Intervistë dhe kushte strikte për përzgjedhjen e kandidatëve

Kriteret mbi të cilat do të bëhet seleksionimi i familjeve që do të përfitojnë ndihmë ekonomike do të jenë shumë të rrepta. Të paktën kështu është pohuar dje në Komisionin e Punës dhe Çështjeve Sociale.

Sipas përfaqësuesve kryesorë të këtij komisioni, thuhet se shkak për marrjen e këtij vendimi janë abuzimet që janë konstatuar herë pas here në dosjet e dorëzuara nga kandidatët në gjendjet civile përkatëse. Sipas tyre, përcaktimi i një sërë kushtesh të forta do të shmangë çdo mundësi abuzimi.

Në një prej pikave të ndryshuara të skemës ekonomike thuhet se nëse një familje ka një person emigrant, apo ka dikë të punësuar qoftë edhe me periudha të shkurtra, përjashtohet menjëherë nga skema, rrjedhimisht nuk ka asnjë të drejtë përfitimi nga shteti. Zëvendësministri i Punës, Kastriot Sulka, sqaroi para Komisionit të Punës, se aktualisht numërohen 3 mijë persona që do të përjashtohen nga kjo skemë.

“Keni njeri në punë? Po kam. Dilni nga skema! Nëse thotë jo, vazhdojnë pyetjet e tjera. Po, ose jo, këto përgjigje të shkurtra dhe të prera në pamje të parë të skualifikojnë, pasi në bazë të tyre përcaktohet edhe vendimi final. Familjet në nevojë nuk e kamuflojnë dot. Dikush mund ta ketë fëmijën në emigracion, por nuk e thotë. Nuk mund të lejojmë njeri jashtë skemës, ja pse fusim pikët”, theksoi Sulka.

Por, sipas opozitës, skema me kritere të reja të ndihmës ekonomike nuk mund ta zbusë varfërinë ekstreme.

“Sot, me 4230 lekë mund të paguash vetëm bukën, dritat dhe ujin, pastaj mbarojnë lekët”, sqaroi deputeti socialist, Ilir Beqja.

Në komision është debatuar ashpër edhe për llogaritjen e varfërisë ekstreme në Shqipëri, e cila në bazë të të dhënave të INSTAT-it është rreth 2 dollarë në ditë, si dhe për vendimin që lista e familjeve që përfitojnë asistencë të mos hartohet më nga pushteti lokal, por nga qeveria.

Në kuadër të ndryshimeve që do të përfshijnë skemën e ndihmës ekonomike është premtuar që krahas kushteve të rrepta, të ketë edhe disa lehtësira. I tillë është premtimi i bërë afro dy javë më parë nga ministri i Punës, Spiro Ksera, i cili tha se përveç parave, do të mundësohen edhe veshmbathje e ushqime. Por, këto të fundit, sipas tij, do të përfitohen vetëm nga ato familje, ekonomia e të cilave është tejet e mjerueshme. Pra “tollonin” nuk do të ketë të drejtë ta përfitojë çdo familje që është pjesë e ndihmës ekonomike, por vetëm ato që, edhe pse marrin para në dorë, e kanë të pamundur të përballojnë jetesën e përditshme. 

____________

Ndërkohë: Nuk lëvrohet fondi, 800 familje pa përkrahje sociale

Familjet që jetojnë me të ardhurat e ndihmës ekonomike në qytetin e Kuçovës që prej dy ditësh nuk marrin të ardhurat dhe pse shuma që çdo familje përfiton lë shumë për të dëshiruar. Janë 800 familje në këtë qytet, të cilat dhe pse jemi në ditët e para të muajit mars nuk kanë marrë ende përfitimet ekonomike për muajt janar dhe shkurt. Qytetarët e Kuçovës që përfitojnë ndihmë ekonomike nga shteti thonë se nuk e kanë marrë ndihmën ekonomike në dy muajt e parë të vitit. Ata deklarojnë se në llogaritë e tyre rrjedhëse nuk kanë kaluar të ardhurat për muajt janar dhe shkurt, çka ka shkaktuar probleme të mëdha për familjet e tyre. Familjarët deklarojnë për gazetën se ndihen në vështirësi të mëdha ekonomike dhe se po jetojnë duke u ushqyer me lista. Kjo gjendje e krijuar ka shkaktuar pakënaqësi për 8 familjet e qytetit naftëtar. Sipas tyre, çdo vit krijohen vështirësi në shpërndarjen e ndihmës ekonomike, situatë e cila është krijuar dhe gjatë këtij viti. Burime pranë bashkisë së qytetit të Kuçovës bëjnë me dije se listat e shpërndarjes së ndihmës ekonomike janë aprovuar për këtë vit, por shpërndarja e ndihmës nuk është bërë për shkak të mos lëvrimit të fondit nga ministria përkatëse.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).