Zgjedhjet vendore po afrojnë dhe reagimi i shumë qytetarëve me të drejtë është: “dhe çfarë pastaj?” Si zakonisht, panorama do të jetë e njëjtë-kemi dy palë në garë, njëra që ‘fiton’ dhe tjetra që bën ‘zhurmë’.  Megjithëse zgjedhjet do zhvillohen në maj, jehona e tyre do të ndihet deri në zgjedhjet politike të radhës. Dhe kur të vijnë këto të fundit, do të na duhet të shohim të njëjtin skenar të përsëritet deri në zgjedhjet lokale të mëpasshme dhe kështu telenovela e politikës shqiptare nuk merr fund. Në të gjithë këtë sipar tragjiko-komik qytetari ndihet gjithmonë e më shumë spektator, është ai që fatkeqësisht e gjen veten gjithmonë e më të huaj, është ai që sot politikanët i sheh vetëm në raste zgjedhjesh. Për më tepër, kohëve të fundit është vënë re një tjetër fenomen. Paradoksalisht, për të qenë sa më afër qytetarit, forcat politike janë përpjekur me shumë kujdes që të gjithë periudhën qeverisëse apo opozitarizmin ta paraqesin si periudhë zgjedhjesh. Është e vështirë që shqiptarët të bëjnë ndonjë dallim të dukshëm midis ‘qetësisë’ para dhe pas elektorale. Ne si popull jemi gjithmonë në ‘zgjedhje’, por fatkeqësisht kurrë në ‘zgjidhje’. Dhe megjithëse zgjedhjet lokale po afrohen ne ndihemi skeptikë.

Pyetja që lind është: pse duhet të ndihemi kaq indiferentë ndaj proceseve politikbërëse, ose pse gjendemi në një situatë të tillë?

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, do duhet që fillimisht të shpjegojmë se sot struktura politike  e përfaqësimit në Shqipëri është krejt jopërfaqësuese. Ka kohë që shqiptarët drejtohen nga pakicat politike. Gjatë dekadës së fundit pjesëmarrja në votime është luhatur në shifrat 45%-50%, me një tendencë të theksuar në zbritje. Kjo do të thotë se shqiptarët prej vitesh drejtohen nga  pakicat politike të konsoliduara. Dhe këto pakica përfaqësuese janë partitë politikë. Shoqëria shqiptare në kuptimin politik ka dhe një ndarje tjetër: Sot shqiptarët nuk janë të ndarë vetëm në të majtë dhe në të djathtë, por edhe në ata që i përkasin ‘kolonive’ politike e në ata që nuk i përkasin asnjërës prej tyre. 

Kolonitë politikë dhe anëtarët e tyre i ngjajnë pak a shumë përcaktimit që bën Malcolm X, aktivisti i njohur për mbrojtjen e të drejtave të zezakëve në Amerikën e viteve ‘60,  për rolin politik të zezakëve në mbrojtjen e të drejtave të tyre. Ky trajtim i Malcolm X-it dhe të tjerë të ngjashëm më të, do të ishin për vite me radhë inspirues për shumë intelektualë amerikane në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Vetë Obama në librin e tij “Dreams from my Father” do të cilësonte se ky përcaktim i Malcolm X-it kishte qenë një inspirim për të në veprimtarinë si aktivist i shoqërisë civile në rrethinat e Chicago-s. Malcolm X-i  do t’i kategorizonte zezakët në “zezakët e shtëpisë” (house negro) dhe “zezakët e fushës” (field negro). “Zezakët e shtëpisë” ishin ata që jetonin me drejtuesin e shtëpisë (të bardhët), visheshin si ai, silleshin si ai, madje e donin atë më shumë sesa ai i donte ata. Kurse “zezakët e fushës”, ishin ata të cilët vuanin, ata të cilët shtypeshin megjithëse ishin në shumicë, ishin ata të cilët nuk përfitonin, por keqtrajtoheshin nga pronari i shtëpisë, ndaj zezakët e fushës nuk e donin të zotin e shtëpisë. 

Sot, fatkeqësisht, militantët politikë i ngjajnë zezakëve të shtëpisë dhe pjesa tjetër jomilitante apo indiferente, i ngjan “zezakëve të fushës”. Drejtuesit e partive janë realisht të zotët e shtëpisë, janë ata të cilët kanë kolonizuar shoqërinë e tyre.

Ky kolonizim është sa vertikal dhe horizontal. Ai vertikal shtrihet në mënyrë hierarkike, ku autoriteti i drejtuesit të partisë është krejt patriarkal. Renditja përcaktohet jo nga aftësia intelektuale, por nga aftësitë shërbyese, ku kostoja e kompromisit dhe devocioni përcakton gradën dhe afërsinë ndaj shefit të kolonisë. Është aq e fortë lidhja midis drejtuesit të kolonisë dhe aparatçikëve të saj, sa këta të fundit kanë filluar t’i imitojnë shefat e tyre deri në detaj. Beteja për territor midis kolonive politike shtrihet në çdo qelizë, duke filluar nga demonstrimet masive publike deri te përplasjet e sofistikuara në media. Edhe demonstrimet e fundit ishin një gjest i natyrshëm kolonial, ku njëra palë i tregoi ‘muskujt’ kolonisë tjetër. Sot edhe shoqëria civile nuk i ka shpëtuar ‘kolonizimit politik’. Gjithmonë e më shumë shikohet që këto koloni janë më të moderuara, ato kanë televizionet e tyre, median e shkruar, por kanë edhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët u bëjnë avokatinë. Beteja koloniale më e madhe bëhet për kontrollin e ekzekutivit dhe jo pa qëllim. Në një vend ky tregu i lirë dhe sektori privat janë shumë larg të qenit të konsoliduar, burimi më i madh i vendeve të punës ngelet sektori publik. Ky i fundit nuk shërben vetëm për të punësuar anëtarët e kolonisë, por dhe për t’i përdorur këto institucione për të dobësuar koloninë kundërshtare. Lidhjet sociale brenda kolonisë përcaktohen nga interesa jolegjitime dhe ideologjia që i mban të bashkuar është përfitimi individual nëpërmjet avancimit të kolonisë në pushtet. Kolonia politike, pra, është fytyra e tyre dhe ata janë simbioza e saj. Kultura e tyre është korrupsioni, ndaj dhe për anëtarët e kolonisë kjo është kthyer në rregull dhe e kundërta në përjashtim. Edhe humbja edhe fitorja shikohet nën syrin e turmës koloniale, gjë që mban koloninë të konsoliduar.

Me pak fjalë, zgjedhjet vendore nuk janë gjë tjetër vetëm se një sipar i luftës për autoritet dhe kontroll të kolonive politike në nivel lokal. Pjesa tjetër e qytetarëve janë krejtësisht të papërfaqësuar. Ata kanë shumë pak instrumente reagues, ndaj dhe zëri i tyre është thuajse i pandjeshëm. Fatkeqësisht çdo formë demokratike që këta qytetarë mund të përdorin për t’i dekonstruktuar këto koloni u është ‘sabotuar’. Pra, ‘zgjidhja’ përtej zgjedhjeve vendore, është që fillimisht ky popull të çkolonizohet prej kastës politike. Ky proces duhet të fillojë duke mbështetur çdo iniciativë të shoqërisë civile, e cila është në shërbim të çkolonializmit nga kontrolli politik. Do duhet që protestat të zhvillohen edhe përpara selive të partive politike.  Çkolonializmi fillon edhe duke e demonstruar mbështetjen ndaj atyre institucioneve të pavarura që përpiqen t’u minimizojnë pushtetin këtyre kolonive, nëpërmjet luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në terma afatshkurtër, një zgjidhje që do të ndihmonte çkolonizimin e procesit zgjedhor mund të ishte kërkesa për ndryshime në Kodin Zgjedhor. Një ndërhyrje mund të ishte një amendim i këtij Kodi, ku të përcaktohet se, në rast se pjesëmarrja e votuesve është nën 45% të shtetasve me të drejtë vote, zgjedhjet të ripërsëriten. Me pak fjalë, nëse zgjedhjet vendore sot dhe ato politike nesër, nuk do të çkolonizohen, ato nuk do të prodhojnë gjë tjetër vetëm se një riformatim kufijsh midis dominancave politike.  Shumica e qytetarëve që nuk mbështesin politikat uzurpuese, por ideologjitë të cilat bazohen në një drejtësi sociale, do të duhet që fillimisht të çkolonizojnë procesin zgjedhor dhe më pas të marrin pjesë në votime.

6 Komente

Ajo qe ky shkrim ka nxjerr ne pah ne te vertet lidhet me tranzicionin real. Pra tranzicioni tek ne ralisht qendron tek mos pasja e zgjidhjeve reale, kjo mbase dhe sic argumenton autori vjen dhe si rezultat i bllokimit te frymarjes politike nga 'kolonizatoret' e partitizuar nga te dy krahet.

 

Shkrim i thelle qe prek dicka shume te rendesishme ne lidhjen qe ka populli me klasen politike. Kjo lidhje eshte shume e sforcuar - sepse klasa politike mban nje qendrim absolut ne kete raport me popullin. E keqja qendron tek zanafilla e zbatimit te ashtu - quajtures 'kontrate politike' ku i kerkohet popullit vota me preteksin qe ti sherbehen kerkesat e tij.  Por kjo kontrate eshte prishur me vite dhe ne jemi deshmitare qe politikanet tane nuk kane pesuar asgje - edhe kur e kane humbur postin e mbajtur per pak vite.  Ne te kundert, shumica e politikaneve qe skane arritur te mbajne 'karriket' jane fuqizuar edhe me shume, jo vetem ekonomikisht por edhe legalisht - sepse gjygjesori ka qene kurdohere nen presionin e tyre persa kohe ishin (jane) ne pushtet. Pra, me pak fjale nqs nuk fuqizohet pavaresia e gjithe organeve te drejtesise,  'zgjedha' qe na kane vene kolonizatoret do na ngele ne dere edhe per shume kohe.

@Fatih,

Zgjidhjet reale te probleme me se te drejta qe ka ngritur autori do vijne vetem nqs populli qartesohet mire per pergjegjesite e tij ne kete lemsh politik, dhe kur bindshem ti tregoje klases politike qe 'nuk mban me uje pilafi'. 

 

 Ore te drejta thote  ky ne artikull, por i  eshte  shmangur, per  ta thene me ze te  larte.. te keqen qe nuk na ndahet.Nuk kemi  bere  asnjehere  zgjedhje, ku te jete shprehur vullneti i  zgjedhesit Popull.Kemi regjistruar  gjithenje Vjedhjen e votave.

Por tek MAPO  eshte Çili dhe fondet  e qeverrise...

Grava,

Po te ecet me me teorine e 'fondeve te qeverrise' si mendon ti, ky artikull nuk do kishte pare driten e diellit. Po dhe ne qofte se ka gjasa qe MAPO mer fonde..etj....bravo i qofte autorit - se ka sjelle dicka qe me shume kritikon qeveritaret sesa popullin.

"....  sic argumenton autori vjen dhe si rezultat i bllokimit te frymarjes politike nga 'kolonizatoret' e partitizuar nga te dy krahet."

   Lereni more kete gjuhe lumpenesh, por i bini drejt.Kjo vjen si rezultat  i  vendosjes  te sistemit  te KUSARISE mbi  voten.

 

Grava

Ke te drejte...keto gjera duhen thene shqeto por ky miku i artikullit ka thene shqeto dicka tjeter se partite politike jane kolone qe kane mbytur kete vend..vjedhja e votave eshte vetem nje skenar...prandaj ta lesh vetem aty ju ke bo ner ketyre ne pushtet e me gjere...kusaria eshte dhe ne punesim, dhe ne vjedhjen e pasurise shtetnore, dhe ne mashtrimin qe i bejne miletit e me rradhe...pastaj votat vidhen qe ne zgjedhjene e tyre si kryetar partie lene pastaj me posht se nuk bohet llaf.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).