Në javën që po kalon, në qendër të vëmendjes të opinionit publik, mediave, partnerëve ndërkombëtarë etj., u vendos dukuria e daljes të qytetarëve në rrugë. Lidhur me të u zhvilluan tre rrafshe hamendjesh, analizash, opinionesh. I pari, lidhur me ngjarjen e hidhur të një jave më parë kur demonstrata e paralajmëruar si e tillë, përfundoi me një përplasje të dhunshme midis grupeve të veçuara individësh me forcat e rendit publik në mbrojtje të institucioneve, fatkeqësisht me të plagosur, dhe më hidhur akoma, me humbje jetësh njerëzore. I dyti lidhet me pritshmëritë psikologjikisht të tendosura që u zhvilluan përgjatë të gjithë javës qa kaloi lidhur me atë nëse manifestimet, demonstratat, mitingjet e paralajmëruara nga të dyja forcat politike do të mbaheshin ose jo? Dhe i treti, mbi kuptimin e zbritjes të qytetarëve në rrugë.

          
            
Ku është në fakt vendi i qytetarit në një shoqëri që aspiron të ndjekë modele të një shoqërie demokratike?

            Ku është në të vërtetë vendi i qytetarit shqiptar aktualisht?

            Çfarë statusi ka ai në jetën politike të vendit?

            Dhe ku meriton të jetë?

            Po të shohim paksa historinë e këtyre dy dekadave të tranzicionit demokratizues, nuk mund të mohohet në asnjë mënyrë që qytetari ka fituar një sërë të drejtash politike, juridike dhe sociale shumë të rëndësishme. Por, politikisht, ai ndodhet përsëri në periferinë e largët të sistemit politik, të jetës politike partiake të çdo krahu, dhe të hapësirave publike të shoqërisë civile.

            Duket se për qytetarin shqiptar politika ka nevojë vetëm në dy raste.

            Rasti i parë kur bëhet fjalë për të votuar.

            Rasti i dytë kur krijohen kriza politike dhe dinamikat brendapolitike dalin jashtë kontrollit të ushtruar brenda institucioneve. Atëherë qytetari thërritet në rrugë gati si rekrut. Është një formë konfrontimi në rrugë.

            Por, edhe kur thërritet për të votuar, sistemi juridik i vendosur nga të gjitha forcat politike pa përjashtim ka qenë i tillë që ka synuar për ta demotivuar qytetarin për të ardhur me shumicë në zgjedhje. Aspak me ndonjë dhunë a ndalesë të ndonjë lloji. Përkundrazi, zgjedhjet janë bërë gjithnjë e më të lira. Të ndershme apo jo?, - kjo ka vend të diskutohet një herë tjetër. Përse e them këtë? Për shumë arsye, por le të marrim njërën prej tyre. Sistemi elektoral në fuqi është i tillë saqë mjafton që vetëm tre qytetarë të votojnë në çdo zonë elektorale në territorin e republikës, ku dy të votojnë për një parti apo koalicion partish dhe i treti të votojë për partinë apo koalicionin politik kundërshtar, që zgjedhjet të quhen formalisht në rregull. Madje, fituesi mund të deklarojë pastaj në media se i ka fituar zgjedhjet me 75% të votuesve.

            Një fitore e padiskutueshme...

            Por, edhe për rastin kur qytetari ftohet të dalë në rrugë, gjendja paraqitet shumë delikate. Paragjykohet qytetari se mund të jetë i dhunshëm dhe rrezikon të kapërcejë nga vetë natyra e tij - pretendohet - edhe vullnetin paqësor të partisë që e thërret në manifestim. Tjetër, në fakt, është qytetari që vjen i inkuadruar politikisht në mënyrë paqësore dhe krejt tjetër turma apo grupe individësh që prodhojnë dukuri të dhunshme.

            Duket sikur vendi dhe roli i qytetarit është i destinuar të jetë ose në tri minutat e votimit dhe pastaj, “hajde!”, “ik në shtëpi!”, ose të dalë në rrugë kur forcat politike ballafaqohen jo me mjete politike institucionale, por me anë grumbullimesh në sheshe.

            Deri më sot nuk kemi dëgjuar asnjë gojë qytetare të hapet në ndonjë manifestim në sheshet publike.

            Në shoqërinë shqiptare, në një pamje të përgjithshme, qytetari është thirrur në jetën politike ose për çaste të caktuara, si individ, (kur voton), ose si pjesë i një turme që duhet të ndjekë sloganet partiake. Nuk është fjala për militantë, fanatikë, ultras, të cilët janë të kënaqur kur dëgjojnë sloganet e përgjithshme partiake për t’u gjendur mirë me veten e tyre. Këta janë në rregull. Fjala është për atë pjesë të qytetarëve, më të madhen në numër, që kërkon të shprehë me fjalë, të artikulojë me arsyetim politik, të transmetojë me argumente, dilema, pyetje, qëndrimet e veta politike. Kjo pjesë dërmuese e qytetarisë është përzënë nga politika.

            Nuk ka vend për t’i përmendur të gjitha shkaqet e kësaj gjendje të trishtuar ku qytetari thërritet ose si individ anonim, pa emër pa mbiemër për të hedhur votën e tij në kuti (Një Zot e di se përse ligja parashikon që fletët e votimit të digjen. Lërini pa djegur për brezat që do të vijnë! Ti shohin e të gjykojnë për ne!), ose si një lloj “mishi për top” për të përbërë një lumë spektakolar individësh, pra si një masë matëse influencash partiake.

            Ka një traditë që është vendosur dhe ka zënë rrënjë në psikologjinë kolektive dhe që na vjen nga larg. Do të dalim nga Traktati i Varshavës? Thërrite turmën popullore në shesh për të shprehur përkrahjen ndaj nesh, po ashtu sikurse e thirrëm kur hymë në këtë Traktat! Do ta eliminojmë kryeministrin Shehu? Thërrite turmën në shesh dhe pompoje me slogane, po ashtu sikurse para së njëjtës turmë e kemi ngritur lart si hero! Ka kuptim kur masa njerëzish dolën në vitin 1990 për të përmbysur një rend totalitar që kishte mbyllur çdo mundësi që qytetari të merrte pjesë në jetën publike si subjekt politik autonom.

            Është bërë rutinë që sistemin demokratik ta konsiderojmë se mbështetet vetëm mbi të zgjedhurit e qytetarit dhe jo vetë mbi qytetarin. Por, sovran është qytetari dhe jo i zgjedhuri nga qytetari. Ndonjëherë, pa të keq, përsërisim naivisht diçka që zuri vend në fillim të viteve ‘90 në gjuhën politike shqipe. Kuvendi u quajt tempulli i demokracisë. Kishin të drejtë njerëzit e asaj kohe ta quanin kështu, sepse ky institucion i kishte munguar këtij vendi. Por, nëse Kuvendi është tempulli i demokracisë atëherë pyetja që vjen vetiu është: Cilët janë të shenjtët e këtij tempulli? Kush janë besimtarët? Politikani konsiderohet i shenjtë nga çdo anë politike që ai të pozicionohet, kurse qytetari është besimtari që vjen për t’u lutur.

            Kam frikë se marrëdhëniet janë kthyer paksa mbrapsht. Demokracia ka një unitet të thjeshtë, të pandashëm, qelizën e vet primare, ka qytetarin. Tempulli i demokracisë, po të doni të përdorim këtë terminologji plot fetishe, nuk është kuvendi, nuk është politika, tempulli i demokracisë është vetë qyteti.

            Asnjë qytetar shqiptar aktualisht nuk mund të marrë pjesë në vendimmarrje politike ndryshe veçse nëpërmjet kanaleve të partive politike. Por, sa janë qytetarët e anëtarësuar në partitë politike? Përse nuk kemi statistika transparente mbi sa më sipër?

            Nuk jam duke thënë se qytetari nuk ka vend të dalë në rrugë kur e gjykon të arsyeshme. Manifestimet, mitingjet, festat politike, marshimet paqësore janë pjesë e praktikave demokratike dhe kur realizohen me formula politike, kur integrohen nga kufij politikë, kur kryhen në kushte kulture qytetare, pa dhunë, pa eksese, pa gjuhë verbale të dhunshme, pa tronditur rendin publik, atëherë çdo gjë është funksionale.

            Përndryshe kemi dalë nga konturet ligjore të rendit të sotëm. Mund të ndodhë, por ajo gjendje duhet quajtur me terminologjinë e vet dhe të mos quhet më koniunkturë e një shtet ligjor. Është më shumë një gjendje natyrore.

            Puna është se modeli i shtetit dhe I hapësirës sonë publike, politike, etj., ka vend për të mbartur reforma të thella institucionale. Klasa politike shqiptare në të gjithë krahët e saj ka nevojë të mendojë në Kuvend për t’i hapur qytetarit mundësinë që ai të shprehet dhe të veprojë politikisht në institucione. Midis aktit të votimit dhe demonstratës së dhunshme, krejt të papranueshme, ka një gamë të tërë mundësish politike pjesëmarrëse, të cilat janë fare të pazhvilluara ndër ne. Ne jetojmë krejtësisht në një sistem politik të një demokracie, sado fillestare, por thjesht të deleguar dhe aspak pjesëmarrëse. Ne jetojmë në një model fillestar demokracie opinioni, por aspak vendimmarrëse. Publiku ka të drejtë të flasë, të shprehet, por jo të vendosë për administrimin e çështjeve publike, për qeverisjen e praktikave që kanë të bëjnë me realizimin e interesave të tij si në plan kombëtar ashtu edhe në nivel lokal.

            U diskutua gjatë këtë javë: Të nxjerrim ose jo qytetarët nëpër sheshe? Edhe miq të huaj këshillonin që partitë të mos i nxirrnin qytetarët nëpër sheshe nga frika e konfrontimeve fizike. Këta të fundit kanë shumë të drejtë në këshillat e tyre. Mirëpo, pavarësisht asaj që do të ndodhte, e gjitha kjo gjuhë politike ka edhe një sfond iluziv:

            Po sikur qytetari të mos dojë të dalë në sheshet publike edhe pas thirrjeve partiake? Ose, nëse ndalohet të manifestojë nga ana e partive, të kërkojë vetë ai të dalë në sheshet publike me një organizim politik të pavarur nga partitë politike të çdo krahu? E mbi të gjitha: A është kjo e vetmja mënyrë për ta bërë qytetarin të marrë pjesë në jetën politike publike? Të jetë një turmë në një miting ku të ketë të drejtë të mbartë parulla me slogane, të duartrokasë, të brohorisë dhe rast pas rasti të hedhë gurë, të djegë makina, të thyejë, të godasë me shkopinj mbi mbrojtëse prej plastike në duart policësh që janë në krye të detyrës së tyre?

            Ndofta ka ardhur koha që politikanët tanë të të gjitha krahëve, me qetësi dhe gjakftohtësi, të shtrojnë një pyetje: Përse pjesëmarrja direkte e qytetarit në politikë konsiderohet se mund të shndërrohet në rrezik për stabilitetin e qytetit? Nuk ka forma të tjera për ta ftuar qytetarin në politikë veçse si anonim të gjorë apo si turmë të dhunshme? Sa të hapur e kemi strukturën e hapësirës politike për qytetarin?

            Do të qëndrojmë ne ende në modelin e demokracive të shekullit të nëntëmbëdhjetë apo njëzetë, të quajtura “deleguese”? Do të krijojmë kushte paradoksale ku këtë demokraci deleguese ta bashkojmë në momente delikate vetëm dhe përjashtimisht me modelin e një demokracie sheshesh ku individi autonom nuk ka vend? A është sheshi përfaqësues i vullnetit qytetar në atë masë sa të vendosë për qëndrime politike që implikojnë zgjedhjet e të gjithë qytetarëve të kombit? Absolutisht jo. Sheshet qytetëse, shprehen urbanistët dhe politologët, janë urbanizuar në atë mënyrë saqë të mos munden të nxënë tërësinë e qytetarëve të një kombi.

            Gjykoj se ka ardhur koha që politika të mos e marri peng qytetarinë. Të mos mendojë kaq lehtësisht se sipas vullnetit të vet krejt të lirë mund ta nxjerrë qytetarin në shesh apo mund ta mbajë mbyllur në shtëpi, ta mbajë pasiv për të bërë kompromise pas kurrizit të tij, apo vetëm ta ftojë ose ta largojë qytetarinë nga sheshet publike si një turmë e pompuar propagandistikisht.

            Ata që dalin në sheshe kanë lirinë e tyre për të manifestuar. Ka çështje dhe rrethana kur ia vlen të manifestohet. E drejtë e pamohueshme. Por, me një kufizim të vetëm. Askush në një shesh, kushdo që ai të jetë, sado e madhe ose e vogël që të jetë pjesëmarrja, nuk ka të drejtë të thotë se shpreh vullnetin e të gjithë qytetarëve, edhe të atyre që nuk duan të manifestojnë.

            Para sesa ta ftojë ose ta largojë qytetarin nga sheshet ka vend që demokracia e re dhe e brishtë shqiptare të qytetarizohet. Në çfarë kuptimi? Pra, të lejojë akses për atë që qytetari të pjesëmarrë në jetën politike dhe publike institucionalisht, të marrë pjesë në vendimmarrje sipas proceduarve ligjore, të ketë status politik të zhvilluar.

            Kjo e forcon shoqërinë dhe e bën atë të stabilizuar dhe paqësore.

            Para se qytetari të përdoret si “mish për top” ka vend që reforma ligjore të ndërmerren me vullnetin e të gjitha krahëve politikë për të bërë që qytetari të ketë të drejta politike të zgjeruara, jo thjesht si individ që pret pasivisht të drejta nga shteti ligjor, por që merr pjesë në qeverisjen e çështjeve publike. Në nivelin e sotëm, në të gjitha hallkat, ai pret që ligjvënësit e të gjithë krahëve politikë të ecin në këtë drejtim. 

            Le të shohim faqet web të shumë agjencive institucionale apo politike. Më shumë janë të ndërtuara si faqe publiciteti për drejtuesit e tyre sesa si mjete të fuqishme informimi të publikut.

            Qytetari nuk di paraprakisht se çfarë axhende politike do të kenë këshillat e pushteteve lokale apo të ligjvënësve kombëtarë.

            Statistikat ekonomike nuk botohen gjerësisht dhe të vendosen në dispozicion të qytetarit nëpër njësi shitjesh librash a gazetash. Nuk ka sondazhe të besueshme për të matur kuotat e përkrahjes në publik të këtij apo atij shtetari apo politikani.

            Referendumet lokale janë një praktikë e munguar.

            Lejet e ndërtimit, tenderat e institucioneve publike apo të komuniteteve lokale, përfituesit e tyre, procedurat e ndjekura, gjithashtu, askush nuk ia bën të njohura lehtësisht publikut.

            Shoqëria civile është strukturuar në agjenci të cilat më shumë janë think tanke partiake apo agjenci shërbimesh sesa struktura demokratike individësh apo grupesh që mbrojnë interesat e tyre duke u organizuar në mënyrë demokratike brenda tyre.

            Cilit qytetari të thjeshtë mund t’i botohet një shkrim në shtypin e shkruar?

            Cilat vendimmarrje publike në nivel kombëtar apo lokal kërkojnë medoemos që të konsultohen me shoqata të strukturuara qytetarësh, të njohura ligjërisht dhe me status juridik të qartë për t’i nxitur ato të themelohen dhe të veprojnë?

            Edhe në planin politik, deputeti duke qenë tashmë pjesë e një liste kandidatësh ka më pak detyrim të jetë pranë zgjedhësve.

            As bëhet fjalë të shohim që në seanca mbledhjesh këshillash qarku, bashkiake, komunale, apo seanca parlamentare të ketë një numër të madh qytetarësh të ftuar publikisht, lirshëm, pa dallime dhe preferenca partiake.

            Edhe komisionet e votimit janë të ndërtuara vetëm me militantë partiakë, prandaj krijojnë mosbesim.

            Në mënyrë antikushtetuese është cenuar edhe barazia e shtetasve para ligjit sepse kodi elektoral, i votuar me konsensusin e forcave politike kryesore, kërkon që një kandidat i pavarur të mbështetet paraprakisht nga një numër votuesish të zonës së tij, të cilët duhet ta deklarojnë kështu votën e tyre në një farë mënyre. Kurse përfaqësuesi i një partie, qoftë edhe e përfaqësuar vetëm me një deputet në Kuvend, nuk ka nevojë për këtë mbështetje paraprake. Njeriu i partisë dhe qytetari nuk kanë barazi politike midis tyre dhe këtë e sanksionon vetë ligja në fuqi.

            As nuk është ngritur ndonjëherë çështja që një pjesë e gjykatësve të votohen edhe ata nga populli. Kurse për juritë qytetare si hallka në proceset gjyqësore, po të diskutosh dhe ta ngresh problemin, disa të shohin se po vjen nga hëna, ose nga ndonjë yllësi e largët.

            Do të kemi më shumë paqe sociale, më shumë stabilitet, më shumë drejtësi, më shumë pjesëmarrje qytetare në jetën publike, më shumë mirë-administrim të çështjeve publike, nëse klasa politike, e gjitha bashkë, do të mendojë ta reformojë gradualisht, shkallë-shkallë, hapësirën publike, politike, institucionale në të gjitha nivelet e saj. Ka humbur shumë kohë ajo në konflikte politike që nuk kanë gjeneruar asgjë pozitive.

            Qyteti ndjehet i traumatizuar.

            Përndryshe qytetari do të largohet edhe më shumë nga shteti, nga pushteti i të gjitha niveleve, nga politika, nga liderët e të gjitha krahëve. Asnjë pushtet nuk do të ketë aq sa duhet legjitimitet moral.

            Në vend të qytetarit në politikë, në hapësirën publike, do të shfaqen vetëm militantët. Në të kundërt, sikundër tani, do të lexojmë shqetësime të drejta ose jo, që me ndjenjë të sinqertë ose jo, e bëjnë qytetin të struket sepse partitë po thërrasin qytetarët në rrugë.

            Qyteti ndruhet nga qytetarët.


 

 

11 Komente

Asnje surprize ketu, moveon-dat-popull. 

Kapaku i Fuges:"...Në vend të qytetarit në politikë, në hapësirën publike, do të shfaqen vetëm militantët. Në të kundërt, sikundër tani, do të lexojmë shqetësime të drejta ose jo, që me ndjenjë të sinqertë ose jo, e bëjnë qytetin të struket sepse partitë po thërrasin qytetarët në rrugë.

            Qyteti ndruhet nga qytetarët...."

     Fuga! Ju po tjerrni  filozofime me.... lesh kau ? Merr gje vesh zotrote se pse  qyetari dhe katundari sot eshte i revoltuar, apo nuk ja ke haberin fare ?" Shqetesime" ma quan TRAGJEDINE, mbi nderin e Kombit tend more..?

Fugë, profesioni të bën filozof, po mënyra si e përdor, mund të të bëjë edhe leckë p... për tia ndaluar periodat këtij pushteti të ndyrë.

5* per Oranje

Fuga Mesatarist, i parashikueshem, boring...

wow! smiley

5* edhe nga une!

 Fuge 

Tani une do mundohem te te sjell dy fjale nga gjuha e bukur turke ketu;

E para eshte asqer.

E dyta hyzmetçi 

I marrim me rradhe se cer kuptojme me secilen fjale, ne,  populli i thjeshte qe nuk ben filozofi, por lexon filozofe si puna jote dhe thote me vete qe ky filozofi eshte hyzmetçi.

Asqer dmth ushtar, dmth qe i japin nje dyfek ne krah , mundesisht me bajonete dhe i thone vri . Ai qe do vritet duhet te jete kryesisht armik i atij qe e jep urdherin. Pra sic duket rendom ne keto kohet e fundit mund te jete dhe popull. smiley

Tani te kalojme tek hyzmetçi. Po ne kuptim te pare ne e kena pas pas perdor qe ky eshte nje njeri qe te sherben me i gje dhe per kete paguhet. Mirepo kohet ndryshojne dhe kjo fjale tani mund te perdoret psh e modifikuar ne kuptim,  pra : eshte nje njeri qe ben nje pune per nje tjeter kundrejt nje pagese, ose me shume akoma : nje njeri qe eshte i punesuar diku dhe e harxhon diten e tij per te mbrojt punedhenesin. Si Fuga psh dhe nje peshk qe shkruan me emer te pervecem.

Mirepo ka dhe më: Se mund te jete dhe asqer po edhe hyzmetçi e qe i afrohet qehajait.

Tani ja ta spjegojme si e kupton populli se cer eshte nje qehaja i koheve moderne.

Nje qehaja i koheve moderne eshte nje kone besnike e punedhenesit, e theksoj kone jo qen se une kur them qen kam parasysh gjithmone qen stani smiley . Ky, pra qehajai modern di shkrim e kendim, di dhe filozofi di dhe arstin e te berit te zezen te bardhe dhe ka cuar ne perfeksion sofizmin.

Ky nuk perdor arme si qehajai i motcem, por ky di mire  , po mire fare qe:  gjuha rreshna s`ka por rreshna thyen.

 Nxitoj e shkrimin nuk e lexova, vetem nje pyetje kisha per Fugen e ka lexuar Isamail Kadarene dhe Rexhep Qosen para se te bej nje shkrim tek Standart,(j)organ pro qeverise?!!?

Une Fugen e fillova por dot se mbarova, ndërsa me nje frymë lexova koth-in dhe nuk kisha më nevojë për ta kuptuar qerosin.   

edhe un e fillova po eshte shume i dobet, nuk me bindi ta harxhoja kohen me tej per ta lexuar..

 Po te ishte pak me i gjate do ta kisha lexuar.

Nejse, sa e pashe qe qe Fuga e lashe. ka kohe qe eshte bere makiavelist i pushtetit.

Fuga paska bere tjerrje leshi,  e ka marre topin e leshit e ka bere lesh me tresh.

Me gallate eshte se ka bere librin ku shqiptaret urrehen sy me sy dhe sipas ketij eshte gje e mire, ishte nen ndikimin e psikanalizes (kjo s'ka lene ndokend pa e kther ne leshtjerres), tek ky shkrim paska hedhur tej librin e vet. Po ashtu edhe nje shkrim pas nje debati te ashper parlamentar ku thoshte se sherri eshte gje e mire se njerezit shfryhen me llafe, ehe jepi Fuge se edhe nje çik do, e kape.

Shkrim me te dobet s'i kam lexuar ndonjehere, pa shtylle kurrizore ky shkrim, po ashtu as nga ana konceptuale nuk ka ndonje gje te arrire apo origjinale, si nje analist dosido.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).