Kosova mund të hyjë me komoditet në dialogun me Serbinë dhe t’i thotë jo çdo propozimi që nuk i pëlqen ose dëmton interesat dhe tërësinë territorial. Kjo nuk do të prodhojë asgjë negative e as ndëshkim për Kosovën.

Nga Shkelzen Maliqi më 07 mars 2011 në ora 12:00

Më 8 mars në Bruksel do të fillojë dialogu që moti i paralajmëruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Takimi i parë do të jetë, sipas të gjitha gjasave, më shumë një lloj ceremonie e hapjes: shpalosja e kornizës, formatit dhe temave që do të bisedohen, të përgatitura nga BE-ja, me gjasë edhe duke u këshilluar në mënyrë gjysmë të fshehtë me protagonistët e dialogut. 

Se sa do të jetë sqarues takimi i parë, për karakterin dhe agjendën e dialogut, mbetet të shihet pasi që BE-ja ta bëjë publik dokumentin e saj dhe, po kështu, të shihen edhe platformat dhe reagimet e dy palëve, karshi këtij dokumenti. Deri më tash më shumë kemi dëgjuar për dëshirat dhe pritjet e ekzagjeruara të Beogradit, e edhe të Prishtinës dhe jo dialogun në përmasat e tij reale. Siç dihet, Beogradi ka tentuar që këtë dialog ta prezentojë si vazhdim të bisedave statusore, me çka do të vihej në pyetje Plani i Ahtisaarit dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës në bazë të tij, që Beogradi ende i vlerëson si veprime të “njëanshme” dhe të “paligjshme”. Ndër pritjet e Beogradit, më e moderuar ka qenë ajo e korrigjimit dhe plotësimit të Planit Ahtisaari me një koncesion shtesë për serbët në Veri të Kosovës, që pa detalizime është quajtur projekt “Ahtisaari Plus”. 

Ndërkaq, Prishtina ka qenë kategorike në pohimet se dialogu nuk do të jetë assesi për çështje statusore, por vetëm për zgjidhjen e “problemeve teknike” që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve. Prishtina ka bërë të ditur se nuk do të pranojë asnjë zgjerim të Planit të Ahtisaarit me ndonjë koncesion shtesë ndaj serbëve; as që do të bisedohet për ndonjë projekt “Ahtisaari Plus”, sepse ky dialog nuk është fare statusor, por vetëm teknik. 

Nga qarqet ndërkombëtare, disa prej tyre relevante dhe me ndikim dhe disa jorelevante, kanë mundur të dëgjohen vlerësime kryesisht të matura, por edhe ato që ia kanë dhënë ison qoftë “refrenit” të Beogradit për nevojën e një “Ahtisaari Plus” ose edhe zgjidhjeje të re statusore, qoftë atij të Prishtinës, që nuk pranon të dialogojë për statusin dhe koncesionet shtesë. 

Vonesa prej gjysmë viti nuk i ka bërë më të mençur dhe më të dijshëm asnjërën nga palët, e as palët e brendshme në Kosovë dhe Serbi, të cilat që nga fillimi kanë dyshuar dhe refuzuar nevojën për dialog. Në të vërtetë, opozita në Kosovë dhe ajo në Serbi kanë shfaqur dhe përhapur - kuptohet nga kutet e vlerësimeve të veta, dyshimet se procesi i dialogut është i dëmshëm dhe çon drejt kapitulimit të Serbisë, respektivisht Kosovës. 
Opozita në Serbi, pas vendimit të GJND-së se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe aprovimit të rezolutës, sipas tyre krejtësisht të “zbehtë” të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për nevojën e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që do ta ndërmjetësojë BE-ja, e ka akuzuar pushtetin aktual se me dialogun po e përgatit “dorëzimin” definitiv dhe “përligjjen e pavarësisë” së Kosovës. 

Opozita në Kosovë e bënte të kundërtën, duke e akuzuar pushtetin e atëhershëm, si dhe Qeverinë e re e cila sërish drejtohet nga Hashim Thaçi, për devijim serioz nga interesat vitale të Kosovës sepse dialogu, sipas tyre, gjithsesi do të jetë i dëmshëm dhe lëndues ndaj sovranitetit të Kosovës. 

Këto dy kore mjaft të zëshme që kundërshtojnë procesin e dialogut, mbase edhe kanë krijuar përshtypjen se e vërteta e këtij dialogu do të jetë diku në mes, në një zgjidhje kompromise që nuk do të kënaq asnjërën nga palët, por do të jetë një lloj kompromisi i fundit i dhimbshëm, që edhe do të sjell zgjidhjen përfundimtare. 

Mua nuk më duket se zgjidhja do të jetë e këtillë, pra, që dialogu do të përfundojë me një kompromis të ri dhe të dhimbshëm. Kjo nënkupton se çmimi për njohjen ose tolerimin aktiv të pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, do të jetë “dorëzimi” i Veriut të Kosovës: t’i jepet një autonomi e madhe, ose edhe të shkëputet nga Kosova. 

Nga ajo që ka mundur të kuptohet deri më sot, për procesin e dialogut që po fillon, mendoj se nuk ka rrezik se do të ndodh ky lloj i kompromisit, si “pajtim” i dy ekstremeve. Para së gjithash, nuk ekziston më simetria e qasjeve, që palës ndërmjetësuese në biseda do t’ia mundësonte imponimi i “kompromisit” të ri. Formati i dialogut assesi nuk do të jetë i tillë. Nuk është rastësi dhe pa pasoja fakti se procesi është quajtur dialog dhe jo bisedime e negociata. 

Opozita në Kosovë ekzagjeron rrezikun nga dialogu. Ka të drejtë kur kërkon transparencë dhe kontrollin e procesit nga ana e Kuvendit, bashkëpunim për arritjen e objektivave që janë interes i përgjithshëm i Kosovës, por jo edhe kur thotë se Kosova nuk fiton asgjë me këtë dialog, duke paragjykuar se përfituese mund të jetë vetëm Serbia dhe BE. Nuk është ashtu. Është e qartë se Serbia me këtë dialog synon sigurimin e biletës për integrim në Evropë. Por, është po aq i dukshëm dhe i pashmangshëm edhe çmimi që duhet ta paguajë Serbia, për ta kualifikuar veten për BE: ajo duhet t’i përcaktojë kufijtë e saj, duke lënë jashtë Kosovën, qoftë duke e njohur pavarësinë (që është më pak e besueshme, si rezultat imediat i dialogut), qoftë duke pranuar se për BE konkurron pa Kosovën, që do të ishte një lloj njohje e heshtur ose tolerancë aktive e pavarësisë së Kosovës. 

Kosova vërtet nuk ka objektiv direkt në këto negociata, siç e ka Serbia. Por, në momentin që Serbia do ta prejë biletën për BE, kjo do ta hap rrugën edhe për dy procese jetike për Kosovën: 1. Kosova nuk do të ketë më pengesë formale për integrim, sepse do t’i ketë kufijtë e garantuar dhe 2. Pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, nuk mund të mbeten më radikale se Serbia dhe edhe BE-ja do të arrijë konsensusin rreth Kosovës. 

Ndoshta ky skenar shumicës do t’i dukej pozitiv dhe tepër optimist, por unë besoj se është skenar optimal. Optimizmi im për dialogun bazohen në faktin se Kosova, pasi që e ka shpallur pavarësinë, mund të hyjë me komoditet në këtë dialog dhe t’i thotë jo çdo propozimi që nuk i pëlqen ose dëmton interesat dhe tërësinë territorial. Kjo nuk do të prodhojë asgjë negative e as ndëshkim për Kosovën. Për humbjen e kohës si pasojë, duhet të mendoj pala tjetër. Asaj i ngutet.

1 Komente

Xeni ka fol Qarte.

1. Kosova vërtet nuk ka objektiv direkt në këto negociata, siç e ka Serbia. [ouch!]

Una thom eshte si vone me thone, POR, Kosova duhej me i pas kerku kto negociata e para dhe me force!!!! Bertit, kerko, protesto, kape at dreq Serbi per fyti e mos u fshih!Negociatat i duam ne te paret, paveresia - nuk negocijohet e stop. Pastaj...Qe nga falja, reparacionet n this-n-that.

 

2. Kosova mund të hyjë me komoditet në dialogun me Serbinë dhe t’i thotë jo çdo propozimi që nuk i pëlqen ose dëmton interesat dhe tërësinë territorial. Kjo nuk do të prodhojë asgjë negative e as ndëshkim për Kosovën.

------

Shih sa e thjeshte o mer daje...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).