here te të dhënat në vite të çmimeve kombëtare. Përsëritjet janë të detyrueshme.

Juria e çmimeve kombëtare të letërsisë për vitin 2010 përbëhej nga kryetari Agron Tufa, shkrimtar (disa herë fitues dhe anëtar i jurisë), Persida Asllani pedagoge e letërsisë (disa herë anëtare e jurisë), Bardhyl Londo, poet, burokrat, përfaqëson Ministrinë (disa herë anëtar), Balil Gjini poet, përkthyes nga frëngjishtja; Virgjil Muçi shkrimtar, përkthyes (fitues, anëtar në edicione të mëparshme).

Përfaqëson një model kjo juri?

Modelin e jurisë vajtje-kthim, me autorë që një vit janë fitues, një vit konkurrentë e një vit gjykues.

Ajo e vlerësoi me Çmimin e Madh të Letërsisë studiuesin Sabri Hamiti për veprën “Poetika shqipe”. Hamiti ka fituar një herë Çmimin Kombëtar të MTKRS së Shqipërisë më 2006, atëherë quhej “Penda e Argjendtë”, me studimin “Tematologjia” që është pjesë e studimit të plotë te “Poetika shqipe”!

Për Çmimi “Petro Marko” u përmendën kandidatë të përhershmit Zija Çela e Mehmet Kraja (të dy fitues në edicione të tjera, të dy pjesëmarrës të rregullt në konkurrim). Po edhe debutuesit në prozën e gjatë Idlir Azizi, Rudi Erebara, Lindita Arapi. Juria i buzëqeshi Ramiz Gjinit, romanit të tij “Bibollasit”. Gjini konkurronte edhe në gjininë e tregimit me një përmbledhje me tregime të zgjedhura (ribotim)! Jehona e romanit më të mirë shqiptar ka pasur në shtypin shqiptar së paku një recension, me autor Agron Tufën.

Çmimin “Mitrush Kuteli” juria ia dha Ridvan Dibrës me vëllimin me tregime Në kërkim të fëmijërisë së humbur. Konkurrent ishin sërish Ramiz Gjinin dhe historiani Uran Butka. Kështu që Dibra doli fitues pavarësisht motivacionit ex cathedra: “për teknikat narrative të përvojës së gjallë, të rikuptimësuara në korniza kompozicionale dhe paradokset semiotike me kohën”.

Çmimi “Lasgush Poradeci” për Arian Lekën me poemën Ndreqje gabimesh: “për monologun e subjektit poetik përmes imazheve metafizike e meditative si rrugë komunikimi maksimal me trajtat e rrëshqitshme të femrës në të gjitha rolet e saj”.

Letërsisë si kavie eksperimentale i shkon kjo babëzi për kode, shenja, semiotikë, terminologji, shkencë etj.

Bëhet kështu dy herë fitues Leka poet dhe konkurrentë kishte poet si Preç Zogajn,  garues i vjetër po edhe fitues.

Kryetari i jurisë ia ka shprehur vlerësimin Lekës edhe më përpara, i ka dedikuar vargje. Tufa dhe Leka, të dy i përkasin brezit të autorëve që lulëzoi pas viteve nëntëdhjetë, autorë që shpesh kanë treguar solidaritet mes tyre në një grupim që jep e merr çmime, po edhe për neverinë ndaj letërsisë paraardhëse, realizmi socialist. Është e zakonshme të gjesh në librat e tyre me poezi dedikime njëri-tjetrit, një formë që dëshmon solidaritet si në një sekt.

Ngjalli komente në media në vitin 2002, vlerësimi me çmim i Gentian Çoçolit, i cili në vëllimin fitues kishte një poezi dedikuar Agron Tufës, asokohe anëtar i jurisë.

Në radhën e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë është “Faik Konica”. Jepet për studimin dhe këtë vit iu dha “Migjeni, ose parathënie e dyzuar” me autor Anastas Kapurani. Ky çmimi është kuptuar deri më sot si atribut për vepra akademike, universitare. Nuk gjen alternativa përpos varianteve studimore mbi Çajupin, Fishtën, Koliqin, Camajn, Poradecin, autorë të letërsisë së vjetër shqipe. Fituesit tradicionalë kanë qenë shkolla e vjetër e teorisë dhe kritikës letrare në frymën e realizmit socialist, Alfred Uçi, Jorgo Bulo, Floresha Dado. Dy vjet përpara, një nxënëse e tyre fitonte çmim me një studim që një shkallë e ndante nga gjurmët e mësuesve. Studiuesja në fjalë, Dhurata Shehri, është pedagoge e letërsisë, por është edhe bashkëshorte e një ish anëtari të përhershëm, disa herë kryetar i Jurisë së Çmimeve Kombëtare, Mark Marku. Në vitin 2009 juria që vlerësoi Shehrin drejtohej nga Aurel Plasari. Në vitin 2010, juria që vlerësoi zbulimin e vitit Eir Plasarin, vajzën e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, drejtohej nga Mark Marku.

Çmimi “Gjergj Fishta” iu dha Visar Zhitit, për librin eseistik “Panteoni i nëndheshëm”. Juria mendon se Zhiti sjell një mendim analitik e sistematik mbi veprën letrare të shkrimtarëve të ndaluar e të burgosur nën diktaturën komuniste. Vepra e Zhitit nuk është shembull as i mendimit analitik e as sistematik, por e kundërta: shembull i subjektivizmit të thellë, mungesës së burimeve, e të dhënave të sakta e të verifikuara, sepse bëhet fjalë jo për vepra dhe shkrimtarë, as për kronikë mbi to, po për fluturim të lirë mbi letërsinë dhe fatin e autorit.

Çmimi “Fan Noli” iu dha përkthyeses Saverina Pasho me romanin Ishulli i mundshëm të shkrimtarit francez Michel Houellebecq.

Në kategorinë e përkthimit artistik konkurronin kryesisht vepra të përkthyera nga gjuha gjermane, përmendim Kafkën në shqip nga Ardian Klosi, Rilken nga Jonila Godole, Hessen nga Aristidh Ristani, një përkthim nga greqishtja i poezisë së Kavafit nga Aristotel Spiro dhe i një romani të Mazantinit nga Mimoza Hysa.

Asnjë nga anëtarët e jurisë nuk është njohës i gjermanishtes, por dy prej tyre merren edhe me përkthime nga frëngjishtja, Balil Gjini dhe Persida Asllani. Dhe fitues është përkthimi i një vepre nga frëngjishtja, që ka për redaktore anëtaren e Jurisë Persida Asllani.

Në të shkuarën e çmimeve kombëtare për letërsinë ka ndodhur që pa ekspertë të përkthimit nga gjuha gjermane, të shpallej fitues Afrim Koçi, përkthyes i veprës voluminoze të T. Mannit, “Mali Magjik”. Pak më thellë në histori, kur çmimet e Ministrisë kishin doza naiviteti e primitivizmi, përpos konstantes së interesave nga persona dhe ekipe të caktuara letrarësh, i njëjti përkthyes është vlerësuar për përkthimin e një autori finlandez!

Çmimi “Jusuf Vrioni”, shpesh rezulton honorifik. I jepet një përkthyesi që ka një kontribut në përkthimin e letërsisë në një gjuhë të botës. Ia dha juria përkthyesit të Joachim Röhm “për kontributin e gjithanshëm e të shumëçmuar në përkthimin dhe promovimin e dhjetëra shkrimtarëve dhe veprave të letërsisë shqipe në gjuhët dhe kulturat gjermane”. Por gjatë vitit 2010 përpos ndonjë vepre të Kadaresë, Röhm nuk ka përkthyer tjetër gjë.

Që prej vitit 1998 e deri dje, me këtë çmim janë vlerësuar pothuajse të gjithë përkthyesit e Kadaresë, pas të cilit kanë zënë vend herë pas here autorë të tjerë.

Çmimi “At Donat Kurti” kushtuar letërsisë për fëmijë, iu dha shkrimtarit të ri Joni Boçarit me romanin “Bor-for ose provat e Askanos”. Boçari kishte konkurrent legjendën e autorit të realizmit socialist për fëmijë, Kiço Blushi.

Çmimi “Migjeni” iu dha poetes debutuese Manjola Brahaj me vëllimin “Vajtimi i Kalipsosë” që zor se e gjen në librari. Edhe kjo autore u vlerësua, për atë që vlerësohen gjithë poetët në Shqipëri, “për gjuhën e pasur dhe imazhet befasuese, në një konceptim modern të strukturës semantike dhe vargut të përpunuar”.

Kjo është “përzgjedhja” ndër 1000 tituj në tre muaj punë.

Ditën kur ndaheshin çmimet Ministri i Kulturës tha: “I gjithë ky proces i pandërprerë synon që me përpjekje të përbashkëta të bëhet i mundur integrimi i kulturës së shkruar shqipe në vlerat më përfaqësuese të kulturës evropiane dhe asaj botërore.”

Për çfarë integrimi flet ministri i kulturës? Ai ka firmosur që kryetar jurie i Çmimeve Kombëtare të Letërsisë të jetë një njeri që gjykon edhe në juritë e këngës, në këshillin Kombëtar të Radio-Televizionit, në Këshillin Artistik të Projekteve të Ministrisë. Aktualisht Tufa është anëtar i Këshillit të Projekteve në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë.

Ky shkrim qëllimisht nuk trajtoi çfarë janë këto vepra që serviren si më të mirat e letërsisë shqipe në një vit. Shijet që vlerësojnë për risi prozën arkaike të romanit të Ramiz Gjinit, e tradhtojnë një juri që vlerëson përkthimin e një autori vërtet provokativ të letërsisë së sotme evropiane si Mishel Uelbek (Michel Houellebecq).

Me çfarë e masin veten autorët shqiptarë, me shijet e miqve? Miqtë nuk janë publik, thotë Kafka.

Letërsi me klimë si kjo nuk mbin.

 

12 Komente

Me çfarë e masin veten autorët shqiptarë, me shijet e miqve? Miqtë nuk janë publik, thotë Kafka.

Kjo nuk vlen vetem per cmimet, qe zoti e di pse i marrin kaq seriozisht. Kjo vlen per te gjithe biznesin e letersise, eseistikes dhe studimeve. Do ishte shume me zbavitese dhe ndoshta edhe me shume domethenese per temen ne diskutim, te analizoje psh. paratheniet e librave (romane, tregime, poezi, eseistike) dhe recensionet neper media apo televizione dhe, mos harroj, intervistat. Po t'u besojme ketyre parathenieve te shkruara nga miq qe i bejne qokat njeri-tjetrit ne librat e njeri-tjetrit, apo te shkruara nga grate e burrave, apo nga vete autoret, e po t'u besojme intervistave, qe zakonisht i formulojne autoret vete, si pyetjet ashtu edhe pergjigjet, e po t'u besojme ketyre recensioneve te shkruara nga miq (e nganjehere nga autori me pseudonim) i bie qe Shqiperia te jete vendi me dendesine me te larte te gjenive te letersise dhe eseistikes dhe  te kryeveprave boterore. Gjynah qe bota nuk e di akoma kete. Por miqte ama, miqte e dine.

Ne fakt ajo cfare ne na mungon jane njerezit normale.

 Ore nje pyetje nga salla, a marin honorare keta fitues te ketyre çmimeve, dhe nese marin, sa eshte vlera?.

 

Keto çmime per letersin jane festa " gala" , shteti jep fondet ( torten), juria  dan pjeset, shqip thuhet festa per gallat.

 Letersia nuk trazohet fare nga keto "qerasirat" e ndersjella, moj xhan! C'te beje kur duhet ta blije me detyrim dhe me firme ne bordero vepren e 19 te xhaxhit Enver, pa keto shkruesit me taraf i rregullon vete ekonomia e tregut. smiley 

 

 Ne fakt PF, ekonomia e tregut nuk i rregullon gjerat pa nderhyrje. Keto cmime jane njefare reklame, e si te tilla, rregullojne ekonomine e tregut.

 Nuk e besoj Lul. Edhe sikur autori te shese nje perqindje kopjesh te nje libri idiot per shkak te cmimit, siguro qe askush nga ato qe harxhuan njehere para per idiotesine, nuk do te harxhojne prape para edhe sikur libri te beht Hollivud. smiley Nese cmimi do vazhdoje te promovoje idiotesira, do ta humbe edhe vete vleren qe ka, nese vertet ka.

Kur futet paraja ne mes Lulo, qelbet gjithmone muhabeti! Po qe se lufto per fame antologjike pastaj, tjeter pune.

 

 

Fokus i qarte: juri me te njejtet emra qe nuk tunden nga viti ne vit, cmime qe ndahen mes te njohurish, qe per hir te se vertetes nuk eshte faji i jurise smiley Aq eshte ai vend, nje pellembe, dhe po nuk u njohe atje, do njihesh ne facebook.

Do ish mire qe shkrimi te merrej me shume me ndonje analize te shkurter te veprave fituese. Nuk i njoh te tjeret, po psh Arian Lekes i kam lexuar "Liber Deti" dhe pa hezitim them eshte i mrekullueshem. Poet shume i mire. Edhe Ramiz Gjini eshte prozator klasi.

Cfare bie ne sy per vit, do nderohet padiskutim nje veper e shkruar ne gegerisht. Ndoshta lidhet me perkatesine e nje pjese te mire te jurise, ose eshte politike e ministrise se kultures.

Edhe dicka tjeter qe me jep konfuzion jane emrat e cmimeve qe ndahen. A eshte me mire te marresh nje Migjen, nje Lasgush a nje Naim... smiley

 

Sipas meje eshte pak konfuz si shkrim. Me duket se e ke bere pak lemsh.

Te kuptohemi : nese deshiron te tregosh llumin e ketij çmimi, atehere duhet te flasesh per vlerat letrare te atyre qe kane fituar, e te thuash se pse s'duhet te fitonin.

Nese do te thuash qe keta njiheshin me njeri tjetrin, kjo eshte sa e vertete aq edhe e paevitueshme. Jetojne - shume prej tyre - ne te njejtin qytet, bejne te njejten "pune" keshtu qe detyrimisht jetojne ne te  njejtin ambient e njihen.

Sidoqofte une ketu shikoj disa prej emrave me te medhenj te letersise shqiptare bashkekohore, nga Zhiti te Leka. Atehere çfare?

çmimet nuk duhet të ndahen pas emrave por vlerës së veprës që konkuron se kështu i bie mos bësh konkurs fare .Për emrin e madh Zhiti :

 Vepra e Zhitit nuk është shembull as i mendimit analitik e as sistematik, por e kundërta: shembull i subjektivizmit të thellë, mungesës së burimeve, e të dhënave të sakta e të verifikuara, sepse bëhet fjalë jo për vepra dhe shkrimtarë, as për kronikë mbi to, po për fluturim të lirë mbi letërsinë dhe fatin e autorit

për deri sa se kam lexuar studimin e Zhitit jam i detyruar ta besoj analizën e saj pavarsisht emrit të "madh"

Shume e drejte Pri.

Tani, per te kuptuar vleren e veprave çfare duhet te besh? Duhet te lexosh veprat fituese, te lexosh ato jo fituese, e te besh nje kritike letrare. Te thuash, bje fjala, pse sipas teje libri i X. eshte shume i dobet e nuk meriton asnje çmim, ndersa Y. vertet duhet ta fitone sepse blla blla blla.

Zonja/sha ne fjale nuk flet per kete. Kaq.

Nese ben nje artikull te tille, sidoqofte gjithçka - edhe ne qofte e vertete - ngelet ne nivel thashethemesh. Nuk ndihmon ate letersi ne emer te se ciles po shkruan.

Ky shkrim i jep përgjigje pyetjes së Tufës pse nuk interesohen mendjat për ktë ngjarje të rëndësishme të kulturës që do ta thjeshtoja në përgjigjen se njerës si Tufa, Mark Markua apo Plasari e kanë kthyer në të pavlerë duke marrë sitë vërteta faktet e Bozhanit .

   Jehona e romanit më të mirë shqiptar ka pasur në shtypin shqiptar së paku një recension, me autor Agron Tufën.

Asnjë nga anëtarët e jurisë nuk është njohës i gjermanishtes, por dy prej tyre merren edhe me përkthime nga frëngjishtja, Balil Gjini dhe Persida Asllani. Dhe fitues është përkthimi i një vepre nga frëngjishtja, që ka për redaktore anëtaren e Jurisë Persida Asllani. 

Konflikt interesi kur një kryetar jurie ka bërë më parë një vlersim për veprën dhe një antare ka bërë redaktim.Paaftësi e jurisë për përkthimet në gjermanisht 

Në vitin 2009 juria që vlerësoi Shehrin drejtohej nga Aurel Plasari. Në vitin 2010, juria që vlerësoi zbulimin e vitit Eir Plasarin, vajzën e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, drejtohej nga Mark Marku.

 Ky quhet trafik influence dhe larje borxhi .Pse kaq e vogël është bota e kulturës në Shqipëri ?

S'pajtohem as me mendimin e PF edhe në qoftë çmimi është i majmë edhe në se jo atëhere pse kërkon Tufa interesim për një veprimtari që ai vetë e ka kthyer në tê pavlerë .Me çtë drejtë kjo Juri prish qëllimin e konkursit garën dhe vlersimin e veprave më të mira për çdo fushë të gërmave shqipe  që sado pak mund të ndikojë lexuesin nëpërmjet  publicitetit të vlerave të vërteta dhe jo vlerave të trafikut të influencave, familjaritetit reciprok , miqsisë kanunore etj .Nqs se s'ka ndojë vepër që s'meriton çmim më mirë mos e japësh këtë se sa të laurosh një vepër mesatare .Mendoj se kush  ka lëçituar këto vepra të lauruara nga ky komision të najapë ndonjë mendim qoftë dhe të shkurtër . 

Jam une i vetmi te cilit i duken shume numri i cmimeve apo ka ndonje tjeter? A jane te pervitshme keto cmime? Ndoshta do ishte me mire te jepeshin nje here ne kater vjet dhe jo me teper se dy-tre cmime (proze/poezi, perkthim, letersi per femije).

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).