Fermerët i besojnë më shumë dokumenteve të para Luftës së Dytë Botërore se atyre të Ligjit 7501. Situata e tregut të tokës bujqësore, investimeve të kryera në to dhe mbi të gjitha vetë siguria mbi pronësinë e tokës paraqitet në gjendje amullie. Studimi i kryer nga DSA nxjerr në pah problematikat më të mprehta që lidhen me të drejtën e pronësisë mbi tokën bujqësore.


Çështja e pronës mbi tokën bujqësore jo vetëm që mbetet e pazgjidhur, por rezulton se fermerët shqiptarë ndihen më të sigurt pas titujve të pronësisë para Luftës së Dytë Botërore - që variojnë nga tapitë e Sulltan Abdulhamitit e më vonë - sesa përmes dokumenteve formale të dhëna nga shteti shqiptar pas vitit 1991.

Ky studim është kryer nga qendra kërkimore shqiptare Development Solutions Associates (DSA), në kuadër të një programi kërkimor për rajonin e Ballkanit Perëndimor të mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Studimi analizon pengesat kryesore që frenojnë zhvillimin e transaksioneve dhe stimujt për të investuar në tokë bujqësore. Më poshtë jepen gjetjet kryesore të këtij studimi. 

Gjatë realizimit të kërkimit në terren u krye një seri intervistash mbi 621 ferma, të cilat së bashku zotërojnë 2529 parcela, nga zona të ndryshme të vendit, duke qenë përfaqësuese të formave të ndryshme të ndarjes së tokës dhe përdorimit të saj.

Fermerët e intervistuar thonë se perceptojnë siguri lidhur me të drejtat e pronësisë për rreth 78 për qind të parcelave, por nga ana tjetër i perceptojnë rreth 20 për qind të tyre si të pasigurta. Perceptimi mbi pasigurinë e pronësisë mbi tokën është më i lartë ndër ata fermerë që e kanë marrë tokën përmes zbatimit të ligjit 7501. Ndërsa ata fermerë që kanë marrë tokën e paraardhësve, me aprovimin e komunitetit dhe sipas kufijve të vjetër shprehin një nivel më të mirë sigurie.
Sipas këtij studimi, pasiguria është veç një prej faktorëve që kanë penguar investimet në tokë bujqësoregjatë 4 viteve të fundit dhe vazhdon të ketë një impakt negativ mbi gatishmërinë e fermerëve për të investuar.

“Tregu i tokës bujqësore është ende i brishtë dhe nga kërkimet e kryera na rezulton se vetëm 14 për qind e fermave kanë blerë tokë, ndërsa vetëm 6.6 për qind e tyre kanë shitur tokë”, thotë Edvin Zhllima, drejtor i Kërkimeve pranë DSA. Ai sqaron se është e domosdoshme një zgjidhje ligjore për të rishikuar dhe trajtuar problemet aktuale të tokës bujqësore. Por, Zhllima, profesor në Universitetin Bujqësor të Tiranës shton se pasiguria mbi pronësinë nuk është i vetmi problem, duke renditur mungesën e kapitalit, mungesën e huave etj.

Rezultatet e vrojtimit të kryer nga DSA tregojnë se fermerët kanë preferencë më të lartë ndaj tokës së fermave që kanë një kombinim të së drejtave të trashëguara (“toka e babës”) me të drejtat formale (tituj pronësie të reformës së vitit 1991), sesa ndaj tokës së “zotëruesve të rinj”, domethënë të atyre që e kanë përfituar tokën nga reforma në fjalë, sipas ligjit 7501. Tregu i qerasë së tokës duket më i mundshëm që të ndikojë që fermerët të zgjerojnë përdorimin e tokës për këtë kategori.
Përplasjet ndërmjet institucioneve zakonore dhe ligjore - të drejtat e trashëguara të pronësisë përkundrejt të drejtave të fituara përmes Ligjit 7501 - për zotërimin e tokës në fshatra, është gjithashtu një shkak i tensionit shoqëror në komunitetet rurale, të cilat në disa raste, shoqërohen me pasoja të rënda.

Llojet e pronësisë
Rreth 55% e parcelave të vrojtuara janë të siguruara përmes “Aktit të marrjes së tokës bujqësore në pronësi”, i cili është dhënë pas shpërndarjes së tokës. Në mënyrë që të zotërohet e drejta e plotë e shitjes dhe trashëgimit, nevojitet pajisja me titullin themelor të pronësisë “Certifikata e pronësisë”. Por, vetëm 21 për qind e parcelave të vrojtuara ishin të mbuluara sipas këtij dokumenti.
Dokumentet e para 1945-s janë të pranishme në 13 për qind të parcelave, ndërsa dokumente të tjera, si certifikatë e komunës, vendim i gjykatës apo kontratë shitjeje, rezultojnë në më pak se 2 për qind të parcelave. Rreth 10 për qind e parcelave nuk janë të mbuluara nga asnjë lloj dokumenti. 
Ka një ndryshim perceptimi të pasigurisë ndërmjet fermerëve për sa i përket tokës së marrë kryesisht sipas kufijve të vjetër dhe miratimit të komunitetit (pronarët e vjetër), përkundër atyre që e kanë marrë tokën bazuar në ndarjen për frymë sipas ligjit (pronarët e rinj). Grupi i dytë tregon një nivel më të lartë pasigurie sipas numrit të parcelave të tokës bujqësore. 

Siguria e pronës dhe investimet
Vetëm 57 për qind e fermave të vrojtuara kanë kryer investime bujqësore në tokën që disponojnë gjatë 5 viteve të fundit. Disa ferma kanë bërë më shumë se një lloj investimi, ndërsa një investim i vetëm mund të shtrihet në më shumë se një parcelë. 

Fermat e vrojtuara kanë investuar në 22 për qind të numrit total të parcelave gjatë 5 viteve të fundit, kryesisht në drufrutorë dhe vreshta (88%), ndërtim shtëpish (5%) konstruksione bujqësore (3.6%) dhe puse.

Shumica e shtëpive janë ndërtuar në parcela që perceptohen si shumë të sigurta (55% e shtëpive), ndërsa vetëm 7 për qind janë ndërtuar në parcela që perceptohen si shumë të pasigurta. Në rastin e të mbjellave të përhershme (vreshta, ullishte etj.), rreth 2/3 e investimeve janë kryer në parcela që perceptohen si shumë të sigurta dhe vetëm 5 për qind janë kryer në parcela që perceptohen si shumë të pasigurta. Forma të tjera investimi, përfshi ndërtesat bujqësore, sera, puse etj., janë gjithashtu të përqendruara në parcela që perceptohen si të sigurta apo shumë të sigurta. 

Problemet e shitblerjes
Vetëm 14 për qind e fermave të vrojtuara kanë blerë tokë dhe 6.6 për qind kanë shitur. Këto të dhëna janë të krahasueshme edhe me vrojtime të tjera siç është LSMS 2005-2008. Shumica e transaksioneve, nga ana tjetër, konsistojnë në parcela të vogla, nën 0.5 hektarë. Ndërsa të dhënat për qeranë e tokës flasin për 245 transaksione të vërejtura. Shumica e transaksioneve të tokës bujqësore – blerje 67 për qind dhe shitje 63 për qind – nga fermerët e intervistuar, kanë qenë të regjistruara, ndonëse më shumë se 30 për qind nga të dy rastet rezultojnë të jenë të paregjistruara.
Siguria e pronësisë prek në mënyrë direkte gatishmërinë për të blerë. Fermerëve të intervistuar iu ofrua të zgjidhnin mes tre tipeve të statusit të tokës për blerje, duke supozuar që kishin kapacitet të plotë për të blerë, me qëllim renditjen e statusit të preferuar, krahas të tjerëve.

Shumica tregun gatishmëri për të paguar për tokë ferme e shoqëruar me një kombinim të së drejtës së trashëguar me të drejtat formale. Por aspekti më i rëndësishëm duket të jetë origjina e tokës, ku preferohet të jetë “tokë babe”. Toka me dokumente të 7501 është zgjedhja e fundit. Zgjedhja optimale sipas 93 për qind të fermerëve, është “toka e babës” me dokumente të plota dhe të përditësuara. Për sa i përket vështirësisë së shitblerjes së tokës bujqësore, fermerët listuan një sërë problemesh kryesore që e pengojnë këtë aktivitet, duke renditur mungesën e titujve të qartë të pronësisë, çmimin e lartë, si dhe lidhjen emocionale dhe shoqërore me tokën.

Situata e tokës bujqësore
Aktualisht, Shqipëria vuan nga fragmentarizmi i skajshëm i tokës bujqësore me 400 mijë familje që kanë në pronësi mesatarisht nga 1.1 hektarë secila. Për më tepër, probleme si mbivendosja e pronësisë, shpërndarja jo e njëtrajtshme e tokës bujqësore sipas sistemeve të ndryshme, ku bëjnë pjesë sisteme duale – Ligji 7501 apo ai zakonor apo i kombinuar mes të dyjave – janë ndër faktorët që kanë shkaktuar kaos në regjistrimin e pronësisë. Gjithashtu, një ndër faktorët frenues ka qenë shtrirja shumë e gjatë në kohë e zbatimit të Ligjit 7501, për sa i përket ndarjes faktike të tokës bujqësore. Sikundër theksohet në raporte të ndryshme të institucioneve ndërkombëtare, procesi duhet të kishte përfunduar brenda 2-3 vjetësh. Në fakt, procesi u zgjat deri më sot, duke vështirësuar ndarjen e tokës, si dhe duke shkaktuar anomali të ndryshme. Probleme të mëdha lindën edhe nga migrimi i brendshëm i popullsisë, si dhe nga mungesa të koordinimit institucional, abuzimet, përllogaritjet e gabuara të kufijve e të tjera. Ekzistojnë studime të ndryshme të kryera nga më shumë se një institucion mbi gjendjen e pronësisë së tokës bujqësore, por është shumë e vështirë të gjenden të dhëna të sakta mbi gjendjen e pronësisë së tokës bujqësore.

Para vitit 1991, një shërbim kadastral ka ekzistuar në formën e një inventari të tokave bujqësore të bazuar në harta, që përdorej për të planifikuar dhe zbatuar aktivitetet bujqësore të kooperativave dhe fermave shtetërore. Ky sistem menaxhohej nga Ministria e Bujqësisë, e cila kreu vrojtime në terren, si dhe prodhoi hartat kadastrale për 26 rajone në vend. Pas vitit 1991, zyrat e kadastrës kishin për detyrë të transferonin të gjitha pronat në regjistrin e tokës së Sistemit të Regjistrimit të pasurive të Paluajtshme, ku sipas dosjeve do të sigurohej baza për përcaktimin fizik dhe ligjor të parcelave. Megjithatë, zyrat e kadastrës në nivelin komunal/bashkiak apo sipas përcaktimeve të tjera rajonale, mbajtën kopje të dokumenteve të cilat përdoren kryesisht nga qeverisja vendore për qëllime të planifikimit urban, planifikimit bujqësor dhe zgjidhjen e konflikteve mbi pronësinë e tokës. Aktualisht, ekzistojnë disa nisma ligjore sipas kategorive specifike, të cilat autorizojnë krijimin e kadastrave dhe regjistrave që duhet të përshtaten bashkë në një sistem të unifikuar.

Zyra e kadastrës qendrore, e cila dikur ishte nën juridiksionin e Institutit të Kërkimit të Tokës, është aktualisht pjesë e Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Fushë-Krujë, e cila varet direkt nga Ministria e Bujqësisë. Këtu ruhen të gjitha hartat e trashëguara nga e kaluara, të cilat i referohen parcelës si njësi primare, ku përcaktohen pronësia, vendndodhja, pozicioni gjeografik, kufijtë, koordinatat etj. Megjithatë, këto harta nuk janë dublikuar apo përditësuar me informacion mbi llojin e përdorimit të tokës, përbërjen e truallit, vlerën apo situatën mjedisore. Informacione të tilla do të mundësonin politikëbërësit që të ofronin këshillim të saktë mbi politikat dhe praktikat bujqësore.

Së fundmi, për herë të parë, Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Fushë-Krujë ka regjistruar 5 komuna pilot në Peqin, me qëllim përfshirjen e të dhënave në bazë parcele, si pronësia, mbjellja, cilësia e tokës, infrastruktura shoqëruese etj. Regjistrimi parashikohet të shtrihet edhe në rajone të tjera. Në të njëjtin institucion ekzistojnë edhe kadastra e vreshtave, kadastra e sistemit ujitës, ndërsa pritet edhe vendosja e kadastrës së ullirit. Por, këto kadastra nuk janë të integruara me njëra-tjetrën. Informacione të tjera të ngjashme ekzistojnë në shërbimin rajonal të kadastrës, i cili është i shpërndarë nëpër njësitë drejtuese të pushtetit vendor.

6 Komente

C'thua, qe Reforma Agrare II (ligji 7501) e Berishes nuk eshte efektive? S'ka mundesi, do e keni gabim. Qe te gjithe doni t'i beni pucin Berishes.

7501 eshte miratuar ne Korrik te 1991-shit gjemb.

Kanceri pare per kete vend eshte Sali Berisha dhe kanceri dyte eshte problemi Tokes.Nuk ka pik serioziteti nga gjithe klasa politike e ketyre 20 vjetve.Sa e veshtire per ta certifikuar per ta bere me letra te rregullta aq e leht eshte per ta prishur e shkateruar.Kete e shikon lete po te beshe nje udhetim me makine.Ku ka rruge,mor po palca e fushes te jete !nuk do te kaloje shume dhe do ta shikosh qe do te behet kantier ndretimi!!!!Ne fillim do te hedhin mbeturina inertsh pastaj zhavor buldozeri per ta niveluar,dhe u varros Toka!!!Atu klojne te gjithe pushtetaret si te medhejte te qendres ashtu dhe ata lokale.As njeri nuk bzon.Rruga e Rinasit ishte nje nga me bukurat dhe e paster nga ndertimet shihni si eshte katandisur!?Shihni se me sa kollaj llek mund te ndertosh shtepi ,apo objekte te tjera.Harrojme qe Toka eshte pasuri kombetare ku do te hane dhe brezat e tjere qe do te vijne pas nesh.E gjithe klasa politike,dhe kete nuk e them per simetri, per te marre ca vota tek fshatari e mernin kete me te mire.Mendoj qe fshatarit duhet i vihet taksat siç i viet dyqanxhiut ne qutet.Ate here ai ose do ta punoje ose do ta japi me qera ose do ta shesi.Shkurt do ti japi drejtim se cfare do te beje me pronen etij.Ose do ta mbelli qe te laje taksat dhe tatimet,ose do ta bleje ai qe eshte i zoti per ta vene ne pune.Keshtu kan hecur vendet e zhvilluara.Kete duhet te bejme dhe ne.Kjo eshte rruga e perparimit te ekonomis tone.

eh thuj, sa te rish e te vrases mendjen sesi mund te zgjidhen gjithe keto probleme, qe gjate ketyre 20 viteve vecse sa jane ngateruar me keq, i fut robi nje dopio raki, ene nje tjeter nese nuk ka zon, ene nje tjeter derisa te te largohet ky menim i keq. Megjithate, keshtu si kane shkuar punet duhet filluar nga me kryesorja: dorrezimi i 6 gardisteve organeve te drejtesise dhe zbardhja e 4 vrasjeve te 21 Janarit.

Kanceri pare per kete vend eshte Sali Berisha dhe kanceri dyte eshte problemi Tokes.

!!!

 Ky eshte problem delikat, dhe e kemi thene te gjithe se bumerangu qe krijoi Buall Mavria me ligjin 7501, na sollen ne kete derexhe, ku shqiptari vritet me shqiptarin per token. 

Megjithate studimi ishte i vlevshem. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).