Sa më shumë drejtues të lartë të institucioneve të pavarura të thirren në Komision, aq më e madhe do të jetë vëmendja e medias dhe analiza e tyre në debatet televizive.

Ngjarjet e 21 janarit e vendosën mazhorancën në pozicion të vështirë në raport me publikun dhe faktorin ndërkombëtar. Shkalla e pjesëmarrjes si dhe ushtrimi i dhunës ndaj protestuesve krijuan një imazh negativ në opinionin publik të brendshëm dhe në sytë e faktorit ndërkombëtar. Në këto kushte mazhoranca duhej të reagonte për të sfumuar jehonën e kësaj ngjarjeje, dhe njëkohësisht të ideonte skenarin për të zhvendosur vëmendjen e opinionit publik te një ngjarje tjetër. Në funksion të sfumimit të jehonës së 21 janarit si dhe balancimin e forcave nga pikëpamja e mbështetësve, mazhoranca paralajmëroi organizmin e një tubimi festiv nën sfondin muzikor dhe fjalimin e sintetizuar të Kryeministrit për arritjet e qeverisë, i ngjashëm me tubimin e viti të kaluar, njëkohësisht, filloi strategjinë për ta trajtuar përdorimin e dhunës nga ana e policisë si reagim ndaj sulmit për uzurpim me dhunë të institucioneve. Varianti i organizimit të tubimit nuk u pranua nga faktori ndërkombëtar. Mazhoranca në këto kushte gjykoi se është rasti ta përdorë presionin e ndërkombëtarëve si mundësi për kapital politik. Pra, po heq dorë nga organizimi i protestave, ndryshe nga opozita, në kompensim të vlerësimeve për këtë gjest si një akt përgjegjësie. Ndërkohë, qëndrimin e opozitës e etiketoi si acarim të raporteve me partnerët strategjikë, specifikisht, me një nga miqtë më të fuqishëm të Shqipërisë, SHBA.

Dhe në fakt nuk është se nuk funksionoi kjo taktikë, por nuk dukej e mjaftueshme për publikun,  pasi jehona e 21 janarit vazhdonte të kishte efekt, falë kjo edhe ritheksimit të vazhdueshëm nga ana e opozitës. Shto këtu dhe efektin e protestës-homazh të 28 janarit që demonstroi të kundërtën e asaj që kishte parashikuar mazhoranca. Në këto kushte, mazhorancës i duhej të ideonte një skenar të ri për të zhvendosur vëmendjen nga ngjarja në fjalë dhe të bënte të besueshme te publiku atë që kishte thënë për ngjarjet e 21 janarit - një Puç Shteti. Pa e vrarë mendjen shumë për efektet që mund të shkaktonte te faktori ndërkombëtar dhe një pjesë e opinionit publik e vërteta e skenarit të Puçit të Shtetit, ngrihet Komisioni hetimor për të bërë të besueshëm ekzistencën e një varianti të tillë. Mjafton të besohej nga pjesa e konsiderueshme e publikut dhe vëmendja të përqendrohej diku tjetër.

Komisioni ad hoc nën moton ‘sa më shumë institucione të pavarura të përfshirë në këtë skenar,  aq më shumë rëndësi i kushtohet mediatikisht nevojës për të mbajtur vëmendjen e publikut në këtë komision’. Sa më shumë drejtues të lartë të institucioneve të pavarura të thirren në Komision, aq më e madhe do të jetë vëmendja e medias dhe analiza e tyre në debatet televizive. Sa më shumë shkelje ligjore të konstatohen në funksionimin e këtij Komisioni, aq më i madh do të jetë impenjimi i konstitucionalistëve për ta vlerësuar ligjshmërinë e punës së këtij Komisioni dhe debati do të mbahet gjallë. Një taktikë e njohur në politikë, por tek ne, falë nivelit të audiencës, raporteve me institucionet e pavarura, raporteve me ligjin, merr një ngjyresë të veçantë.

Pak rëndësi ka si do të interpretohet ky skenar nga faktori ndërkombëtar apo një pjesë e kultivuar e opinionit publik, mjafton që simpatizantët të mbështesin punën e “shkëlqyer” të këtij Komisioni në “demaskimin” e Puçit të Shtetit. Ama, se ky skenar e vendos qeverinë përballë Shtetit dhe individëve që i ka propozuar dhe votuar vetë, nuk ka rëndësi. Kush po e kupton?  

Komisioni në funksionimin e tij merr pozicionin e opozitës së djeshme, ndërsa opozita në demaskimin e punës së këtij Komisioni vendoset në pozicionin e djeshëm të mazhorancës. Fantastike nga pikëpamja e konsistencës politiko - juridike. Mazhoranca e sotme pavarësisht se refuzoi dje ngritjen e Komisionit të opozitës pa prova, fakte apo grup faktesh, sot e ngreh vetë këtë komision, ndërsa opozita kritikon pikërisht këtë gjë që dje e kërkonte vetë. Pavarësisht se çështja po hetohet nga Prokuroria, dhe puna hetimore e Komisionit i mbivendoset punës hetimore të Prokurorisë dhe ekziston një vendim i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me një rast të ngjashëm, e rëndësishme për mazhorancën është përqendrimi i medias në punën e këtij Komisioni, ndërsa opozita gjykon si antikushtetuese atë gjë që dje e kërkonte vetë për hetimin e zgjedhjeve. Pavarësisht se mazhoranca dje kundërshtonte dorëzimin e listave të votuesve opozitës, ndërsa sot kërkon tabulatet. Opozita kundërshton këtë gjë që dje e kërkonte vetë. Hajde merre vesh.

Një pyetje naive ngrihet në këtë situatë haxhiqamiliste. Ore, kanë kulturë juridike përfaqësuesit e legjislativit? Në fakt, individët që e përbëjnë këtë Komision dhe ata që e kundërshtojnë nga e majta, janë specialistët juridik më të mirë në vend, por nevoja politike i bën që të vendosen në pozicione qesharake. Tek ata ekziston bindja se kontradiksionet ligjore nuk kuptohen nga pjesa më e madhe e publikut, kështu që  rëndësi ka spektakti politik që është shumë zbavitës për militantët dhe simpatizantët e dyja forcave.

Ky skenar i mazhorancës, përveç kontradiktave juridike që nxjerr në pah nga të dyja anët, ka arritur edhe një qëllim tjetër. Opozita, duke u etiketuar si forcë politike që do të rrëzojë qeverinë në formën e Puçit të Shtetit si ai i 21 janarit, e ka detyruar atë të bëjë të kundërtën, pasi, nëse vepron ndryshe, akuza e mazhorancës në sytë e publikut bëhet e vërtetë. Siç bëri më 28 janar, ku opozita, për të mos i dhënë mundësi qeverisë dhe faktorit ndërkombëtar që të etiketohet si forcë politike që stimulon dhunën, demonstroi të kundërtën e 21 janarit. Të njëjtën gjë detyrohet të bëjë edhe në tubimet e tjera, pasi, nëse bën ndryshe, qeveria do ta akuzojë te publiku dhe faktori ndërkombëtar si Puçiste.

Pra, politikisht ky skenar i mazhorancës duket shumë fin. Në njërën anë e zhvendos vëmendjen te Komisioni, duke i prezantuar të dy forcat si inkonsistente në qëndrimet me natyrë juridike dhe nga ana tjetër komplekson opozitën për të përsëritur 21 janarin. Duket një lojë shumë e zgjuar, pavarësisht se sa i shërben vendit kjo gjë.

 

5 Komente

dicka ne lidhje me komisionin qe e kisha thene ne nje teme tjeter:

Komisioni hetimor e tregoi deshperimin e Sali Berishes. Eshte shenje e qarte qe eshte drejt largimit. Ne rastin me te mire per SB qellimi i ketij komisioni ishte gjetja e ndonje pislleku me te cilen do t'i beje shantazh opozites te mos nxjerrin video te tjera por te ulen per nje marreveshje per per rindarjen e pushtetit.

Ne rastin me te keq, komisioni i sherben si imunitet KMse per cfare beri ne 21 janar. Kur ujerat te jene qetesuar dhe te kerkohet hetimi i ngjarjeve, do dali qe nuk mund te hetohen sepse u hetuan njehere nga Halimet me shoke.

PD'ja e ka fshehur koken si struci deri tani, po eshte ceshtje ditesh sa te fillojne te ngrene zerin dhe ata sepse jane gjysma e elektoratit dhe nuk mund te jene te gjithe kaq pa cipe.

 ".... Pra, politikisht ky skenar i mazhorancës duket shumë fin. Në njërën anë e zhvendos vëmendjen te Komisioni, duke i prezantuar të dy forcat si inkonsistente në qëndrimet me natyrë juridike dhe nga ana tjetër komplekson opozitën për të përsëritur 21 janarin. Duket një lojë shumë e zgjuar, pavarësisht se sa i shërben vendit kjo gjë... " 

 

 Qe do te thote se akuza e maxhorances eshte djallezore, dhe jo e paster. 

 Roland, ti as qe e ke fare idene sepse u ngrit Komisioni..U ngrit te heqe vemendjen nga kater jetet e ikura, te VRARA me pushke ..Merr vesh more? 

 Do dale e verteta, do dale ..Fill pas Gerdecit

 Lami,

jeni nje grup opinionistesh te rinj ju qe jepni e merrni me njeri tjetrin dhe i mbushni po njeri tjetrit mendjen per keto qe shkruani. Mire e beni se ne fund te fundit njeriu do gjeje nje qofte nje dere per ta tundur qofte nje mundesi per te jetuar.

E di ku qendron e vecanta juaj ? Ta thom u me pak fjale : duke mos qene specialiste te asnje fushe ne jete, po te asnjeje per be, opinioni i pari qe degjoni dhe qe ju pelqen sepse keni te spikatur dhe paanshemrine, e botoni per 50 euro shkrimi neper MAPO-ra apo Panorama-ra. smiley

Pese yje per kurajon qe ke per te permbledh ne 8 paragrafe gjithshka ka ndodhur ne keto dy jave. smiley

Po ishalla qendrofshi kaq si numur se po u shtuat me shume na mori lumi ! smileysmileysmiley

Pra, politikisht ky skenar i mazhorancës duket shumë fin.

Ha, ha, ha, sa kom qesh! Seriozisht e ka ky gazetari me ket!? Jo mer bab jo, nuk o fin jo, eshte po aq i trashe sa aktoret qe po e vene ne jete, por meqe ata ndjehen zoter atje ne ate vend ja lejojne vetes.

Na u bene per tu futur edhe per ne librat e shkencave politike tani! Pika qe s'iu bie atyre dhe tu thafte boja e stilolapsit (apo te ngrifte tastirera e PC-se) ty qe shkruan te tilla gjera pa pike analize!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).