Në këtë shkrim me nderim dhe respekt të thellë, dua të flas për një nga person alitetet më të arrira të kultures shqiptare, për Át Bernardin Palajn, “Fratin e Kangeve” siç e quante një tjetër shkrimtar i madh Ernest Koliqi. “Nuk dij se kush patë thanë - thotë shkrimtari i vlert Ernest Koliqi - qi gjithkund në botë poetët këndojnë për popullin, e vetëm në Ballkan populli këndon për poetët. Deri tash për mue poeti ma i madh i Shqipnis asht populli i ynë. Kjo e vërtetë më vetoi para syve të mendës në Palç, në qelën e Fratit të Kangëve. Át Bernardini, në vetminë e gjatë të malit, i a ka vu veshin kangës së pashterun qi buron nga zemra e thellë e kombit arbnuer tue i a rrembye harresës”. Kështu shkruan Koliqi, ne numrin 5-8 të revistës “Shêjzat” 1972. Po në këtë numër të revistës Koliqi, pohon për vlerat e dhe aftësitë e mëdhaja të At Palajt që i ka dëgjuar nga vet goja e Át Gjergj Fishtës për Át Bernardinin: “Nji ndër auktorë të dênjë m’u kujtue e mos m’u harrue asht pa tjeter Át Bernardin Palaj, për të cilin nji ditë Fishta më tha: Ky (Bernardini ndodhej aty pranë) ka talent të madh dhe e njef shqipen me themel. Mund të m’a kaloj edhe mue”. 
Mora shkas të hedh dy rreshta në leter të bardhë për këtë folklorist dhe historian të njohur por dhe të panjohur për arsye që tashmë dihen, i nxitur nga përgaditja e veprës së tij për botim. Duke lexuar dhe studiuar shkrimet e tij të botueme kryesisht të “Hylli i Dritës” më lindi kureshtja ta kërkoj dhe ta studioj edhe më gjerë dhe t’ia botoj veprën e tij të plotë për ta bërë të njohur për publikun shqiptar, që fatkeqësish i zhytur thellë në një subjektivizëm letrar po i harron kolosët e saj që shkruan dhe bënë historinë. Gjatë hulumtimit të shkrimeve të tij mu desh që të kërkoja për të, përveç në revistat e perkohshme që ka shkruar dhe botuar, edhe në arkivin Françeskan në Shkodër, si dhe Arkivin e shtetit Tiranë.  Ky mund nuk mbeti pa fryt. Më shumë se 25 vjet krijimtari e këtij Frati nuk ishte e mundur që të përfshihej vetëm me dy vepra. Át Palajn ne jemi mësuar ta njohim si folklorist dhe pak si historian, vetëm nga ato studime që ka bërë në lidhje me Dioqesin e Pultit të shekullit XVII. Njohim për fat të keq vetem një të treten e vepres së Át Bernardin Palajt, të cilën mund ta klasifikojmë në katër lloje krijimi: folkloristike, historike, poetike, dhe krijimtari muzikore.

Át Palaj folklorist

Si mbledhës të folklorit Át Barnardini nuk është mjaftuar vetëm me marrjen nga goja e popullit dhe sistemimin e këngëve të kreshnikëve të ruajtura gjatë shekujve nëpër Malsi dhe të transmetuara brez mbas brezi, por është shtrirë më gjerë në këtë fushë, duke na folur edhe për mite dhe legjenda që gjendeshin në zona të thella malore, kryesisht në Dukagjin. Mbledhja e këtyre zakoneve, dokeve dhe traditave të bukura të jetës etnike dhe familjare shqiptare e kanë shtyrë të shohë, të ruajtura trashëgiminë, përkatsinë dhe identitetin Iliro - Thrak të shqiptarëve. Për të vërtetuar këtë pohim po marrin një pjesë studimi të tij e botuar nga Instituti i Studimeve Shqiptare në Tiranë, titulluar: “Studime dhe tekste, Dega juridike Tiranë” 1943, fq. 122-126. Ja çka shkruan aty për festën e gjithëmbarshme të ditës së verave që për të mund të kishte gjenezë ilire: 
Dita e verave “Shtëpi për shtëpi në ditët e verave, pjestarët e familjes bashkohen rreth zjarmit për me lidhë shrigat, mgjillçkat, llugjat, rrollçkat e të gjitha shtasët damtuese; gjarpnin mos t’i nxajë, lepurin mos t’u hajë laknat e bathën, e shpendin emën për emën e krymbat e tokës mos t’u bajnë dam ndër ara. Tri ditë përpara veravet duhet me mshefë shoshat, sitat, furkat e me çartë krojet, në mënyrë qi mos me i pam këto sende asnji rob i shtëpisë, pse për ndryshej nuk lidhet gja. Këto ditët e veravet bijnë gjithëmonë nder ditët e para të Marsit. Mbas darke, të gjithë pjestarët e shtepisë bashkohen rreth zjarrmit. I zoti i shtëpisë merr nji pe leshi, e lidhë për vargue nji nye e thotë këto fjalë: Lidhe Zot e nata mojit e dita e verave! Unë pak e Zoti shumë! Po lidhim shtrigat. Kështu përsëritë ket veprim për secilin shpirt, sëmundje, krymba a mandra qi don me lidhë”.(Shih revisten: Shêjzat 1972, nr 5-8 fq. 163). 
Studimet mbi letersinë klasike dhe moderne si dhe sudimet mbi veprat e albanologëve gjermanë, bënë që ai të kishte një kulturë solide dhe të madhe. Për këtë formim të tij, ja ç’ka shkruan albanologia Angela Cirincione: “Përveç kulturës së tij me themel klasik ka pasë edhe nji njohje të mirë të letersisë moderne. Studioi veprat e albanologëve gjermanë, të cilat i hapën shtegun për me zbulue hap mbas hapi, në çdo veprim, në çdo zakon shprehje të krahinave malore gjurmët trako-ilire. Në dritën e kësaj kulture, e pa shqiptarin e sotëm si njifarë mbetunie të trungut të madh të familjes indoeuropiane të quejtun iliro-trake, nji ndër fiset e para të njerzimit që banoi Europën lindore” (shih: Át Bernardin Palaj., Vepra 1 botim II, Shkodër Botime Françeskane 2005, fq. XII). 
Por një ndihmesë të madhe dha edhe në mbledhjen e kangëve të Kreshnikëve të botuar për herë të parë në vitin 1937 dhe të ribotuar nga botimet françeskane në 2005 dhe ribotuar në vitin 2007. Ja se çfarë shkruan Át Palaj me bashkautor me një tjeter korife të dalur nga “Shkolla Franceskane” Át Donat Kurtin në lidhje me rëndësinë e këngëve të Kreshnikëve: “Kangët e vjetra, qi njifen prej malcosvet janë nën emnin “kangë kreshnikësh, kangë të moçme, kangë lahute” janë visari ma i çmueshmi I gjuhës, shprehja ma e gjalla e shum ndiesive bucare e përfytyrimi typik i fizjonomis së kombit t’onë” (shih: Át B Palaj dhe Át D Kurti., Visaret e Kombit, botim II, Shkodër Botime Françeskane 2005, fq. IX).

Át Palaj historian

Tani do të flasim për kontributin e Át Bernardin Palajt në lamin e historisë shqiptare. Ndër studimet e tij historike mund të cilsojmë disa që janë më të rëndësishme si: “Studime dhe dokumente rreth dioqezit të Pultit”, shkrime dhe studime dokumentesh, që janë të botuara në revisten “Hylli i Drites”. Por me mjaft interes janë edhe studimet: “Lufta shqiptare kunder pushtuesit turk”, (dorëshkrim e pabotuar), “Kryengritja e Dukagjinit që pëfshin vitet 1926-1928”,(dorëshkrim i pabotuar), “Ditar shenimesh”, (dorëshkrim e pabotuar), “A janë Shqyptaret autokton” (dorëshkrim i pabotuar) dhe “Ça hoqme na katolikët për Shqypni”, (dorëshkrim i pabotuar). 
Ndër historianët që ka nxjerrë “Shkolla franceskane” jemi mësuar të dëgjojmë për “Maestron” e historise Át Marin Sirdanin. Por siç duket nga shkrimet e lëna kjo fushe ka terhequr edhe Át Palajn. Shumë kanë shkruar për fillimet e robërimit të Shqipërisë nën pushtuesin e ardhur nga Azia, duke e konsideruar një periudhë mjaft të zymtë dhe të errët dhe të prapambetur për Arbërinë, një ndër këta studiues spikat edhe emri i “Frati të Kangëve”. Në studimin “Lufta Shqiptare kundër pushtuesit turk” ai trajton këto tema: “Gjendja e përgjithshme kishtare prej vjetes 1468 – 1650”, “Largimi i rregulltarve e i bujarve prej Shqypniet”, “Salvimet e turkut”, “Jeta e popullit e e klerit katolik”, “Kryngritja e katolikve”, dhe “Gjendja e Françeskave mrenda kësaj kohe”. Siç shihet nga trajtimi i çështjeve, ky dorëshkrim është lëndë e parë për studimin e asaj periudhe të errët të historisë së Shqipërisë. Mes viteve ‘20 dhe ‘30 të shekullit të kaluar kanë ndodhur shumë ngjarje që kanë lënë gjurmë të pa harruara në kujtesën e popullit shqiptar. E kujtojmë me nostalgji qeverisjen e shkurter, por demokratike të Fan Nolit të vitit 1924. Kjo qeveri që solli dhe ringjalli shumë shpresa të bashkëkohësit, nuk zgjati shumë, duke ja lënë vendin Ahmet Zogut që i ndihmuar nga serbët përmbysi qeverinë e Nolit. Të gjitha këto ngarje i gjejmë të renditura në formë ditari nga Át Bernardin Palaj. Ky ditar sjell të vërteta dhe fakte të reja për ta njohur më mirë atë kohë. Një studim tjetër që paraqet fakte dhe realitete të dhimbshme janë kujtimet e Át Bernardin Palajt për Revolucionin e Dukagjinit kundër qeverisë Zogiste. Ndër faqet e historisë anashkalohet kjo vuajtje e popullit të Dukagjinit që zgjati për rreth dy vjet. Më lart kemi thënë se Át Palaj studioi folklorin, zakonet, doket dhe besimet e shqiptarve sepse në ato ai pa tradita të lashta ilire. Pikërisht duke u nxitur nga kjo, ai bëri edhe një studim të shkurtët sintetik dhe plot ngjarje të reja në lidhje me çështjen se “A janë shqiptarët autoktonë”.

Jetëshkrimi i Át Bernardin Palaj

Át Bernardini lindi në Shkodër me 2 tetor 1894 nga një familje e thjeshtë malsore nga Shllaku. Studimet i filloi në shkollën fillore të eterve françeskanë, e drejtuar në atë kohë nga Át Gjergj Fishta. Studimet gjimnazore i kreu po pranë etërve Françeskan, ndërsa Liceun e kreu në Salzburg e ato teologjikë e filozofike në Innsbruck. Gjatë studimeve ai tregoi një interes të veçantë për studimet shqiptare, si dhe për autorët e huaj që studiuan zakonet, gjuhën, doket shqiptare. Kryesisht e tërhiqnin albanologët gjerman-folës. Për disa vjet mësoi në Liceun “Illyricum”, pastaj shërbeu në famullitë e Toplanës, Palçit, Shalës, Bushkashit dhe të Rubikut. Iu kushtua poezisë, prozës, muzikës, duke punuar për të mirën e atdheut. Krijimtaria e tij është e gjerë dhe shumë e larmishme. Ajo përfshin shumë aspekte të zhvillimit albanologjik. Mbas hapjes së revistës “Hylli i Ditës” në vitet 1921-1924 e 1930 – 1937 boton së bashku me Át Donat Kurtin pjesë - pjesë “Kangët e Kreshnikëve”. Ndërsa në vitin 1937 botohet libër në vete, titulluar “Visaret e Kombit”. Po ashtu gjatë kësaj përiudhe boton edhe krijimtarinë e tij poetike në “Hyllin e Drites”: “Fragment - Valët e nji shpirti”, “Moskë – Alkazar”, “Vorreve të Famurit”, “Kuq e zi”, “Kah nata e vetme”, etj. Ndërsa shpirti i tij epik dhe poetik kishte prekur majat e krjimtarisë së tij, At Palaj fillon të mbledhë mitologjinë, zakonet dhe doket shqiptare, të cilat i boton më së parit te “Hylli i Dritës” në periudhën 1940 - 1944. Ndër këto mund të veçojmë: “Syni i keq”, “Shpirti i keq”, “Ora e shpis”, “Bestytni Ilire”, “Orët”, “Zanat”, etj. Hovi dhe vullneti i tij nuk ndalen me kaq. Bën disa studime interesante dhe shkencore mbi kanunin e maleve, me vlerë burimore për studiuesit e të drejtes zakonore shqiptare, të cilat botohen nga Instituti i Studimeve të larta shqiptare në Tiranë në librin: “Studime dhe tekste, Dega Juridike Tiranë 1943”. Po në këtë botim ai boton një variant të Kanunit të Lekë Dukagjinit mbas shqyrtimit të Mark Sadikut. Së bashku me përkushtimin e tij për studimin e etnosi të shqiptarëve ia bashkangjiti edhe dëshirën për të studiuar edhe historinë e Arbërisë. Sidomos në revistën “Hylli i Dritës” boton disa studime mbi Dioqezën e Pultit si dhe të disa krahinave të tjera të veriut, me mjaft interes dhe fakte historike për studiuesit e kësaj fushe.

Fundi tragjik i jetës së tij

Në fund të Luftës, i zhgënjyer, tashmë pas përpjekje të pashpresë të trupave nacionaliste dhe prendimore për të formuar një shtet të bazuar në lirinë dhe të drejtat e njeriut, duke e parë rrezikun eminent që po i vërsulej si një bishë e egër nga të vëtshpallurit shpëtimtar të Shqipërisë, i turbulluar në shpirt, i thotë një tjetër mikut të tij albanologut, Prof. Karl Gurakuqit: “Do të tërhiqem në nji famullì të maleve të mija të dashtuna – më tha gadi me lotë ndër sy – dhe aty ku mbahet gjallë fryma e shpirtit arbnuer, në kontakt me popullin e thjeshtë, do të vijoj punën e nisun tash sa e sa vjet, tue gjurmue në historinë, në folklorën e sidomos në Kanunin. Do të përplotësoj e do të sistemoj rapsodit, qi unë i kam mbledhë me kujdes tash sa kohë”. Sa mbresëlënëse dhe rrënqethëse kjo bisedë konfidenciale mes dy dijetarësh. 
Por fatëkëqësisht në moshën 51 vjeçare, puna e tij shkencore si dhe aktivitetiti i tij fetar u nderpre barbarisht, ku për asye absurde e arrrestuan në Kuvendin e Rrubikut me 22. 10. 1946. Pikërisht këtu në Rrubik i shkruan Át Jak Marlekajt një letër ku i kërkon që ta paraqesë para botës së lirë vuajtjen, dhe vrasjet makabre të sa e sa intelektualëve shqiptarë në mënyrë të padrejtë, vëtm për faktin se ishin pionerë të mendimit të lirë dhe demokratik. Në këtë letër, origjinali i së cilës ruhet pranë arkivit françeskan në Shkodër, Palaj shkruan: “I dashtuni P. Jakob, jena në gazep të Zotit. Thueju miqve t’ ikun andej qi t’orvaten me sa të munden për me na pshtue prej ketij kobit. Ka nji, ka nji, po na qesin faret të gjithve. Bâne të njoftun mjerimin t’onë ku të dijësh. Të fala B.dini, 20. IV. 1946". 
Mbasi pësoi tortura të shumta vdiq me datë 2 Dhjetor 1946 ndër tortura nga më çnjerëzoret. Qe varrosur në oborin e ish-sanatoriumit në Shkodër.

http://www.zemrashqiptare.net/article/Personalitete/3505/

2 Komente

Respekt Bernardin Palaj. Respekt, s'kam fjale tjera.

Village-bey, te falenderoj, prurjet e tua ngriten gjithmone siper mediokritetit.

Dua te sinjalizoj gjithashtu kete shkrimin per Donat Kurtin, nje tjeter kolos i shqipes, viktime edhe ai i komunizmit. Ka disa pjese interesante per Prof. Doktor Kandidate Shkencave, Akademiket e realizmit socialist (psh Jup Kastrati, Dhimiter Shuteriqi), te bere te tille duke perdorur punen e tjereve.

Ka lé në Shkodër më 3 shtator 1903. Në vitin 1937 nga Universiteti "San'Antonio" i Romës, i jepët titulli "Doktor i Shkencave". Asht i njoftun ndër françeskanët ma të ditun dhe rreshtohët ndër shkenctarët që kanë dalë prej asaj vatre të pashterrëshme të kulturës sone shqiptare. Thëmelet e vueme prej At Gjeçovit u ngritën nalt nga At Donat Kurti, At Bernardin Palaj, At Benedikt Dema etj. me veprat e mëdha që i lanë trashigim Atdheut, tue i përjetësue ato në "Visaret e Kombit".
Prof. Dr. Norbert Jokli e cilëson At Donat Kurtin: "Një ndër prozatorët ma të mëdhaj shqiptarë".
Në vitin 1946, At Donat Kurti asht drejtor i Gjimnazit të Fretënve "Illyricum" të Shkodrës. Asht drejtor i atij Gjimnazi, që asht cilësue vatra prej ku përhapeshin shkëndijat e atij atdhetarizmi dhe të asaj kulture shqiptare, mbi të cilat u ndërtue përjetësisht binomi "Fé e Atdhé".
Prof. Simon Pepa, shkruen: "Dhe tani, në 55 vjetorin e botimit të "Iliadës" shqiptare të gjithë ata që e mblodhën dhe e botuan nuk janë më. Edhe Kuvendi Françeskan ku punuan, është këthyer në gërmadhë."(Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare. 1944-1990. fq. 30).
Asht pragu i ngjarjëve të zeza që dukej se po vinin. At Donati, shkon në Tiranë aty nga gjysma e tetorit të vitit 1946, për me takue Nako Spiron, dhe me bisedue në lidhje me problemet financiare të shkollës. Jo vetëm që nuk takohet me té, por edhe mërrinë me kuptue se jo vetëm shkollës por edhe mësuesve po u vinte fundi. Me të ardhun në Shkodër At Donati, kryen aktin burrnor tue thye vulën e ftohët të shkollës, për mos me u ra në dorë komunistëve kështu, që, i pret mundësinë me falsifikue dokumenta të atij Gjimnazi. Dhe nuk asht larg 11 nandori 1946, kur merr fund shkolla, kuvendi, muzeu, fretnit dhe Kisha, vendi ku Sigurimi komunist futë armët dhe akuzon Fretnit për këtë akt të ultë që u krye në Kishën Katolike Shqiptare, në të gdhimë të datës 17 nandor 1946, nga vetë ata. Me datën 12 nandor asht ndër të parët që arrestohet At Donat Kurti, me akuzën e formimit të Partisë Demokristjane, të futjes së armëve në Kishë, edukator i rinisë me frymën fashiste, një ndër bashkëpuntorët e "Hyllit të Dritës", që ka lavdëruar fashizmin etj. Akuzat e rreshtojnë ndër ata klerikë që nuk pritej prej askujt shpëtimi i kokës së tij. Ai ishte i sëmurë me një ulçëra kronike, nga e cila ka vuejt gjithë jetën. Ndoshta, gjendja shëndetësore e randë në birucat e Sigurimit, u ka krijue përshtypjen xhelatëve se "nuk e ka të gjatë", prandej po e lamë të vdesin ndër burgjet e mnershme që ka vuejt dënimin e përjetëshëm, mbas pretencës së prokurorit që kërkoi pushkatimin e tij.
Hetohët nga kriminelët Nesti Kopali, Zoi Shkurti, Qako Prokopi, Hysni Ndoja etj. Qëndron kokfortë, ashtusi kishte edhe natyrën e tij para armiqve, nuk thehët as nga frika, as nga torturat por asht ballhapët dhe trim para të gjithë presionëve. Asht i vetëdijshëm se e pret plumbi.
At Donat Kurti deklaron para Trupit Gjykues, i përbamë nga: Kryetar, Misto Bllaci, antarë, P. Alizoti, A. Koroveshi dhe prokuror, Namik Qemali: "Nuk kam punue për fashizmin asnjëherë... tek Hausdingu kemi shkue me At Mati Prennushin për me kërkue lirimin e kuvendit që na kishte zanë ushtria gjermane... herët tjera At Matia ka shkue vetëm tek gjermanët, mbasi dinte vetë gjermanishten e merrësh vesht direkt.... Me zbritjen e partizanëve në Shkodër, kemi mbajtë qëndrim të ftoftë për 4-5 muej mbas vëndosjes së Pushtetit, unë për vehten teme e kam kuptue se ky Pushtet ishte komunist dhe, se po bahej rrezik për Fenë... Monsinjor Gjini, me t'u emnuem Delegat vitin e kaluem i ka drejtue një memorandum delegatit françeskan, ku kërkohej të respektohën të drejtat e katolikëve nga qeveria, mbasi ato të drejta që i takojnë po shkeleshin çdo ditë... Për armët në Kishë nuk dij gja... Me rastin e 2 dhetorit 1945, unë kam dalë për votime, por votën e kam hjellë në arkën boshe. Natyrisht, këtë e kam ba si kundërshtar i rregjimit komunist... një mikroskop, një aparat fotografik, 20 filma, një makinë shkrimi, një gramafon dhe një arkë me libra e dorëshkrime i kam mëshef në një odë e cila asht nalt pa shkallë, dhe po të mos të të çojë kush, nuk e gjenë dot... Për né, e quej ma të rrezikëshëm qenjen e këtij Pushteti këtu, sesa okupacionin italian e gjerman... Letrën e Padër Gjon Shllakut me pseudonim "Forca Atomike", e kam ruejt për dokument, mbasi ajo tregon qëndrimin e Padër Gjon Shllakut, në burg.... Nuk e ndiej vedin fajtor..."(Dosja 1303, Arkivi M.M.Tiran&eumlsmiley
Kështu edhe At Donati, me këtë grup ku bante pjesë Don Anton Muzaj, Don Mark Hasi, Viktor Kujxhija, etj. ku, spikatë qëndrimi i Anës Daja dhe Liza Palit para prokurorit katil Aranit Çela njëditë para gjyqit, e vazhdon skenarin e filmit jugosllav "Dosja 1302/2-A", dhe kjo asht e kuptueshme edhe nga vazhdimi i numrit "Dosja 1303 At Donat Kurti...".
Ai edhe pse ishte në burg vazhdoi punën shkencore, nga e cila e ndau vetëm vdekja. Atje ai njihej me të burgosun të krahinave të ndryshme të Shqipnisë, dhe mblidhte fraza gjuhësore që përdornin ndër ato krahina. I shkruante ndër fletore dhe pregatiste "Fjalorin Frazeologjik të Gjuhës Shqipe". Ky fjalor kishte 45000 (katërdhet e pesëmij&eumlsmiley fraza. Asht kenë i shkruem në dy kopje me dorë, një për Universitetin, dhe një do ta merrte me vedi kur të lirohej. Kjo punë nuk ishte ilegale mbasi dihej edhe nga komanda e burgut të Burrelit. Ditën që asht lirue, komandanti i burgut ia ka mbajtë në zyrën e tij edhe kopjen që kishte të veten At Donati, tue i thanë: "Me që janë shumë fletore dhe nuk i lexojmë dot tani, këto do ti merrni pasi të kontrollohën nga ana e jonë. Do të ua dërgojmë në Degën e Punëve të Mbrendshme të Shkodrës, nuk ua humbim, por, është një formalitet që do të bëhet, mbasi kështu kemi urdhër nga lart." Këto fjalë mi ka tregue vetë At Donati, kur ishte për drekë në shtëpinë tonë më 13 qershor 1964, ditën e Shna Ndout, bashkë me Don Mark Hasin, Prof. Gaspër Ugashin, Prof. Petro Fundon etj. Atë ditë ai erdhi ma vonë se të tjerët. Kur hyni mbrend na kërkoi të falun për vonesën. Mbasi u ul në krye të vendit në sofër tregoi sesi e kishte pritë tek dera e Kuvendit Jup Kastrati, të cilin deri atë ditë nuk e njihte fare, as për fëtyrë... Ndërsa, Dh. Shuteriqi, Sh. Demiraj etj. që kanë pasë në dorë fjalorin e tij nuk dij nëse e kanë takue ndonjëherë, mbasi për vite të tana ata kanë vjelë frutin e punës së tij.
At Donati, ishte njoftue nga një fratel i kuvendit se pritej nga Jupi dhe i kishte nxjerrë fjalë se nuk mund të takohemi, se, sot jam i zanë, por Jupi kishte vazhdue me qëndrue, tue zanë rrugën e kalimit. Jupi, aty, i dinte mirë skutat, mbasi gati ka kenë ba edhe ky "fratel" dikur. At Donati, për mos me na lanë me pritë né në sofër kishte dalë dhe, ka gjetë Jupin aty. Jupi me servilizmin e tij karakteristik, me kokë të përulun dhe tue fërkue duert me zgërdhimjen e tij hipokrite, i kishte dalë pak përpara At Donatit tue i tregue emnin. Me që, At Donati ishte tue dalë e nuk kishte mundësi me e pritë, Jupi i kishte kërkue një takim në një ditë tjetër, kur të kishte kohë të lirë ky. At Donati, me natyrën e tij autoritare si para një nxanësi rrugaç, i kishte përgjigjë: "Sot ke ardhë dhe të fola, për mue këtu mos u duk ma mbasi nuk due me të takue. E dij mirë kush jé, ke marrë çka ke marrë nga At Justin Rrota, ajo asht kenë puna e tij. Tek unë nuk merr gja, prandej mos u duk ma në këtë Kuvend, se ia ke pa hajrin boll këtij vendi!" dhe kishte kalue pa i dhanë edhe dorën... Nuk dij nëse Jupi e ka shkrue këtë takim në kujtimet e tija!... Por, unë atë ditë kam pij me gëzim të madh kur ndigjova nga goja e At Donatit, përgjigjën që i kishte dhanë kusarit të Fretënve.
At Donat Kurti bani ma shumë se 17 vjet burg dhe u kthye në vendlindje tue u mbledhë në sofrën e të vobegtëve të Asizit, që kishin mbetë në Kuvendin e Arrës së Madhe. Aty nuk shkoi gjatë, mbasi 1967-ta e shkatrroi edhe "këtë qendër me thëmel", por këtë herë jo nga rusët, po me porosi nga kinezët.
Populli i Shkodrës nuk e pau asnjëherë që nga viti 1946 tue thanë meshë ose me ndigjue fjalën e tij në ndonjë predikatore, mbasi ai nuk ishte dakord asnjëherë me Statutin e Kishës së vitit 1951. Këtë Statut ai e kishte kundërshtue që në Burrel, por edhe mbasi doli nga burgu ai nuk u pajtue me qëndrimin e klerit "të lirë" në atë kohë. At Donati, nuk ishte i vetëm në këtë qëndrim, me té ishte At Meshkalla, At Gjolaj, Don Nikoll Mazrreku, Don Pashko Muzhani etj. Mos aktivizimi legal i tyne ishte fatkeqësi kryesisht për edukimin e rinisë.
Koha bani të veten.
At Donat Kurti, njëditë u gjet në një barakë me llamarina pa kurrgja mbas shpirtit, vetëm me pak libra, mbasi pjesën ma të madhe i kishte të mëshefun si shumë shokë të tij, me një dyshek për vedi e një për motrën, murgeshën e nderueme .... të spitalit të Tiranës, e cila nuk e la vetëm deri atë ditë, më 10 nandor 1983, që u bashkue me shokët e vet, eshtnat e të cilëve i kishte nën brinjë.
At Donat Kurti O.F.M. ruejti me dinjitet deri në vdekje të gjitha cilësitë që i përkisnin Urdhnit të tij tue jetue fukara, tue vuajtë me fukara, tue punue me edukue fukaratë dhe tue vdekë si fukara, i nderuem prej fukarave të mbarë Shqipnisë, të cilëve, në këtë jetë të mjerueme, u la trashigim një thesar shumë të çmueshëm nga mendja e Tij e ndritun: "VISARËT E KOMBIT". __________________

 

jete interesante

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).