Pavarësisht se pse dhe si erdhëm deri këtu, mazhoranca dhe kryeministri Berisha duhet të marrin përgjegjësinë për të gjetur një zgjidhje që do të shpëtojë vendin... Anullimi i një mitingu nuk është asgjë në atë atmosferë të gatshme për të marrë flakë.

Këtu në Kosovë e kanë të vështirë të kuptojnë dhe aq më pak të parashikojnë atë çka po ndodh e pritet të ndodhë në Shqipëri. Një vend anëtar i NATO-s, me regjim të liberalizuar të vizave me BE, një prej destinacioneve kryesore turistike në botë, që papritur shndërrohet në problemin kryesor të Europës, në një vend të përfshirë nga kaosi, me mungesë sigurie dhe viktima si pasojë e përplasjeve të dhunshme mes manifestuesve të opozitës dhe forcave të sigurisë.
Është e vështirë të kuptohet në Kosovë, sepse Prishtina vazhdimisht i ka pasur sytë nga Tirana, ndërsa tani duhet të hapë sytë që të mos bëhet si Tirana. Politika duhet të shërbejë si mjet për të shfryrë tensionet sociale dhe jo si benzinë për t’i ndezur ato. E ndërsa në Prishtinë u shmang acarimi i provokuar nga zgjedhjet e 12 dhjetorit, duke i pranuar shkeljet dhe duke i korrigjuar ato, në Tiranë u bë dhe po bëhet gjithçka e mundur, që t’i fryhet zjarrit, që shpërtheu më 21 janar. Prandaj, ndoshta në Kosovë habiten edhe më shumë kur u thua se situata duket pa zgjidhje dhe se palët nuk kanë vullnet të shpëtojnë vendin e t’i japin garanci njëra- tjetrës për zbatimin e ligjit dhe funksionimin e demokracisë.
Në një shkrim të para disa ditëve, Zija Çela thoshte: “Kështu kemi ecur prej dy dekadash. Kur njëra palë është në pushtet, reflekton fodullëk, arrogancë dhe shenja të autokratizmit. Ndërsa pala në opozitë, si t’i ketë këmbët në prush, derisa të marrë pushtetin, duke mos gjetur stabilitet për vete, shkakton destabilitet për gjithë vendin”. Gjatë një viti e gjysmë, të dyja palët bënë shumë pak për ta shmangur konfliktin në mes tyre.
Edi Rama, nga nevoja jetike për t’u konfirmuar si lider, e radikalizoi qëndrimin opozitar deri në greva urie dhe bojkot të parlamentit. Berisha, me euforinë e fituesit dhe arrogancën e numrave në Parlament, jo vetëm nuk u shqetësua nga kërkesat e opozitës, por injoroi dhe nuk reflektoi edhe ndaj akuzave racionale që u ngritën për qeverinë e tij. Gjuha e urrejtjes që përfshiu dy kampet, e sidomos sulmet e egra të Berishës në parlament flakë nuk nxirrnin, por binin era barut. Atmosfera ishte e mbarsur për të pjellë vetëm trazira. Dhe trazira ndodhën.
Nuk ka dyshim që Edi Ramës i duheshin ato trazira. Ai ishte kujdesur t’i provokonte, t’i menaxhonte dhe të përfitonte prej tyre. Sigurisht që nuk synohej marrja me dhunë e Kryeministrisë, por provokimi i dhunës deri në atë pikë sa të destabilizohej rendi, të humbte kontrolli dhe qeveria të tronditej politikisht. Opozita vendosej kështu në qendër të vëmendjes dhe Edi Rama ulej me forcë në tryezën e dialogut për të negociuar zgjedhjet e parakohshme.
Me këtë skenar, Rama dëshmoi se e gjithë filozofia e tij e politikës së re, e politikës së dialogut dhe jo asaj të rrugës, nuk kishte asnjë themel të qëndrueshëm dhe u braktis në rastin më të parë. Madje, duke e rikthyer Shqipërinë vite të tëra pas, atëherë kur për të ndërruar pushtetin duhej derdhur medoemos gjak. Duke mos përballuar një lojë rregullat e të cilës i paracaktoi vetë më parë dhe duke pasur ankthin e zgjedhjeve lokale, lideri socialist vendosi të nxjerrë partinë e tij në rrugë. Një lëvizje e fortë, ekstreme, pas të cilës nuk mbetet ndonjë hap tjetër për t’u bërë.
Sali Berishës në pushtet, sigurisht nuk i interesonin trazirat e 21 janarit. Por i vënë përballë situatave të tilla, ai nuk di të reagojë ndryshe, veçse me forcë dhe grusht të hekurt. Vdekja e tre personave rëndon politikisht mbi qeverinë dhe çdo konflikt me Prokurorinë e shton përgjegjësinë për humbjen e jetëve. Gjuha ushtarake e Kryeministrit, takimet me gjeneralë e oficerë dhe mbi të gjitha hetimi kaotik dhe i tensionuar i një komisioni të ngritur në orët më të vështira për Shqipërinë, dëshmojnë për kokëfortësinë e pushtetit, për të parë përtej kësaj ngjarje dhe shkaqet që e prodhuan atë.
Berisha e ka vendosur veten kundër të gjithëve, Presidentit, Prokurorisë, SHIK-ut, medias... duke mos lënë asnjë shteg të hapur për kompromis dhe zgjidhje të krizës.
Pavarësisht se pse dhe si erdhëm deri këtu, mazhoranca dhe kryeministri Berisha duhet të marrin përgjegjësinë për të gjetur një zgjidhje që do të shpëtojë vendin. Ata duhet të japin shenja të gatishmërisë për dialog dhe jo të përgatitjes për të dalë në front. Anullimi i një mitingu nuk është asgjë në atë atmosferë të gatshme për të marrë flakë.
Mazhoranca duhet të tërheqë hetimin parlamentar, të bashkëpunojë dhe të ndihmojë Prokurorinë për zbardhjen e të vërtetës dhe mbi të gjitha, të japë garanci të palëkundshme për zgjedhjet e ardhshme lokale e parlamentare. Si shenjë për këtë do të ishte lejimi i hetimit të materialeve zgjedhore të 28 qershorit 2009. Këto garanci duhet të jenë edhe pika që mund ta ulë opozitën në tryezën e bisedimeve.
Socialistët dhe Edi Rama duhet të kërkojnë siguri të plotë që transparenca e zgjedhjeve të arrihet njëherë e përgjithmonë. Që vendi të ndërtojë mekanizma mbrojtës, që ngjarje si ajo e 21 janarit të mos ndodhin më dhe që palët të kenë në dispozicion mjete ligjore e demokratike për të kontrolluar votën. Këto duken si kërkesa të largëta kur kihet parasysh situata e ndezur në Shqipëri.
Por nëse duam ta shuajmë atë, garantimi i zgjedhjeve të ardhshme dhe jo zgjedhjet e parakohshme, mbeten opsioni më i përshtatshëm. Ndryshe, ndërrimi i pushtetit nëpërmjet forcës së rrugës dhe gjakut të militantëve do të jetë një histori që do të na përsëritet dhe atëherë kur mendojmë se e kemi harruar atë. Shqipëria është para një prove, ku nuk vlejnë interesat e një grushti njerëzish, por investimi i tyre për të vendosur rregulla, që do të na mbrojnë të gjithëve.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).