Po miq! Ndjesë pastë aplikimi i Shqipërisë për anëtarësim në BE të paktën për dy-tre vjet, derisa të bindim BE-në se zgjedhjet i bëjmë të lira e të ndershme dhe se dimë të pranojmë rezultatin e tyre pavarësisht “zhgënjimit”. Ndjesë pastë aplikimi bashkë me negociatat, mbase deri tek “Selanik 2014”, nëse Greqia ia del të realizojë skenarin e ri të integrimit të Ballkanit brenda 2018-s. E kotë të shpresojmë se do të kemi ndonjë lajm të mirë nga Brukseli, të paktën për aq kohë sa politika vazhdon të merret me dallimin midis “ngërçit” dhe “krizës”, madje duke ofruar zullume të reja si elementë thelbësorë të koncepteve përkatës. A thua se është pikërisht ky dallim që do t’i ndryshonte jetën minatorit Selman, fermerit Anton, këpucarit Koço apo të papunit, pensionistit, studentit etj., anembanë vendit. Oferta e vetme e politikës për qytetarët sot? E thjeshtë fare – pjesëmarrës part-time në mitingje ....të dhunshme ose jo, me kryetarin ose pa të, me muzikë live apo play-back, me synim e motiv të qartë ose thjesht, “të dalë ku të dalë”. Rezultati i vetëm i politikës në këto dy vjet? Pa më të voglin dyshim – vullnet i pathyeshëm dhe përkushtim mbresëlënës ndaj përtacisë politike e rehatuar më së miri në ngrohtësinë e kolltukut fuqiplotë.

Sigurisht, politika sot e identifikon lehtësisht fajtorin e zullumit të vet, që në shumicën e rasteve është “ai tjetri”, por ndonjëherë edhe ky popull grindavec që nuk di të bëjë zgjedhjen e duhur. Grindavec vërtet, por jo “i palexuar”. E si pasojë, politikës i duhet të sofistikojë edhe zullumin e vet, se fundja ky popull po mëson avash-avash se ç’është integrimi dhe bën vaki edhe pyet: po ti mor i votuar, çfarë i dhe këtij vendi për të marrë ndopak status e për negociuar me Brukselin një gjysmë gote anëtarësim shqeto?

Politika ka vite që mburret me mbështetjen e pakushtëzuar të shqiptarëve për anëtarësimin në BE, madje e ka shfrytëzuar suksesshëm duke e përdorur si justifikim me vend e pa vend për reforma të caktuara. Pas kaq shumë vitesh “llomotitje integrimi”, nuk duhet të çuditemi nëse qytetarët e kanë kuptuar se nuk është integrimi ai që do të zgjidhë hallet e tyre, por është procesi i zhvillimit ai që na sjell më pranë BE-së. Fundja, çfarë zgjidhi MSA-ja për ta? Dhe, në këtë pikë nuk duhet të çuditemi nëse tashmë avancimi i procesit të integrimit (ose mungesa e tij) shihet nga qytetarët thjesht si një indikator i zhvillimit të vendit. Në fund të fundit, pikërisht këtë gjë politika i shpjegoi zellshëm popullit në rastin e heqjes së vizave apo një vit para saj.

Ky është minimalisht kufiri i interesit të shumicës së qytetarëve për sa i takon procesit të integrimit. Dhe, qoftë edhe në këta kufij minimalë të interesit, shumica prej tyre e thonë sot totalisht të zhgënjyer rezultatin e këtij procesi – ndjesë pastë aplikimi! Përtej çdo lloj iluzioni, kuptohet që edhe politika është e vetëdijshme për këtë rezultat. Më se e kuptueshme që nga rehatia e pozitave të veta ajo do të vazhdojë të mësyjë mendjet e njerëzve, duke u shpjeguar zgjedhjen e bërë me argumente të pakontestueshme si “kushtetutshmëria” apo “makutëria elektorale”. Ironikisht, është sërish politika ajo që e ka praktikuar këtë të fundit dhe në mënyrë të palëkundur e ka cenuar të parën.

Konfrontimi politik tashmë ka shkuar aq larg, sa i vetmi opsion i politikës për të justifikuar pozicionet e veta dhe dinamikën e tyre në këto dy vite, mbetet radikalizimi i qëndrimeve. Çdo tërheqje e mundshme do të delegjitimonte aksionin e deritashëm politik, çka duket një kosto e papranueshme për të, pavarësisht se kjo do t’i njihte edhe meritën e zhbllokimit të reformave dhe të vetë integrimit. Në këtë moment nuk mund të kemi as më të voglin iluzion se politika do të kthejë sytë drejt procesit të integrimit për të kuptuar kolapsin në të cilin ka rënë aplikimi për anëtarësim. Prej zgjedhjeve të 2009-ës ne kemi humbur mbase një mundësi unike për të kapur ritmin (si Kroacia në 2005-n), në mënyrë që sot, eventualisht të diskutonim jo për statusin, por për nevojat dhe përgatitjet e negociatave të anëtarësimit. Tashmë nuk jemi më në pozita për të imponuar një ritëm që do të synohej nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor (pa Kroacinë), por përkundrazi, jemi detyruar “të ngushëllohemi” me mosprogresin e fund-listës.

Për të dalë nga kjo situatë nuk mjafton të lexojmë vetëm opinionin e KE-së (nëntor 2010) në lidhje me aplikimin për anëtarësim. Politika konfliktuale e pas zgjedhjeve të 2009-s nuk ndikoi tek procesi i integrimit vetëm nëpërmjet bllokimit të reformave që mundësojnë avancimin në stadet e tjera. Ka një tjetër element i cili merr një rëndësi akoma më të madhe, dhe ky është besimi i BE-së dhe vendeve anëtare tek qëndrueshmëria dhe sensi i zhvilluar i një politike konstruktive, si një karakteristikë që dëshmon maturinë e saj dhe përkushtimin ndaj vlerave demokratike përtej interesave të ngushta politike. Rikthimi i këtij besimi është mbase kushti më i vështirë për t’u plotësuar sot nga politika. Dhe për më tepër, ky mbetet faktori me më shumë ndikim dhe lehtësisht i kombinueshëm me mungesën e rezultateve konkrete si argument për vendet e BE-së të kundërshtojnë qoftë dhënien e statusit, apo qoftë stadin tjetër – negociatat e anëtarësimit.

Fatkeqësisht, ajo që irriton e zhgënjen më tepër në këto dy vjet nuk është sjellja prej të padituri e politikës sa i përket dëmit të shkaktuar ndaj procesit të integrimit, zhvillimit dhe vetë imazhit të vendit. Përkundrazi, është paturpësia e politikës që beson se mund të fyejë inteligjencën e qytetarit shqiptar me broçkulla gjithfarësh, ajo që irriton më shumë se çdo gjë tjetër sot. Është paaftësia sërish e kësaj politike për të prodhuar konsensus dhe alternativa reformuese, ajo që vazhdon të zhgënjejë tashmë jo vetëm shqiptarët, por edhe ato vende partnere që kanë bërë apo kanë mbajtur një premtim ndaj këtij vendi.

Dhe, derisa kjo politikë të kuptojë se nuk mund të fshehë paaftësinë apo paturpësinë e çdo zullumi të vet...deri atëherë miq, ndjesë pastë aplikimi e mbase edhe politika.

Autori: Instituti për Demokraci & Ndërmjetësim

3 Komente

 Cdo gje ne Shqiperi u be per te thene "ndjese paste" smiley

t'rroni vete, ju paste lene uraten, per t'mira ju ardhshim smiley

Pa harxhuar hic kohe ta lexoj te gjithin dhe te prish nervat e mia me hingellima stonuese: 

E kotë të shpresojmë se do të kemi ndonjë lajm të mirë nga Brukseli, të paktën për aq kohë sa politika vazhdon të merret me dallimin midis “ngërçit” dhe “krizës”, madje duke ofruar zullume të reja si elementë thelbësorë të koncepteve përkatës.

Oh really. Cdo gje u varka nga ne!!! Kur te behemi ne te mire, kur ne te bejme keshtu, kur ne te behemi ashtu, kur ne te arrijme ate... kur ne te plotesojme kete... vari qillon thuaj; po ne te tjereve pse na lodhni? A nuk i dilka valle autorit te lodhe veten? Te shkoje psh, andej nga varrezat dhe te shfryhet mbi varr te Enverit, apo ndonje tjetri?

Zoti e degjon lutjen e shqiptareve per integrim... por ja qe ka axhende tjeter, dhe si i thone fetarisht; "nuk eshte koha e duhur" apo "Zoti e di me te miren per ne"...

ah sikur ta degjonin adminet ngasherimen e shpirtit te disa peshqve SadSadSadte vinin doren ne zemer, te mbyllnin nje sy per nje sekonde dhe te na kursenin kete lloj keqtrajtimi psikologjik... me shume lutje e me shpirt ne gjunje. Sad

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).