Në ngjarjet e 21 janarit dhe  pas tyre, një nga dështimet më të dukshme ishte dështimi i mediave në raport me kriteret minimale të profesionalizmit. Opinioni publik ishte pak a shumë i qartë për ndarjen e mediave sipas kampeve politike. Mirëpo, ngjarjet e fundit çuan në skajet e tyre mungesën e profesionalizmit të mediave kryesore. Pamë qartë sesi njëra media shihte provokim ndaj protestuesve aty ku media rivale denonconte dhunë ndaj forcave të rendit, sesi aty ku njëra nxiste “revoltën popullore”, tjetra dënonte “sulmet e kriminelëve”. Kjo situatë kishte nisur të radikalizohej disa kohë më parë. Sa për shembull, gjatë javëve të fundit, disa nga televizionet shqiptare harruan gjithë lajmet e tjera ndërkombëtare, madje eklipsuan edhe Dik Martin, me të cilin na çanë kokën një muaj rresht para pak kohësh dhe na dendën me lajme protestash nga e gjithë bota, si për të na kujtuar se e paskëshim lënë pas dore këtë sport kombëtar dhe se ndoshta duhet të na nxihet faqja që tunizianët apo egjiptianët na e paskëshin kaluar. Kjo tingëllon si goditje artilerie që duhet të shoqëronte sulmin e këmbësorisë në konferenca shtypi, sepse argumenti paralel politik ishte që protesta të dhunshme ka kudo dhe nuk është ndonjë kiamet i madh. Ndërkohë, në krahun tjetër, media me profile qeveritare përgatisnin terrenin e nevojës për punën e komisionit hetimor parlamentar, ose në përgjithësi për nevojën e një përgjigjeje të fortë ndaj “grushtit të shtetit”.
Radikalizimi i qëndrimeve politike solli pashmangshmërisht edhe radikalizimin e krahëmarrjes mediatike. Natyrisht, me ndonjë përjashtim të rrallë, që nuk prek gjithsesi shumicën e audiencës. Pikërisht kjo shumicë, si agregat i audiencave partizane me preferenca të majta e të djathta, u bombardua me lajme që dukeshin më tepër të qëndisura nga Rama e Berisha, sesa nga redaksitë e lajmeve. Rezultati është se sot do të tingëllonte qesharake që këto media të pretendojnë publikisht paanësi, pavarësi, objektivitet apo edhe profesionalizëm. Natyrisht, këto kritere janë të pamundura edhe në situata normale, për shkak të natyrës subjektive të punës së gazetarit, mirëpo në rastin konkret kjo nuk ka të bëjë me devijime subjektiviteti, por me strategji të qarta politike.
Natyrisht kjo sjell një mosbesim të qytetarit tek profesionalizmi i mediave. Por, a përbën kjo problem për mediat tona? Ndoshta jo. Atëherë, përse ato rrezikojnë kaq shumë?
Që në vitet ’40, Paul Lazarsfeld, një sociolog amerikan, konstatoi se ndikimi i mediave në ndryshimin e opinionit të votuesve ishte shumë i vogël: madje votuesit informohen pothuajse ekskluzivisht nga mediat që konfirmonin opinionin e tyre; p.sh. mediat që përkrahnin partinë që votuesi preferonte. Mund të mendojmë të njëjtin efekt në Shqipëri: votuesit e PD-së dhe PS-së ndjekin media të caktuara varësisht prej simpative politike. Kjo do të thotë se përkrahja që i bën një media një partie ka efekt vetëm tek përkrahësit e saj ekzistues, pra efekt mobilizues. Por nuk ka fare efekt tek përkrahësit e kundërshtarit. Strategjia aktuale mediatike do të kishte njëfarë kuptimi nëse do të konstatohej njëfarë ndikimi tek votuesit e lëkundur. Mirëpo, radikalizimi i qëndrimeve politike të mediave i largon të lëkundurit, duke i shtyrë drejt apatisë dhe indiferencës, në vend që t’i ndikojë. E thënë ndryshe: kjo është një strategji relativisht idiote që nxitet nga liderë, të cilët nuk ia kanë dhe aq haberin funksionimit të psikologjisë së votuesit, por ecin me iluzionin se tellallët e tyre mediatikë po bëjnë namin duke bindur mbarë popullin për të drejtën e tyre. Ose liderë, të cilëve thjesht u duhet mobilizimi i të vetëve në situata tensioni publik. Kjo babëzi e partive nuk shkatërron vetëm profesionalizmin e mediave, por ka edhe efekt kamikaz. Vetëm se në rastin konkret është vetëm kamikazi mediatik që goditet. Koston e mungesës së profesionalizmit nuk e paguajnë partitë, por mediat.
Në shumicën e vendeve demokratike, mediat gjenden midis presionit të komercializmit me prirje ndaj një publiku të përgjithshëm dhe presioneve politike apo sociale me prirje ndaj një publiku partizan. Shpesh mediat mbajnë anën e një partie apo një tjetre, gjithsesi duke u kujdesur për të mos kaluar ca kufij. Megjithatë, është e rrallë, shumë e rrallë, që mediat të shndërrohen në zëdhënës apo regjisorë të një partie, sepse në fund të fundit, mediat nuk financohen nga partitë, por nga audiencat. Problemi është se në Shqipëri mediat mund të financohen edhe nga partitë, pra të jenë relativisht të pavarura nga audiencat. Financimi nuk është i drejtpërdrejtë, por merr trajta nga më të ndryshmet që përmblidhen në të njëjtën kategori: atë të sigurimit të përfitimeve alternative (tendera për biznese paralele, sponsorizime, etj).
Rezultati është dëshpërues për publikun. Një publik për të cilin mediat nuk kanë dhe aq nevojë dhe që, ndryshe nga perëndimi demokratik, nuk mund të bëjë më presion mbi to. Sot, nëse dëshiron të kuptosh realitetin politik shqiptar, duhet të shohësh lajmet e 4 televizioneve kryesore dhe në fund të mbështetesh në aftësitë e tua përfytyruese, sepse e vërteta nuk është tek asnjëri. Jo sepse nuk kemi gazetarë të zotët, por sepse mediat ku punojnë janë të shitura tek partitë. Ata që kanë miq gazetarë e njohin shumë mirë pakënaqësinë kronike të tyre ndaj politikave redaksionale të mediave ku punojnë. Gjëra që thuhen vetëm në kafe, natyrisht.
Një analizë e tillë nuk përligj qëndrime censuruese ndaj medias. E vetmja gjë më e keqe se mediat partizane e shërbëtore të partive, është një hapësirë publike me media të censuruara. Problemi nuk qëndron tek mediat, por tek politika dhe sidomos tek pazaret që partitë bëjnë me mediat në të tashmen e në të ardhmen. Ky është elementi themelor që duhet ndryshuar. Jo duke kufizuar pronarët e medias, por duke hequr mundësitë që partitë të bëjnë pazar me ta, duke u shitur pasuri publike për të përfituar ndere mediatike.

6 Komente

Hasime, fshije mire tasin e corbes dhe pastaj kujtohu qe po te mos ishin kameramanet e televizioneve te ndryshme qe xhiruan ne mes te trazires duke rrezikuar jeten e tyre, sot do te ishim ende duke folur per cadra pistoleta.

Pajtohem me FMG.

Po ky ku e fut vehten se se kam ndëgjuar kurrë të jetë objektiv. Ky hyn tek ata që objektivitetin e ngatron me paansinë ose baraslargësinë dmth më i keq parofesionalisht se të angazhuarit dhe këtu flet sikur opozita ka të njëttën mundësi si pushteti dhe qëllimisht me dashje harron rolin e stacionit televiziv publik .A s'është Hashimaj më i rrezikshëm kur harron si pa dashje vrasjet apo pa dashje s'di kujt ti besojë kallçnikovave e krismave të tyre apo çadrave pistoletë të tv klanit .I gjori sa i paftyrë e sa pa profesionalizëm . Kujtojnë se duke cituar x apo y njerëz të shquar në fushën e tyre na e mbushi mendjen si paraardhësit e tyre që nga e keqja nuk bënin shkrim pa citate nga udhëheqsi i madh. O hashimja i beson  vrasjet apo jo por në nesfelt partitë gazetarët dhe citatet .

 Thashe dhe une ta lexoja, po kur pashe t'i referohej Paul Lazarsfeld per te na pregatitur shpirterisht qe tani do thoshte ca gjera me mend, e lashe fare. Ja te them une ca gjera e nuk kane nevoje per Paul Lazarsfeld.

Ne ngjarje te tilla si protestat e Janarit, pak rendesi ka se nga cila ane eshte media vizive (se per te shkruaren eshte tjeter gje). Per fat, e verteta objektive ekziston ne natyre dhe pasqyrimi i saj, vecanerisht kur aji eshte nje ngjarje masive qe ndodh ne koordinata te percaktuara ne kohe dhe ne hapesire eshte i mundshem nga ana vizive. Interpretimi pastaj hyn tek partizanlleku. Megjithate, per fat te mire, zakonisht njera pale eshte e interesuar qe ky realitet te pasqyrohet sa me vertetesisht, sic ishte vrasja e tre protestuesve apo dhuna e ushtruar nga pushtetaret. Per qellime propagandistike kjo pale mund te tentoje qe t'i shtoje kontrastin per rritjen e efektit te dramacitetit, por fakti eshte atje. Pala tjeter eshte ajo qe kundershton faktin dhe ngjarjen fillimisht duke mos e mbuluar dhe pastaj duke ofruar alternativa sci-fi te fakteve te pasqyruara te tipit :"E sheh ate xhajen qe po urinon mbrapa murit? Ne fakt ai nuk po urinon por po mbush stilolapsin-pistolete, gje qe kuptohet fare mire nga levizja para mbrapa e dores qe po leviz shulin."

Zakonisht, per te kuptuar se nga kush pale anon e verteta objektive, mjafton qe para se te ulesh para TV, ti besh vehtes pyetjen: "Kush eshte i interesuar qe te pasqyroje kete ngjarje, dhe kush do te ishte i interesuar qe kete mos ta merrte vesh njeri?". Pasi t'i jesh pergjigjur kesaj pyetje, zgjidh kanalin e zemres, per te pare te verteten qe te pelqen te shikosh. 

Mbase eksperienca live e shtypit ne mbulimin e ngjarjeve te Egjyptit mund te te ndihmoje me shume, nese nuk ke mundur akoma te kuptosh keto qe po te shkruaj me siper.

 Shume dobet ky i rrobaqepsise ushtarake.

Interesant, po ky me duket se nuk kerkon as honorare ndaj e lejne te shkruaje cdo lloj gjeje pa problem. smiley

Eshte i pangjyre fare ky Hasimja. Nuk ka asnji gram origjinaliteti apo substance ne shkrimet e tij. Shkruan kot, ja fut kot!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).