Në analizën e asaj se farë ishte ajo që ndodhi më 21 janar, vë re se nënvleftësohet një fakt i rëndësishëm. Ai se “demonstrata e dalë jashtë kontrollit”, siç e paralajmëroi opozita, apo i ashtuquajturi “grusht shteti”, sikurse e ka quajtur Berisha, synonte mbi të gjitha të tërhiqte vëmendjen e ndërkombëtarëve për krizën politike që ekziston në Shqipëri, që ata të mos tolerojnë “atë që nuk do ta toleronin në vendin e tyre”, sikurse ka thënë dhe vazhdon të thotë Edi Rama. Dhe ja, ndërkombëtarët po vijnë me radhë, mediat e tyre shkruajnë për Shqipërinë, erdhi më në fund edhe Lajçaku. Tani po shohim të korrat që morën të dy palët pas asaj çka mbollën. Këto të korra i shpreh mirë një deklaratë e Lajçakut: “E bëra të qartë se e ardhmja evropiane e Shqipërisë varet nëse udhëheqësit politikë shqiptarë do të zgjedhin të bëjnë atë që themi ne dhe ta bëjnë tani”. Nuk ka deklaratë më turpëruese për të dy palët, por edhe për evropianët do të thosha.

Le të fillojmë me shqiptarët. Personalisht kam gërdi të përdor shprehjen “na prishën imazhin”, apo “na kthyen dhjetë vjet prapa”  sikurse thonë disa, sepse ka diçka spekulative në këtë shprehje: a thua se imazhi që krijojmë duhet të mbulojë realitetin që jetojmë e jo të jetë pasqyrë e tij. Me siguri di të them se treguam se jemi ata që jemi: d.m.th. në fazën infantile të demokracisë. Mjafton të kesh parasysh anulimin e manifestimeve nga Berisha pse ia kërkuan ndërkombëtarët, thirrjet vajtuese të Ramës që ndërkombëtarët të mos e mbështesin Berishën, referimin e vazhdueshëm të mediave tona ndaj artikujve të gazetave të rëndësishme botërore si NYT apo të televizioneve, ambasadorëve amerikanë apo të BE-së, për të nxjerrë përfundimin se këtë krizë do ta zgjidhin ndërkombëtarët sepse ne nuk jemi në gjendje ta zgjidhim.

Pyetja që shtrohet, përtej kësaj krize, është nëse do të arrijnë ndonjë ditë prindërit tanë perëndimorë të na nxjerrin më në fund vetëm në rrugë pa na shoqëruar, nga frika se mos na shkel makina? Pra, a do të arrijmë të rritemi një ditë dhe si mund të kryhet kjo. Përgjigja ndaj kësaj pyetjeje nuk është kaq e thjeshtë. Sepse, kur flasim për rritje, kemi parasysh shoqërinë dhe politikanët si pasqyra të njëri-tjetrit, por edhe të ndarë e në konflikt me njëri-tjetrin. Me rritje të shoqërisë kemi parasysh në një anë rritjen e kulturës demokratike të saj, por edhe forcimin e institucioneve që e garantojnë këtë, çka s’ka se si të mos na çojë edhe tek politika. Ndërkaq, kur flasim për politikanët, kemi parasysh se rritja e tyre do të duhej të ishte në moshë dhe pjekurim njëherësh dhe ndërkaq pyetja mund të shtrohet: mirë që po rriten në moshë, por, duke u moshuar, po bëhen më të pjekur e më të drejtë, apo më të mbrapshtë?

Duke pasur parasysh se çfarë ka ndodhur në vitet 1991–1997, apo se çfarë ka ndodhur në 1998-n, mund të thuash se njëfarë rritjeje dhe pjekurimi politik si shoqëri e kemi mbërritur. Madje, mund të thuash se edhe politikanët e kanë fituar një farë përvoje, gjithsesi. Por ama nuk mendoj se kemi të bëjmë thjesht me një ecje drejtvizore përpara, sado të ngadaltë. As nuk mund të them se politikanët pasqyrojnë nivelin e pjekurimin e shoqërisë. Sepse shoqëria nuk është kurrë një gjë e vetme, ajo ka shumë shtresëzime. E në këtë kontekst, për mua është më e saktë të themi se politikanët që kemi në krye përfaqësojnë pjesën më regresive të shoqërisë, më të kriminalizuar dhe më të papërgjegjshme, prandaj dhe më infantile.

E di se përkrahësit e të dy palëve në këtë pikë do të më thonë se s’mund të vësh simetri, e do të hyjnë në debatin se cili është më i keq, Berisha që i vrau e tani po kërkon të mbulojë vrasjen me puç institucional, apo Rama që i çoi të vriten, pasi për të marrë pushtetin i duhej inskenimi i një gjoja zemërimi të papërmbajtur popullor. Ky debat shpesh vazhdon me pyetjen se mos kanë qenë më të mirë Fatos Nano apo Ilir Meta kur i kemi pasur kryeministra. Personalisht mendoj se njeriu që paraqet më shumë rrezikshmëri sot për sot e ka emrin Sali Berisha, pasi ka më shumë pushtet se të gjithë.

Fill pas tij vjen Edi Rama dhe i treti pa dyshim është Ilir Meta dhe se çdo ide që të mbështesim të keqen më të vogël për të luftuar të keqen më të madhe nuk do të na çojë larg. Sepse me këtë ide i kemi mbështetur të gjithë dhe shikoni çfarë monstrash kemi rritur: një ish-kryeministër që jeton me paret tona të vjedhura në Vjenë dhe pretendon paturpësisht të vijë të na bëhet edhe president; një aspirant për kryeministër që pasi shkatërroi kryeqytetin, s’frenohet as të fusë njerëzit në kasaphanë për të kapur Kryeministrinë; një ish-kryeministër si Ilir Meta, që mjafton të shohësh videon me Priftin për të kuptuar se kemi të bëjmë me një bos mafioz dhe, më në fund, një kryeministër si Sali Berisha që kujton se është vetë shteti dhe cilindo që i del kundëra e skualifikon si pjesëtar të një grushti shteti. Jo vetëm, po shikoni se çfarë marrëdhëniesh kanë pasur me njëri-tjetrin. Berisha e ka akuzuar Nanon dy herë si vrasës dhe tani e ka aleat. Rama dhe Meta ishin aleatët më të mëdhenj kundër Nanos, por tani ky bëhet “shofer” i Metës kundër Ramës. Meta e akuzoi Ramën se nuk u bashkua me të për të rrëzuar Berishën, përkundrazi flirtoi me të, kur ndodhi Gërdeci, por pastaj u bë aleati më i ngushtë i Berishës kundër Ramës.

A mundet vallë të vazhdojmë ta lëmë fatin tonë në duar e këtyre njerëzve? Kush mendon ende se ata përfaqësojnë gjëra të ndryshme, ose është naiv e pa kujtesë, ose kështu ia do interesi i ngushtë, pasi në të vërtetë ata përfaqësojnë një gjë të vetme: pjesën më të kriminalizuar të shoqërisë prandaj dhe më pak demokratike, armiken më të madhe të instalimit të shtetit ligjor në Shqipëri.

Megjithatë, pyetja që shtrohet është se çfarë duhet bërë më tej për t’u rritur, pasi këta duam-s’duam janë aktorët kryesorë në skenë. Për mua, rrugët janë shumë, por synimi është i qartë: do të quhemi të rritur atëherë kur atë çka ua kërkojmë ndërkombëtarëve (arbitrimin e konflikteve tona, zgjedhjet e lira, etj.) ta bëjmë vetë. Në këtë kuptim, kërkesa e Ramës që të mos lejojnë në Shqipëri atë që nuk lejojnë në vendin e tyre ka një spekulim logjik të fillimit: sepse në vendin e tyre ata nuk u kërkojnë të huajve zgjidhjen e problemeve të tyre.

Në këtë kontekst, gjykoj se ajo që thotë Lajçaku, që politikanët tanë t’u binden ndërkombëtarëve, nuk e ndihmon rritjen. Është gabim kur, për të zgjidhur imediaten, kryejmë veprime që në terma afatgjata punojnë në të kundërt të drejtimit të duhur, kur mendojmë se do të rritemi duke rritur e pjekur njerëz si Berisha dhe Rama, Meta e Nano, ndërkohë që përvojat demokratike tregojnë se garancia e rritjes së shoqërisë nuk vjen me rritjen në moshë e në pushtet të udhëheqësve, por me rritjen e mundësisë dhe aftësisë së shoqërisë për t’i zëvendësuar dhe kontrolluar ata.

Përqendrimi i të gjitha përpjekjeve, edhe të ndërkombëtarëve, për të ulur Berishën me Ramën në një tryezë si tek “Krokodili”, për të bindur ata që të mos nxjerrin njerëzit në rrugë, që të fillojnë dialog e më the të thashë, indirekt nuk bën gjë tjetër veçse përforcon autoritarizmin e tyre dhe të klaneve që përfaqësojnë. Nëse do t’i qëndrojmë asaj që kërkon edhe vetë Rama: që ndërkombëtarët të mos bëjnë në Shqipëri atë që nuk e bëjnë në vendin e tyre, atëherë gjëja e parë që ata do të duhet të bëjnë është që të mos mbështeten tek personat, por tek institucionet dhe tek procesi. Me fjalë të tjera, të mbështesin procesin e forcimit të institucioneve që do të kontrollojnë pushtetin e këtyre dy personave dhe klaneve që përfaqësojnë dhe jo të kundërtën.

Është e vërtetë që kjo nuk është e lehtë. Aq më tepër kur Berisha del e na thotë se çdo institucion që nuk është me të, është pjesë e grushtit të shtetit; e kur Rama del e na thotë se mjaft që të ikë Berisha e të vijë ai në pushtet, dhe punët do të na shkojnë mirë e bukur. Por, po të kemi parasysh se ky proces rritjeje do të jetë gjithsesi i gjatë, nuk duhet bërë gabimi që gjithçka të lihet në dorën e këtyre dy njerëzve dhe kolonelëve e ushtarëve të tyre.

Nëse duhet të merren seriozisht që të mos kemi më fenomene të tilla papërgjegjshmërie infantile nga udhëheqësit politikë shqiptarë, duhet të ndihmojmë, si ne brenda vendit, edhe ndërkombëtarët, që të forcohen institucionet që kontrollojnë ata; pa harruar procesin e demokratizimit dhe dekriminalizimit të partive që ata drejtojnë me dorë të hekurt. Personalisht ngulmoj se hapi i parë simbolik, por kurrsesi i mjaftueshëm, do të ishte stimulimi i çdo përpjekjeje për largimin e këtyre dy liderëve dhe klaneve më agresive që i mbështesin, dhe hapja e rrugës për udhëheqës më të moderuar. Po nuk e bëmë këtë tani, me tre të vdekur, nesër do të jetë vonë.
Por mbi të gjitha, duhet të kuptojmë një gjë: se ndryshimi i vërtetë demokratik do të ndodhë kur ai të kryhet nëpërmjet shqiptarëve, jo nëpërmjet Washingtonit apo Brukselit.

5 Komente

z.Lubonja,te kishe trajtuar pak me gjere ceshtjen: a kane sex engjejt ? brenda paradigmes se simetrise, kupton. 

 ".... Por mbi të gjitha, duhet të kuptojmë një gjë: se ndryshimi i vërtetë demokratik do të ndodhë kur ai të kryhet nëpërmjet shqiptarëve, jo nëpërmjet Washingtonit apo Brukselit..."  

Keto fjale, une i kam ndigjuar para shum vitesh nga disidenti Grigor Zaharia apo Ligori siç e therasim ne, njeri i ndershem, me integritet, patriot, dhe i lene pa pension e ne meshire te fatit, nga Berisha i ndyre. Me vjen mire qe Lubonja e kuptoi, megjithse pak me vonese. 

Sikur ne qe bejme llogje ketu te ishim ne Shqiperi e te dilnim ne rruge sa here keto kokat e peshqve permendur ne artikull jo vetem shkelnin ligjin po dhe normat me elementare te sjelljes se edukuar atehere kjo s'do te ndodhte.
Si individe jemi te suksesshem mjaftueshem. Problemi rritet kur fillojme e i shtojme nga nje numer ketij individit tone. Secili koke me vete. Shoqeri skizofrene. Jam shume i sigurte se pavaresisht se cfare thote ligji ne nuk do kishim probleme sikur te gjithe te ishim te nje mendjeje dhe jo nje PS e nje PD. Si atehere para '90s. Me vjen cudi si eshte e mundur qe keto dy parti nuk bashkohen de facto (se sa per programet e pashkruara ngjajne si dy pika uji), shpallin dhe njehere diktaturen dhe shpetojme njehere e mire nga manipulimi i zgjedhjeve, dobesimi i institucioneve, papunesia, etj.

 Perseri na ngre krye kjo simetria e qelbur. Po pse valle? Luboja me kete katharsisin e tij perkundruall Berishes, po i ben nje apologji vetes, duke e vene nen te njejten ballance me Ramen. Pra ai i barazon fajtorin me viktimen. Jo Lubonja, jo. E mira eshte qe tu thash lexuesve te tu te shumte, se qe ti, dhe nje turme si sera jote qe i shtruat rrugen Berishes drejt pushtetit, qysh me 2005, duke thene, "...jo, se ai ka ndryshuar, qenia ne opozite e ka pjekur ate me shume...", kur duke qene ne opozite, ai i solli deme me shume Shqiperise, se askush tjeter, bile dhe me shume se korrupsioni, apo trafiqet e ndyra qe beheshin nepermjet ketij teritori. Te mos harrojme, balten qe hodhi ai mbi institucione, te mos harrojme, grushtin e shtetit me 14 shtator, 1998, te mos harrojme, gjithe ate baterdi qe beri ai me kamikazet e vet, per turp te botes, duke rrahur ministrin e jashtem ne Bruksel, te mos harrojme protestat e dhunshme qe beri ai sa qe ne opozite, te mos harrojme ate,  qe per mua eshte me e ndyra se te gjitha keto, qe ai i beri pis qe te gjthe politikanet e ketij vendi, duke ngjallur frymen e pandeshkushmerise tek ta, se meqenese qe te gjithe detyrimisht duhet te jene te zinj, edhe i bardhi, do te bente mire qe te zijohej, dhe kulmon ai ne 2005, sa erdhi ne pushtet,  qe me mjeshteri, e arriti, me ate ligjin e famshem per shtypin, qe e quajti te lire, dhe me mburrje, bertiste, qe asnje gazetar, nuk do te shkonte para togave te zeza. Kjo mjeshteri e tija, beri qe shtypi te binte ne gracken e ngritur prej tij  te gjithe gazetaret, qe denoncuan, aferat e qeverise se tij, gjate kesaj periudhe, vertete qe nuk u paditen, asnje syresh, por edhe asnje nuk i mori seriozisht keto denoncime publike, pra pandeshkueshmeria arriti kulmin.

Pra te gjitha keto Z, Lubona jane te gjitha fryt i papjekurise tuaj se perkundruall te korruptuarit fatos Nano, zgjodhet autokratin Sali Berisha, qe per interesa te karriges se tij, qe ai e ka dhe besoj se do ta kete deri sa vdekja ta ndaje, nje atavizem, gjenetikisht te lindur.

Dhe sa per Edi Ramen, edhe une kam verejtjet e mia, per shume gjera mund te mos jem dakort me te, por qe te vesh shenjen e barazimit midis tij dhe Berishes, kjo mua nuk me duket e paster. Une nuk e di se ku te ka mbetur hateri me Edin, se ku te ka prekur telat ai, por gjithe ky mllef, nuk te nderon ty. Se si eshte Sali Berisha, ne kemi 20 vjet qe e njohim, dhe e njohim shume mire, dhe aq mire, sa nuk do te donim kurre nje te dyte, kurse per Ramen, te pakten, ne keta 10 vjet qe ka qeverisur Tiranen, ai  5 vjet i ka bere me socialistet, nga te cilat dy, nen presionin e Nanos, qe e goditi, dhe 5 vjet nen presionin e Saliut, qe te gjthe e dime mire se si kane vajtur punet. 

Prandaj i thone demokraci, prandaj populli voton, dhe populli i zgjedh vete kuajjt e karroces, prandaj eshte prova per et gjithe politikanet, kandari per ta eshte vota.. Po me Saliun si stalinisti i fundit ne Evrope, e ka mesuar mire, dhe po aq mire po e zbaton ne praktike, thenien e tij "populli voton, ne numerojme votat" 

Prandaj duhet te heqim qafe te keqen me te madhe se si thote populli "Nese do te zgjedhesh midis dy te keqijave, zgjidh te keqen me te vogel"  Populli e ka thene, une nuk di gje.

Z. Lubonja te mos i ngaterojme hapat. Cili eshte/jane shkaqet qe e sollen situaten ketu ku eshte? Cilat jane detyrat morale e ligjore te cilave duhet ti nenshtrohen qeveria e politikanet NE PUSHTET. Aspak cudi qe zgjidhja qe ofrohet me pas eshte e tipit "Go and boil your bottoms, you sons of silly persons!". Ja keshtu fare thjesht, me shkopin magjik.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).