DRENOVA-MAIN.jpg (450×299)

Fshati ku lindi Aleks Stavre, autori i himnit të flamurit, sot e ruan shpërfillshëm kujtimin e tij dhe madje ia ka humbur edhe shtëpinë. Njëzetë vjet pas ardhjes së Demokracisë fshati është braktisur ndërsa vllehët dhe të ardhurit, që janë më të shumët në fshat, duken se po tundohen shumë nga regjistrimi për të treguar nacionalitetin grek?! I pastër, por me pak plehra; i dëmtuar disi, ngaqë po prishet krejt pylli, si kudo; por i qetë dhe me njerëz të edukuar...fshati kundron larg dhe më larg nga e shkuara

“Me origjinë jam vlleh, me kombësi jam grek dhe me nënshtetësi jam shqiptar”. Me këtë formulë, burri prezantohet krenar dhe është i bindur se i ka thënë të gjitha. Pak kohë më vonë, çapitemi ty dy të vetëm në një fshat, që duket gati si fantazëm. E vetmja që më bën përshtypje në Drenovë, është një vajzë e shëndetshme, e cila kthen kokën disa herë. Ka një paralizë të lehtë në një krah dhe një trishtim pafund...Më vonë...

“Ç’po bën? Pse e merr atë? Nuk të mjafton i gjithë fshati!” Kristo Ziko, murrëtohet në moment sepse nuk kupton pse i fotografojmë, plehrat pranë kompleksit funebër të Asdrenit. “Ngaqë ka plehra dhe më duket si i lënë...”, i përgjigjemi. Qëndron një moment dhe pastaj bindet. I veshur pastër, por pak si shpengueshëm, 71 vjeçari, që është kryeplaku i fshatit, afrohet dhe më rrëfen sesi një shoqatë erdhi dhe e tundi vendin, kur do inaugurohej monumenti i Asdrenit, ngaqë do vinte ambasador rumun. Ky i fundit nuk erdhi dhe festa u shkri sakaq. Këtë ndjenjë pakënaqësie e përcjell në një farë mënyre edhe stoicizmi i vetë Asdrenit, që nga sipër podiumit duket se vështron gjithçka. U rropat gjithë jetën dhe në fund as pensionin nuk mori dot nga vendi i tij, i them. Eh, të shkuara të harruara. Rreth nesh plehra kudo, shishe birre, qeska, mbeturina të çfarëdoshme dhe hiri i një zjarri, jo shumë të largët në kohë, që qëndron anash tij. Një si biçim shenje ziafeti, mbaruar tashmë, ku të ngeshmit janë ndarë paqësisht. Për fat jo të pëgëra. “Sa do i pastër që është fshati, mjafton, kjo dhe pastaj nuk e thua dot se vendi është aq i pastër”, i themi. “Ehh”, gjegjet thjesht burri. Kaq mjafton, që të më shfryhet se si kryeplak nuk ka fare tagër që të bëjë më shumë. Ç’do bëjë-i them. “Shumë gjëra. Të kisha të paktën 50.000 lek dhe t’ia jepja një punëtori apo dy”. Nuk e pyesin dhe është vetëm për të konstatuar. Askush nuk do t’ia dijë më. Respektin, ah harroje. Por, i vjen keq.

Drejt Asdrenit
Është e keqe rruga që lëmë pas vendit ku prehet Asdreni, ndërsa ngjitemi drejt një rrugë tipike fshati, ku shtëpi tepër të rregullta, ngritur me shumë pretendime dhe po aq të pastra, ngrihen nga të dy anët. Manat janë të kudondodhura ndërsa duket si të jetë druri totem i Drenovës. Shtëpitë ruajnë elementët arkitektonikë të qartë të gjithë zonës, ku guri është elementi bazë ndërtues. Janë dy katëshe me dritare të pa ekzagjeruara dhe me ngjyrën e errët, marrë prej kohës. Anipse, pak nga pak dhe këtu betoni po merr mjedis dhe Drenova e ëndrrave tashmë është një fshat krejt pa jetë. Në qendër të fshatit ende dy-tre makina qëndrojnë në pritje të asgjëje, ndërsa i gjithë fshati nanuritet. Ngjitemi në lagjen sipër të fshatit, ndërsa përballë djem të rinj dhe mushka vinë që nga sipër me drurë të prerë. Duhet të jetë një industri e tërë e rregullt. sepse trarët që janë të lidhur në kafshët e barrës, janë të prera në rregull.

Ata nuk flasin. “Bërë mirë që i fotografove, -thotë burri sepse këta të ardhurit nuk duan t’i dinë fare. E bënë copë pyllin”. Pylli për të cilën flitet është i ashtuquajturi, që i përket parkut të “Bredhit të Drenovës”, por që ka përveç dhe ahun dhe pishën e zezë. Në lartësinë 1000 deri në 1400 metra dhe me një sipërfaqe prej gati 1380 hektarë në shpatin perëndimor të Moravës merret si një nga parqet më të mirë të Qarkut dhe më gjerë. Kuptohet, nëse ka mbetur kështu! Me këtë intensitet, që shikoj udhën e kafshëve me këto ngarkesa, nuk shpresoj që parku të jetë ai i dikurshmi.

Të ardhurit e sotëm këtu lidhen me dy gjëra: me shfrytëzimin e emrit të Drenovës dhe kuptohet prishjen e Parkut. Ata më të hershmit, e siguruan jetën dhe në minierë e Mborje-Drenovës, pak më tutje. Kronika e kohës së mëparshme përmend qëmoti vitet ‘80-‘90 të shekullit të XIX, ku në Korçë tregtari Thimi Shoshe dhe Alo Bej Dishnica kishin në sipërmarrje minierën e qymyrgurit Mborje-Drenovë, mjedisin ku siguronin jetën vendasit. Ndërkaq, fshatarët e Drenovës ishin të njohur në pazarin e madh të Korçës për rakinë dhe fasulet. Djemtë që zbresin mbesin agresivë në pamje. “Ja, ne ky është Asdreni”, prish heshtjen Kristo. Asdreni, që reagon drejtimi i tij, është një copë rrënoja që tashmë janë pak më shumë se 40-50 centimetra nga lartësia e tokës. Asnjë pllakat. Asgjë që të identifikojë atë. Të mendosh është vetëm 5 kilometra nga Korçë. Dhe, të mos mendosh individualisht se është autori i poezisë kombëtare të himnit...Nuk mendoj shumë. “Andaj të thashë mos të vinim”, më thotë burri, sikur më ka kuptuar mendimin, që ndërkohë mundohet të flasë si korçar. Nga larg, një vlleh tjetër nuk e lë rehat. Nikolla Xega, me një kapelë të çuditshme, që flet vështirë, mundohet të më sqarojë diçka. Nuk kuptoj asgjë. Do të fotografohet. E pyes për Asdrenin, por ai është brezi më i largët i vllehve që ka ardhur këtu. Pak fare gjëra di. Në vitet ’70, kur ka ardhur, shtëpia ishte e prishur, ndërsa tani i biri e ka blerë. “Erdhëm nga Saranda ne këtu. U prishën. I prishën këta dhe djali im...bëri shtëpinë aty...”. Burri më duket sakaq i mençur. Gjithsesi, shmangem nga buzëqeshja prej Shvejku e tij dhe mundohem të ndahem shpejt fare prej tij.

Për Drenovën
Shpejt, që nga shtëpitë këtu, vllehët e ardhur pas Luftës së Dytë Botërore ndjenë supremacinë e vendasve. Ata ishin të kulturuar. Aty kishte jetë dhe nga panairet më të rëndësishme të kësaj zone, përmendej as më shumë e as më pak vetë Drenova. Pazari më i njohur ishte ai i Drenovës, katër kilometra në jug të Korçës, i cili përveç korçarëve dhe fshatrave të tjerë të rrethit, vizitohej dhe nga banorë të viseve maqedone”, shkruan studiuesi i njohur Zija Shkodra. Ndërsa në vitet e para Luftës së Dytë Botërore një fabrikë alkooli, oxhaku i të cilës është dhe sot e kësaj dite ishte në fshat. Pas një përpjekje Kristo, që na shoqëron tashmë, e ka privatizuar. Ka ndërtuar një biznes të vetin dhe rreth e qark saj shtëpitë e të bijve. Ai është pjesëtar i familjes së parë vllehe, që erdhën këtu më 1947... “Neve shitëm bagëtitë dhe blemë shtëpi këtu, por në fillim nuk blenim dot. Drenova kish veç kulturës dhe shumë njerëz të kultivuar prej emigracionit. Na pritën mirë dhe sefte kishim bagëti dhe mali kishte shumë kullota. Për më tepër ishte afër Korçës. Më vonë na i morën deri te dhia e fundit. Një pjesë e madhe e vllehëve qëndroi në kooperativë, ndërsa pjesa tjetër u shpërngul në minierën e Mborje-Drenovës . Dhe unë atje punova për gati 30 vjet si elektromekanik isha”. Adhamidhët, Saro, Stavre, Dodona, Durot, Nanot, Pelëshët dhe familjet e tjera vendase pak nga pak i shkrinë në kulturën e tyre. Kuptohet të ardhurit, nuk u përshtatën me gjuhën e vjetër bullgare, që flisnin banorët, por pak nga pak duket se mbizotëruan mbi vendasit që u larguan... 

Vllehët
Ky largim duket dhe sot e kësaj dite, ku qetësia e fshatit, është më shumë rezultat i mungesës së njerëzve. Sot, të 400-500 shtëpitë e fshatit nuk mbajnë më ata njerëz, që ndoqën traditën e të parëve dhe shkuan përveç Amerikës, Rumanisë, tashmë dhe në Greqi, Itali e gjetkë. Vllehët morën edhe më shumë terren dhe jo vetëm braktisën malin, por ndërtuan si vendasit dhe madje edhe u martuan me ta. Iu përveshën bujqësisë dhe kanë mbjellë frutikulturë, vreshta, mollë. E tashmë po mbjellin edhe qershi. Kush punon?- e pyes Kriston. “Jo vetë ne. Në Moravë i marrin punëtorët. Se atje u bë një minifshat, kur u prish miniera dhe ata s’kanë asgjë. U zhveshën nga të gjitha...Mbetën pa punë”. Po flet si komunist, i them. Në fakt punëtori i dikurshëm s’është komunist. Tani është bajagi kapitalist. Duke shfrytëzuar se ish-fabrika e alkoolit në fshat kishte 16 aksionerë, arriti t’ua blente. Nuk mundi vërtetë ta fuste në punë fabrikën, por ndërkohë bëri një biznes mobiliesh. Bëri shtëpi, ndërsa djemtë e ndihmojnë. I vogli, që është në Gjermani tentoi madje të investonte por...Më përmend pastaj një shifër 800.000-900.000 USd që duhej për tu investuar. Rrëfimi e ka të njëtrajtshëm, por muhabeti ngec pak te përkatësia. Si shumë vlleh të zonës së tij ka menduar të regjistrohet si grek. Është vendimi i tij. Më flet për investimet dhe nga prirja më duket se pëlqen Berishën. “Janë bërë goxha investime meqë më shumë ka qenë e djathta në fuqi. Drenova ka qenë dhe më pastër dhe nuk janë traditat që gjetëm ne. Kishte rregull në fshat. I dëgjohej fjala dhe kryeplakut dhe një njeriu me të madh në moshë, ashtu si edhe respektohej tjetri. Tani, meqë nuk funksionon ligji, që të disiplinojë nuk është aq mirë. Por në krahasim me shumë fshatra është shumë mirë. Kemi bërë një shkollë shumë moderne. Kemi dhe fushë futbolli, ndërsa të rinjtë janë larguar se nuk ka punë”. 

Për fshatin
Nuk ka punë, por ka klube. Më të shumat janë pak kilometra më andej në Boboshticë, ku kalon dhe udha drejt Dardhës. E pyes për shtëpinë. S’ka përgjigje se drenovarët nuk duan t’i shesin më shtëpitë. “Emigrantët duke parë krizën, po irregullojnë dhe po kthehen dhe kanë idenë të kthehen”, më thotë Kristo. Këtu biseda ndërpritet për pak. Në klubin, ku rrimë prej pak kohësh, vjen Niko Ciko, një tjetër vlleh. Një personazh si Edmond Dantesi, që sapo ka dalë nga Chateau d’if. Komplet me lesh dhe me stringla të panumërta, që i varen si hajmali. Flet dialektin myzeqar dhe duket si endacak. Ngatërron personazhe, kohë, ndërsa tufa me drangulla, në formë medalionesh që i varen në qafë, duket se e pengojnë. Është që nga kryqi i thyer dhe plot forma gurësh, dhe medaljonesh, që ai i mban me zinxhirë të gjatë. Më krenohet edhe ai me pasaportën greke. Ke ndërruar emrin i them. “Jo, nuk e kam ndërruar”,- më thotë. Nikolaes Ciko lexoj në pasaportën greke. “Nuk është emri yt ky?! Po çu bë se vuri ca shkronja më tej”, ma kthen kryeplaku. Burri na argëton sepse njeh nga e gjithë Shqipëria, ndërsa mënyra sesi më tregon kufirin grek na bën të qeshim pafund. Si i heq, kur kalon në kufi të gjitha. “E kush më ndalon mua”, më thotë...

Banorja
Kristo, që ka marrë përsipër të na ndihë, na përcjell te një nga familjet më të vjetra në fshat. Liljana, e zonja e shtëpisë, një grua simpatike pensioniste na bën shenjën e mirëseardhjes. Rrallëherë mund të kem parë në vitet e fundit një shtëpi të tillë. Me ngjyra të ngrohta dhe të lehta dhe me një kundërmim të mirë natyror, që shpërndahet nga e gjithë shtëpia. Nikoqirja, ka qenë mësuese dhe një nga funksionaret e dikurshme lokale. Është korçare dhe i shoqi e mori dhe e solli në fshat. Si ke kaluar i them gruas, që jeton këtu prej 44 vjetësh?

“Unë si qytetare mund të flas më shumë se kushdo, ma pret. Unë nuk do isha martuar këtu, por në Drenovë erdha me kënaqësi, ngaqë gjeta një mjedis shumë të mirë. Mborja, që është më afër qytetit, nuk do më bënte që ta lija Korçën. Fshati, si rregull dhe pastërti, ishte njësoj me Korçën. Ishim të mësuar që fillonin të pastronim oborrin, pastaj rrugicën dhe pastaj në fund shtëpinë brenda... Njerëz me kulturë dhe tepër të gjindshëm. Të apasionuar pas kulturës dhe me grupe karakteristike njësoj si Korça, madje edhe me një bibliotekë që e kam gjetur këtu dhe që e kishte edhe kjo shtëpi. Kishte volumet e enciklopedisë ruse, plot 53 volume”. Në bisedën që do të rrjedhë do të na tregojë për fëmijët dhe burrin, që tashmë nuk jeton, për traditat e mrekullueshme dhe sesi familja e mirënjohur Dodona, mblidhet vazhdimisht, dhe tani, që se kanë të vëllain. Ne njohim Prof. Eftim Dodonën, një nga burrat më të kulturuar të moshës së tij, pjesëtar të familjes, dhe nga kjo muhabeti bëhet më i këndshëm. Gruaja, ka lënë një familje intelektualësh në qytet, për të ardhur tek një familje po kaq dhe mbase më shumë intelektuale në Drenovë.

Historia e Dodonave është e jashtëzakonshme, për karakterin atdhetar. Babai i tyre ishte një nga pjesëtarët e “Vatrës”, që erdhën në kohën e Luftës së Vlorës dhe nuk u kthye më pas. Hapi një restorant, që i vuri emrin Dodona dhe që andej i mbeti llagapi i ri: Tuç Dodona. E kishte Naumi në fakt, na thotë një vajzë tepër simpatike, që është vajza, që kam hasur që në fillim, të vetme rrugëve të fshatit. Milka, ashtu si quhet, ka një buzëqeshje të këndshme, ndërsa me dorën e pamundur, mundohet ta ruajë. Zë vend dhe futet në bisedë qetësisht. Një aksident i ka lënë një plumb në vitet ’90 dhe tashmë është kthyer në jetë, por jo si më parë...Kristo hesht. E pyes, ish mësuesen sepse nuk ka asgjë nga Asdreni. E ngacmoj dhe për punën e vllehve, që do të regjistrohen si grekë...”Nuk ma merr mëndja se këta të thonë që jemi grekë. Ata që kanë prindërit të lindur atje,mbase por jo të gjithë. E pohon dhe vajza. “Nuk duket deri tani, thotë vajza- po ku ta dish”.. Kryeplaku shmanget, sepse në fillim më ka thënë se do të regjistrohet. E çarmatos gruaja me sigurinë e saj dhe sensin e lartë kombëtar. Bashkë u kujtoj Asdrenin për pensionin që duhet të merrte dhe nuk e mori nga vendi i tij dhe sesi ka vdekur i varfër. A thua të jetë indiferencë dhe nga ata. “Po e pohon. E kemi ndjerë veten krenar që ai është këtu. Jemi krenarë kur thonë Aleks Drenova dhe e kemi për mburrje. Ia rregulluan dhe vendin e varrit por jo si e meriton”. Duam të ikim, por kur i pyes për 7501 fillon një mosmarrëveshje e vogël. Kryeplaku, thotë se kanë marrë dy dynym, ndërsa gratë i pohojnë se kanë marrë vetëm një. E dinë sensin e masës. U them se dua të iki.

***

Andej nga dua të iki, fshatarë të ngarkuar me dru nuk pushojnë. “Shikoje, shikoje si dynden nga mali, si vijnë...E shkatërruan pyllin. Një bredh i mrekullueshëm që ia kishin zili të gjithë. Këta plehrat që kanë ardhur, këta e bëjnë”. Nuk kam pushtet tu them gjë, më thotë. Në momentin e fundit ndalemi te muhabeti i kultit. Mbi fshat ndodhet në mos gaboj Shën Konstandini, shenjti i fshatit dhe një vend i bukur pelegrinazhi njëherë në vit, por në fshat janë dhe 5-6 objekte të tjera kulti . Po përpiqemi që t’i rregullojmë, më thotë burri, që më fton ndershëm në shtëpi. E falënderoj për kohën e tij, ndërsa në kokë më vjen një nga vjershat më patetike të poetit të tyre: Mbi bar dua të prehem, të këndoj, të dëfrehem, të shoh rreth bagëtinë, kur hanë dhe pinë;...Ah, dua dhe lulet, kur i shfaqin pekulet, dhe fluturat që venë, mbi to dua të jenë; Bilbili t’ia thotë nën diellin e ngrohtë. Edhe atij tashmë i ka humbur zëri, në këtë fshat, kaq afër dhe kaq larg...Është pak ftohtë dhe një erë e lehtë ka filluar të ulë më tej temperaturën. Milka e shikoj që na ndjek me sy nga larg. Është e mrekullueshme kjo drenovare e vuajtur në këtë dimër të vitit 2011. 

4 Komente

Një ditë shkova nga Drenova, një ditë shko...

një ditë shkova nga Drenova, pashë një vajzë të re.

Ish e bukur ish e mitur ish e bu...

ish e bukur ish e mitur, ndonëse ishte e parritur.

Jam i lodhur thashë fare, jam i lo...

jam i lodhur thashë fare drenova- moj drenovare.

...

http://www.youtube.com/watch?v=mHrc6Jy-Xf8

kompimente Ben Andonit,per panoramen e trishtuar Drenovare,dhe per Aromen natyrale te freskise....

Beni duhej te sqaronte per lexuesin, se nga ishin keta te ardhurit, sepse ngeli enigme.  Artikull i ngritur mbi misteriozitetin.

Ky ishte artikulli apo me sakte reportazhi me i dobet i ketij gazetari.  

Beni eshte nje pershkrues i kendshem. I qarte, i thjeshte e ke qejf ta lexosh. Sa here e lexon te ben te ndihesh sikur udheton me te. Ka dore e stil per pershkrime njerezish e rrethanash. Nje cun persmari. smiley

 

*****

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).