shkoder_gjakmarrja1.jpg (272×220)Ngujimi i fëmijëve në banesa nga frika e hakmarrjes, është një nga pasojat e rënda me të cilat po ballafaqohen mbi 80 familje në verilindje të Shqipërisë. Tashmë po aktivizohen mësues të diplomuar në kushte shtëpie.

 

Për të zbutur sadopak pasojat e mos frekuentimit të arsimit bazë, atij 9-vjeçar, në Shkodër po zbatohet projekti “Shansi i dytë ”, që përfshin dhënien e njohurive të programit  mësimor duke aktivizuar mësues në kushte shtëpie. Burime zyrtare nga Drejtoria Arsimore Rajonale, pohojnë se numërohen mbi 50 fëmijë të ngujuar të këtij rrethi, 17 prej tyre vajza të moshës 6 deri në 14 vjeç, që janë përfshirë në këtë projekt të Ministrisë Shqiptare të Arsimit.

Fëmijët e ngujuar si nxënës njësoj si të tjerët

Sipas Inspektorit që ndjek problemet e shkollimit të fëmijëve të ngujuar në Shkodër Nexhelko Poja, projekti synon që fëmijëve të prekur nga ky fenomen t'u jepen njohuritë  kryesorë, në mënyrë që  të shmanget prapambetja e tyre në mësime dhe analfabetizmi: “Këtë vit shkollor ne trajtojmë rreth 54 fëmijë në gjakmarrje. Në këtë proçes mësimor aktivizohen reth 22 mësues. Të gjithë këto fëmijë të ngujuar vlerësohen njësoj si të tjerët dhe dëftesa e tyre është e njëllojtë si ato nxënës që e frekuentojnë rregullisht shkollën “.

Të gjithë personat e aktivizuar për të mësuar fëmijët e familjeve të përfshira në gjakmarrje, janë mësues në pritshmëri, të diplomuar dhe që akoma nuk kanë një vend definitiv-pune. Kujtim Troshani është njëri prej tyre që i jep mësim këtij kontigjenti nxënësish të privuar nga mësimi normal. Ai pohon se për të realizuar një projekt të tillë, janë angazhuar 22 mësues të cilët janë të shpërndarë në 18 banesa që quhen vatra mësimi ku ka fëmijë të ngujuar dhe zhvillojnë aty mësim 3 herë në javë me nga 3 orë në ditë: “Sëbashku me një grup mësuesish kemi zhvilluar ditë mësimi me ato nxënës që fenomeni i gjakmarrjes i ka detyruar të mbyllen brënda. Kemi zbatuar programin mësimor të ministrisë, në mënyrë që edhe këto fëmijë të integrohen sëbashku me shokët e tyre dhe të arrijnë që të ecin një hap me to “.

Shifra kontradiktore për familjet e ngujuara

Shoqata të ndryshme që merren me pajtimin e gjaqeve, referojnë shifra kontradiktore, lidhur me fëmijët e familjeve të ngujuara. Kështu Misioni i Pajtimit Mbarëkombëtar Shqiptar, dega Shkodër, pohon se janë të evidentuara 109 familje të ngujuara me 273 persona. Ndërkohë që Drejtoria e Policisë së Qarkut të Shkodrës, referon për 62 familje të ngujuara, ose 92 më pak se një vit më parë.

Fenomeni i gjakmarrjes, pas vitit 90-të, me gjithë përpjekjet e strukturave shtetërore për t'a minimizuar atë, mbetet ende shqetësues në zonat veriore të vendit. Vetëm në Qarkun e Kukësit janë të ngujuara gjithsej 30 familje, 60 prej të cilëve janë fëmijë. Sipas policisë së këtij qarku, këto shifra megjithatë janë pozitive, pasi tregojnë se kjo dukuri është në rënie, krahasuar me vite më parë. Ky rezultat, ka ardhur si pasojë e bashkëpunimit dhe me strukturat e pushtetit vendor dhe punës së mirë të uniformave blu, por dhe angazhimit të shoqërisë civile.

5 Komente

kjo eshte me ta kpute shpirtin. Ah kjo gjakmarrja. Megjithe kontradikten ne shifra, te pakten ka pak vend per optimizim ne te ardhmen, krahasuar me vite me pare duket se kjo dukuri eshte ne renie...still, qofte dhe nje femije i ngujuar eshte e papranueshme!

Ne cfare shekulli jemi?

Ke te drejte BP, kjo eshte me ta kepute shpirtin. Nuk e di ne se bej mire te them qe ,kur vjen diskutimi me koleget e punes ketu jashte shtetit, per gjakmarrjen, eshte i vetmi rast ( te me besoni nuk ju genjej ) me vjen TURP qe jam shqiptar dhe i vetmi rast qe i jap te drejte Enver Hoxhes qe me force e zhduku kete njolle te turpeshme te Shqiperise.

Me kete rast respektin me ta madh per ata mesuese dhe zyrtare qe ndihmojne per cdukjen sa me pare te kesaj njolle te zeze te historise se popullit tone.

 Eshte nje nga plaget me te vjetra te shoqerise shqiptare e cila akoma dhe sot nuk po mbyllet dhe eshte vertet per te ardhur keq qe akoma dhe sot vazhdojne gjakmarrjet e tilla .. Nuk di c'te them me teper pervecse me vjen keq per te gjitha ato familje qe jane te detyruara te jetojne akoma dhe sot te ngujuara ... Shpresoj qe kjo plage shqipatre te mbyllet sa me shpejt

 Nexhelko Poja qenka tani inspektor i arsimit ne Shkoder. Kete person e kam pasur mesues ne tetevjecare dhe mund te them qe pergjate gjithe shkollimit tim ai ka qene "by far" mesuesi me i keq i mundshem. Per mua as mund te quhet mesues fare. Ky ishte i ngarkuar te jepte lenden e fizkultures, sigurisht nder lendet me te lehta ne shkolle, por edhe kete lende ai nuk denjonjte ta bente. Sa i paraqiteshim, pothuajse pa thene asnje fjale se edhe mungesat shumicen e kohes pertonte ti merrte na urdheronte te benim nje xhiro me vrap rreth lagjes, xhiro qe na merrte te pakten 30 minuta. Nderkohe vete futej ne ndonje klub ose ulej diku ne hije e enderronte. Kishte femije qe ja fusnin shkurt duke kapercyer mure rrugicash, kishte te tjere qe fshiheshin dhe s'niseshin fare, kishte nga ata qe e benin gjithe xhiron dhe tentonin te padisnin ata qe i kishin rene per shkurt por asnje nga keto gjera nuk arrinte ti terhiqte vemendjen zotit Nexhelko. Mesuesi qe kurre nuk ishte i pranishem edhe kur ishte i pranishem fizikisht (Se edhe mungesa bente plot.

Dhe sot na qenka bere inspekto e na jepka intervista te "Deutsche Welle"! Asnje fjale nuk i besoj.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).