www.km.gov.al

-   Kryeministri Berisha: Stadiumi i ri që do të ndërtohett në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar, do të jetë me moderni dhe më funksionali, do të jetë një bizhu e vërtetë, jo vetëm për sportin shqiptar, por për të gjithë qytetarët shqiptarë.

-   Kryeministri Berisha: Buxheti afatmesëm 2011-2013 përbën levën e Arkimedit, për shndërrimin brenda viti 2017, të Shqipërisë në një vend të zhvilluar pa zjarrvënës, në një vend që ecën drejt një horizonti të ri, për Shqipërinë dhe shqiptarët.


Kryeministri Berisha u ndal sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, në ndërtimin e stadiumit të ri të Tiranës, i cili do të jetë një dhuratë për kryeqytetin, në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. “Ky stadium do të jetë një bizhu e vërtetë, kjo vetëm për sportin shqiptar, por për të gjithë qytetarët shqiptarë. Do të jetë stadium më modern dhe më funksional, natyrisht në proporcion me qytetin, por arkitektura  e tij, funksionaliteti i tij do të jenë të parametrave më të mirë.” tha kryeministri.

Kryeministri u shpreh se ky stadium u vendos të ndërtohet në respekt të plotë për futbollistët dhe për futbollin shqiptar, por edhe për ata qindra dhe mijëra tifozë shqiptarë, të cilët ndjekin kombëtaren e vendit, në Tiranë dhe kudo që ajo luan.

Kryeministri tha ndër të tjera se qeveria në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit do të bëjë të mundur që stadiumi i ri të ndërtohet në një kohë sa më të shkurtër dhe sipas të gjitha parametrave modernë e bashkëkohorë.

Gjatë mbledhjes, kryeministri u ndal gjithashtu në buxhetin afatmesëm 2011-2013, të cilin e cilësoi si Leva e Arkimedit, për shndërrimin brenda vitit 2017, të Shqipërisë në një vend të zhvilluar që ecën drejt një horizonti të ri për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Kryeministri theksoi se buxheti afatmesëm parashikon mbështetjen financiare për të gjithë reformat  e mëdha, të shndërrimit të Shqipërisë, në Shqipëri evropiane.  “Një puç dëmtoi në mënyrë thelbësore imazhin e këtij vendi, por një puç aventurierësh nuk do të mund kurrë të ngadalësojë reformat  e kësaj qeverie, për ndërtimin e Shqipërisë evropiane.” u shpreh kryeministri.

Me tej, kryeministri u ndal më gjerësisht në disa prej fushave që do të mbështesë buxheti afatmesëm si: arsimi, kultura, turizmi, infrastruktura, shëndetësia, etj

Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:

“Zotërinj ministra,

Të dashur qytetare dhe qytetarë,

Kjo mbledhje qeverie ka një rend dite shumë të rëndësishëm, në të cilin problem kryesor për të cilin vendosim sot është stadium i ri i Tiranës, në kuadrin e 100 vjetorit të themelimit te shtetit shqiptar, të pavarësisë së Shqipërisë. Ky stadium do të jetë një bizhu e vërtetë, kjo vetëm për sportin shqiptar, por për të gjithë qytetarët shqiptarë. Do të jetë stadiumi më modern dhe më funksional, natyrisht në proporcion me qytetin, por arkitektura  e tij, funksionaliteti i tij do të jenë të parametrave më të mirë.

Stadiumi u vendos të ndërtohet në respekt të plotë me futbollistët shqiptarë dhe për futbollin shqiptar, por dua të jemi sinqertë me një respekt edhe me të madh për ata qindra dhe mijëra kuqezinj shqiptarë, të cilët ndjekin kombëtaren e vendit, në Tirane dhe kudo që ajo luan. Këta janë një numër shumë i madh te rinjsh, në të tërësi, të cilët kanë treguar mbështetjen të madhe pasionante për ekipin tonë kombëtar, kanë treguar civilitet të lartë, kanë nderuar me qëndrimet  e tyre, kudo tifozët e futbollit shqiptar, të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët me grupe të vogla tepiste, të cilët janë të izoluar në jetën e futbollit shqiptar dhe nuk do të kenë hapësirë për asnjë lloj dhune ne stadiumet  e këtij vendi.

Stadiumi ndërtohet në kuadrin e 100 vjetorit për të nderuar këtë ngjarje, më të madhen në tërë historinë e kombit shqiptar. Ndaj dhe ky do të jetë një koncesion me Federatën Shqiptare të Futbollit. Qeveria së bashku me federatën, do të bëjë të mundur që ky stadium të ndërtohet sa më shpejt dhe sa më i bukur.

Përveç miratimit të stadiumit, këtu sot ne kemi dhe buxhetin afatmesëm 2011-2013. Ky buxhet përbën levën e Arkimedit  për shndërrimin brenda viti 2017, të Shqipërisë në një vend të zhvilluar pa zjarrëvenës, në një vend që ecën drejt një horizonti të ri për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Buxheti afatmesëm parashikon mbështetjen financiare për të gjithë reformat  e mëdha të shndërrimit të Shqipërisë në Shqipëri evropiane. Një puç dëmtoi në mënyrë thelbësore imazhin e këtij vendi, por një puç aventurierësh nuk do të mund kurrë të ngadalësojë reformat  e kësaj qeverie, për ndërtimin e Shqipërisë evropiane.

Në konceptin tonë, Shqipëria evropiane është  Shqipëria e shoqërisë së lirë, e respektimit të plotë, të lirive dhe të drejtave njerëzore, para së gjithash dhe mbi të gjitha e respektimit të plotë të lirisë së mendimit dhe të shprehjes së tij. Ne do të mbajmë standardet më të larta të mundshme. Nuk ka patur dhe nuk ka asnjë kufizim në ushtrimin  e këtyre lirive. Nuk ka patur dhe nuk do të ketë asnjë proces ndaj medias së lirë dhe të pavarur. Dua të theksoj edhe njëherë atë që theksoi Komisioni parlamentar, që një hetim parlamentar për tre-katër gazetarë nuk ka asnjë lidhje me gazetarinë e tyre dhe unë ju garantoj për këtë, por ka lidhje me implikimet direkte, në urdhra direkte, të dhunës dhe puçit dhe me veprime të tjera që do ti bëhen të ditura publikut. Dhe kurrë ndonjëherë në këtë vend sa të jemi ne në pushtet, një gazetar nuk do të gjykohet, nuk do të paditet, nuk do të pësojë, për opinionin  e tij, për shkrimin e tij, për mendimin e tij, por tjetër gjë është gazetaria dhe tjetër është implikimi në veprime konkrete, që nuk kanë asnjë lidhje me gazetarinë, por kanë lidhje me veprime të tjera.

Në kriteret politike, ne jemi te vendosur të qëndrojmë për zgjedhje te lira dhe te ndershme. Unë garantoj qytetarët shqiptarë se zgjedhjet e 8 majit do të jenë zgjedhje të standardeve evropiane, se ne, në këto zgjedhje do të konsolidojmë standardet e arritura, se ne arritëm falë një vullneti të hekurt, për të vendosur dhe kristalizuar në këtë vend, teknikën më të saktë të numërimit të votave. Ne do të përmirësojmë çdo hap dhe do të bëjmë një proces tërësisht transparent.

Shqipëria evropiane për ne është një Shqipëri tërësisht moderne, me një infrastrukture tërësisht evropiane. Buxheti afatmesëm që ne miratojmë mbështet të gjitha akset rrugore të këtij vendi, nga Çeremi, Valbona, në Konispol dhe në zonat më jugore të këtij vendi. Nga Vermoshi, në Kakavijë, pra me këtë buxhet ne finalizojmë projektin  e ndërtimit gjatë këtij mandati, të 7 mijë kilometrave rrugë. Ne së shpejti shpallim fituesin  e kompanisë që do të ndërtojë autostradën  Tiranë- Elbasan, do të shndërrojë Elbasanin në një qytet, në më të afërtin me metropolin.

Pra, ky buxhet i jep mundësi përfundimit të rrugës së Arbrit, boshtit të jugut, të gjitha  projekteve të mëdha rrugore dhe mijëra kilometrave në fshatrat e vendit, të cilat do të kenë infrastrukturë të njëjtë me lagjet  e qytetit.

Buxheti afatmesëm do të mbështesë cilësitë, në arsimin shqiptar. Sot, ne do të miratojmë një ligj për arsimin profesional, për ta vënë atë, në baza më moderne, të bëjmë që kjo degë bazë themelore  e arsimit parauniversitar të ketë të gjithë përshtatshmërinë me kushtet e tregut.

Buxheti do të mbështesë rritjen e përvitshme të rrogave dhe pensioneve. Ne nuk ndalemi në këtë përpjekje dhe çdo vit ne kemi një objektiv. Rrogat dhe pensionet deri  në vitin 2013 duhet të kalojnë më shumë se dy vende të BE.

Me këtë buxhet ne do të nxjerrim çdo familje shqiptare nga mjerimi. Nuk do të ketë më asnjë familje shqiptare në mjerim. Ne miratuam ligjin, miratuam skemën, kemi regjistrin dhe çdo familje shqiptare do të ndahet nga mjerimi.

Buxheti do të mbështesë fuqishëm kujdesin shëndetësor. Këto kohë do të ndërmerret procesi i kostifikimit, i përcaktimit të kostove të çdo procesi, procedure, medikamenti, ndërhyrje, në tërë sistemin tonë shëndetësor.

Buxheti do të mbështesë turizmin, të cilin e dëmtuan aq rëndë flakët  e një puçi dhe në mënyrën më të pamerituar. Në fytyrën  e bukur të Shqipërisë, në imazhin e bukur të saj, e cila u shpall "E bukura e dheut" për turizmin, u ndezën zjarre për të djegur. Prapë ne do ta shërojmë. Prapë Shqipëria do të fitojë bukuritë  e saj mahnitëse. Unë ju garantoj se buxheti me aq forcë sa ç’mbështeti infrastrukturën bregdetare, po me kaq forcë do të mbështesë infrastrukturë e maleve, e bukurive mahnitëse malore të vendit, resorteve të tyre, të cilat janë të virgjëra, janë për tu zbuluar. Të gjitha legjendat  e mëdha të Ballkanit janë thurur në malet  e këtij vendi, nga “Bjeshkët e Nemuna” tek “Baba Tomorri” dhe Çajupi dhe jo më kot, por kanë qenë bukuritë e tyre të mrekullueshme që i kanë shndërruar ato në saraje, pallate të zanave.

Buxheti do të mbështesë moshën dixhitale, do të bëjë që Shqipëria të kalojë qartësisht, në rritje dyshifrore, mbi mesataren e BE në moshën digjitale.

Buxheti do të mbështesë që në këtë moshë dixhitale, qytetari shqiptar të ketë një sportel të vetëm për të gjitha shërbimet. Buxheti do të mbështesë përpjekjen që çdo familje shqiptare të marrë internet me bandë super të gjerë, më të gjerën që furnizohet në ndonjë vend. Buxheti do të mbështesë të gjitha teknologjitë  e komunikimit ndër më modernet. Shqiptarët tani janë tek 3G por i garantoj se do të ecin të sigurtë drejt 4G. Nuk ka të ndalur përpjekja e kësaj qeverie për ti dhënë vendit sistemet më modern të telekomunikimit që ekzistojnë mbi tokë.

Buxheti do të mbështesë fuqishëm fermerët shqiptarë. Do ti mbështesë ata në të gjitha shërbimet, do të bëjë çdo gjë që produktet e  e tyre të mrekullueshme të njihen në mbarë botën. Një nga zhvillimet më të mëdha të vitit të kaluar ka qenë dyfishimi i eksporteve bujqësore në një seri prodhimesh. Nuk është e rëndësishme vlera, por fama që po marrim gjithnjë e më shumë, prodhimet  e shijshme të kësaj toke. Do të mbështeten dy projektet e mëdha, Shqipëria ullishte, Shqipëria arrore. Dhjetëra e dhjetëra milionë drurë frutorë do të mbillen të mbështetura nga ky buxhet. Ne do ti japim Shqipërisë, do ti shpalosim vendi potencialet e jashtëzakonshme që ajo ka në drurë frutorë. Ky vend nuk ka fusha të mëdha të grurit, megjithëse i ka dhe ato, por më të vogla, nuk ka ara të mëdha të të lashtave, por ky vend ka potenciale të jashtëzakonshme në drurë frutorë. Ky vend mund të bëhet një vend i përfilleshim në prodhimin e ullirit, por ky vend mund të bëhet një vend i rëndësishëm në prodhimin e arrorëve, ndaj dhe ne do ti mbshëtesim këto projekte dhe i garantoj fermerët shqiptarë se në këtë periudhë ne jemi të përqendruar ende në infrastrukturë se ne duam që ata të kenë ato rrugë, shkolla, kanalizime, si lagje të  një qyteti, por dora-dorës, kjo infrastrukturë  e përfunduar do të bëjë që ato miliarda dollarë që investohen në fshat, të shkojnë për të mbështetur të gjithë prodhimet, të gjithë marketingun  e prodhimeve të tyre.

Buxheti do të mbështesë fuqishëm kulturën, trashëgiminë  e madhe kulturore të Shqipërisë. Ju garantoj se Shqipëria me gjithë brigjet  e saj mahnitëse, megjithë bukurinë përrallore të maleve të saj nuk do të mund të ishte kurrë destinacion kryesor turistik i botës për vitin 2011, kurorë të cilën, një grusht puçistësh ia përlyen me shishe Molotov, nuk do të ishte përzgjedhur kurrë, nëse nuk do të kishte një trashëgimi kulturore nga më të çmuarat e të gjitha kohërave. Brinja më perëndimore  e Ballkanit ka qenë në të gjithë kohërat, arenë lakmish të mëdha të të gjitha perandorive dhe ato kanë lënë këtu trashëgiminë  e tyre, krahas krijimeve të mëdha të kombit shqiptar. Pra nuk mund të ishte Shqipëria destinacion turistik kryesor i botës, pa Butrintin, pa Gjirokastrën, pa Rozafën, pa Apolloninë, Durrësin, Antigonenë, pa dhjetëra e dhjetëra vend gjetje të pamata arkeologjike. Do të mbështesë artin kulturën bashkëkohore.

Ky buxhet mbështet fuqishëm zhvillimin e mjedisit. Kam kënaqësinë ti informoj shqiptarët se këtë vit në klasifikimin me serioz që u bë vende në raport me mbrojtjen e mjedisit, Shqipëria renditet e 23 në botë. Ka përmirësim të ndjeshëm dhe progresiv. Politikat tona të mbrojtëse së mjedisit janë dhe do të jenë gjithnjë e më shumë rezultative. Gjithçka ne do të ndërtojë duke patur parasysh mbrojtjen, zhvillimin e mjedisit, si kushti më i mirë për të rritur, zgjatur jetën  e qytetarëve shqiptarë. Asgjë nuk ështe më direkt  e lidhur me jetëgjatësinë e shqiptarëve sesa mjedisi ku ata jetojnë.

Shqiptarët në vitet që vijnë do të kapin me këtë mjedis ndër nivelet më të larta në botë të jetëgjatësisë. Është rritur në mënyrë të ndjeshme, por është  e nevojshme të kapim majat, të dalim në çati pasi jemi afër.

Sot miratojmë ligjin për mbrojtjen  e mjedisit. Kemi tre ligje. Ministria  e Mjedisit ka bërë një punë serioze, në krijimin e një baze të re tërësisht ligjore mbi problematikën e mjedisit dhe ne jemi të  vendosur të investojmë  por dua të theksoj këtu se projektet tona të mëdha të ullirit dhe të arrorëve janë gjithashtu kontribute substanciale thelbësore, në zhvillimin e mjedisit dhe konsolidimin  e mjedisit të shëndetshëm.

Sistemi i vuajtjes së dënimeve do të përmirësohet më tej në të gjitha aspektet. Ne jemi shumë të ndjeshëm ndaj të drejtave të qytetarëve tanë që vuajnë dënimin. Ju garantoj se këto vite asgjë nuk është përmirësuar më shumë në këtë vend, nga pikëpamja e kushteve më shumë se sa ky sistem, falë kjo edhe një ndihme bujare të KE, por ne vazhdojmë.

Forcat tona të armatosura do të kenë mbështetje të plotë dhe totale për modernizmin e tyre për pëmbushtjen me përgjegjësi të lartë të gjitha obligimeve që rrjedhin nga anëtarësia jonë në Forcat  e Atlantikut të Veriut, por edhe të të gjitha problematikave që mund të krijohen nga fatkeqësitë natyreore, për të cilat ato kanë qene në lartësinë  e duhur për të përmbushur në mënyrë të shkëlqyer operacionet e kërkim-shpëtimit, në këto zona.

Po kështu policia e shtetit do të njohë sisteme të reja modernizimi, mbështetjesh, vlerësimesh. Nuk do të ketë dallim midis policit dhe ushtarakut për sa i përket pensioneve, do të ketë  një standard të ri në të gjitha qëndrimet.

Ky është pak a shumë buxheti afatmesëm që ne miratojmë sot. Rendi i ditës ka dhe një seri çështjesh të tjera, por unë veçova këtu më kryesoret.

Ju faleminderit."

12 Komente

Xhevahire andej, bizhu ketej, dite estrade e shkelqyeshme sot smiley.

 Monda, e njef konceptin e "unproductive expenditure" dhe principin e humbjes, ku elemente kryesore jane xhevahiret? Eshte koncept i Bataliese, nderkohe verej kontekstin historik te olimpiades propagandistike se 36-es ne Berlin. Ky nuk eshte mini-Hitler, por Hitler i plote.

Pacienti te kthehet urgjent ne reanimacion dhe te lidhet me zinxhire, ilaci ka bere efektin e kundert.

Sa e pashe te lajmet. Koqja flet ne KM sikur me qene ne miting ne Bajze. 

 GOOOOOOOL !

Shqiptarët në vitet që vijnë do të kapin me këtë mjedis ndër nivelet më të larta në botë të jetëgjatësisë. Është rritur në mënyrë të ndjeshme, por është  e nevojshme të kapim majat, të dalim në çati pasi jemi afër"

Ky po ia kalon dhe enverit me keto halucinacione.Atij edhe i falej se ne ate kohe nuk kishte opozite dhe s'ia mbante bytha njeriu ti thoshte te verteten.Ky ne kohen e internetit kur media,opozita te nxjerr te gjitha te palarat tregon genjeshtra diten per diell.Nuk e di per cilin mjedis e ka fjalen kur pyjet jane prere , erozioni ben kerdine,         qytetet jane kthyer ne germadha betoni ku s'ka asnje pellembe hapesire te gjelberuar.Demonstruesit ia shprehen ne menyre te dhunshme pakenaqesine e tyre per gjendjen e vendit ai flet per nje shqiperi te bukur e te lulezuar e cila ekziston vetem ne trurin etij.

 Eureka!! Zbulova pattern-in e fjalimeve te sales: cdo k**llik shoqerohet ne fund me nje superlative.. Cool.. Se shpejti do kemi nje program qe do te gjeneroje ne menyre automatike fjalimet e Sales  smiley

 

..por arkitektura  e tij, funksionaliteti i tij do të jenë të parametrave më të mirë

..stadiumi i ri të ndërtohet në një kohë sa më të shkurtër dhe sipas të gjitha parametrave modernë e bashkëkohorë.

..por dua të jemi sinqertë me një respekt edhe me të madh për ata qindra dhe mijëra kuqezinj 

 ..në kuadrin e 100 vjetorit për të nderuar këtë ngjarje, më të madhen në tërë historinë e kombit shqiptar

..Ne do të mbajmë standardet më të larta të mundshme

..për të vendosur dhe kristalizuar në këtë vend, teknikën më të saktë të numërimit të votave. 

..do të ndërtojë autostradën  Tiranë- Elbasan, do të shndërrojë Elbasanin në një qytet, në më të afërtin me metropolin.

..Buxheti do të mbështesë përpjekjen që çdo familje shqiptare të marrë internet me bandë super të gjerë, më të gjerën që furnizohet në ndonjë vend

..Një nga zhvillimet më të mëdha të vitit të kaluar ka qenë dyfishimi i eksporteve bujqësore në një seri prodhimesh.

..trashëgimi kulturore nga më të çmuarat e të gjitha kohërave.

..Shqiptarët në vitet që vijnë do të kapin me këtë mjedis ndër nivelet më të larta në botë të jetëgjatësisë

Stadiumi i ri qe ndertohet me parate e taksapaguesve eshte nje dhurate e qeverise per popullin shqiptar.

lol  smiley te pacim sa malet shoku sali qe kur ke mundesi ben ndonje dhurate per popllin shqiptar.

ne fakt nuk u perqendrova fare te kuptimi i fjalive vetem nje gje me beri pershtypje: 

A ka kuptim te thuhet "numerim me te sakte". Ne nje nga ato fjalite qe citova me siper, xhaxhi sali, thote qe do ofroje nje sistem numerimi votash ME TE SAKTE.. Me sa di une nje numerim ose eshte i sakte, ose nuk eshte..  smiley 

 

 

"....  Do të mbështeten dy projektet e mëdha, Shqipëria ullishte, Shqipëria arrore. Dhjetëra e dhjetëra milionë drurë frutorë do të mbillen të mbështetura nga ky buxhet..."  

  Me vjen mire qe Buall Mavria me ka vjedhur idete, mirpo vjen pyetja, gjer me sot ke fermer ka subvencionuar, ke platancion apo kodrine. Llafet mi ka te bukura, veç punen ma ka ibret.  

..Do të mbështeten dy projektet e mëdha, Shqipëria ullishte, Shqipëria arrore. Dhjetëra e dhjetëra milionë drurë frutorë do të mbillen të mbështetura nga ky buxhet.."

kjo ndryshe perkethehet do te kredhim shqiptaret ne borxhe akoma me te medha per te zevendesuar ato plantacione me  drure frutore qe i kishin por i prene gjate ketyre 20 vjeteve.Dhe ato ishin ndertuar ne pjesen derrmuse falas me pune vullnetare.

ama do ndertoj stadium modern. hallall..  ja kam falur te gjitha gabimet qe ka bere deri tani.smiley)       e kuqa do fitoj......

  po emrin ja kane gjetur stadiumit te ri? '' Albania Arena'',  ''Pavaresia'', po edhe ''Selman Stermasi'' apo ''Loni Papuciu''  nuk me duken keq.smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).