Mbi 100 të rinj e të reja gjirokastrite kanë vendosur të rehabilitojnë, me forcat e mjetet e tyre, Memorialin e Rilindësve të qytetit, dhe t’i japin një “leksion dinjiteti” shtetit dhe strukturave përkatëse shtetërore, që nuk duan të bëjnë punën e tyre.

Para dy ditësh, në gazetën “Shekulli” është botuar një shkrim impresionues për nismën e një grupi të rinjsh gjirokastritë (dhe jo pak, por rreth 100 vetë), për të rehabilituar me mjetet dhe mundësitë e tyre Memorialin e Rilindësve në qytetin e tyre, ku prehen eshtrat e pesë figurave të ndritura të kombit: Çerçiz e Bajo Topulli, Andon Zako Çajupi, Koto Hoxhi dhe Pandeli Sotiri.

Në kohën e harresës së madhe nga ana e shtetit për trashëgiminë tonë historike dhe kulturore, në kuadrin e luftës së hapur institucionale për rishikimin e historisë dhe injorimin e figurave më të shquara të historisë së kombit, nisma qytetare e një grupi rinor është një mesazh i madh shprese për ndjesinë kombëtare të bjerrur, për indiferencën politiko-shtetërore, por edhe intelektuale e më gjerë.

Për hir të së vërtetës, fenomeni i shkatërrimit dhe, në rastin më të mirë, të moskujdesjes për objektet historike, muzeumet, memorialet, obeliskët, lapidaret, pllakat përkujtimore, varrezat e dëshmorëve të rënë për atdheun etj., ka ndodhur, për fatin e keq, në të gjithë Shqipërinë gjatë këtyre 20 vjetëve. Kushdo që udhëton rrugëve të vendit, do të ndeshet rëndom me objekte të tilla të lëna pas dore, të shkatërruara apo të shfytyruara, si shprehja më e qartë e periudhës së trazuar që po kalon vendi prej më shumë se dy dekadash. E nxitur apo rastësore, e dirigjuar nga segmente që imponojnë vendimmarrjen shtetërore apo spontane, ky fenomen shpjegohet më së miri me fatin e Memorialit për ‘Pesë Heronjtë e Vigut’, të cilin, me vendim të pushtetit e spostuan nga qendra e qytetit, në landfillin ku digjen plehrat dhe pjesë e tyre. Fyerje më të rëndë, Luftës Çlirimtare dhe atyre që sakrifikuan deri në jetën e tyre gjatë kësaj lufte, nuk mund t’i bëhej.

Por, të kthehemi te rehabilitimi i memorialit në Gjirokastër dhe nisma e rinisë së qytetit për të sfiduar institucionet shtetërore përkatëse, që nuk po e bëjnë punën e tyre dhe me sa duket, nuk duan ta bëjnë. Prej më shumë se dy vjetësh, bashkë me studiuesin e shquar gjirokastrit, akademikun Jorgo Bulo, nuk kemi lënë derë pa trokitur në kërkim të mbështetjes për rehabilitimin e këtij memoriali, ku prehen eshtrat e pesë figurave të shquara kombëtare, në varre të thyer që nuk u ka mbetur as emri, asnjë shenjë identiteti, të mbuluar nga myshqet dhe pa asnjë rrugë a shteg për të mundësuar vizitorët. Në çdo vend tjetër, objekte me përmasa dhe rëndësi të tillë kombëtare kthehen në vende pelegrinazhi, që sjellin nga ana e anës qindra e mijëra vizitorë vendas e turistë të huaj. E gjatë kësaj periudhe e kam vizituar disa herë memorialin, me shpresën e sensibilizimit të disa biznesmenëve, shoqëruar gjithmonë me trishtimin e prof. Bulos, i cili po përjeton dhimbjen më të thellë të jetës së tij për përdhosjen që vazhdon t’u bëhet këtyre figurave dhe kontributit të pashembullt të tyre. Njerëzve që kanë bërë historinë dhe tani u është shuar edhe emri.

Dënim i rëndë për baballarët e kombit; turp i madh për ne, bijtë e tyre; rrezik për të ardhmen e vendit, kur fshihet e kaluara dhe kujtesa jonë historike.

Para pak kohësh, në fund të muajit nëntor të vitit të kaluar, nëse nuk gaboj, në një prej seancave parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë i kam bërë thirrje Kryeministrit Berisha për angazhimin e shtetit në rehabilitimin e Memorialit të Rilindësve në Gjirokastër, në një çast kur atij iu desh edhe emri i Andon Zako Çajupit për të treguar bëmat e qeverisë që drejton për zhvillimin turistik të zonës që mban emrin e tij. Shprehimisht i kam thënë se:“...kur flitet për Çajupin dhe investimet që ju kërkoni të bëni në atë zonë, unë do t’ju bëj më dije se birin më të shquar të kësaj treve, rilindësin Andon Zako Çajupi, e kanë lënë pa varr, i ka humbur varri në memorialin e shkatërruar në Gjirokastër. Në këtë qytet ka një memorial, i cili është shkatërruar, dhe varret e pesë rilindësve tanë: Andon Zako Çajupit, Çerçiz Topullit, Bajo Topullit, Koto Hoxhit dhe Pandeli Sotirit janë të paidentifikuara. Bëjuni varrin, zoti Kryeministër, para se të merrni rrugën me gërshërë në dorë për t’u ngjitur në Çajup!”.

Po kujt ia thashë! Njeriut që është vënë në ballë të përpjekjeve diabolike për rishikimin e historisë dhe zhdukjen e çdo shenje që i kujton të kaluarën, që cyt me të gjitha mjetet e format segmente pseudoshkencore, grupime të dyshimtë e të pakënaqur nga e kaluara, që ka bindur edhe veten se historia e këtij vendi fillon me mbretërimin e tij.

Tani mësimi na vjen nga përfaqësuesit e një brezi të ri. Dhe, kjo është entuziaste dhe duhet shënuar. Duhen mbështetur këta pionierë të shpresës se ky komb nuk ka për t’u shuar. Dhe për fat, nisma e tyre nuk është e vetme në këto kohë të turbullta e ku kombi është gjendur përsëri në një udhëkryq të historisë. Vitin e kaluar, djemtë e Kuçit të Kurveleshit i kthyen në monument natyror, në një shkëmb që peshon 40 tonë, vargjet që Çajupi pat shkruar për natyrën dhe historinë e fshatit të tyre mbi 100 vjet më parë. Në këtë fshat të vogël, por të njohur, memoriali dhe vendi ku prehen të rënët për lirinë e atdheut janë vendi më i shenjtë i tyre dhe kujdesi për to është shembullor për gjithë vendin. Ndërsa, historia e një veterani të luftës çlirimtare nga Tërbaçi në Lumin e Vlorës tregohet gojë më gojë në të gjithë krahinën. Kur djemtë e tij, të cilëve puna si emigrantë në Itali u kishte vajtur mbarë, e pyetën plakun se ku dëshironte t’ia ndërtonin një shtëpi të re, në fshat apo në qytetin e Vlorës, ai, pa një e pa dy u përgjigj: “Mirë e kam shtëpinë ku kam lerë dhe kam kaluar gjithë jetën. Po nëse ju doni të më ndërtoni një shtëpi, ma ndreqni ‘atë e shtëpinë e shokëve’, që na e dëmtuan gjatë trazirave kur u ndërruan sistemet”.

Dhe, ishte fjala për Memorialin prej mozaiku që përjetëson rrugëtimin luftarak të Brigadës së 5-të Sulmuese (Br5S), ndërtuar pikërisht në vendin ku u formua kjo njësi luftarake gjatë LNÇL, por që u dëmtua në fillim të viteve ’90 nga ata që kujtuan se erdhi ora e tyre. Padyshim që djemtë ia plotësuan dëshirën plakut. Ai ka ndërruar jetë prej disa vjetësh, por vepra që kërkoi, jeton. Dhe nuk mbetet kalimtar pa ndaluar kur i bie rruga andej, apo kur shkojnë enkas për ta vizituar, duke mësuar historinë e kësaj njësie të lavdishme luftarake, por edhe historinë e plakut nga Tërbaçi që e gjeti shtëpinë e tij të përjetshme tek ai memorial prej mozaiku.

Ne duhet ta mbështesim nismën e të rinjve gjirokastritë. Dhe jo vetëm me fjalë, por secili me ato mundësi që ka. Unë i pari e deklaroj ndihmën time nëpërmjet këtij shkrimi.

Gjej rastin t’u bëj thirrje miqve e të njohurve të mi politikanë, përfaqësuesve të kulturës e të biznesit. Jam i bindur se z. Flamur Bime, qytetari i parë i Gjirokastrës, mbështetësi i spikatur i veprimtarive kulturore e historike të zonës, por edhe miku im, do ta mbështesë këtë nismë që i bën nder qytetit dhe qytetarisë gjirokastrite. Besoj në angazhimin e krijuesit Odise Kote, aktualisht drejtues i punëve të kulturës në bashkinë e qytetit, për t’u bërë pjesë e kësaj lëvizjeje. Edhe sepse kjo lëvizje ka nevojë për vizionin dhe përkushtimin e natyrshëm të tij, kur bëhet fjalë për qytetin me të cilin është lidhur pazgjidhshmërisht.

Ne e kemi për detyrë të jemi përkrah këtyre të rinjve dhe mbështetësve të tyre. Ata sot i kanë dhënë një leksion shoqërisë së sëmurë shqiptare, kanë ngjallur shpirtin e kombit dhe i kanë kthyer këtij vendi dinjitetin.

10 Komente

Ne e kemi për detyrë të jemi përkrah këtyre të rinjve dhe mbështetësve të tyre. Ata sot i kanë dhënë një leksion shoqërisë së sëmurë shqiptare, kanë ngjallur shpirtin e kombit dhe i kanë kthyer këtij vendi dinjitetin.

mire mire po jua tregon lubonja juve ,,,,,,maskarenj.ne mos ai, se mund te jete i zene me cmitizimet(demitimet mund te thoshte dikush)ka ketej rrotull klona 83-sh sa te duash

 

                 PO THE GJIROKASTRA.. I KE  THENE TE TERA

 ... Jo më kot,  mu ne Gjirokaster  u ngrit  Liceu i parë francez. Si dhe me larte,  nga këto visare, ka plot Gjirokastra.Jo fort larg, por edhe qe ne  kohën e prag shpalljes së mbretërisë. Do qe mjaft një sy mbi librin e Teki Selenicës me titull ”Shqipëria më 1927” ..dhe do të ishte mjaft, për të nxjerrë mësimet e duhura seicili per kete perle te gjithe vendit.

    Në faqen... CLVI, autori jep shifra kuptimplote. Gjirokastrren 1927 e gjeti me 246 kuadro mbaruar universitetet. Jo vetëm në Stamboll, por më të shumtët në Francë, Austri dhe Itali. Tirana, kryeqyteti,  kishte vetëm 2 vetë me universitet, ndërsa Korça kishte 92. Me gjimnaz Gjirokastra kishte 406 vetë, kur në Tiranë kishin mbaruar gjimnaz vetëm 10 vetë. Në Gjirokastër ndiqnin shkollën fillore 21.118 nxënës. Në Tiranë vetëm 113 nxënës. 

     Kur ja deshi Atdheu, Gjirokastra nxorri Idrizin, Pandeli Sotirin, Koto Hoxhin, Urani Rumbon, Sevasti Qiriazin, për të arritur te heroi kombëtar Avni Rustemi e plot të tjerë. Kush merr mundimin të lexojë Pukëvilin dhe Çelepinë, merr vesh mirë për Gjirokastrën. Në atë risi tradite ajo nxorri intelektualët brilantë si vëllezërit Erindi, që nisën punën mbi baza moderne, në të Parën Qeveri të Mëvehtësisë. Po të kuturisnim të vinim deri në ditët e sotme dhe të flisnin me gjuhën e Çabeut të madh, Akademikët e gjallë e të shumtë gjirokastrit dhe mijëra kuadrot e nxjerrë nga Gjimnazi i Famshëm i qytetit,  jo me vetem  Ismaili,  por dhe Dritëroi, Agim Shehu me shokë, e kanë për nder qe e  quajnë veten safi gjirokastritë.

   Nuk do mjaftonte letra e boja e seicilit,  për t’i përmendur emrat e atyre kuadrove të dalë nga gjiri i gjirokastrite. Se edhe hoxha më i thjeshtë i xhamisë së Qafës të Pazarit” , Mulla Hiqmet Karabina, pat mbaruar shkollën në Francë dhe ishte njëri prej poliglotëve më të mëdhenj, që ka njohur historia e Shqipërisë. Fliste rrjedhshëm, frëngjishten, italishten, greqishten, turqishten, arabishten dhe persishten. Pa le po të përmendim myftiun dhe hijerarqinë e lartë brilante të Ortodoksis Autoqefale gjirokastrite. Me Papagulon e Labovës së Kryqit, është krenuar tërë treva, nga Labëria deri në Janinë. Po se mos qe më pak Papafoti e ajo plejadë burrash të mençur të ortodoksisë tonë. 

     Duke qënë kryeqëndra e Kurveleshit të Sipërm, ka qënë është e do mbetet kryeqëndra e kundërshtive të shovinizmës së përjetëshme. Historia flet për ato të vërteta të djalërisë e burrërisë gjirokastrite në shekuj. Janë fise të tëra që mund të përmenden si elita e kombit. Nuk mund të mos përmenden fiset gjirokastrite si: Budajt, Selfatët, Karagjozatët që tregëtinë e bënin deri në Amerikë që atëhere. Nuk arrihet as sot, në kohët moderne arritja e asaj të Karagjozate. Po mund të lihen pa u përmëndur Kallajxhiajt, Sinoimeratët, Shtinajt, Putot, Xhikajt, Bejkatët, Babametot, Hoxhajt, Galajxhiajt, Kokalarajt, Xhaxhiajt e plot të tjerë, që me kohë u janë thurur këngë, për bukurinë, trimërinë e patriotizmën.....

   Është thënë e poetizuar:... e vërteta se “....Po the Gjirokastra, i ke thënë të tëra!”.

                  Pjese nga nje shkrim i botuar per Gjirokastren

Ky artikull eshte kembane alarmi mbi largesine midis pushtetit dhe popullit. Kemi nje qeveri qe si parim ka shfrytezimin, shkaterrimin dhe antikombetarizmin qe mbeshtet fuqine tek propaganda dhe tek plumbi. Nje minister kulture viktime eshtrash qe si kulture shpenzon parate e shtetit per mitingjet e Ciljetes.

 *****

 10*****

vertete per tu admiruar. Epoka e bashkimit, komunikimit e pergjegjesie qytetare do i ndryshoje gjerat nje dite. Dhe njeriu i thjeshte-civil, e ka nje fare force, majft te gjeje like-minded people e te mos prese perhere nga larte. Ju lumte te rinjeve Gjirokastrite.

5*

Bravo ju qofte! Te pakten ne nje qytet intelektual si Gjirokastra duhej te ndihej levizja civile/intelektuale.

 Ata sot i kanë dhënë një leksion shoqërisë së sëmurë shqiptare, kanë ngjallur shpirtin e kombit dhe i kanë kthyer këtij vendi dinjitetin.

 

Sa kollaj paska qene kjo puna dinjitetit dhe shpirtit, ku kane qene keta me perpara qe te mos ziheshim kot ne sa neper sheshe, parlamente apo blogje. Na mbyten mer na mbyten keto ligjerimet hiperbolike.

Kta cunat bejne mire te vijne ti pastrojne koken bustit Vojo Kushit ne tirane se esht mbulu nga glasat. Edhe statujen e partizanit panjohur. Me ket rast i rikthejne shpirtin e dinjitetin jo vetem tiranes por ter Ballkanit.

romak,

"one step at a time" qofte kjo vetem fillimi! Ka shume per te bere ne shqiperi. Mbase tani po fillon zgjimi.

 Bravo per kete inicjative 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).