Kombi shyptar sa do i lanun në harresë e i përbuzun, por prapë se prapë asht i zoti me i kallzue botës së qytetnume se në gji t' tij ka ushqye njerës të mdhej të shkëlqyeshëm e të famshëm jo vetëm burra po edhe gra në ç'do pikpamje, si burnije, ashtu edhe dije e qytetnimi. 
Prej racës shqyptare ka lemun nji zojë qi sot jo vetëm mbahet në kujtim si nji shkndi e zjartë drite e kulture për Shqypni por edhe si nji shemblë e rallë ditunije, si nji hyll i rendit të parë qi ka shndritë në kubë të qiellës për mes të liteaturës shekllit. Kjo asht Elena Gjika e titulluemja Dora d'Istria prej dijetarve të huej. 
Ka lemun në Bukuresht më 1828 e ish e bij' e Mihal Gjikës, princit të Vllahis, cili rrajen e tij e kishte prej qytetit Përmet të Tosknis. Studimet i mbaroi në Bukuresht e i plotsoi në universitetet të Berlinit e të Venedikut. Flite e shkruante bukur rumanisht, rusisht, frangjisht, gjermanisht e italisht për posë shqypes t'cilën me nji hir e flitte si gjuhën e saj. U martue me princin rus Kolhtzof Masalski e mbasi i diq i shoqi u dha krejt mas literaturet. 
Ka shkrue libra të pa-njehuna në gjith gjuhët e nalt përmenduna, t'cilat banë fort të madhe përshtypje për gjithë dijetarët e moralistët e mdhej t'Europës. Zan' i saj shungllote an' e kant edhe se cili filozof a profesor prej ma të dukshmit vrapojshin në Firencë t'Italisë, ku ksaj grue filosofe i pëlqente me ndejë, për me e pa e me e njoftë së afërmi e kshtu shtëpi' e saj u ba nji qendrë e madhe letrare, cok nji akademi. Mbreti i Italis' Umberti, i topitun prej artikujve të botuem italisht prej Dorës, më nji zel të madh gadi si nji adhrim vijte aty në Firencë e me habi e mrekulli flitte me të e digjonte gjith' ato brillante të çmueshëm, qi si breshën lshoheshin prej gojës s' saj. Njikaqë ish habija e mahnitja e atyre qi folnë me të sa jo vetëm i dhanë mbiemnin Dora d'Istria, por edhe "Regina delle donne" ose "La reine des femmes" (Mbretnesha e grave) e quejtin ma von! Ma të shumtat akademi e shoqni të Francës, Italis, Gjermanis, Amerikës e Greqis e çmuen anëtare nderi. 
Jam Shqyptare, thesh e leçitte gjithnji e kish për nder e lavdi të quhej me ket emen, se në ket komb shifte nji karakter të kthellët e nji fisnikri qi s'i shifte njeti. Penda e saj ish kaq' e mprehtë e e bindushme sa tërhoqi verrejtjen e disave arqeologve e histori-shkruesve, të cilët fort pak e njifshin kombin t' onë. Nji prej sijsh Louis Benloew, profesor'i gjuhëve greke e latine në universitet të Parisit e akademik i Francës, kaqë fort u bint prej shkrimeve të saj, e aqë shumë u tërhoq prej shqyptares s'onë, sa vetë erth në Itali e e njofti edhe nji dishir e gjallë e kapi per kombin shqyptar sa u shtërngue e nxuni edhe gjuhen shqype e shkroi disa volume të çmueshëm per mbi Shqypni e shqyptarë.1 
Dora d'Istria ish ajo qi bani me u dijtë në Europë karakteri e kangët popullore të Shqypnis. Kjo u ba shkajk qi u zgjune shqyptarët e Italis e filloi gjith ajo levisije e kjo ish ajo qi i dha nji shtyrje përparimi letresis shqype, prej së cilës dlne vepra e gjalla të shqyptarve Kamarda, Dorsa, Girolamo de Rada, Shpata e kaqë shkrimtarve të tjerë.2 
Librat qi ka shkrue Dora d'Istria janë të pa numurta, por ato ma të vlefshmit kanë qenë kta: 
1. La vie des moins (jeta e mungarve) ku me fakta të arsyeshme çprovon se mungarët e manastirve (kuvendeve) të kishës ortodokse, janë bamun shkak ndalimi i qytetnimit n'Europen lindore e jugore. 
II. La Suisse Allemande, (Svicera Gjermane), ku kallzon se idheat e filosofëve të Gjermanis i dhanë nji ndihmë të madhe perparimit të popujvet. 
III. Les femmes à l'Orient (Gratë në Lindje) ku shpjegon të metat e gravet të Lindjes, si edhe tregon mjetet e shërimit të positionit të tyre e të konditave, në të cilat gjindet gruaja në të Lemë (orient). 
IV. Shqyptarët e Rumanis, ku ban fjalë shumë për kombin shqyptar, si edhe per historin e shtëpis të Gjikej,3 fisit të saj, e të sundimit të tyne bresmas brezit si princat e Rumanis. 
V. Excursion en Roumelie. Paris Zurich 1863 (Shetitje në Rumeli), ku refen per zakonet e jetën të popujvet të Rumelis. 
VI. La nationalité Albanaise (Kombsija shqyptare) për t'cilen bame fjalë ma syper. Perveç ktyne, Dora d'Istria ka shkrue edhe shumë të tjerë studime e artikuj për Shqyptarët ner shumë gazeta e të perkohëshme të Francës, Belgjit, Italis, Svicerës e Greqis. 
Volume të tanë janë shkrue mbi jetën e ditunin e Dora d'Istriës, cila ka lanë stinë të pa-harruem në literaturë e ne sekstin e saj. As nji grue nuk e kaloi në mendje e në dituni. Titulli "Mbretnesha e grave" i meritonte me të vërtet ksaj grue bujare, ksaj dijetare të ralle. Por kjo grue ish Shqyptare. A ka, pra gzim ma i math per nji komb, cili mbrijn të nxjerë ksijsh grash prej gjinit të vet? A mundet kombi shqyptar të përbuzet e të mos çëmohet? 
Dora d'Istria, ky hyll i rendit të parë perendoi, mbaroi jeten në Firencë më 1888 në moshën e 60 vjetve! 


Për mbi jetëshkrimin e Dora d'Istriës disa dijetarë e poetë të huej kan kushtue dorëshkrime të plota e vjersha. Por na, si shqyptarë do të përmendim ktu vetëm nji vjershë të bukur shqyp qi ja ka kushtue nji i shkretë dijetar e poet shkodran, Zefi i Ndokë Illis prej Jubanit, dritë pastë, i cili e kishte njoftë per s'afermi Dora d'Istrin e qi tue kenë, në Venedik kishte kndue me verejtje gjith dorëshkrimet e sajë e kishte ndi me veshë të vet gjith shka të huejt flitshin për të. Qe edhe vjersha: 


Ti je nji hyll e n'a shndrit Arbnin, 
Me dije, me t'mira e me bukuri, 
Me dashtni tande je tui n'a pertrin 
Nji gazmend të math e nji lumni. 


*** 
Drita mendes s'ate asht tui lulzue, 
Si drita syvet asht sjellë mbi ne, 
Perendija për t'mirë t'on t'ka krijue, 
E me sjellë marë dhen t'onë ti ke le.

 
*** 
Ndër hyj ti pra je regjinesha, 
Qi "Dora d'Istria" t'emnojnë, 
Per Shqypni ti je begtaresha, 
Qi gjithkund e ktu të nderojnë. 


*** 
Po! Shpnesa e ambel je për ne, 
Pse zemra jote asht fort e mirë, 
Sjelli syt e t' e mos harro ket dhe, 
Të kesh edhe për ne mall e dishirë! 


Nji tjetër dorëshkrim të vlefshëm i kishte pasë kushtue Dora d'Istris shpirt ndrituni gjyshi jem Efthim Mitkua në librën klasik të tij "Bleta Shqyptare" sktypun në Skenderije më 1878. Ky, mbasi e njifte hollë dijetaren e naltë shqyptare e kish edhe shkëmbim-letrash me atë, e kuptote bukur vleften e saj, andej edhe në studjimin e tij për mbi jeten e shkrimet e saj kishte shkrue sende me shum randsi. Kursimi i shtyllave të ksaj përkohëshme nuk na permeton m'u zgjatë në ket pikpamje, tue analyzue dorëshkrimin e naltpërmendun. 
Si thamë edhe ma naltë në Nr.2, prej shkakut të Dora d'Istris dlne veprat e bukura të vjershtarve italo-shqyptarë Kamardës, Dorsës De Radës etj. Prej ktyne veprave tue u shtyemun ka mujtë me dalë per dobi të madhe të literatyrës s'onë edhe nji dijetare tjetër e vlefshime prej shqyptarve t'Italis, zoja Kristina Sqiro, e cila vdiq tash von, me 28 Frorit 1919; për ket të shkëlqyeshmen zojë, e cila shërbime të mdha i ka prue letresis s'onë, n'a kandet me bamun pak fjalë. 


_________ 
1. Ksij librash të Benloewit janë kto ma të çmueshmit: 
1. La Gréce avant les Grees, ku shpjegon hollësisht e me dokumneta të forta se banorët e parë të Greqis setashme ishin Shqyptarët. 
II. La nationalité des Troyens, ku merret me fisin e rrajen e Troasve, t'cilët i çprovon se janë shternipat e pelasgve e gjuh' e tyne ish pelasgjishtja qi i përngjet teper ksaj shqypes së sotshme. 
III. Du rhytme et de la rime dans la poesie epique des Albanais, ku shiqohet deri ku ka mrijtë durimi e zeli i ktij burri sa me kthellue e me rëmue aqë fort mbi vjershimin shqyptar.- 
2. Ky shkas u dha me anë të nji librit të saj të çmueshem nen titullin "La nationalité albanaise suivant les chansons populaires" (Kombsija Shqyptare mbas kangve të popullit. Ky liber u përkthye në shumë gjuhë. 
3. Familja Gjika, e cila originin (rrajën) e ka prej Permetit ndonse gojë-dhanja thotë se asht prej katundit "Vith-kuq" të Korçës, ka mbretnue per disa vjetë në Rumani. Breznia e ksaj familje shqyptare asht kjo:I pari princ ish Gjergj Gjika, mbas ktij mretnoi Gregor Gjika i I, mbas atij Gregor Gjika i II, mandej Aleksander Matheo Gjika, mbas ktij Karol Gjika, mbrapa Matheo Gjika i II, mbas tij Aleksander Gjika i VI, Gregor Gjika i III, Gregor Gjika i IV, Aleksander Gjika i X, e mbrami ishte Gregor Aleksander Gjika i V. 
I jati i Dora d'Istris Michael Gjika, ish minister i Aleksander Gjikës të X, të cilin e kishte nip.

http://bord.gazetakritika.net/diskutim//index.php?action=vthread&forum=4&topic=105

1 Komente

veri najs. smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).